Gora shtrihet në pjesën lindore të Lumës, e cila përfshihet administrativisht në qarkun e Kukësit.

Harta e Gorës

Rajoni i Gorës, në veri dhe perëndim kufizohet me krahinën e Lumës, në lindje me krahinën e Opojës dhe në jug me krahinan e Tetovës dhe Gostivarit. Ajo shtrihet midis maleve të Sharrit, Kallabakut, Gjallicës, Koritnikut dhe Pikëllimës. Zona e Gorës në vitin 1992, administrativisht është pjesë e komunës së Shishtavecit dhe komunës së Zapodit. Gjurmë të popullimit të Gorës, evidentohen gjatë periudhës së mesjetës e në vazhdim. Mund të identifikohet me termin gjeo-etnik të kohës antikitetit “Iliria e shkretuar” të cilën e përmendin autorët latin Polibi e Tit Livi. Banimi i një pjese të fshatrave të Gorës, dëshmohet që në gjysmën e dytë të shek XII, kohë e sundimit të prenadorit Bizantin Mihal Komnenit (1140 – 1180). Që nga viti 1348, e gjejmë të dokumentuar për herë të parë dhe në vazhdim në vitin (1452, 1530, 1591, 1689, 1709, 1848), e deri në ditët tona, ku kjo krahinë shfaqet me emrin e pandryshuar Gorë –Gora.[1]

Pozita gjeografike Redakto

Gora, shtrihet nё trevat e Prizrenit, Kukёsit dhe Tetovёs nё trekёndёshin Shqipёri-Kosovё-Maqedoni. Ajo kufizohet në veri me Malin e Zercës (1347 m), në lindje me Kaçina (2204 m) dhe Gemitash (2118 m) në jug me Kallabakun (2174 m) në jug-perendim me Gjallicën (2486 m) dhe perendim me Koritnikun (2397 m). Me gjithë shmangien nga rrugët kryesore, Gora ka pozitë që lejon lidhje me Lumën mes grykës së vanave dhe shkallës së keqe, me Tetovën përmes qafave të Sharrit, me Dibrën përmes grykës së Çajës dhe me Kosovën përmes pikave doganore të Shishtavecit, Borjes dhe Orgjostit. Gora, ka rrjet lumor relativisht të dendur. Lumenjtë më kryesorë janë: Lumi i Borjes, Lumi i Topojanit dhe Lumi i Orgjostit, të cilët derdhen në grykderdhjen e vanave, e cila është degë e Drinit të Bardhë. Këta lumenj paraqesin potencial të përshtatshëm hidroenegjitik, ku në shtratin e tyre janë ndërtuar disa hidrocentrale. Në Gorë dallohen dy lloje klimash: klima submalore (në zonën e vendbanimeve), në viset e ulëta dhe klima malore alpine në pjesët e larta malore. Në përgjithësi kjo klimë karakterizohet me verë relativisht të freskët dhe të shkurtë dhe më dimër të gjatë dhe të ftohtë.

Temperatura mesatare gjatë verës është 32 °C dhe -5 °C në dimër. Lagështia Relative vjetore ështe 69%, reshjet variojnë 110 mm në verë dhe në dimër 400 mm. Lartësia maksimale e shtresës se borës arrin deri 100–160 cm. Elementët më të rëndësishëm morfologjike janë luginat, pllajat dhe vargmalet. Relievi malor zë pjesën më të madhe të territorit nga 800–1000 m, deri në 2496 m. Tokat e kafenjta malore me shtrirje deri në 1000 m mbi nivelin e detit, që gjenden në Shishtavec, Borje, dhe Kollovoz. Vendbanimet e Gorës ndodhen nga lartësia mbidetare 900 m, deri në lartësinë 1400 m. Lartësia mesatare e vendbanimeve është 1100 m. Pjesa më e madhe e vendbanimeve janë të tipit të grumbulluar që nuk dallojnë nga vendbanimet e krahinave fqinje të Lumës dhe të Opojës .[2]

Demografia Redakto

Pas viteve ´97, popullsia në rajonin e Gorës, vazhdoi të ulët. Në uljen e numrit të banorëve, ndikoi migrimi i brendshëm dhe i jashtëm. Mungesa e shërbimeve sociale, shëndetësore, kulturore dhe edukative ndikoi në lëvizjen e tyre drejt zonave urbane si Tirana dhe Durrësi. Migrimi drejt vendeve perendimore si, Greqia, Italia, Anglia, ishte mënyra kryesore e sigurimit të të ardhurave ekonomike. Në komunën Shishtavec, përmasa e migrimit të jashtëm ishte më e ndjeshme. Bazuar në censusin e vitit 2011, popullsia e Komunës Shishtavec, rezulton me 3835 banor, me një dendësi 65 b/km2 , dhe me sipërfaqe 58.8 km2. Komuna Zapod, rezulton me 2217 banor, me një dendësi 63 b/km2, dhe me sipërfaqe 35.3 km2. Komuna Shishtavec, ka një shkollë të mesme të përgjithshme, shtatë shkolla 9-vjeçare, gjashtë kopshte dhe shtatë qendra shëndetësore dhe ambulanca . Në komunën Zapod, ka një shkollë të mesme të përgjithshme, tetë shkolla 9-vjeçare, shtatë kopshte dhe tetë qendra shëndetësore dhe ambulanca. Si në komunën Shishtavec ashtu dhe në komunën Zapod, mungojnë qendrat kulturore, sportive dhe artistike. [3]

Diskutime rreth prejardhjes së popullsisë Gorane Redakto

Nga pikëpamja administrative: Redakto

  1. Në kohën e sundimit serb të Dushanit e të Vukut, dëshmohet si zhupë (krahinë e veçantë).
  2. Me pushtimin turk (1452), deri në rënien e Shkodrës (1479), bëhet pjesë e krahinës (nahisë) e vilajetit të Pashtrikut, e pas kësaj deri më 1530, pjesë e kazasë së Prizrenit e sanxhakut të Dukagjinit.
  3. Mes viteve 1530 - 1571, formohet Sanxhaku i Prizrenit. Në kuadrin e tij formohet kazaja e Gorës, ku bënin pjesë nahitë (krahinat) Gorë, Opojë, Lumë dhe Dibër.
  4. Në vitin 1868, shpërbëhet kazaja e Gorës që ndahej në dy bajrakë: Dollovishti dhe Topojani. Territori i saj ndahet midis kazave Prizren dhe Lumë, që formohen rishtas në kuadrin e vilajetit të Kosovës me qendër në Prishtinë.
  5. Midis viteve 1912 - 1923, kohë e pushtimeve serbe, bullgare dhe austro-hungareze formohet një nënprefekturë ku përshihej edhe Opoja.
  6. mars 1923, kufiri politik e ndau Gorën në dy pjesë. 20 fshatra u përfshinë në Mbretrinë Jugosllave dhe 19 syresh brenda shtetit Shqiptar prej të cilëve 10 me popullësi kompakte shqiptare (Novosej, Kollovoz, Shtreze, Turaj, Xhafere, Topojan, Brekijë, Nimçë, Lojme, Bele) dhe 9 fshatra me popullësi kompakte Gorane (Shishtavec, Borje, Cernalevë, Kosharisht, Orgjost. Oreshek, Oçikël, Pakisht, Zapod).

Sot katër prej fshatrave me popullësi Gorane (Shishtaveci, Borja, Oreshka dhe Cërnaleva ) i takojnë komunës Shishtavec dhe pesë (Kosharisht, Oçikli, Orgjosti, Pakishti dhe Zapodi) i përkasin komunës Zapod (Dokle;2002) .[1]

Historia e origjinës Redakto

Për historinë dhe prejardhjen gorane, janë zhvilluar diskutime të ndryshme dhe vazhdojnë edhe në ditët e sotme. Studiuesit që kanë hulumtuar rreth prejardhjes gorane, kanë këndvështrime të ndyshme mes tyre. Shpeshherë kundërshtimet mes studiuesve Goran, për historinë e prejardhjes kanë qenë polimizuese. Mendohet se goranët dalin në dritë si pasardhës të peqenegeve dhe kumaneve të vendosur nga Azia e mesme, prej shekullit VII, e deri në shekullin XI, nëpër vendet malore të Ballkanit dhe janë emëruar nga sllavet “Gorani” që do të thotë Malësorë. Studiuesi Nazif Dokle, thekson se popullsia sipas regjistrimeve turke të shek XVI, Gora rezulton me popullësi sllave. Sa i takon prejardhjes së kësaj popullësie, mendimin e lidhë me disfatën e lëvizjes heretike të bogomilëve (Bullgari J P shek XII), që u përcoll me përndjekje popullatash, të cilat, kisha i përçmoi me emra përbuzës “torbeshë”, “patarinë”, “babunë“, “kudugjerë” etj. Ndërsa polarizimi etnik i krahinës, ka gjasa të ketë ndodhur pas luftës austro - turke të vitit 1689, dhe mortajës së tmerrshme të këtij viti, ngjarje që u shoqëruan me migrime, braktisje e shuarje vendbanimesh dhe më pas ripopullimin e tyre. D. Bllagoev (1906), bogomilizmin e përshkruan si pasqyrim direkt të realitetit feudal të shoqërisë bullgare mesjetare dhe si protestë të masave fshatare kundër shtypjes në të cilën ishin vënë nga ana e klerit të lartë.

Në vitin 1910 D. Culev, shpall se për të bogomilizmi nuk është lëvizje sociale por herezi religjioze. N. P Bllagojev, në vitin 1912, sqaron se bullgarët ishin luftarë për ringjalljen e shoqërisë së vjetër sllave, pra ata kanë luftuar kundër pushtuesve. Ai thekson se bogomilizmi në bullgari nuk përfaqsonte asnjë lloj herezie por vetëm një rrjedhim politik kundër individëve të pakënaqur nga pushteti. Edit Durham, bogomilizmin e quan fe të re. Në vitin 1925, Jordan Ivanov, ka shkruar “bogomilizmi sikundër përvijohet nga shkrimet historike, dogmatike dhe etike paraqet një dukuri interesante ne jetën morale, politike, religjioze dhe sociale”. Në 1927 Klincarov, bogomilizmin e shpjegon si, shprehje të pakënaqësisë së masave fshatare kundër klasës sunduese dhe kishës zyrtare (Dokle; 2009 ) .[4]

Gjithashtu sipas këndvështrimit të historianit bullgar J. Ivanov, deri në fund të shekullit XII, Prizreni dhe vendbanimet përreth tij, kanë qenë të banuara nga një popullatë bullgare. Disa njohës të komunitetit Goran, theksojnë se prejardhja e tyre nuk është me origjinë sllave. Këndvështrimin e tyre e mbështesin në toponime, objekte kulti, besëtytni dhe tradita. Sipas kësaj teze në Gorë, jo vetëm që nuk mbijetojnë figurat mitologjike, tabu e zakone sllave, por edhe asnjë prej tyre nuk respektohen nga popullsia e fshatrave të Gorës. Po ashtu në Gorë, si ritet fetare dhe kodet zakonore, jo vetëm që s’janë tipike sllave dhe nuk kanë ngjashmëri me to, por vetë realiteti që ekziston në fshatrat e Gorës, dëshmon, se ritet fetare dhe zakonet e ndryshme, kanë qenë e janë të përafërta, si dhe kanë ngjashmëri të konsiderueshme me ritet e zakonet e popullsisë të fshatrave shqiptare fqinjë e më gjerë. Fakt është se në fshatrat e Gorës, ekzistojnë zakone të tilla siç janë lindjet, fejesat, martesat, dasmat, vdekjet etj, të cilat nuk kanë dallim nga ato të fshatrave shqiptare. Në këtë pikëpamje një grup studiuesish parashtrojnë se disa studiues serb, maqedonas dhe bullgar e kanë shtrembëruar origjinën e goranëve, duke i cilësuar si popullsi bullgare, maqedonase apo serbe.

Hulumtuesi Qemal Mata, shtjellon se në emrat e fiseve të popullsisë gorane shumica e fiseve janë emra shqip dhe nuk ngjasojnë me emra sllavë. (Mata;1992) .[5] Po ashtu dhe studiuesi Bedri Halimi, konkludon se disa akademik me prejardhje nga Gora janë stimuluar nga disa shtete pretenduese për të tjetërsuar historinë dhe prejardhjen e Gorës (Halimi; 2012) .[6] Në këtë vijë argumentuese, njohësi Kroat i historisë antike dhe mesjetare të shqiptarëve Milan Šufflay, kur diskuton për Kucovllehët, të cilët ky i barazon thjesht me rumunë, thoshte se këta paraqisnin në mesjetë një, kontinuitet të zonës dalmate të Morlakëve/ Morovllehëve të Zetës Lindore ose të Malit të Zi. Kjo degë (e vllehëve), në perëndim të drinit të zi deri në masivin e bjeshkëve të nemuna shqiptare paraqiste në mesjetë një brez interesant të simbiozës etnike, në të cilin popullata blegtorale shqiptare e rumune u shkri me bujqërit sllavë” (Gashi; fq 24) .[7]

Emra fisesh (mbiemra) të fshatrave të Gorës: Redakto

  • Në Borje: Dajlaçi, Dokle, Kërpaçi, Ollomani, Drenica, Koza, Mehmeti, Bajrami etj.
  • Në Zapod: Ferri, Mangaj, Krasniqi, Shllaku, Mataj, Alinci etj.
  • Në Pakisht: Vllacaj, Llukovi, Bajraktari, Purova, Meçkaj, Hoxha etj.
  • Në Kosharisht: Hasanaj, Murataj, Mustafaj, Abdyli, etj.
  • Në Orçikël: Gashi, Hoda, Krasniqi, Mujaj etj.
  • Në Orgjost: Qevani, Osmanaj, Kalimashi, Behra, Zeneli, Seferi, Hoxha etj.
  • Në Cërnalevë: Durmishi, Dauti, Hodaj, Hoxha, Hajdari, Xhaferi, Fejzullai , Hysenaj etj.
  • Në Oreshkë: Memishi, Nuredini, Ibrahimaj, Sejranaj, Dervishi, etj.
  • Në Shishtavec: Kingji, Bala, Bela, Basha, Kasta, Çeliku, Grisha, Çaka, Uka, Ballabani, Përnari, Biçaku, Sokoli, Haxhiaj, Hoxha etj.[5]

Etimologjia e fjalës Torbesh Redakto

Torbesh, është etnonim që gjendet në të disa fshatra të krahinës etnografike të Gorës. Si emër gjendet në Prizren, Rekë të Dibrës, Tikvesh e Manastir të Maqedonisë, si patronim në Gjakovë dhe si toponim (Tërbac) në Gollobordë dhe Vlorë. Rreth etimologjisë së emrit ka disa versione. Në Lumë e lidhin me emrin (dort- besh), 4-5 nga turqishtja të hapur në dy shpjegime. a) Goranët e morën këtë emër në kohën e muslimanizimit nga që e lëshonin fenë nga 4 në 5 vetë në ditë në krahasim me Lumën. b) 4-5 herë, Goranët i dhanë besën turkut se do të muslimanizohen dhe po kaq herë nuk e mbajtën këtë besë. Palikrusheva, një studiuese maqedone, mendon se ky emër ka ardhë nga se torbeshët për një torb mielli dhe gjize. Dimitar Angelov shprehet "Në zonat jugperendimore për identifikimin e udhëtarëve të bogomilëve kanë qenë përhapur emërtime të tilla si: babunë, torbeshë dhe kudugjerë që shfaqen edhe në kohën e mëvonshmë e që dëshmojnë për popullaritetin e madh të herezisë në këto anë. (Dokle; 2002) .[8]

Gjuha Redakto

Në Ballkan, për ata që e flasin gorance përdoret termi “Goran”. Kjo fjalë është e fondit sllavo-bullgar që do të thotë malesi. Për të folmen gorane mund të themi se ajo i ngjason dialektit sllav, që është zhvilluar në një bashkësi të veçantë me të gjitha format e veta. Pasi që në gjuhën gorane ekziston një përqindje e madhe me fjalë sllave, bullgare, maqedone dhe serbe. Ngjasimet me gjuhët sllave, janë pasojë e dyndjeve sllave në Ballkan, si dhe ekzistenca e pushtimeve të territoreve shqiptare qysh në shekujt e VII deri në të XV-të, të cilët kanë lënë pasoja të mëdha në të gjitha fushat e jetës edhe në territoret e shtetit Shqiptar të Arbërit, në të cilin përfshihej edhe krahina e Gorës.

Gjithashtu nuk duhet harruar se në gjuhën gorane, ekziston edhe një fond i madh me fjalë osmano-turke. Se pse në gjuhën gorane egziston proporcioni i lartë i fjalëve sllave, është e nevojshme të kërkohen në ngjarjet historike të shekujve VII, VIII, IX, X, dhe XI–të, nga se fiset kumano-peqenege kanë kaluar në tokat sllave dhe 150-200 vjet, pa ndërprerje kanë jetuar si nomad në vendet e tyre. Sidomos ka ndikuar në ta mbushja e Ballkanit me popuj sllav prej shekullit XI e deri në shekullin XV-të, kur edhe fiset kumane e peqenege u robëruan prej tyre dhe në masë të madhe e humbën gjuhën e tyre, por traditat, zakonet, i kanë ruajtur me fanatizëm, çka dëshmon se goranët janë me prejardhje huno-turke. Disa hulumtues në të folmen gorane përveç fjalëve sllave gjejnë edhe shumë fjalë kumane, peqeneke, ogure, nogaje, arabe, turke, dhe shqipe (Rexhepallar; 2015) .[9] Po ashtu ndyshime me sllavishten shihen, në mbiemrat e nëntë fshatrave të Gorës së Kukësit, ku shumica e emrave të fiseve, janë shqipe.

Ne gjuhen gorane mund te gjenden mbishtresezime leksikore qe jane deshmi e periudhave te ndryshme te historise, por ajo qe eshte e padiskutueshme eshte se, gjuha gorane eshte gjuhe e vjeter sllave me ngjashmeri te jashtezakonshme me gjuhen e vjeter bullgare kishtare. Ne gjuhen gorane gjenden forma te vjetra te fjaleve te sllavishtes se vjeter kishtare te tilla si: bera > berem "mbledh", apo forma e vjeter e se shkuares ne veten e trete numer shumes brati > brali > brale "kane mbledhur". Keto forma jane deshmi e zhvillimit te o -se indoeuropiane ne grupin verior te gjuheve indoeuropiane. Deshmi tjeter se kjo gjuhe eshte sllave e vjeter eshte se leksiku i fondit themelor i flores, faunes, menyres se jeteses, ushqimit, emertimet e farefisnise eshte i bartur si i tille nga nje periudhe ne nje periudhe tjeter, kjo e ben te ngjashme dhe te krahasueshme me shume gjuhe sllave te jugut. Prezenca e fjaleve te gjuhes turke, shqipe apo edhe forma te ndryshme te gjuhes romane jane deshmi e hershmerise ne ato troje dhe te bashkejeteses me shqiptaret, jo vetem si shtetas te Perandorise Osmane, por edhe ne vazhdim si shtetas te Shqiperise.

Besimi fetar Redakto

Popullsia e krahinës së Gorës, deri në fund të shekullit XV, ka pasur fenë ortodokse, pasi dihet se si krahinë është përfshirë në territorin e Perandorisë Bizantine, ku e gjithë popullsia e kësaj perandorie ka pasur fenë ortodokse në të gjithë territorin e [[Gadishulli Ballkanik|gadishullit të ballkanit. Pas pushtimit të Ballkanit nga Perandoria Osmane, ushtria osmane arriti që të pushtonte krahinat e Kosovës, Gorës, Lumës dhe Dibrës, ku më vonë arritën të pushtojnë të gjithë Shqipërinë. Në shekullin XV, vendoset administrimi Osman në këto rajone, dhe po në këtë periudhë fillon islamizimi i popullsisë së Gorës. Në ditët e sotme popullsia e rajonit të Gorës dhe e fshatrave fqinje, është e besimit islam (Rexhepallar; 2015).[9]

Flora dhe fauna Redakto

Bujqësia dhe blektoria kanë qenë dy fushat tradicionale të zhvillimit ekonomik të Gorës. Bazuar në pozitën gjeografike, relievin dhe kushtet klimatike, ky rajon ka favorizuar kultivimin e disa produkteve bujqësore dhe rritjen e bagëtive. Zona e Shishtavecit njihet për prodhimin e patates, ku shpeshherë në tregjet vendore dhe më gjërë njihet si “Patatja e Shishtavecit”. Rreth viteve ´70, ky fshat u bë një nga prodhuesit më të mëdhenj të kësaj kulture.

Habitatet pyjore dhe biomonumentet Redakto

Zonat e pjerrëta janë të mbuluara kryesisht më pyje gjethrënëse, kryesisht ah (Fagus sylvatica), nganjëherë të përziera me pishë austriake (Pinus nigra), dhe mështeknë Verrukoze (Betula verrucosa). Lloje të tjera të pemëve të pyllit janë: bredhi i bardhë, rropulli, pisha maqedone, verri, shkoza e zezë, krekëzi etj. Me vendim të Këshillit të Ministrave, Nr. 676 datë. 20.12. 2002, Zonë e mbrojtur shpallet: Mështekna e Shishtavecit. Mështekna e Shishtavecit, në afërsi të fshatit në lartësinë 1,300–1390 m mbi nivelin e detit. Përfaqëson një pyll prej 33 ha, lartësia 13–17 m, diamentri 20–30 cm, dhe mosha 40-45 vjeç.

 
Mështekna e Shishtavecit

Guri i Shipes, gjendet afër fshatit Borje, me lartësi 1580 m mbi nivelin e detit. Ai përbëhet nga një shkëmb konglomeratik me gjatësi 100 m, gjerësi 80 dhe lartësi 27 m. Guri i Mëngjesit është afër Shishtavecit në lartësi 1900 m mbi nivelin e detit. Thuhet se emri vjen nga që dielli lind përbri gurit. Ai është një gur ranor, në formë konike, 25 m i gjatë, 13 m i gjerë dhe 11 m i lartë me një siparfaqe 176 m2 .[10]

Në drurët frutorë (pemishtet dhe vreshtat), rritet kumbulla, qershia, rrushi, ftua, molla, arra, lajdhia etj. Gjithashtu tek drithrat kultivohet: gruri, misri, elbi, tërshëra dhe thekra. Zona e Gorës, është e pasur me bimësi barishtore kryesisht në zonat më kullota (livadhe) dhe në rajonet ku mbizotërojnë komunitetet drusore.

Fauna në habitatet tokësore dhe ujore Redakto

Bimësia e pasur e ekosistemit të rajonit të Gorës përbëhet nga 37 lloje gjitarësh. Mishngënësit e mëdhenj përfaqësohen nga ariu i murrmë (Ursus arctos), ujku (Canis lupus), dhe rrëqepulli (Lynx lynx). Popullatat e këtyre llojeve janë të lidhura ngushtësisht me popullatat e llojeve thundrake, siç janë: dhia e egër (Rupicapra rupicapra), kaprolli (Capreolus capreolus) dhe derri i egër (Sus scrofa). Tek llojet e zvarranikëve tokësorë jetojnë: bolla laramane (Elaphe situla), bolla e shtëpisë (Elaphe longisima), gjarpëri i ujit (Natrix natrix), nepërka e malit (Vipera ursini) etj. Në rajonin e Gorës jetojnë disa lloje të zakonshme të amfibëve si: bretkosa e zakonshme (Rana balcanica), e bukura e dheut (Salamandra salamandra), zhaba (Bufo viridis), bretkosa e kuqërremtë (Rana temporaria), gjithashtu në lumenjtë e zonës jetojnë disa lloje peshqish të përshtatshëm për ujërat e ëmbël.[11]

Bimët mjekësore Redakto

Nga banorët e zonës janë grumbulluar rreth 100 bimë mjekuese, për shitje dhe prodhimin e lëngjeve. Çaji i malit (Sideritis raeseri) dhe boronica (Vaccinium myrtillus ), janë disa bimë mjekuese të rëndësishme që rritet në shpatet e këtij rajoni. Gjithashtu rriten dhe dellinja e kuqe (Juniperus oxycedrus), kamomili (Matricaria chamomilla), hithra (Urtica dioica), shtogu (Sambucus nigra), thana (Cornus mas), melissa (Melissa officinalis) etj .[12]

Aspekte të trazhëgimisë kulturore Redakto

Veshja Redakto

Gora dhe zonat rreth tyre janë të njohura për rritjen e deles rudë. Transmetohet nga gojdhënat se, qehallarët e Gorës dhe fshatrave fqinje, kanë pasur lidhje tregtare me Stambollin dhe Selanikun. Është përmendur se mjeshtria e qethjes së deleve nga blektorët e Gorës, është e veçantë. Ata njihen për përpunimin e leshit të deles dhe prodhimin e veshjeve tradicionale. Deri nё periudhёn e shpalljes së pavarësisë pothuaj të gjithë banorët e zonave rurale, vazhdonin të mbanin veshjet popullore lokale të përgatitura sipas prerjeve tradicionale, me tipa të kristalizuar mirë. Lënda bazё në veshjen e tyre është përdorimi i leshit të deleve dhe, nё mbathje përpunimi i lëkurës së lopëve. Veshja tradicionale, kryesisht është qëndisur nga gratë dhe disa elementë të veshjes e punonin terzitё (mjeshtёr qёndistar). Veshja e burrave dallohet pёr larmishmёrinё e saj, koloritin dhe ornamentet e veçanta ku bëjnë pjesë: tirqët, çarapët, opingat, xhamadani, kësula (kapuçi), shamia, brezi, etj. Veshja e grave tё Gorёs, ёshtё e tipit ballkanik dhe pёrkon mё shumё elemente me veshjen e zonave fqinjё, kryesisht me atё tё Lumёs. Pjesë të veshjes së grave janë: mbështjellsja, brezi, jeleku, këmisha, çorapet brezi, tlinat, tërliku (xhubleta), xhoka (xhybja) etj. Dallimi i veshjes mes vajzave dhe grave evidentohet tek ngjyra e tyre dhe tek pёrdorimi i disa elementeve zbukuruese (Gjergji; 2005) .[13]

 
Veshje tradicionale

Në foto, majtas me mbështjellëse dhe xhybe të kuqe janë veshur nuset, me mbështjellëse të bardhë janë të veshura vajzat.

Dasma Redakto

Dasma nё rajonin e Gorёs, ka njё domethёnie tё veçantё pёr komunitetin e saj. Gjashtё muaj para ditёs sё dasmёs vazhdojnё pёrgatitjet. Pesё dita para fillimit, pёrcaktohet detyrat nga njerёzit e afёrm tё familjes, pёr mbarёvajtjen sa mё tё mirё tё dasmёs. Ceremoniali i dasmёs sё Gorёs, ёshtё i ngjashёm me me atё tё krahinёs sё Lumёs. Kohёzgjatja e dasmёs kryesisht ёshtё dy ditё, por kur ajo bёhet nё familjet e pasura, mund tё zgjatet pesё deri nё shtatё ditё. Instrumentet muzikore tradicionale qё shoqёrojnё dasmёn janё surlja dhe lodra (tupani), zakonisht dy me dy. Mundja ёshtё njё ndёr sportet kryesore qё zhvillohet nё ditёn e fundit tё dasmёs. Ndryshe nga zonat e tjera nё dasmёn e Gorёs, njerёzit marrin pjesё pёr tё parё (vёzhguar) edhe pa u ftuar. Tradicionalisht si nё festёn e shёngjergjit, ditёs sё verёs, ashtu dhe nё dasёm, takimet (flirtet) mes vajzave dhe djemёve, janё njё praktikё e zakonshme (Bala; 2007).[14]

Vallet Redakto

Në përgjithësi, vallet e burrave të Gorës karakterizohen nga e njëjta gjallëri dhe dinamikë si e valleve të Lumës. Ato njihen me emra, si: “Kalliqoja e parë”, “Kalliqoja e dytë”, “Gishti i vogël”, “Qoralia”, “Karaisufi”, “Vallja e Brodit” (apo e dhëndrit), “Orqushka”, “vallja e hajdutit” etj. Siç vërehet në dy vallet e para, emërtimet janë pothuajse të njëllojta për të dyja krahinat. Edhe sa i përket mënyrës së ekzekutimit, disa nga vallet luhen radhazi njëra pas tjetrës. Në të gjitha rastet, kërcimet janë shoqëruar me surle e lodër. Ndryshe paraqiten vallet e grave të Gorës. Ato nuk afrojnë me ato të grave të Lumës dhe përgjithësisht të grave shqiptare. Karakteri ritmik në to është më i dukshëm gjë që, ndërmjet të tjerash, vërehet në dyfishimin me nga dy hapa të vegjël, në hapat katër dhe gjashtë të motivit me ndërtim asimetrik (4+2), (Bogdani; 2012).[15] Në vitin 1957, valltarët meshkuj të shishtavecit morën pjesë në festivalin e studentëve dhe rinisë, i zhvilluar në Moskë.

Resurset turistike Redakto

Pozita gjeografike, kushtet klimatike, hidrografia, flora dhe fauna mjaft e pasur janë elemente mjaft të rëndësishme, që këtij rajoni me potencial të lartë turistik, i krijojnë mundësi për zhvillimin e turizmit sportiv, rural, ekoturizmit, turizmit të gjuetisë etj. Klima është tipike, me reshje të mëdha bore, me shpati të përshtatshme për zhvillimin e sporteve dimërore. Me shumë maje të larta, burime e rrjedha lumenjsh me gryka e kanione, pyje të larta dhe me një faunë të shumëllojshme që krijojnë një peizazh mjaft të bukur dhe atraktiv për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit. Bjeshkët e Shishtavecit gjatë stinës së dimrit, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e sportit të skive. Është i njohur klubi sportive i skive Morava i Shishtavecit i krijuar rreth vitit 1944. Sportistët e këtij klubi, që nga viti 1952 numrojnë shumë medalje kombëtare të fituara. Pista e skive të Shishtavecit ka pritur shumë garues në mbarë vendin dhe janë zhvilluar shumë kampionate lokale e kombëtate.[10]

 
Gara e skive

Infrastruktura rrugore ka penguar rritjen e investimeve dhe ka vështirësuar zhvillimin e turizmit. Bjeshkët e Shishtavecit dhe të Kallabakut, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e udhëtimeve dhe erskusioneve. Gjatë periudhës së verës zhvillohen shumë udhëtime në forma të organizuara si për qëllime atraksioni ashtu dhe për nevoja kurative. Territori i bjeshkëve me biotopet e ndryshme është shumë i pasur me faunë. Sporte të tjera karakteristike të zonës janë dhe mundja (ndeshja e pelivanëve), hipizmi (garimi i kuajve), vrapimi, hedhje e gurit, kërcim trehapësh etj.

Gastronomia Redakto

Në kohë më të hershme Gora, është e shquar për mjeshtër të guzhinës në disa specialitete. Historikisht ata janë njohur si gjellbërës dhe si zejtar ëmbëltorësh. Zeja e ëmbëltorëve, gjatë shekujve më parë e kanë ushtruar goranët, në territorin e Perandorisë Osmane. Ata shërbyen edhe në mutfakët (kuzhinat) e sulltanëve në Topkapi Saraj, si ahqixhinjë dhe ahqibashë të dalluar. Gatime të tjera janë: qoftet, mish i pjekur ne saç, ndërpeci, flija, mishi i thatë (pastërma), sarma, kulloshta (klloshtra), patatet e pjekura në prush, pitet, etj.

 
Ndërpec

Po shtjellojmë disa lloje të gatimeve. Pitet, janë përdorur si gatime zëvendësuese të bukës. Ka disa lloje të gatimit të piteve si: pite kolare (me rrathë) pite me dy koleç, pite me renda (shtresa), ndërpeta (petëza të coptuara) etj. Flija përgatitet me petëza të përgatituar nga brumi i grurit apo misrit, i përzier, dhe pas pjekjes i lyhet me gjalpë dhe vezë.[16]

Në rajonin e Gorës dhe zonave afër, prodhimi i rakisë është një praktikë e zakonshme. Rakia zakonisht prodhohet nga fermentimi i rrushit, kumbullave, thanave, dëllinjave dhe manaferrave. Banorët e disa fshatrave të Gorës kanë një histori të vjetër në rritjen e bletëve dhe prodhimin e mjaltit. Gjithashtu në kjo zonë është e njohur për prodhimin e bulmetit i cili përpunohet në kushte shtëpiake. Këtu duhet të theksojmë prodhimin e djathit të deles dhe dhisë.

Festat Redakto

Festat periodike, ritet dhe këngët me të cilat u shoqëruan ato sado arkaike që na duken, paraqesin një lëndë folklorike interesante përmes së cilës mësojmë për rrugët e zhvillimit të popullit tonë ndër shekuj. Po shtjellojmë festën e Shëngjergjit meqë ka një domethënie të veçantë për zonën. Shën Gjergji (23 prill). Është e kremte me rite të thuash si të tëra pagane. Sipas kalendarit Julian bie me 23 prill, ndërsa sipas kalendarit Gregorian me 6 maj. Emri Gjergj, rrjedh nga greqishtja e vjetër që do të thotë bujk. Pra në origjinë kjo festë ka pasur të bëjë me kultin e pjellorisë e të prodhimtarisë bujqësore. Më vonë , ishte thjesht si shenjtor ndër popuj të ndryshëm e në përgjithësi në mitologjinë krishtere na shfaqet si simbol i fesë krishtere kundër paganizmit. Ditën e shëngjergjit,mëngjesi nis me zbukurimin e shtëpisë me lulet e sapoçelura. Prej këtyre luleve, të rinjtë ua dërgojnë në orët e vona të natës të dashurave të tyre, si shenjë që nuk i kanë harruar gjatë stinës së dimrit. (Tirta; 2004).[17]

Në Gorë, data 6 maj nis e mbyllet me aktivitete, kryesisht sportive, ndërsa gratë me përgatitjen e darkës, ku vendin kryesor e zë flija, kulaçi dhe veza e zier, pa të cilën kjo festë nuk kuptohet. Ndërsa vajzat e reja në rrugët e fshatit grupe-grupe këndojnë kryesisht këngë dashurie, apo ngacmojnë me këngë dhe joshin djemtë e rinj që u sillen rreth e rrotull. Në këtë festë marrin pjesë masivisht edhe banorët apo të afërm që janë larguar nga fshati. Festimet e shëngjergjit, u kanë tërhequr vëmendjen dhe misionarëve të huaj. Dita tjetër kryesisht i kushtohet piknikut, një ritual pagan, ku të gjithë banorët, si dhe të ftuarit largohen nga fshati në pyllin më të afërt, duke marrë me vete ushqime e pije të ndryshme.

Referimet Redakto

  1. ^ a b Dokle. N . (2002). "Për Gorën dhe Goranët",Geer; fq 9-12]
  2. ^ Keçi E., Elisabeth K .(2014). “Plani i Manaxhimit të Ekosistemit Natyror Malor “Parku Natyror Korab- Koritnik” Draft, fq 42-47], http://www.mjedisi.gov.al/files/userfiles/Sherbime/Managemet_Plan_Korab-Koritnik_Draft_Final_Alb.pdf[lidhje e vdekur]
  3. ^ Raporti i zonave funksionale, fq 396-397], http://www.ceshtjetvendore.gov.al/files/pages_files/Raporti_i_zonave_funksionale.pdf Arkivuar 4 mars 2016 tek Wayback Machine
  4. ^ Dokle, N .(2009)."Bogomilizmi dhe Etnogjeneza e Torbeshëve të Gorës së Kukësit"; Geer; fq, 14]
  5. ^ a b [1]
  6. ^ Halimi , B .(2012). “Goranёt”, Sh K, Y Prizreni; fq, 284,285.]
  7. ^ Gashi, S .(2012). “Goranët dhe Boshnjakët-Nërskamëz tjetër për Kosovën”; Revista Sharri; fq 24-28], http://pashtriku.beepworld.de/files/Histori/sharri/sharri_11_12_11.pdf
  8. ^ Dokle. N . (2002). "Për Gorën dhe Goranët"; Geer; fq, 9 ]
  9. ^ a b Rexhepllar E .(2015). “Një Shkëndi drite nga historia e errët Gorane”; Revista Sharri; fq 75], http://pashtriku.beepworld.de/files/Histori/sharri/sharri_11_12_11.pdf
  10. ^ a b P10. RASP, BTD, ALB-aid .(2012). “Plani i zhvillimit i komunës Shishtavec”, fq, 15, 19], http://www.rasp.org.al/Foto/PZHShishtavec.pdf Arkivuar 5 mars 2016 tek Wayback Machine
  11. ^ Keçi E., Elisabeth K .(2014). “Plani i Manaxhimit të Ekosistemit Natyror Malor “Parku Natyror Korab- Koritnik” Draft, fq 42-47]
  12. ^ Keçi E., Elisabeth K .(2014). "Plani i Manaxhimit të Ekosistemit Natyror Malor “Parku Natyror Korab- Koritnik; Draft, fq, 47], http://www.mjedisi.gov.al/files/userfiles/Sherbime/Managemet_Plan_Korab-Koritnik_Draft_Final_Alb.pdf[lidhje e vdekur]
  13. ^ Gjergji, A .(2005). “Veshjet Shqiptare në Shekuj“;Akademia e Shkencave të Shqipërisë; fq, 109]
  14. ^ Bala Z .(2007). “Historia dhe tradita: Monografi”; Erik, fq 84]
  15. ^ Bogdani R .(2011-2012). “Vallet e krahinës së Gorës të rrethit të Kukësit”: Revista Sharri, fq, 57]
  16. ^ Bala Z .(2007). “Historia dhe tradita: Monografi”; Erik, fq 86]
  17. ^ Tirta M. (2004). "Mitologjia ndër Shqiptare"; Mësonjtorja; fq, 24, 257]