Arsimi në Kukës është (aktualisht) i siguruar nga financimi shtetëror nëpërmjet taksimit. Fillesat e arsimit datojnë më 11 tetor 1911 kur u hap shkolla e parë zyrtare shqipe. Institucionet arsimore në rrethin e Kukësit janë parashkollorët ,shkollat 9-vjeçare,shkollat e mesme dhe universitetet. Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë kontrollon gjendjen e arsimit në rrethin e Kukësit nëpërmjet drejtorisë arsimore rajonale(DAR). Në fushën e arsimit kanë spikatur shumë intelektualë ku ndër to përmenden Riza Spahiu, Havzi Nela, Agim Spahiu, Nazif Dokle etj.

Gjurmët e para të arsimit në Kukës

Redakto

Më 11 tetor 1911 u hap shkolla e parë shqipe në Kolesjan të Lumës.[1] Mësuesi i parë i shkollës së Kolesjanit ka qenë Riza Islam Spahiu(1891-1974), "Mësues i Merituar". Në këtë shkollë mësoheshin njohuri laike dhe fetare njëkohësisht. Në vitet 1922-1928 ndryshoi gjendja e arsimit në qarkun e Kukësit me hapjen e shkollës fillore të Kukësit "Kosova" më 21 tetor 1923 dhe shkollave të tjera shqipe në Dukagjin, Ujmisht, Bicaj, Shtiqën, Gjinaj, Zapod, Ploshtan, Kalis, Krumë, Borje, Fshat. Dy shoqata arsimore qenë formuar në Bicaj dhe Krumë. Shkolla frekuentohej vetëm nga djem deri në vitin 1922 ku në shkollën e Kolesjanit për herë të parë u regjistruan 3 vajza. Një numër i madh mësuesish dhanë mësim në shkollën e Kukësit si: Muharrem Domi, Ferid Imami, Ahmet Imami, Xheladin Hana, Xhaferr Korbi etj.

Në vitin 1945 shkolla fillore "Kosova" mori emrin shkolla fillore "Bajram Curri".[2] Në vitin shkollor 1955-1956 në qytet hapet kopshti me ushqim me 30 fëmijë.[3] Më 1 shtator 1956 u hap Gjimnazi i Kukësit dhe mori emrin "8 nëntori". Kishte 1 klasë me 50 nxënës prej të cilëve 30 me bursë shteti dhe 20 të jashtëm nga qyteti ose qendra ku ndodhej shkolla. Drejtor i parë i gjimnazit ka qenë z.Burhan Hoti. Në shtator të vitit 1968 në Kukës u hap "Qendra e konsultimit dhe provimit" për rrethet Kukës e Tropojë. Më datë 2 korrik 1970, Qendra e Konsultimeve dhe Provimit u shndërrua në filial të arsimit të lartë në Kukës si degë e Institutit të lartë pedagogjik 3-vjeçar Shkodër.[2]

Arsimi sot

Redakto

Drejtoria që kontrollon dhe kujdeset për arsimin është DAR-Kukës (Drejtoria Arsimore Rajonale Kukës) që është në vartësi të Minstrisë së Arsimit dhe Sportit. DAR kontrollon të gjithë institucionet arsimore në rrethin e Kukësit.[4] Arsimi në Kukës është publik duke përfshirë të gjithë institucionet arsimore ndërsa arsimi jopublik nuk është funksional. Arsimimi ndahet në disa faza. Shifrat e mëposhtme tregojnë numrin e institucioneve arsimore në rrethin e Kukësit.

Qyteti Nr i shkollave 9-vjeçare Nr i shkollave të mesme Nr i universiteteve
Kukës 41 10 1

[5]

Institucionet arsimore

Redakto

Në kushtet e të nxënit përfshihen: ndjekja e arsimit parashkollor, niveli profesional i mësuesve, niveli i menaxhimit shkollor, infrastruktura shkollore, shpërndarja e shkollave, shërbimet në shkolla, familja, komuniteti i shkollës, financimi i shkollave. Ndjekja e arsimit parashkollor është përfshirë në kushtet e të nxënit pasi favorizon suksesin shkollor të fëmijëve dhe është i vyeshëm pasi kompensohen vështirësitë e nxënësve, mjedisi familjar i të cilëve ka mangësi kulturore. Niveli profesional i mësuesve ndikon në cilësinë e shërbimit arsimor dhe në këtë aspekt janë bërë veprimtari të larmishme trajnuese veçanërisht për mësuesit pa arsimin përkatës. Infrastruktura shkollore përfshin shpërndarjen e shkollave, godinat shkollore mosha mesatare e të cilave është 21,6 vjet e pajisjet e shkollave. Shërbimet në shkolla janë më të kufizuara ku përmendet shërbimi psiko-social që ka nga 1 punonjës për çdo shkollë. Familja është një faktor që ndikon drejtpersëdrejti në arsimimin e popullsisë me mirëqenien e saj. Fëmijët me prindër të divorcuar, ata jetimë, ata që jetojnë në gjendje të vështirë ekonomike, minoritetet etj, kanë prirje për të paraqitur performancë jo të kënaqshme në shkollë. Financimi i shkollave vjen nga fondet e bashkisë, komunës apo qarkut; nga kontributet e bizneseve për arsim, të prindërve, të donatorëve.[6] Fazat e arsimimit të qytetarëve të Kukësit janë :

  • Edukimi parashkollor që zhvillohet ne institucionet e çerdhes(1-2 vjeç), kopshtit(3-4 vjeçare) dhe të klasave parashkollore (5-6 vjeç). Këto institucione janë publike ,por kemi edhe private me pagesë.
  • Arsimi 9-vjeçar që zhvillohet në institucionet e shkollave 9-vjeçare. Ky arsim përfshin moshat 6-15 vjeç dhe është i detyrueshëm për popullsinë.
  • Arsimi i mesëm që zhvillohet në institucionet e shkollave të mesme në gjimnaze si dhe shkollave të mesme profesionale. Ky arsim përfshin moshat 16-18 vjeç dhe nuk është i detyrueshëm për popullsinë.
  • Arsimi i lartë universitar që zhvillohet në institucionin e arsimit të lartë, (Universiteti i Kukësit).

Figura të shquara të arsimit në Kukës

Redakto

Mësuesi i parë Riza Spahiu

Redakto

Riza Islam Spahiu(1891-1974) lindi në fshatin Kolesjan të krahinës së Lumës në një familje me tradita patriotike. Është mësuesi i parë shkollës shqipe të Kolesjanit. Mësimet e para i mori në vendlindje , ndërsa mësimet e mesme në shkollën turke në Prizeren. Ai ia kushtoi jetën shkollës shqipe dhe punoi me pasion e patriotizëm të vecantë për mësimin dhe edukimin e popullsisë. Po ashtu ishte luftëtar për mbrojtjen e atdheut. Ka marrë pjesë edhe në jetën politike shqiptare. Për këto arsye u dënua me vdekje në mungesë. Pas dënimit u kthye sërish në Kolesjan për të vazhduar misionin e tij deri sa doli në pension. Në Kolesjan dhe në krahinën e Lumës solli mendimin e përparuar,gjykimin e ri mbi jetën e mënyrën e të jetuarit.Ai mban titullin "Mësues i Merituar" dhe një shkollë 9-vjeçare në Kukës mban emrin e tij.[7]

Havzi Nela (Prometeu i lidhur)

Redakto
 
Gjimmazi "Havzi Nela" Kukës, që mban emrin e shkrimtarit

Lindi në vitin 1934 në Kollovoz dhe u ekzekutua në vitin 1988. Havzi Nela u shqua për jetën e veprimtarinë e tij politike, arsimore e shoqërore. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe në Prizeren, kurse shkollën pedagogjike e kreu në Shkodër. Punoi si mësues në rrethin e Matit, në Krumë, në Lojme dhe në Shishtavec, kurse vitet e fundit në shkollën 8-vjeçare të Topojanit. Nuk u pajtua me disa nga reformat e padrejtësitë e sistemit të asaj kohe dhe u burgos në vitin 1967 për pikëpamjet e tij. E kaloi jetën në burgje dhe internime, "pa një ditë lumnie", deri sa u ekzekutua më 10 gusht 1988. Havzi Nela është Martir i Demokracisë. Në përkujtim të tij, shkolla e mesme e qytetit të Kukësit sot mban emrin e tij.[8]

Agim Spahiu

Redakto

U lind në fshatin Kolesjan më 22 prill të vitit 1952. Ai kreu shkollën e mesme në gjimnazin e Kukësit dhe studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik trevjeçar të Shkodrës për gjuhë-letërsi. Përfundoi studimet në vitin 1974 dhe për 15 vjet rradhazi punoi si mësues i gjuhës shqipe dhe letërsisë në rrethin e Hasit,në Gjinaj dhe shkollën e mesme të Fajzajve. Në moshën 18 vjecare ai kishte botuar vëllimin e parë poetik me titull Liria.Libra të tjerë në prozë e poezi të tij janë : "Duart e Punës"(1973), "Vjen në moshë"(1982), "Këngë për Idën e Hasin e Bardhë"(1982), "Të jetosh me ty", "Është koha të duhemi"(1990), "Njeriu mbi Pikëllimë", "Kurpalet" etj. Agim Spahiu vdiq aksidentalisht më 14 dhjetor të vitit 1993. Vdekja e tij e parakohshme qe një humbje për arsimin, letërsinë dhe kulturën e Kukësit. Me dekretin nr.786, datë 3 mars të vitit 1994 është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të Parë.[9]

Nazif Dokle

Redakto

Ka lindur në fshatin Borje të rrethit të Kukësit më 15.01.1945. Shkollën tetëvjeçare e kreu në Kukës, ndersa shkollën e mesme për skulpturë e kreu në Liceun Jordan Misja në Tiranë. Shkollën e lartë për gjuhë e letërsi shqipe e kreu në Institutin Pedagogjik të Shkodrës. Ka punuar si mësues në shkolla të ndryshme të rretheve Has dhe Kukës, skenograf i Shtëpisë së Kulturës dhe Krijimtarisë popullore, estradës profesioniste të rrethit Kukës, metodist, inspektor e kryeinspektor arsimi për rrethin dhe qarkun e Kukësit. Ka qenë një prej themeluesve dhe drejtuesve të shoqërisë etnokulturore "Gora", gazetës "Drini"dhe kryeredaktor i gazetës fëminore "Jemi edhe ne". Nazif Dokle mban titullin "Mësues i merituar"(1995) dhe dekorata të tjera.[10]

Referime dhe shënime

Redakto
  1. ^ "Riza Spahiu e shkolla e Kolesianit(1911-1951)"Shefqet Hoxha.Shtëpia botuese "GEER",viti 2001,faqe 6
  2. ^ a b KUKËSI I VJETËR "Qyteti që u bë kurban për t'i dhënë dritë Shqipërisë"(Monografi)Elmaz Dokle.Shtëpia botuese "SIPRINT",viti 2013,faqe 218-262
  3. ^ "Kukësi i vjetër,monografi për një qytet të përmbytur" Nazif Dokle.Shtëpia botuese "GEER",viti 2012,faqe 70
  4. ^ "Strategjia e Arsimit për të gjithë e qarkut të Kukësit,me ekspertizë të shoqatës Zhvillimi i Edukimit",Durrës,Shqipëri,shtëpia botuese PEGI,2007,faqe 13
  5. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 18 prill 2015. Marrë më 29 mars 2015. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  6. ^ "Strategjia e Arsimit për të gjithë e qarkut të Kukësit,me ekspertizë të shoqatës Zhvillimi i Edukimit",Durrës,Shqipëri,shtëpia botuese PEGI,2007,faqe 8-20
  7. ^ "Shtegtarët e dijes(portrete mësuesish)" Naim Manaj.Shtëpia botuese "Guriprint" Prizeren,viti 2008,faqe 13
  8. ^ "Shtegtarët e dijes(portrete mësuesish)" Naim Manaj.Shtëpia botuese "Guriprint" Prizeren,viti 2008,faqe 91
  9. ^ "Shtegtarët e dijes(portrete mësuesish)" Naim Manaj.Shtëpia botuese "Guriprint" Prizeren,viti 2008,faqe 162
  10. ^ "Shtegtarët e dijes(portrete mësuesish)" Naim Manaj.Shtëpia botuese "Guriprint" Prizeren,viti 2008,faqe 139