Arbëria e Vogël ose Arbania e Vogël (1923-1924) ka qenë një zonë e lirë në zonën e Drenicës, në Kosovë, që ka qenë jashtë kontrollit të qeverisë serbe. Arbania e Vogël u krijua në korrik të vitit 1923 nga kryengritësit shqiptarë nën drejtimin e Azem Galices dhe është pranuar nga autoritetet vendore serbe përmes marrëveshjes.[1]

Harta e Arbënisë Vogël
Sot një rrugë në Galicë quhet Arbëria e Vogël

Vështrim

Redakto

Marreveshja për themelimin e zonës së lirë të Drenicës siguronte nje armëpushim të cilën e shfrytëzuan që të dy palet për të fituar kohë si dhe për shtrirjen e kontrollit. Arbania e Vogël ishte nën kontrollin e kryengritësve dhe shërbeu si bazë kryesore e çetave kosovare pas shpërbërjes së Zonës Asnjanëse të Junikut si dhe pas rritjes së presionit të forcave qeveritare të Tiranes mbi Malësitë e Veriut përkrahëse të opozitës, ku keto çeta gjenin strehim dhe mikpritje. Populli që jetonte brenda zones së lirë nuk njihte detyrime e tatime shtetërore dhe mund të qëndronte i armatosur. Në fillim Arbania e Vogël përfshiu të gjitha katundet e Komunës së Prekazit: Stërmci, Kuçica, Tërnaci, Prekazi i Poshtëm, Prekazi i Epërm, Beçiqi, Duboci, Krasaliqi, Galica, Mikushnica dhe Lubaveci. Gjatë dimrit 1923-1924 e me pas, zona e lirë u kufizua vetëm në katundet Galicë, Mikushnicë dhe Libovec. Pothuajse paralelisht më këtë zonë u krijua edhe një zonë tjetër e lirë në fshatrat Zagorth-Dumnicë të Vushtrrisë nga Mehmet Konjuhi dhe vëllezërit Bajçinofci. Në marrëveshje midis tyre, udhëheqësit e çetave kosovare vendosën te alternojnë strehimin në zonat e lira me veprimet jashte tyre për mbrojtjen e popullsise shqiptare nga dhuna e forcave të rregullta dhe e bandave çetnike. Gjendja e trazuar politike në shtetin shqiptar në pranverën e vitit 1924 dhe më pas Revolucioni Demokratik i Qershorit dhe ne vazhdim përpjekjet e forcave kundershtare të strehuara në Jugosllavi për ta shtypur atë, u dhanë rast qarqeve drejtues të Beogradit që të shpejtonin shtypjen e levizjes kryengritëse në Kosovë, për të ndërhyrë pastaj lirisht në vendosjen e një regjimi projugosllav në Tiranë. Më 10 shkurt 1924 forca té armatosura serbe asgjësuan zonën e lirë Zagorth-Dumnice, ku masakruan 28 veta, nga të cilet 18 gra e fëmijë. Pesë muaj më vonë, zhvillohet Beteja e Arbërisë së Vogël. Kështu, më 14 korrik 1924, rreth 1200 ushtarë, xhandarë, çetnikë dhe kolonë të mobilizuar serbë e malazezë, të pajisur edhe me artileri, sulmuan në befasi Arbaninë e Vogël. Gjate luftimeve të ashpra për mbrojtjen e saj që u zhvilluan më 15 korrik 1924, humbjet ishin të mëdha nga të dy palet, si dhe u plagos për vdekje edhe Azem Galica. Pas kësaj pasuan reprezalje te pergjakshme, u dogjën te mbjellat, u plackitën të gjitha shtëpite e të tre fshatrave dhe u vrane së paku 82 banorë, shumica prej të cilëve luftëtarë. Pas asgjësimit të Arbanisë së Vogël, lëvizja kryengritese i humbi bazat e veta në Kosovë dhe pas ndryshimit të regjimit në Tiranë, në dhjetor 1924, i humbi ato edhe në Shqipëri dhe shkoi gradualisht duke u shuar.[2] [3] [4]

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 143. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  2. ^ Lafe, Emil, red. (2008). "Fjalor Enciklopedik Shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 1. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 88–89. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.
  3. ^ https://pashtriku.org/bedri-tahiri-arberia-e-vogel-e-azem-galices-berthama-e-shtetesise-se-kosoves/
  4. ^ https://www.zemrashqiptare.net/news/60838/blerim-latifi-shqipnia-e-vogel.html