Greva e minatorëve të Kosovës (1989)
Greva e minatorëve të Kosovës në vitin 1989 ishte një grevë urie e iniciuar nga punëtorët e Minierave të Trepçës më 20 shkurt 1989 kundër heqjes së autonomisë së Krahinës së Kosovës nga Republika Socialiste e Serbisë.[1] Greva mori shpejt mbështetje në Slloveni dhe Kroaci, ndërsa në Beograd u mbajtën protesta kundër lidershipit slloven, shqiptar dhe kroat. Greva përfundoi pas shtrimit në spital të 180 minatorëve dhe dorëheqjes së krerëve të Lidhjes Komuniste të Kosovës Rahman Morina, Ali Shukriu dhe Husamedin Azemi.[1][2]
Sfondi
RedaktoRSF Jugosllavia ishte një republikë federale e përbërë nga disa republika duke përfshirë RS Serbinë, e cila nga ana e saj kishte dy krahina autonome, KSA Vojvodina dhe KSA Kosova. Kosova ishte e banuar kryesisht nga shqiptarë të Kosovës dhe Kushtetuta Jugosllave e vitit 1974 i dha Kosovës një nivel autonomie të paprecedentë deri atëherë, por pas vdekjes së Josip Broz Titos në vitin 1980, autonomia e Kosovës filloi të vihej në dyshim nga politikanët serbë.
Pas trazirave të vitit 1981 në Kosovë, të cilat Lidhja Komuniste e Kosovës i shpalli si produkt të nacionalizmit shqiptar, Serbia reagoi me dëshirën për të zvogëluar fuqinë e shqiptarëve në krahinë dhe promovoi një fushatë që pretendonte se serbët po detyroheshin të largoheshin nga krahina në radhë të parë nga rritja e popullsisë shqiptare dhe jo gjendja e ekonomisë.[3] Në nëntor 1988, 2,000 minatorë shqiptarë protestuan për ruajtjen e autonomisë duke marshuar nga minierat jugore drejt kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, me mbështetjen e 6,000 qytetarëve të tjerë gjatë rrugës.[3]
Grevat e vitit 1989
RedaktoLidhja Komuniste e Serbisë nën drejtimin e Sllobodan Millosheviçit u angazhua në një proces të zëvendësimit të liderëve provincialë të njohur si "revolucioni antiburokratik", ku politikanët vendas u rrëzuan dhe u zëvendësuan nga besnikët e Millosheviçit.[1] Ndërsa Kuvendi Kombëtar i Serbisë po përgatiste ndryshime kushtetuese që do të kishin ulur zyrtarisht nivelin e autonomisë krahinore, rreth 1,350 minatorë të Trepçës filluan grevën e tyre të fshehtë të urisë më 20 shkurt 1989 me kërkesa të ngjashme për ruajtjen e statusit autonom të rajonit dhe dorëheqjen e politikanëve pro-Millosheviçit në Kosovë. Pas shpalljes së grevës, Linda Abrashi, vajza e shefit të minierave kontaktoi gazetarin Goran Miliç, i cili bëri intervista me punëtorët në minierat e nëndheshme. Pasi që Miliç e konsideroi të pamundur transmetimin e intervistave nga televizioni i Beogradit, ai arriti t'i transmetojë ato me ndihmën e një gazetari tjetër Bane Vukashinoviç, i cili në atë kohë ndodhej në Shkup.[1] Pas transmetimit, drejtuesit e televizionit të Beogradit urdhëruan Miliçin të kthehej në Beograd dhe raportimi i grevës së minatorëve ishte i fundit i tij nga Kosova.
Në Beograd, media dhe politikanët serbë akuzuan Azem Vllasin, një udhëheqës provincial i Lidhjes së Komunistëve, si nxitës të grevave, megjithëse ai mohoi çdo përfshirje në ngjarje. Millosheviçi përgatiti një plan që do t'i lejonte atij të dërgonte përforcime policore në Kosovë, por plani i tij nuk kishte shumicën e votave të nevojshme nga anëtarët e tjerë të Presidencës federale të Jugosllavisë.[2] Stipe Šuvar negocioi me minatorët si përfaqësues i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. [4] Pas rreth një jave, rreth 180 minatorë ishin shtruar në spital.[1]
Në mbrëmjen e 27 shkurtit 1989, Rahman Morina, Ali Shukriu dhe Husamedin Azemi, kryetarët e fraksionit pro Millosheviçit në Kosovë, dhanë dorëheqjen. Në orët e vona të mbrëmjes, Presidenca e Jugosllavisë u mblodh dhe vendosi për "masa të veçanta" për Kosovën që në fakt vendosi një gjendje të jashtëzakonshme të pakufizuar.[2]
Mbetën vetëm 50 grevistë, ata që ishin barrikaduar brenda minierës “Stari trg”, në 850m thellësi.[5] Në mesnatë, Njësia Speciale Antiterroriste zbriti nëpër gropat e arratisjes në rast zjarri, pasi ashensorët ishin çaktivizuar dhe nisi arrestimin e grevistëve.[5]
"Masat e posaçme" të lartpërmendura nxitën një lëvizje të 1,500 trupave të policisë federale nën udhëheqjen serbe në Kosovë, ku ata filluan një fushatë për të rivendosur rendin civil. [2]
Pasojat
RedaktoNjë ditë pas përfundimit të grevave, Komiteti Slloven për të Drejtat e Njeriut dhe Shoqata e Shkrimtarëve Sllovenë mbajtën një mbledhje masive në Sallën e Çankarit, ku u dënua ndërhyrja serb në Kosovë dhe u shpreh përkrahja për grevistët.[1] Gjatë takimit, Jožef Školč, kreu i Organizatës së Rinisë Sllovene e krahasoi situatën e shqiptarëve në Jugosllavi me atë të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Milan Kuçan, kreu i Lidhjes së Komunistëve të Sllovenisë e cilësoi grevën si mbrojtje të Jugosllavisë. [1] Organizata e Rinisë Sllovene gjithashtu prezantoi një distinktiv të bazuar në yllin e Davidit me tekstin Kosova Atdheu im. Në përgjigje kundër veprimeve sllovene, në Beograd u mbajt një protestë që tërhoqi rreth një milion njerëz, ndërsa Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë ndërpreu marrëdhëniet e saj me Shoqatën e Shkrimtarëve Sllovenë.[6] Protestuesit e Beogradit ndër të tjera kërkuan anulimin e dorëheqjes së Morinës, Shukriut, Azemit dhe arrestimin dhe ekzekutimin e Vllasit. [2] Në shenjë proteste, anëtarët shqiptarë të Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë u larguan nga organizata dhe akuzuan shkrimtarët serbë për mbështetje ndaj represionit të shqiptarëve. [7]
Rreth një muaj pas përfundimit të grevës parlamenti i Kosovës u rrethua me tanke dhe policia dhe deputetët serbë u futën për të votuar për heqjen të autonomisë së rajonit. [8] Shumica e deputetëve shqiptarë abstenuan për të zhvlerësuar procesin pasi për ndryshimet kushtetuese kërkohej një shumicë prej dy të tretash, por ndryshimet u shpallën të miratuara.[3] Statusi provincial i rajonit nuk u shfuqizua zyrtarisht pasi Millosheviçit i nevojitej vota e rajonit për të fituar ndikim në presidencën federale të Jugosllavisë. [9][8]
Referime
Redakto- ^ a b c d e f g Kurspahić, Kemal (2003). Prime time crime: Balkan media in war and peace (në anglisht). US Institute of Peace Press. fq. 49. ISBN 9781929223381.
- ^ a b c d e Meier, Viktor (1999). Yugoslavia: a history of its demise (në anglisht). Routledge. fq. 84–5. ISBN 9780415185967.
- ^ a b c Ramet, Sabrina P. (2010). Central and Southeast European Politics Since 1989 (në anglisht). Cambridge University Press. fq. 361. ISBN 9780521716161.
- ^ "40,000 Protest to Back Yugoslav Miners' Strike". Los Angeles Times (në anglisht). 25 shkurt 1989. Marrë më 11 mars 2012.
- ^ a b "Komandosi uvek spremni za žestoku akciju" [Commandos always ready for intense action]. Najpoznatije akcije. Blic (në serbisht). 10 gusht 2011. Marrë më 10 mars 2012.
- ^ Ramet, Sabrina P. (2006). The three Yugoslavias: state-building and legitimation, 1918–2005 (në anglisht). Indiana University Press. fq. 364. ISBN 9780253346568.
- ^ Jović, Dejan (2009). Yugoslavia: a state that withered away (në anglisht). Purdue University Press. fq. 334–5. ISBN 9781557534958.
- ^ a b Judah, Tim (29 shtator 2008). Kosovo: what everyone needs to know (në anglisht). Oxford University Press. fq. 56. ISBN 9780195376739. Marrë më 9 mars 2012.
- ^ Krieger, Heike (2001). The Kosovo Conflict and International Law: An Analytical Documentation 1974–1999 (në anglisht). Cambridge University Press. fq. 522. ISBN 9780521800716.