Galica (Vushtrri)
Galica është një vendbanim në komunën e Vushtrrisë, Kosovë. Fshati shtrihet në një fushëgropë, pakëz të ngritur, rrëzë maleve të Qyqavicës, në trevën e Dreniës. Është vendbanim i tipit të dendur rreth 13-14 km në perëndim të Vushtrrisë. Për arsye të xeherorës së magnezitit pushteti këtë vendbanim dhe ate të Gjytetit (Dubocit) dhe Besnikut (Beçiqit) ia bashkangjet administrativisht Komunës së Vushtrrisë, edhe pse logjikisht dhe gjeografikisht i takon Drenicës dhe Komunës së Skënderajt.[1]
Galicë | |
---|---|
Fshat | |
Shteti | Kosova |
Rajoni | Mitrovica |
Komuna | Vushtrria |
Gjeografia
RedaktoGalica ka një sipërfaqe prej 443 hektarësh, 41 ari dhe 62 m². Familjet e fshatit janë: Halitaj (Shabani, Tahiri, Kamberi, Syla), Mehmetaj, Veliaj (Halili), Zekaj (Ademi, Zeqiri, Lahaj (Sabiti) dhe Fetahaj (Haziri, Salihu). Këto janë të një barku dhe të një fisi (Kuç). Më parë kanë jetuar edhe dy familje rome.
Mikrotoponimet më karakteristike të fshatit janë: Katuni i Moçëm, Livadhi i Kolë Bibës, Kroni i Bajramit, Udha e Kuqe, Kroni i Mahallës, Livadhi i Madh, Taraxha, Ara të Zallinës, Livadhet e Frashnit, Livadhi i Alisë, Ligatat, Suka e Madhe, Suka e Vogël, Shpatet, Logjet e Bejtës, Lama e Haxhës, Llazi i Tahirit, Gurinat, Shpallazi, Hormaqi, Kërshi i Hutit, Kërshi i Leprit, Roga e Blinit, Lugu i Behramit, Ara e Bungut, Kroni i Katunit, Kroni i Hatës, Kroni i Drumit, Trolli i Azemit, Qesta, Gumna, Guha e Pirrakit, Kolibat e Maxhupëve, Qukina, Shpati i Linit, Gurshel, Gurra, Lluburet, etj. Afër këtij vendbanimi, te Suka e madhe, gjenden gjurmët e vendbanimi të vjetër. Përkitazi me këtë është ruajtur edhe mikrotoponimi Arat të katunit të moçëm, Lugu i katunit të moçëm, etj. Në ngastrën e këtij fshati gjenden varret që populli i quan vaktit moçum", çka dëshmon për vjetërsinë e vendbanimit. Gjithashtu është ruajtur toponimi "Livadhi i Kolë Bibës" etj. Në varrezat e sotme myslimane të fshatit gjenden edhe disa gjurmë të varrezave të vjetra krishtere. Në këtë vendbanim gjenden edhe Varret e krushqëve të cilat i quajnë: Varret e Shalës dhe Varret e Berishës.[1]
Historia
RedaktoNë dokumentet e shkruara përmendet në defterin kadastral të Vilajetit Vëllk të vitit 1455 si dy vendbanime: Kalica me 30 shtëpi e 3 beqarë dhe Kaliça (pjesë) me 20 shtëpi e 7 beqarë. Si vendbanim është i regjistruar në Muhasebe-i Vilayet-i Rum-ili Defteri 1530 (937 b), në kuadër të Sanxhakut të Vushtrrisë me emrin Galiçe. Në defterin kadastral të Sanxhakut të Vushtrrisë të vitit 1566-74, me emrin Galiça, ishin të shënuar 2 shtëpi e 1 beqar.
Në shtesën e relacionit të arqipeshkvit Pjetër Karagiqit të vitit 1725, shkruan se në qytetin e Pejës misionar apostoli është don Ndre Braçani, misionit të së cilës i takon fshati Galizza me 8 shtëpi e 50 anëtarë besimtarë të krishterë.[1]
Në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h) fshati është i regjistruar me emrin Galicë.
Në vitin 1908 është vrarë Bejtë Galica me 25 vetë dhe janë zhdukur disa "gjynli" (vullnetarë). Në vitin 1920, me motivacion të ndjekjes së kaçakëve nga xhandarmëria serbe në këtë fshat u dogjën 6 shtëpi shqiptare. Nga pusheti austro-hungarez në këtë vendbanim janë djegur disa shtëpi dhe janë pushkatuar dy vëllazërit e Azemit: Seferi dhe Zeneli.
Në këtë vendbanim dhe në Drenicë e më gjërë të kësaj treve, luftëtari i lirisë, Azem Bejta, me lëvizjen e vet kaçake, i kishte bërë rezistencë të denjë dhe i kishte shkaktuar vrasje të shumta pushtetit dhe xhandarmërisë serbe. Gjatë kohës së tij Galica ishte pjesë e zonës së lirë të Drenicës të njohur me emrin Arbëria e Vogël. Me qëllim të shtypjes së rezistencës dhe hakmarrjes, ushtria serbe, më 15 korrik 1924, filloi sulmin kundër fshatrave Galicë, Mikushnicë dhe Lubovec. Ushtria serbe pësoi humbje të mëdha. Sipas gazetës "Hak", bilanci i luftës ishte ky: 100 shtëpi të djegura, 28 persona të plagosur dhe 82 banorë shqiptarë të vrarë, shumica prej tyre luftëtarë.
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ a b c Osmani, Jusuf (2005). Vendbanimet e Kosoves: Vushtrria. Autori. fq. 134–136.