Rrethi i Matit

(Përcjellë nga Rrethin e Matit)
This is the stable version, checked on 28 shtator 2023. 1 pending change awaits review.

41°20′N 20°06′E / 41.34°N 20.1°E / 41.34; 20.1

link={{{të çon}}}

Rrethi i Matit është njëri nga 36-të rrethet e Shqipërisë. Rrethi bën pjesë në Qarkun të Dibrës. Rrethi i Matit ka 62,000 banorë (sipas regjistrimit të vitit 2004), një sipërfaqe prej 1,028 km² dhe kryeqendër Burrelin.

Historia

Redakto

Origjina e emrit

Redakto

Origjinën e fjalës Mat (Matja, Emathia) e kanë studiuar shumë studiues e shkencëtarë, por ende mbetet e papërcaktuar qartë prejardhja e saj. Disa besojnë se ky emër ka prejardhje biblike, kurse albanologu i njohur N. Jokli shpjegon se emri i krahinës vjen nga gjuha shqipe e ka lidhje me fjalën mat`anë (mat`anë lumit, mat`anë bregut). Në një dokument të vitit 1304, në një listë anzhuine me emrat e 13 fiseve, përmendet edhe ai i Matit në formën e Matesos.

Gjurmë të kulturës Ilire

Redakto

Krahina e Matit është një muze i vërtetë arkeologjik dhe djep i lashtë i kulturës ilire. Aty janë zbuluar objekte prej ku dhe dalin të dhëna për të gjithë periudhat historike të zhvillimit kulturor jo vetëm të trevës së Matit por edhe më gjerë, Mati është bërë tani i njohur jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë Shqipërisë, si një krahinë arkeologjike e rëndësishme me vlera të veçanta, sidomos për gjurmimin e studimin e kulturës ilire”. Në vitin 1952 në fshatin Bushkash nisën studimet e tre kodër varreve ilire ose siç quhen në gjuhën arkeologjike tumave. Në vitin 1952-1960 u zbuluan dhe u gërmuan edhe 35 tuma të tjerë ilire ku pjesa më e madhe e tyre i përket periudhës së parë të hekurit Në vitin 1971-1984 u zbuluan e u gërmuan dhe 18 tuma të tjera duke çuar numrin e tumave në 53. Kultura e tumave e varreve në Mat përfshin periudhat e bronzit të mesëm e deri në shekujt e parë të erës sonë. Përveç studimeve të kodërvarreve janë studiuar dhe disa vendbanime shpellore që ndodhen në veri të fshatit Bruç si dhe vendbanimi shpellor i Blazit, Këputës, Pëllumbave dhe Nezirit. Gërmimet e ndryshme arkeologjike kanë zbuluar gjurmë material që nga periudha e paleolitit të mesëm, në neolit e më pas. Ato hedhin dritë mbi ritet , doket e ilirëve, e arbërve, nivelin e zhvillimit ekonomik e kulturor që shprehet në vendbanimet e tyre në kala në qyteza në mënyrën e ndërtimit të tuneleve, varreve, ritit të varrimit etj... Në tumat e Matit janë gjetur me shumicë objekte zbukurimi të cilat, në të shumtën e rasteve janë prej bronxi, por janë gjetur edhe objekte prej ari siç janë dy temthorë spiralike. Këto objekte janë fibula të permasave të ndryshme të njohura në Ballkanin jugor dhe në Iliri që nga fundi i epokës së bronzit si dhe fibula të tjera. Janë gjetur armë dhe vegla pune, shpata bronxi, thika, heshta prej hekuri, hanxharë i quajtur ”Sica”, përkrenarë ilire, pafta bronzi të shekullit VI-V p.e.r. Një grup të larmishëm përbëjnë stolitë e tjera si stringlat, vargonjtë, paftat, sumbullat, varëset, byzylykët dhe rruaza prej bronzi si dhe objekte prej qelqi dhe qelibari. Stolitë janë përpuanuar nga mjeshtrat vendas, pirustët, të cilët banonin në luginën e Matit, Mirditës, Pukës që kishin për zanat shkrirjen e përpunimit të metaleve.

Qendrat kryesore të fortifikuara

Si qendra të fortifikuara me mure rrethuese e kala njihen: Qyteti i Varoshit(Stelushi), Guri i Bardhe(Petralba), Xibri, Cërruja, Bruçi, Shkopeti, Komsia, etj. Vendbanimet e fortifikuara lindën kur shoqëria Ilire arriti një stad më të zhvilluar të saj. Vendbanimet e fortifikuara kanë një shpërndarje përreth luginës.

Kalaja e Xibrit:

Ndodhet pranë fshatit Xibër të Matit, e ndërtuar në lartësinë e malit të Darsit. Sipas studiuesve del se ky vendbanim ka qenë një qytezë e pakalueshme nga tri anët, ndërsa nga ana e fshatit Xibër vëndi ulet me pjerrësi të butë drejt lagjes Splej të Xibrit. Kjo kala ndodhet në afërsi të Gurit të Bardhë, ku mendohet se më vonë banorët janë tranferuar nga Xibri në Gur të Bardhë, mbasi keto dy kala kanë në mes rrugën e rëndësishme Dibër-Gur i Bardhë-Durrës. Për rëndësinë, rolin, lashtësinë dhe vazhdimësinë e kalasë së Xibrit jepen shumë të dhëna me interes për trevat e Matit. Së pari tërheq vëmendjen një listë e kështjellave të Epirit të ri që jep Prokopi i Cezarese si të ndërtuara nga perandori Justinian në shekullin e VI-të e cila përfshin edhe krahinën e Matit midis të cilëve është Stefaniokon dhe fortesa Ketron. Së dyti: Në mbishkrimin e kishës së Rubikut(1261-1266) përmendet emri i një kapiteni të arbërve Andrea Vrana i cili sipas dokumentave, qendrën e tij e kishte në Cmibri domethënë në Xibër Emri Cmibër mund të ketë kuptim sërish, apo siç thonë fshatarët e asaj ane Cipër-Xibër sepse edhe vendi i banuar, kalaja ishte sipër fshatit. Sidoqoftë pritet në të Kalaja e Cërujës Ndodhet në fshatin Cëruje në rrëzë të malit Balgjaj që kufizohet me fshatin Patin, Berzhi, Plezhë e Bejn. Renojat e kalasë thërriten nga banorët ”kalaja e Skënderbeut”. Kjo kala ndodhet në rrugën kryesore që shkonte nga Petralba në Stellush dhe mbyllte atë drejtim. Mendohet se është rindertuar në kohën e Skënderbeut dhe bashkë me kalatë e tjera në Mat, përbënte kompleksin fortifikues kundër ushtrisë osmane.

Kalaja e Shkopetit:

Ndodhet mbi tunelin e sotëm në Shkopet, mbi digën e hidrocentralit. Duke u nisur nga thyerja e terrenit nuk të shkon mëndja se pikërisht aty ka qenë një kala e vjetër ilire që mbyllte grykën e Shkopetit. Në kala akoma nuk janë bërë studime të kualifikuara përveç disa kërkimeve individuale.

Kalaja e Bruçit:

Ndodhet në perendim të fshatit Prell e në veri të fshatit Bruç ndodhen vendbanimet ilire të lashta të Blazit, Nezirit, Këputës. Aty ku bashkohen dy përrenjtë e Blazit e të Valit që janë degë të lumit Urakë, është vendi ku ka qenë ngritur një kala e quajtur nga fshatarët “Qyteza e Skënderbeut”. Vendi është i gjetur që vetëm nga një drejtim mund të futesh ashtu si dhe në kalatë e tjera të ndërtuara në atë kohë. Ky drejtim pasi fortifikohej me murë lihej vetëm një derë kryesore. Muret në kala duken mirë dhe janë dukshëm të gjata dhë të gjëra.

Kalaja e Gurit të Bardhë (Petralba):

Ndodhet poshtë fshatit Guri i Bardhë dhe përmbi fshatin Fshat dhe është një kreshtë malore me lartësi 778. Barleti per këtë kala thotë “Ky është një qytet në Mat i ndërtuar në majë të një mali, por që si trembet megjithatë, përveç urisë, asnjë fuqie armike. Kalaja e Gurit të Bardhë bashkë me atë të Skënderbeut në Varosh, kanë qenë dy qytetet kryesore të Gjon Kastriotit dhe nuk dihet për lashtësinë e tyre pasi edhe gërmime në rrënojat rreth e qark nuk janë bërë. Kjo kala nuk është larg nga ajo e Xibrit dhe ka ndonjë mendim se pas rrenimit të kalasë së Xibrit mund të jetë ngritur kalaja e Gurit të Bardhë. Të dyja këto objekte, fortifikata të rëndësishme, ishin në rrëzë të rrugës kryesore Dibër-Qafë Murrizë-Durrës Qyteza e Gurit të bardhë paraqiste interes të madh në kohën e principatës së Kastriotëve dhe për nga rëndësia vinte e dyta pas Stellushit. Populli thotë se në këtë qytezë mbante familjen Gjon Kastrioti dhe se këtu ka lindur Skënderbeu. Barleti thotë “në kalanë e Gurit të Bardhë kalonte verën e vjeshtën e shoqja e Skënderbeut. Në fund të shekullit të 15 dhe fillimi i shekullit të 16 , Guri i Bardhë vinte pas Shkodrës që kishte 282 shtëpi, Prizreni 557, Kruja 128, Gjirokastra 302, ndërsa qytetet më të zhvilluara si Elbasani, Berati nuk i kalonin 100 shtëpitë.

Kalaja e Skënderbeut në Varosh-Stellushi:

Ndodhet në skajin verilindor të luginës së Matit afër fshatit Viq, kufi me fshatrat Shëlli, Vinjallë dhe Qafëmurrë. Në dokumentat turke kjo kala quhej Istulush ose Stelush kurse banorët vendas përreth kalasë e quajnë Varosh ndërsa shkembin ku ka qenë e ndërtuar kalaja e quajnë Kalaja e Skënderbeut ose dhe kalaja e Varoshit. Kjo kala dhe objektet përreth përbëjnë një qytet të lashtë dhe, janë kryer punime studimore nga një ekspedite arkeologjike e udhëhequr nga arkeologu i shquar Skënder Anamali i cili ka bërë dhe publikimin e këtyre studimeve. Vërtetohet se nga gjysma e parë e mijëvjeçarit të fundit para erës së re, këtu ka pasur një vendbanim të lashtë ilir. Ekzistenca e qytetit që sipas gojëdhënave ishte mjaft i madh, tregon për lashtësinë e kalasë dhe tërë vendbanimit të fortifikuar. Qyteti i Varoshit në bazë të gojëdhënave, toponimeve dhe terrenit, shtrihej që nga Pylla e Zezë e deri në fushën e Bunarit. Në anën lindore të këtij qyteti kishte pazarin dhe shumë vendbanime apo punishte për të cilat flasin toponimet e sotshme. Ndersa nga ana e Qafe Murrës ishte kisha e Limoces jo fort larg qytetit të Varoshit Marin Barleti kur flet për Stelushin thotë ” Edhe ky qytet megjithëse nga madhësia me të drejtë nuk mund të lavdërohet por nga mbrojtja natyrore e vendit, nga bukuria dhe shëndeti, me plot të drejtë mund ta çosh në qiell, është një mal në fushat e Matit, i lartë në mes të një lugine të bukur si të ishte vënë atje me qëllim. Vetë qafa e këtij mali, e rrethuar për bukuri me mure , formon këtë qytezë. Kjo kala luante një rol të rëndësishëm për mbrojtjen jo vetëm të luginës së Matit por të krejt territorit Mat-Tiranë-Krujë për të dalë në bregdet në Durrës. Pra ishte një fortifikatë strategjike për të ndaluar vërshimet e ushtrive pushtuese që vinin nga ana e lindjes. Këtë funksion kjo kala e kreu më së miri gjatë shumë periudhave por në veçanti gjatë kohës së Kastriotëve. Kalaja e Skënderbeut në Varosh ishte dhe qendër e rëndësishme nga kalonin shumë rrugë, gjurmë të cilave gjenden edhe sot në mjaft sektore të veçantë si në Viq, Mbasdeje, Gur Lurë etj. Arkeologu S. Anamali del në konkluzionet se – Kalaja e Skënderbeut ka qenë vendbanim ilir dhe ka pasur vijushmeri banimi që në kohët e lashta. Në mesjetë në kohën e fuqizimit të bujarisë feudale vendase dhe dobësimit të Perandorisë Bizantine(shek,XIII-XIV) rreth kalasë u zhvillua një qytet mesjetar që u quajt nga otomanët Stellush dhe ka qenë selia e familjes së Kastriotëve. Ardhmen të zbulohen mjaft të fshehta, vendbanime e kala.

Qendra e Arbërisë

Redakto

Pas pushtimit të Ilirisë nga romakët, tokat u ndanë në provinca romake dhe administroheshin direkt nga Roma. Por romakët me qëllim që të mos acaronin gjendjen, në shumë krahina, fiset ilire i lanë të lira, të jetonin sipas zakoneve të tyre tradicionale. Një ndër keto fise sipas gjeografit Ptolemeu ishte fisi ilir Albanoi të cilit Roma i kishte lënë të drejtën e vetëadministrimit të brendshëm! Ptolemeu në një hartë të tij e shënon Albanoin afërsisht në trevat e sotshme të Matit. Bashkësia fisnore e Ilirëve mes Dibrës dhe Durrësit ishte bashëksia e fisit Albanoi. Fisi Albanoi kishte dhe qytetin e tij me të njëjtin emër, vendodhja e të cilit nuk është përcaktuar përfundimisht. Profesor Dhimitër Shuteriqi thotë: "Ka mendime që qendra e Arbërit të jetë Xibri ose Guri i Bardhë apo ndonjë vend malor i luginës së Matit". Përveç disa hipotezave, duke u nisur edhe nga harta e Ptolemeut si dhe nga përcaktimi që i bën shkrimtarja Ana Komnena, mund të flitet për ekzistencën e një qyteti Albanoi në afërsi të fshatrave Dukagjin, Prellë e Mcuc të Matit. Albanologët e mëdhenj Pedersene Prashnike thonë se emri Arba (Alba) është emër i lashtë i krahinës së Matit dhe emrin Arbani e nxjerrim në burmin vendas të kohës antike. Një qytet mesjetar Alban ka ekzistuar, me 1332 ku e përmend Guielm Adae, kryepeshkop i Tivarit. Ai qytet ekziston të paktën që me 1166 kur kemi një ”prior të Arbërit”. Andrea prior Albanencis domethënë kreun e një qyteti të quajtur Alban. Në shekullin e XI emri Arbër , Arbëresh filloi të përmendet jo vetëm brenda, por dhe jashtë vendit, ndërsa shkrimtarja Ana Komnena i përcakton afërsisht kufinjtë gjeografike të Arbërisë, sipas saj territori me emrin Arbër (Arbanoi, Albanoi, Albani) përfshinte krahinat që shtriheshin mes Durrësit e Drinit. Por dihet se mes Durrësit dhe Drinit është krahina e Matit, Mirditës (Ndërfandise siç i thoshin atëherë) edhe Kurbinit. Studiues të ndryshëm duke bërë përpjekje për lokalizimin e principatës së Arbërit dhe qendrës së saj qytetit Alban, japin të dhëna se kjo principatë përfshinte Matin dhe se qendra e saj ishte Klosi. Por ka edhe të dhëna që brenda peshkopatës së Stefanës (Shqefnit te sotshëm) gjendet katundi Arbas dhe pikërisht pranë fshatit Dukagjin të sotshëm. Ky fshat Arbas tashmë nuk ekziston, por ekziston në regjistrin osman të vitit 1467. Kjo zonë më vonë u zgjerua dhe bashkë me të u zgjeruan edhe kufinjtë territoriale të emërtimit Arbëri që arritën deri në Vlorë në jug e Pult në veri. Rreth vitit 1107, kur në krye të Bizantit ishte perandori Aleks Komneni, arbëreshët deshën të flakin tej zgjedhën shekullore të bizantinëve dhe një pjesë e tyre përkrahën normadët që ishin futur në Shqipëri kundër perandorit Komnen. Ky perandor vendosi garnizone të forta për të mbrojtur kështjellat e grykat e Arbërisë. Por normadët me ndihmën e arbëreshëve sulmuan bizantët dhe shtinë në dorë grykat midis Krujës e Dibrës, domethënë grykat e Matit të sotëm. Pra krahina e sotshme e Matit ishte qendra e Arbërisë. Aty nga viti 1110 perandori Komnen vendosi sundimin e tij dhe përzuri normanët, por arbëreshët përfituan disa të drejta vetëqeverisëse, të cilat bënë të mundur më vonë të fuqizonin ato derisa aty nga shekulli i XII(1180) njihen emrat e 15 bujarëve të Arbërisë si Jonen Marku, Lek, Sernel, Palt etj që janë emra shqiptarë dhe emra fetarë si Dhimitër, Andrea, Pal, Aleks etj që gjenden të gjithë në rregjistrin osman të vitit 1467 të vilajetit të Matit. Nga fundi i shekullit të XII njihet sundimtari i principatës së Arbërisë, Progoni(1190-1199) i cili pati dy djem , Gjin dhe Dhimitrin. Pas Progonit sundimin e principatës e mori i biri Gjini(1199-1208) Arbëreshët nën udhëheqjen e Gjinit, në vitin 1204 morën pjesë në kryqezatën e 4 që nën nxitjen e Ppaes e të perandorit të Gjermanisë e të Venedikut shembën perandorinë bizantine. Në atë kohë principata e Arbërisë u rrit ndjeshëm. Ajo tani kishte dhe kryepeshkopatën e Arbërisë me qendër në krujë, që përfshinte tër kishat e Matit, Nderfandit, Kurbinit etj. Principata e Arbërisë kishte si fqinj të saj në jug Despotatin e Epirit, në lindje mbretërinë bullgare, në veri e verilindje mbretërinë e Rashes dhe në perëndim ishte Republika e Venedikut. Pas vdekjes së Gjinit vendin e zuri i vëllai i cili kishte për grua mbesën e perandorit bizantin Aleksit të III. Nën udhëheqjen e Dhimitrit principata e Arbërit njohu një ngritje politike dhe ekonomike. Prej vitit 1257 deri me 1259 për dy vjet me rradhë vazhdoi kryengritja e madhe e arbëreshëve kundër Bizantit që u përhap që nga Durrësi, Ohri, Dibra e Matit dhe i përzunë garnizonet bizantinë. Në shekullin e XIV kuptimi gjeografik i Arbërisë arriti në veri deri në Ulqin e Tivar, ndërsa në jug përfshinte Çamërinë deri në Arte. Përkufizimi gjeografik i Arbërisë që bën Ana Komnena përkojnë me zotërimet e Gjon Kastriotit. Kjo përforcohej edhe po ti shtojmë edhe përkatësinë e krypeshkopatës që ishte në Krujë si dhe përkatësinë e kishave dhe territoreve që përmendet në letrën që Gjon Kastrioti i dërgonte me 1407, Senatit të Venedikut e ku thuhej se ”kisha ka 800 vjet që është në tokat e mia”. Por më vonë pushteti bizantin u forcua dhe u rivendos prapë në Arbëri, megjithatë Arbëria vazhdoi të ruante një farë autonomie dhe të sundohej nga sundimtarë arbëreshë. Në një dokument të vitit 1266 thuhet se njëri prej tyre Andera Urani qe me origjinë nga Mati. Pas vitit 1272 në Arbëri erdhën Anzhutë nga Italia e Jugut dhe e shpallën e Arbërine mbretëri nën Karlin e I Anzhu me qendër në Durrës dhe kryen disa luftime kundër pushtetit bizantin derisa me 1286 u përzunë dhe Arbëria ra përsëri nën sundimin bizantin. Në Arbëri qenë forcuar shumë feudalët vendas. Të tillë qenë Arianitët, Muzakët, Topiajt, Dukagjinët, Blinishtët, Skurajt, Ionimët etj. Rreth vitit 1374 e gjithë Arbëria ra nën sundimin e serbëve të Stefan Dushanit duke i dhënë fund sundimit bizantin në Shqipëri prej afro 9 shekuj e gjysëm.

Regjistrimi i Popullsisë së Matit nga Osmanët

Redakto

Regjistrimi i popullsisë së Matit është nxjerrë nga disa regjistra osmane dhe i perkthyer nga Selami Pulaha ne librin lufta ”shqiptaro-turke” në shekullin e 15 Defteri është i sanxhakut të Dibrës ku përfshihen vilajeti i Dibrës së sipërme, së poshtme, Gollobordës, Cermenikës, Matit, Urakës, Kurbinit, Krujës dhe Bendes. Treva e Matit ka qenë e ndarë në tre pjesë Vilajeti i Matit, i Dhimiter Jonimës dhe në Vilajetin e Urakës. Ky regjistrim ka qenë bërë me qëllim që osmanët të vilnin taksat në fshatrat që pushtonin. Regjistrimi u bë në kohë të vështira, ku Sulltan Mehmeti i II-të në krye të gjithë forcave perandorake hyri në Shqipëri në maj të 1446-s. Pushtuesit osmanë u përpoqën të vendosnin përfundimisht pushtetin e tyre në ato zona, duke kryer regjistrimin e tokave të cilat ja aneksuan Sanxhakut të Ohrit. Por Skënderbeu pas një riorganizim të shpejte i sulmoi turqit dhe i përzuri përsëri në prill të 1467-s. Në këtë defter thuhet se u gjendën vende të shkreta, fshatra të braktisura dhe popullsia kishte shkuar në male për ti shpëtuar rrënimeve ose për të luftuar. Gjatë fushatës ushtarake, sipas autorëve turq, pushtuesit gjatë vitit 1446, masakruan afro 15 mijë veta, ndërsa gjatë fushatës së vitit 1467, masakruan 8 mije banorë Të dhënat për vilajetin e Matit dhe të Urakës, janë përmbledhur në këtë vëllim, me qellim për tu sqaruar më mirë. Regjistri përmban emrat e kryefamiljarëve, në bazë të cilëve, bazohet edhe numri i shtëpive. Mendohet se çdo familje kishte 5-7 vetë Me studimin e saktë të defterit del se shumë fshatra ishin të braktisura. Ky defter ka vlera të mëdha historiko-shkencore, sepse na jep të dhëna, jo vetëm për numrin e fshatrave, emrin e tyre, emrat e banorëve që banojnë në këto treva por edhe gjendjen ekonomike të tyre e pasuritë që zotëronin. Pas luftërave legjendare prej një çerek shekulli që zhvilloi Skënderbeu, Shqipëria ra nën sundimin osman, të cilët vranë e rrënuan deri në themel tërë trevat e Skënderbeut, por sidomos kryeqendrën e saj, zemrën e shtetit të tij që ishte Mati.

Përkrenarja e Ilirëve e gjetur në Mat ka qenë në përdorim deri në pushtimin romak

Redakto

Kultura e Matit është e pranishme në shumë territore të Shqipërisë duke filluar nga jugu i Shqipërisë e duke mbaruar në Lezhë, Shkodër, Bujan të Tropojës, Kukës etj. Pirustët ishin fis Ilir, banorë të krahinës së sotshme të Matit e Mirditës e disa krahinave në jug që deri në vitin 168 p.e.r bënin pjesë në mbretërinë ilire që përfshinte fiset ardiane, piruste, parthine, taulante e dasarete të cilat shtriheshin nga Dalmacia(lumi Naretna) deri në Vlorë . Më vonë ata rezistuan dhe mbetën të Pashkaterruar nga Romakët duke ruajtur pavarësinë deri në vitin 54 të erës sonë, kur Cesari i detyroi të paguanin një dëmshpërblim. Në vitin 6-9 të eres sonë, prusitë morën pjesë në kryengritjen e madhe ilire kundër pushtimit romak nën udhëheqjen e Batos. Pirustët, desidiatët e dalmatët ishin pothuajse të pathyeshëm në saje të pozitave së vendeve dhe maleve, të natyrës së ashpër dhe të zotësisë së tyre të fuqishme për të luftuar. Për herë të fundit fisi ilir i pirustëve përmendet nga Ptolemeu në shekullin e dytë para erës sonë. Ata përmenden si minatorë dhe përpunues të metaleve e sidomos të bakrit. Specialistët pirustë shkonin dhe nëpër fise të tjera ilire duke ushtruar zanatin e përpunuesit të metaleve. Besojmë se duhet të jenë të pirustëve disa toponime që gjenden sot në Mat siç janë mali i Farkës, sheshi i Farkës, përroi i Farkës etj. Zanati i farkëtarit është trashëguar brez pas brezi që siç do ta shohim më vonë mori zhvillim sidomos në krahinën e Skënderbeut, për prodhimin e armëve. Popullsia ilire në trevat e Matit mundi të ekzistojë e të ruhet pa u asimiluar si nga pushtimi romak ashtu edhe nga dyndjet e popujve të ndryshëm. Kjo vazhdimse jete, kulture, etnike na çon deri në mesjetën e hershme, kur ilirët dalin në histori me emrat e ri Arbër.

Popullimi

Redakto

Kërkimet më të reja arkeologjike, kanë zbuluar gjurmët materiale të popullimit të kësaj treve qysh nga periudha e palolitit të mesëm në neolit e më pas. Dëshmi për këtë janë studimet e bëra në Shpellat e Blazit në Bruç. Lugina e Matit del të ketë qenë e populluar vazhdimisht në periudhat historike. Në periudhën e hekurit dëshmohet nga kërkimet, sidomos nga inventari i gjetur në varret e asaj kohe, se kjo trevë banohej nga fiset ilire e konkretisht nga Pirustët. Pirustët i bënë ballë invazionit Romak për shume vite me rradhë deri në shekullin e dytë të erës sonë. Thuhet se pas pushtimit të Ilirisë qendrat e mëdha të banuara qytetare, sidomos në bregdet, u romanizouan gati plotesisht, por ndryshe qëndronte puna në brendësi të vendit, në Luginat e banuara në thellësi të maleve siç ishte për shembull Lugina e Matit e vendbanimet malore në Mirditë, Pukë, Dibër e më në veri. Ketëj banorët vazhduan të flisnin gjuhen e tyre, respektonin hyjnitë e tyre dhe varrosnin të vdekurit sipas mënyrës së tyre të lashtë tradicionale, punonin token si dikur, ruajtën veshjet dhe emrat e fëmijëve, respektonin doket dhe zakonet e tyre. Defteri syret i Esami Vilajet Dibra i vitit 1467 jep të dhëna të përhershme për numërimin e popullsisë së Matit.

Veshjet popullore ne Mat

Në Shqipëri, Mati mund të jetë krahina më e pasur me veshje popullore. Sidomos veshjet e grave kanë një larmi të madhe, ku spikasin e kuqja e verdha por edhe e bardha. Etnologët kanë bërë një ndarje duke e pasur ngjyrën si kriter dhe sipas tyre veshja e “bardhe” përbën kostumin e mbajtur nga gratë e besimit katolik ; dhe “veshja e zeze” që mbahej nga gratë e besimit mysliman në fshatrat e  Luginës së Matit të epër, ku edhe ka ndodhur konvertimi në fenë islame.

Por mbi të gjitha shkëlqen ajo që quhet, “veshja matjane” tipike për këtë zonë, por që edhe ajo vetë brenda llojit të saj ka veçori specifike sipas zonave e fshatrave. Spikasin variantet e Prellit, Rranzave, Gurit të Bardhë, Gurrës, Xibrrit e Martaneshit. Veshja e burrave është pak a shumë e njëjtë në të gjithë rrethin, si tirq me xhamadanë. Më herët burrat mbanin dhe fustanellë në ceremoni.

Më pas veshja me tirq dhe fustanellë përdorej vetëm në raste festash kurse veshja e përditshme u bënë brekushet e zeza me xhamadan prej shajaku të bardhë, me gajtanë të zinj. Në dimër, përdorej dhe xhoke e zezë (xhulini apo xhulija). Mbi të gjitha veshja e Gurit të Bardhë paraqitet e ndryshme nga krahinat e tjera duke ruajtur disa elementë të qytetarisë së hershme. Rol në ruajtjen e kësaj veshje ka luajtur fakti që banorët e Gurit të Bardhë pothuajse nuk bënin fare martesa jashtë fshatit të tyre.

Gastronomia matjane

Tradita e guzhinës matjane si një zonë me bimësi dhe reliev kodrinore si dhe treva për të shfrytezuar në maksimum, blegtorinë, ka si gatim tradicional mishin e pjekur në disa variante si përshembull : në saç, në helle, në prush, etj. Një gatim tradicional përveç mishit të të imtave si delja, dhia dhe viçat është dhe mishi i pulës i cili gatuhet  në të gjithë zonën, shoqërohet me qullë ose me asortimente brumi si: makarona, oriz, jufka, përshesh i bërë me miell të ndryshëm misri dhe gruri. Po me produktet e mishit te viçit, të të imtave por dhe të mishit të pulës bëhen gjellëra të ndryshme tradicionale si: Paça, mishi më lëng, çorba etj

Te gjitha perimet e zonës që bëhen në trevën e Matit por dhe përreth qytetit janë bio dhe përdoren për gatime sallatërash te ndryshme për tryezat por edhe për gjellë vere si ushqim i lehtë, por edhe ëmbëlsirat në trevën tonë kanë një origjinë të hershme të cilat bëhen në raste gëzimi dhe hidhërimi si përshembull: peta me sheqer, hasude, bakllava, shendetlie, revani etj. Të gjitha këto ushqime shoqërohen me pije tradicionale si rakia dhe vera ku e gjithë zona dhe qyteti e kultivon rrushin më pas e fermenton dhe pas fermentimit e nxjerrë si produkt bio për servirje. Kjo është një tradite e hershme.

Gjeografia

Redakto

Mati shtrihet në pjesën qendrore të Shqipërisë. Sipërfaqja e rrethit është 997 km katrorë. Dendësia e popullsisë është 69 banorë për km katrorë. Në qytet banojnë 17 % e popullsisë ndërsa pjesa tjetër banon në fshat. Kufiri natyror i Matit fillon nga lindja me malin e Dejës, zbret në Qafë-Murrë pastaj ngjitet nëpër majat e maleve të Balgjajt, që radhiten në drejtim të jugut, për të zbritur në Qafë të Buallit, pastaj me në jug kufizohet me malësinë e Martaneshit duke u ndarë nga rrethi i Dibrës dhe Bulqizës. Nga këtej kufiri vijon në Malin me Gropa për të zbritur në qafën e Murrizës, vazhdon më tej duke u ndarë me rrethin e Tiranës, zbret në Qafë-Shtame, për tu ngjitur ne drejtim të veriperëndimit në vargmalet e Skënderbeut, ku kufiri ndahet me rrethin e Krujës, vazhdon me Qafën e Belegut dhe përfundon në grykën e Shkopetit, që ndan Matin me rrethin e Kurbinit. Ndërsa nga ana veriperendimore kufizohet me malet Kulmi i Dervenit, vazhdon nga ana e veriut me kodrat e Prosekut, ku terrenet janë më të hapura dhe më të kalueshme, pastaj kufiri mbyllet për tu ndarë me rrethin e Mirditës. Mati gjendet midis koordinatave gjeografike 41 o e 26` dhe 41 o e 47`, gjerësi veriore dhe 19 o e 52` dhe 20 o e 14` gjerësi lindore Ulëz Shkopet është vendi ku janë krijuar kanionet më të thellë e më të rëndësishme në Shqipëri. Tipike për këto ngushtime është Gryka e Shkopetit(40 metra) disa metra e thellë e çarë nga lumi Mat para se të dalë në fushë. Rilievi ngrihet mbi nivelin e detit në lartësinë më të madhe 2246 metra është Maja e Dejës. Dallohen katër nivele tarracore, që përbëjnë gropën e Matit nga Klosi deri në Ulëz. Në njërën nga këto tarraca lumore është vendosur qyteti i Burrelit. Klima në luginën e Matit është afërsisht si mesatare e klimës e gjithë Shqipërisë, lidhet me brezin e klimës mesdhetare e cila karakterizohet nga vera e nxehtë dhe e thatë me shkëlqim të madh të diellit dhe nga dimri relativisht i butë në luginë dhe disi i ashpër në brezin malor. Temperatura mesatare vjetore ne Luginën e Matit është afro 14 gradë celsius në ditët më të nxehta të korrikut arrin 38 gradë. Muaji më i ngrohtë është korriku me temperaturë mesatare 24 gradë, ndërsa më i ftohti është janari me temperaturë mesatare +4 deri 0 gradë celsius. Ditët me diell zënë 88-90% të ditëve të vitit.

Ndarja administrative

Redakto

Rrethi i Matit përbëhet nga 2 bashki dhe 10 komuna që janë:

Shiko edhe

Redakto