Et'hem bej Vlora
Et'hem bej Vlora (Stamboll 1884 - Tiranë 1937) ishte djali i Ismail Qemal bej Vlorës, themeluesit të Shtetit Shqiptar, më 28 nëntor 1912.
Lindi në Stamboll në 1884 ku kreu dhe mësimet fillore, ndërsa më pas studjoi në qytete të ndryshme të Europës si Lozanë, Paris e Bruksel. Në tetor 1912, përpara se Ismail Qemali të nisej për Bukuresht, për të filluar udhëtimin drejt Pavarësisë, Et'hemi u nis për Vlorë dhe mori pjesë në Komisionin përgatitor për Shpalljen e Pavarësisë, duke qenë koordinator i këtij Komisioni me Ismail Qemalin. Në një letër që Ibrahim Shyti i dërgonte mësuesit Musa Muho, më 1969, lexojmë: «Sa për djalin e Ismail Beut, Et'hemin, ai ka qenë ushtarak dhe ato kohë erdhi në Vlorë, me këshillë të Ismail Beut e të Gurakuqit, dy muaj para se të shpallej indipendenca. Ca kohë qëndroj në shtëpinë e Hamza Isait e ca kohë në atë të Ymer Radhimës. Në mbledhje me vlonjatët transmetonte letrat që i vinin nga Nica e Francës dhe me telegraf komunikonte me Ismail Ben. Et'hem Beu ishte i urtë e me plot fjalë të mënçura. Ai kishte pasur shokë në Stamboll Toto Hosen nga Bolena. Po atë nuk e poqi dotë sepse autoritetet turke e kishin larguar nga ushtria. Gjithë Paria e Vloërs, nuk bënte gjë pa pyetur Et'hem Beun»[1]. Më 9 nëntor 1912, nga Vjena, Ismail Qemali dërgoi dy telegramet e njohura historike, njërin drejtuar Et'hemit dhe tjetrin parisë së Vlorës:
«Vij me vaporin më të parë. E ardhmja e Shqipërisë është siguruar. Telegrafoni kudo të kenë besim të plotë për fatin e atdheut. Duke u rekomanduar marrëveshje vëllazërore, bashkëpunim, ecje në rregull të punëravet shtetërore, ruajtje të rendit publik, përshëndetje atërore, Qemal»[2]. Më 13 nëntor 1912 Et'hemi i përgjigjet të atit nga Vlora: «Falenderime të sinqerta për të ardhmen e Shqipërisë. Kemi ftuar kudo bashkatdhetarët të dërgojnë në Vlorë delegatë për Asamblenë. Delegatët e emëruar presin udhëzime pas komunikimit të telegramit tuaj. Na udhëzoni nëse është e nevojshme të bëhet mbledhja. Shpejtoni ardhjen në qoftë se Durrësi nuk është i bllokuar. Qetësi e plotë. Presim me padurim sqarimin e gjendjes. Të fala me respekt në emër të bashkatdhetarëve, Et'hem»[3]. Në krye të trupave ushtarakë rezervistë, me gradën e kapitenit, Et'hemi organizoi pritjen e delegatëve në Vlorë dhe, gjatë periudhës së Qeverisë së Vlorës, e gjejmë së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Hysen Vrionin në përpjekje për njohjen e Qeverisë së Vlorës në Veri të vendit[4]. Mori pjesë në delegacionin e Qeverisë së Vlorës, kryesuar nga Ismail Qemali, pranë Konferencës së Ambasadorëve, në Londër (1913). Më 1914, pas dorheqjes së Ismail Qemalit nga Qeveria, u largua nga Shqipëria, së bashku me të atin. Në dhjetor 1918 Qeveria italiane e ftoi Ismail Qemalin në Romë, për të koordinuar veprimet mbi të ardhmen e Shqipërisë. Nga Spanja, ku ndodhej me familjen, Ismail Qemali, shoqëruar nga dy djem të tij, Et'hemin dhe Qazimin, u nis për Itali. Pas vdekjes së Ismail Qemalit, Et'hem beu u zgjodh nga shqiptarët e Amerikës, të grumbulluar rreth «Partisë Politike», delegat në Konferencën e Paqes, në Paris, midis emrave të dëgjuar si Hasan Prishtina, Aqif Pashë Elbasani, Pandeli Cale, Mit’hat Frashëri, Ali bej Klisyra, Nuredin bej Vlora, etj., Më pas u vendos në Tiranë dhe nuk u mor me politikë. Më 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, ku u zhvillua edhe ceremonia e zhvendosjes së eshtrave të Ismail Qemalit, nga Kanina në Vlorë, Et'hemi dorëzoi, gjatë ceremonisë, Flamurin dy krenar që u ngrit në Vlorë, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë. Për këtë, gazeta «Besa», më 29 nëntor 1932, do shkruante: «Me Flamurin që është ngritur në Vlorë, më 28 nëntor 1912, janë bërë fotografitë e rastit dhe flamuri, nga Et'hem Vlora, i dorëzohet prefektit i cili ja jep ministrit të Arsimit Hilë Mosi, i cili do ta dorëzonte në Muzeun Kombëtar...».
Më 7 maj 1937, krejt papritur, Et'hem bej Vlora vdiq në Spitalin «Zog I», në Tiranë. Shtypi i kohës e përcolli me dhimbje vdekjen e tij. Gazeta «Shtypi», që dilte në Tiranë, shkruante: «Zhdukja e një patrioti fisnik» (Tiranë, 10 maj 1937, f.4); Gazeta «Jeta e Re», që dilte në Vlorë, midis të tjerash shkruante: «Dje na erdhi lajmi i vdekjes së kapiten Et'hem Vlorës. I ndjeri ishte një burrë i urtë, i matur dhe i ndershëm. Të ndyerin e kujtojmë me mallëngjim gjithë Vlora dhe veçanërisht shokët e tij vlonjatë të 1912ës» (Vlorë, 10 maj 1937, f.4). Ceremonia e varrimit u krye me nderime të mëdha. Gazeta «Drita», nën titullin «Një shumicë e madhe autoritetesh civile dhe ushtarake e shoqëruan kufomën e Et'hem Vlorës», e jep të plotë këtë ceremoni mortore, në faqe të parë të saj, shoqëruar edhe me një foto të ceremonisë (Tiranë, 9 maj 1937, f.1). Et'hem bej Vlora u martua me Ismete Ohri (Toptani), me të cilën nuk pati fëmijë.