Abdullah pashë Dreni (1820 – 6 shtator 1878)[1] ka qenë ushtarak shqiptar i Perandorisë Osmane, përfaqësues i Gjakovës në Lidhjen e Prizrenit dhe kryetar i degës së Lidhjes në vendlindje.

Biografia

Redakto

U lind në Gjakovë, në degën e Drenjve të familjes bejlere Kryeziu.[2] Shërbeu në ushtrinë osmane, ku u shqua në luftime në Rrethimin e Plevnës si betejë kyçe e Luftës Ruso-Turke 1877-78, pas së cilës iu dha titulli pashë.[3]

Më 1878 mori pjesë në mbledhjen e Prizrenit si delegat i Gjakovës, ku dhe firmosi Kararnamenë me gradën mir-i miran.[4] Shtatorin e po atij viti ia mësyu derën Mehmet Ali pashë Maxharri, i dërguari i Portës për të mbikëqyrur dorëzimin e Plavës dhe Gucisë sipas traktatit të Shën Stefanit, i cili nuk u dëgjua nga paria e Lidhjes në Prizren për këtë çështje. Abdullah pashë Dreni ishte në krye të degës së Lidhjes në Gjakovë. Pasi populli i indinjuar i vuri kushte Maxharrit, i kërkuan Drenit që ta përcillte Maxharrin brenda 24 orëve. Dreni i indinjuar që jo vetëm njerëz jo të shtresës së tij po i vinin kushte, por edhe po ia përdhosnin ushtrimin e zakonit të mikpritjes, organizoi mbrojtjen së bashku me eskortën e Maxharrit brenda sarajit të vet. Aksioni i Gjakovës zgjati tri ditë e tri net, ku u vranë 400 vetë dhe u plagosën 700 sipas një raporti të Konsullit austro-hungarez në Prizren; ndër të vrarët edhe i zoti i shtëpisë.[5] Për këtë ndodhi të hidhur, populli i këndoi:[2]

Vajmedet për Abdullah begun,

Miqt e premë e vet' i vdekun!

Referime

Redakto
  1. ^ Vlora, Syrja bej (2013) [1921-1925]. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës. Tiranë: Iceberg. fq. 37. ISBN 978-9928-4140-4-5.
  2. ^ a b Vlora, Eqrem bej; Von Godin, Amelie (2010) [1955-56]. Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri v. II. Tiranë: 55. fq. 69. ISBN 978-99943-56-89-8.
  3. ^ Elsie, Robert (2012). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 125. ISBN 978-1-78076-431-3.
  4. ^ "1878: The Resolutions of the League of Prizren". albanianhistory.net (në anglisht). Përkthyer nga Robert Elsie. Arkivuar nga origjinali më 20 shkurt 2011.
  5. ^ Merlika-Kruja, Mustafa (2011). Shënime historike. Tiranë: Omsca-1. fq. 403–407. ISBN 978-9928-132-00-0.