Arif Vladi është zanatçi, këngetar, ahengxhi i spikatur i ahengut shqiptar.

Lindi më 3 shtator të vitit 1956 në Lurë ku kreu shkollën fillore, për të vazhduar Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe Akademinë e Arteve – dega kanto (1980). Si nxënës i klasës së gjashtë, u ngjit për herë të parë në skenë, në festivalet e zonës, për të vazhduar pa shkëputje në të gjitha festivalet folklorike të Rrethit, ndërsa kënga e parë e kënduar nga ai para publikut ishte “Djemtë e Lumës, hiç s’kanë dert”. Fama e tij artistike nisi në fillim të viteve të ’80-ta, ku pas mbarimit të Akademisë, dy vjet punoi si këngëtar në Ansamblin Shtetëror të Këngëve e Valleve dhe pastaj në Estradën e Peshkopisë (deri në vitin 1989), kurse kulmin famës e arriti në vitet e fundit të shekullit XX. Përhapja e famës së Arif Vladit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e diasporë, u bë me punimin e këngëve “O prite Azem Galicën”, “Hajredin Pasha”, “Jakup Ferri me bajrak”, “Sefë Kosharja i pari i fisit”, “Jam Kosova e shqiptarisë”, “Marshi i UÇK-së”, etj. Si talent i rrallë i këngës shqipe, me popullaritet të pazakonshëm, merr pjesë në shumë turne ndërkombëtare, ku këngët e tij ishin “ajka” e repertorit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, si në Francë (1980), Zvicër (1981), Gjermani Perëndimore (83), Algjeri-Tunizi (1984), Itali-Austri (85), Egjipt (89), etj. Në sirtarin e tij artistik rradhiten këto albume muzikore: “Arif Vladi këndon”, “Kënga ime për shqiptarët”, “Unë dhe këngët e mia”, “Jam Kosova e shqiptarisë”, “Marshi i UÇK-së”, etj.

Arif Vladi me këngën e tij të kënduar me profesionalizëm dhe përkushtim të pashoq, u bë “pushka” atdhetare e shqiptarisë, krisma e të cilës u dëgjua në luftën heroike çlirimtare të UÇK-së së Kosovës, për çlirimin njëherë e përgjithmonë nga regjimi i Serbisë. Sot ai bashkë me familjen jeton e vepron në Belgjikë, por kohë pas kohe vjen në Shqipëri e Kosovë, ku me bashkëpunëtorët e tij: tekstshkruesin Agim Doçi, kompozitorët Edmond Zhulali e Përparim Tomçini, me këngëtarin që kanë realizuar disa hite kushtuar heronjve dhe kombit shqiptar Ilir Shaqiri, punon projekte të reja. Sivjet, për personalitetin dhe veprimtarinë e tij artistike, të pazakontë deri më tani, është realizuar një film dokumentar nga kolegu i tij Ilir Shaqiri, regjisori Blerdi Malushi, e gazetari Besart Galica, i titullluar “Arif Vladi – Zëri i këngëve lapidare” u shfaq në Muzeun Historik në Tiranë dhe në Qendrën për Kulturë “Haki Stërmilli” në Peshkopi. Emri i Arif Vladit do të përmendet gjithnjë, asnjë kohë nuk do të kalojë pa e kujtuar këtë këngëtar brilant, dhe do ngrihet në krahët e kujtesës për të fluturuar në fushat e mbjella me histori e kultura të reja të së ardhmes.

Veprat

Redakto

Arif Vladi është këngëtar i njohur. Më datë 10 Nëntor 2018, Arif Vladi, Ilir Shaqiri & Nikolle Nikprelaj publikojnë videoklipin "Kaloresi I Lirise". Muzika e këngës u punua nga Edmond Zhulali, teksti u shkrua nga Ilir Shaqiri, ndërsa për orkestrimin u kujdes Edmond Zhulali.

Më datë 7 Dhjetor 2019, Arif Vladi & Kastriot Tusha publikojnë videoklipin "Per Ty Shqiperi". Muzika e këngës u punua nga Edmond Zhulali, teksti u shkrua nga Çun Lajçi, ndërsa për orkestrimin u kujdes Edmond Zhulali. Më datë 9 Shkurt 2020, Arif Vladi publikon videoklipin "Rexi Amerikani".

Më datë 11 Shkurt 2020, Arif Vladi publikon videoklipin "Djemte E Dibres, Djemte E Camit". Muzika dhe orkestrimi i këngës janë punuar nga Edmond Zhulali. Më datë 18 Shkurt 2020, Arif Vladi publikon videoklipin "Lisi I Gjakut Lisi I Trimave". Muzika e këngës u punua nga Edmond Zhulali, teksti u shkrua nga Agim Doçi, ndërsa për orkestrimin u kujdes Edmond Zhulali.