Dar-yl-Harb
Termi arab Dar-yl-Harb (arabisht دار الحرب = dār al-harb = dāru ʾl-ḥarb) do të thotë e përkthyer direkt „shtëpia e luftës" ose „zona e luftës“ dhe cilëson të gjitha vendet në botë që nuk ndodhen nën sundimin islam dhe nuk janë dār-al-ahd (zonë e kontratës). Banorët e dār al-harb-it quhen harbi, për të cilët vlejnë ligje të veçanta. Gati me kuptim të njëjtë me atë dār al-harb përdoret edhe termi dār al-kufr (arabisht دار الكفر), në shqip „zonë e të pafeve“. Në të kundërt, vendet nën sundimin islam quhen dar al-islam-i (arabisht دار الإسلام). Ky term nuk del në kuran por e ka prejardhjen sipas Jusuf el-Kardavi-t nga themeluesi i drejtimit juridik hanafit, teologu Ebu Hanife (699-767). [1]
Fushatat ushtarake kundra dār al-harb-it shihen sipas gjykimit tradicional të fesë islame jo si luftë prandaj edhe nuk cilësohen si luftë por si „hapje“ (arabisht فتوحات futuhat). Sipas konceptimit tradicional islam, me dār al-harb-in nuk mund të ketë salām („paqe“) por vetëm hudna („armëpushim“) për një kohë të caktuar. Luftërat kundra dār al-harb-t cilësohen tradicionalisht si xhihad.
Ai që merr pjesë në xhihad cilësohet si muxhahid (arabisht مجاهد), shumës muxhahidun (arabisht مجاهدون) ose në rasën gjinore dhe kallëzore muxhahidin (arabisht مجاهدين). Xhihadi nuk është detyrim për individin mysliman por për tërësinë e myslimanëve (fard kifâya). Ai që vritet gjatë xhihadit hyn si shehid (arabisht شهيد), e përkthyer direkt „dëshmitar“, „martir“, „dëshmor“, menjëherë në qiell, ku është në mes të të ashtuquajturave virgjëreshave të parajsës (huri-jave) dhe të të mirave të tjera.
Në fakt, sipas konceptimit fillestar, një mysliman e ka të ndaluar të jetojë në dār al-harb dhe duhet të bëjë çmos që të mërgojë nga atje për në dar al-islam (hixhra, „arratisje“, „tërheqje“, si dikur profeti Muhamed nga Meka, përpara se ajo të bëhej islame, për në Medinë).
Në kohët më të vona u krijuan terma si dar as-sulh („zonë me marrëveshje paqeje“) e njëjtë nga kuptimi me dar al-'ahd. Ato cilësonin vende që kishin lidhur kontrata paqeje me dar al-islam-in dhe paguanin tribut. Nga këto vende myslimanët nuk ishin të detyruar të mërgonin patjetër. Pas pushtimit britanik të Indisë, teologë si Sajjid Ahmad Khan-i u shprehën se vendet ku myslimanët lejohet të ushtrojnë fenë e tyre duhen trajtuar si dar al-aman („zona me garantim sigurie“), kështu që për to detyrimi i xhihadit ose i mërgimit nuk vlen. Në këtë mënyrë, pas ndarjes së Indisë më 1947 shumë myslimanë e konsideronin Indinë si dar al-aman. Por shumë myslimanë indianë të tjerë i qëndruan besnikë konceptimit tradicional duke mërguar për në Pakistan (muhaxhirun).
Por këto terma të mëvonshme janë të diskutueshme pasi madhhab-et (drejtimet e ndryshme juridike) islame që prej rreth shekullit të 11-të ose të 12-të hedhin poshtë çfarëdo lloj ndryshimi. Për më tepër hollësira shih artikullin Fikh.
Referime
Redakto- ^ "Dar Al-Islam And Dar Al-Harb: Its Definition and Significance" nga Ahmed Khalil, një e treta e fillimit