Remove Kebab (shqip: Hiqe Qebapin/Hiqni kebapat) është një video muzikore propagandistike anti-myslimane e nacionalistëve serbë[1] me origjinë nga koha e luftërave jugosllave (1991-1995). Më vonë në internet u krijua një slogan dhe një meme me po të njëjtin emër.[2][3][4] Kënga quhej fillimisht Karaxhiq, priju serbëve tu (serbisht: Караџићу води Србе своје/Karadžiću vodi Srbe svoje), kënga është e njohur edhe si Zoti është serb dhe ai do të na mbrojë (serbisht: Бог је Србин и он ће нас чувати/Bog je Srbin i on će nas čuvati) dhe Serbia, e fortë.[2][3]

Terminologjia Redakto

Fraza anti-myslimane "Hiqe kebapin" është slogan me origjinë nga Serbia që është përhapur në tërë botën në mesin e supremacistëve të bardhë.[2] Fraza si meme është bërë një eufemizëm që nënkupton spastrimin etnik të myslimanëve.[3][5]

Historiku Redakto

Në kulmin e luftërave të viteve '90 që shpërthyen në Jugosllavi, u inçizua një këngë nacionaliste serbe e quajtur Karaxhiq, Priju Serbëve Tu e cila u publikua në vitin 1995.[2] Në videon e këngës, melodia luhet nga tre meshkuj të veshur me uniforma paramilitare serbe në një vend me terren kodrinor në sfond.[2] Në video shfaqen edhe pamjet e të burgosurve myslimanë në kampet serbe të luftës.[6]

Përmbajtja e këngës ngre në qiell luftëtarët serbë dhe udhëheqësin e serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiq, i cili në vitin 2016 u shpall fajtor për gjenocid kundër boshnjakëve myslimanë, kryer gjatë Luftës së Bosnjës (1992-1995).[2][6] Teksti përmban vargje si  "O Karaxhiq, priju serbëve tu. Priju serbëve tu. Le ta sheh tanë bota se ata s'dinë mu frikësu". Vargje tjera janë: "Për me mbrojtë popullin shkja... për liri luftojna na, për liri luftojna na".[2] Pjesë të tjera të këngës kanë qëllim të provokojnë një parandjenjë ogurzezë në kundërshtarët e tyre me vargje paralajmëruese si "Po vijnë ujqit tash, ruhuni, turq e ustashë". Në këngë përdoren terma fyes si "ustashë" në lidhje me luftëtarët nacionalistë kroatë dhe "turq" për boshnjakët myslimanë kurse teksti i këngës paralajmëron se serbët nën udhëheqjen e Karadzicit po vinin veç për ta.[2][3][6] Gjatë Luftës së Bosnjës (1992-1995), kënga ishte një himn marshimi për paramilitarët (çetnikë) serbë.[7]

Në vitin 2006 kënga u postua në internet kurse me kalimin e kohës popullariteti i saj u rrit në mesin e radikalëve të bardhë. U krijuan shumë video dhe imazhe parodike.[2][3] Një nga interpretuesit e këngës, me harmonikë, Novisllav Gjajiq është bërë meme e përhapur në 4chan mes grupeve nacionaliste dhe është quajtur "Dat Face Soldier" kurse fotoja e tij duke luajtur harmonikën është bërë e njohur si "Remove kebab".[2][3][8][4][9] Meme është shfaqur në mbi 800 thread-s në forumin e internetit Reddit dhe është bërë pjesë e së djathtës ekstreme.[4][9] Gjajiq u dënua me 5 vjet burg në Gjermani për pjesën e tij të fajit në vrasjen e 14 personave gjatë luftës, dhe pas lirimit me dëbim në një shtet tjetër.[2] Kënga është rishkruar shumë herë në gjuhë të ndryshme dhe ka ruajtur temat e saj militante dhe anti-myslimane.[2]

Sulmuesi i përfshirë në masakrën e xhamisë së qytetit Christchurch (2019) në njërën nga armët e tij kishte të shkruar frazën "Hiqe kebapin".[2] Në manifestin e tij ai e përshkruan veten si "heqës kebapash", duke referencuar këngën dhe memen e internetit, të cilat janë të lidhura me gjenocidin e ushtrisë së serbëve të Bosnjës  ndaj boshnjakëve myslimanë.[3][8] Gjatë rrugës për në xhaminë ku do të kryente masakrën ndaj besimtarëve myslimanë që po faleshin, sulmuesi lëshoi në veturë këngën "Hiqe kebapin" (Serbia, e fortë).[10][2][11]

Këngëtari kryesor i këngës, Zhelko Gërmusha, ka dhënë një intervistë pas masakrës. Në të, ai thotë se "është e tmerrshme se çfarë bëri ai djali në Zelandë të Re, sigurisht që e dënoj atë akt dhe më vjen keq për të gjithë ata njerëz të pafajshëm. Por ai filloi të vriste dhe ai do ta bënte këtë gjë pa marrë parasysh se çfarë kënge do të dëgjonte."[12][13]

Referime Redakto

  1. ^ Doyle, Gerry. "New Zealand mosque attacker's plan began and ended online". www.reuters.com. Reuters. Marrë më 16 mars 2019. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ a b c d e f g h i j k l m n Coalson, Robert. "Christchurch Attacks: Suspect Took Inspiration From Former Yugoslavia's Ethnically Fueled Wars". www.rferl.org. Radio Free Europe/Radio Liberty. Marrë më 15 mars 2019. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ a b c d e f g "Mosque shooter brandished material glorifying Serb nationalism". www.aljazeera.com. Al Jazeera. Marrë më 16 mars 2019. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ a b c Ward, Justin. "Day of the trope: White nationalist memes thrive on Reddit's r/The_Donald". www.splcenter.org. Southern Poverty Law Center (SPLC). Marrë më 16 mars 2019. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ Hemmer, Nicole. "Tweedy racists and "ironic" anti-Semites: the alt-right fits a historical pattern". www.vox.com. Vox. Marrë më 16 mars 2019. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ a b c Gambrell, Jon. "Mosque shooter brandished white supremacist iconography". www.washingtonpost.com. Washington Post. Arkivuar nga origjinali më 20 mars 2019. Marrë më 16 mars 2019. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. ^ "New Zealand mosque shooting: What is known about the suspects?". BBC. 15 mars 2019. Marrë më 16 mars 2019. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  8. ^ a b Weill, Kelly; Sommer, Will. "Mosque Attack Video Linked to 'White Genocide' Rant". www.thedailybeast.com. Daily Beast. Marrë më 15 mars 2019. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  9. ^ a b Sixsmith, Ben. "Guns Internet Life Media: The dark extremism of the 'extremely online'". www.spectator.us. Spectator. Arkivuar nga origjinali më 19 gusht 2020. Marrë më 16 mars 2019. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  10. ^ Koziol, Michael. "Christchurch shooter's manifesto reveals an obsession with white supremacy over Muslims". www.smh.com.au. Sydney Morning Herald. Marrë më 15 mars 2019. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  11. ^ Zivanovic, Maja. "New Zealand Mosque Gunman 'Inspired by Balkan Nationalists'". Balkaninsight.com. Balkaninsight. Marrë më 15 mars 2019. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  12. ^ Alo!. "Željko objasnio kako je zaista nastala njegova pesma uz koju je Tarant počinio pokolj na Novom Zelandu!". alo (në serbisht). Marrë më 2019-03-16.
  13. ^ "Autor pjesme koju je napadač slušao prije pokolja: "Kakve veze pjesma ima s terorističkim napadom?"". Dnevnik.hr (në kroatisht). Marrë më 2019-03-16.