Nuk ka versione të shqyrtuara të kësaj faqe, ndaj mund të mos jetë kontrolluar përputhja e saj me standardet.


HAXHI HAFIZ QAMIL BAÇA (1921-2009)

Te dhena permbledhese per Hafiz Qamil Baça

Personalitet i besimit Islam.

INSTITUCIONALIZIMI I BESIMIT ISLAM NË SHQIPËRI.

Haxhi Hafiz Qamil Baça ka qenë hoxhë i besimit islam sunit dhe Myftiu i Rrethit Librazhd ne Shqipëri.

Biografia

__________________________________________________________________________________________

Haxhi Hafiz Qamil Baça, i përket atij brezi që hodhën themelitë dhe skalitën historinë e artë.

Haxhi Hafiz Qamil Baça, jetoi në një periudhë të ndritur dhe shumë përcaktuese për identitetin e besimit islam në Shqipëri. Personalitetet e shquara muslimane që hodhën këto themeli dhe skalitën këtë histori të artë, as më shumë dhe as më pak, kanë qenë bashkëkohësit, mësuesit dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Mjafton të sjellim në kujtesë të lexuesve, disa prej tyre, për të perceptuar dhe kuptuar se edhe personazhi ynë, është pjesë e kësaj plejade të artë, që do të gëzojnë përjetësisht mirënjohjen dhe nderimin për gjithçka bënë për Fe dhe Atdhe.

Medresenë e Tiranës, pragun e së cilës ai  fëmijë nga Gurakuqi i Librazhdit, e shkeli për herë të parë në moshën pesë vjeçare, duke u rritur me dijet për besimin islam dhe ushqyer me dashurinë në Zot, për të mbërritur fal përkushtimit dhe devotshmërisë së tij, në lartësinë e nderuar të klerikut, me titujt më të lartë: Haxhi dhe Hafiz.

Në atë institucion fetar që mbeti krenari e arsimit kombëtar, ku mësues ishte edhe Hafiz Ibrahim Dalliu, personaliteti që shkriu në një front të vetëm përpjekjet për përparimin dhe konsolidimin e Islamit me luftën për çështjen kombëtare, pa zvogëluar rëndësinë e njërës në kurriz të tjetrës dhe pa i dhënë njërës më shumë prioritet se tjetrës.

Në këtë kohë, Medreseja kishte në stafin e saj, Haxhi Tahir Hallullin, dijetarin e spikatur që për çdo besimtar dhe qytetar të Tiranës, ishte kënaqësi e ngjarje dite, edhe kur e shikonin në udhë... Ndërkohë që në shtëpinë e tij, djaloshin nga Gurakuqi e mbante si ta kishte fëmijën e vet sepse e kishte nxënës personal... Haxhi Hafiz Qamil Baça, gjithë jetën i mbeti mirënjohës, atij burri të mençur dhe zemërbardhë, për kujdesjen pri-ndërore dhe për dijet e vyera që i ofroi në Medresenë e Tiranës.

Haxhi Hafiz Qamil Baça, ishte mik dhe bashkë-punëtor i ngushtë, me Hafiz Musa Bashën, Haxhi Hafiz Sabri Koçin dhe Haxhi Selim Muçën, tre figura të shquara të besimit islam që në periudha të ndryshme kanë përmbushur me dinjitet detyrën e lartë, të Kryetarit të Komunitetit Musliman Shqiptar.

Ja pse pa diskutim, edhe Haxhi Hafiz Qamil Baça u përket pikërisht këtyre lartësive dijesh dhe kontributesh për historinë e besimit islam në Shqipëri.

Besimi fetar ndër breza, jo vetëm për fisin Baça, por për të gjithë gurakuqasit ka qenë ushqim shpirtëror dhe frymëzim në jetë. Në vazhdimësi dhe në mënyrë masive, aty janë falur përherë pesë vahtet. Limani dhe pjesëtarët e familjes së tij, kanë qenë frekuentues të rregullt në xhaminë e fshatit. Në këto rituale faljeje dhe lutjeje, në të shumtën e herëve, ai merrte me vete edhe djalin e tij të vogël, Qamilin. Xhamia ishte vatra e dashur dhe e ngrohtë që i mblidhte bashkë, si të ishin pjesëtarë të një familjeje të gjithë gurakuqasit, fëmijë dhe të moshuar, gra dhe burra.

Këtë prag, Qamili, nisi ta shkelë edhe më shpesh pas moshës katër vjeçare, kur filloi të ndiqte mejtepin, i cili frekuentohej masivisht sidomos ditën e premte nga të gjithë vogëlushit e fshatit. Mejtepi është një fjalë arabe që ka kuptim të dyfishtë. Kuptimi i parë, ishte emërtim i shkollës, kurse kuptimi i dytë, në rastet më të shpeshta kishte domethënien e shkollës fillore myslimane për mësimin e fëmijëve të vegjël në lexim, shkrim, gramatikë dhe mësime elementare islame të tilla, si recitimi Kur'anor, gjithashtu mund të mësoheshin edhe lëndë të tjera praktike dhe teorike.

Deri edhe në tridhjetë, shkonte numri i vogëlushëve gurakuqas që mbushnin faltoren e xhamisë dhe bëheshin sy e veshë me orë të tëra duke ndjekur me interes dhe kureshtje të madhe, çdo fjalë dhe veprim të Imamit.

Tregojnë se Qamili, pas disa muajsh ishte nga të vetmit mes bashkëmoshatarëve që dinte të lexonte dhe të shkruante. Nëse për mexhilisin e fshatit, ky lajm i veçantë, ishte çudi dhe kuriozitet, për familjen lumturi dhe krenari, krejt ndryshe u përjetua nga Abazi, vëllai i Qamilit, duke iu shndëruar në mendim, motivim dhe obligim.

Kështu, me zellin për të mësuar dhe shkathtësinë për të përparuar në etjen e shfaqur kaq shpejt për dije, Abazi, e rregjistron Qamilin në Medresenë e Tiranës që vlerësohej jo vetëm si institucion fetar, por edhe si institucion arsimor kombëtar, në të cilin mbizotëronte gjuha shqipe, trupa pedagogjike shqiptare dhe një program i përpunuar me teologë përparimtarë, gjithashtu shqiptarë. Pra, gjithçka kombëtare!

Medreseja e Tiranës u çel në zbatim të programit të Kongresit të parë mysliman shqiptar dhe me një vendim të Qeverisë shqiptare e cila, atë kohë, në emër të laicitetit mbante fort monopolin e arsimit. Shteti shqiptar ishte po ashtu pragmatik dhe i vetëdijshëm që në një kohë kur Tirana kryeqytet nuk kishte ende as gjimnaz, por vetëm një shkollë të mesme teknike, një medrese qendrore ishte një shërbim publik që meritonte përkujdesjen e paanshme të autoritetit qeverisës.


Historia vërtetoi në fakt, madje dhe e vërtetoi shpejt, që Medreseja e Tiranës e kreu në një hapësirë kohore të shkurtër, brenda specifikës së vet, misionin shoqëror dhe kombëtar që i ishte mirëbesuar. Ajo arriti të përgatiste klerikë të ditur, të pajisur me njohuri të larta fetare, filozofike e shkencore, në përkatësi me arritjet e arsimit bashkëkohor.

Pra, jo rastësisht Abazi, përzgjodhi këtë institucion, ku Qamili do të niste të hidhte hapat e parë në udhën e dijes dhe të përparimit që do t’i përcaktonin të ardhmen e jetës. Fillimisht ai ndoqi kurse parashkollore që kishin natyrën e mejtepit, por tashmë, shumë herë më të mirëorganizuar dhe të mbështetur mbi një program pedagogjik të plotë dhe të detajuar.

Numri i fëmijëve frekuentues, ishte në kapacitetet maksimale dhe orëve të mësimit, u kushtohej i njëjti përkushtim dhe vlerësim nga ana e stafit të mësuesve, ashtu si të gjithë cikleve të tjera në Medrese. Shumë shpejt, ra në sy aftësia dhe ecuria e tij, në përvetësimin e programeve mësimore. Tashmë, ai vlerësohej si një talent i lindur për këtë fushë dhe udhët drejt dijes e përparimit në fushën e teologjisë ishin çelur pafundësisht, natyrshëm dhe meritueshëm.

Aftësia individuale për të zotëruar shpejt programin mësimor, sedra për të qenë vazhdimisht në grupin e nxënësve të dalluar dhe natyra sistematike e shfrytëzimit të kohës, pasioni dhe kureshtja për të depërtuar sa më në gjerësi dhe sa më në thellësi të historikut të botës islame, adhurimi dhe dashuria për Allahun - ishin pikat më të forta të djaloshit Librazhdas i cili kishte tërhequr vëmendjen e të gjithë stafit pedagogjik në Medresenë e Tiranës.

Të atij stafi që kishte në gjirin e vet, dijetarët më të shquar me të cilët besimi islam, krenohet dhe ka shkruar historinë e tij të artë. Të gjithë të diplomuar në universitetet e Stambollit dhe në institucionet fetare më të njohura të kohës.

Arsyeja kryesore ka qenë dëshira e madhe për të mos e lënë Shqipërinë, vendlindjen e tyre të dashur, të prapambetur në përparim ekonomik dhe besim fetar. Ndaj dhe shumica e tyre u bënë ideatorë dhe promotorë të shpalljes së pavarësisë, mbështetës dhe frymëzues të lindjes dhe forcimit të shtetit shqiptar, duke mbetur përjetësisht figura të ndritura në panteonin e historisë së kombit. Natyrisht me motiv parësor përparimin dhe konsolidimin e besimit islam fal atij horizonti dhe bagazhi intelektual që zotëronin.

Doemos edhe nxënësit e tyre, do të ishin produkt cilësor dhe i vyer, të cilët në vijimësi u bënë shërbëtorët më dinjitozë dhe autoritarë të besimit islam në Shqipëri. Janë ata breza, të cilët hodhën themelitë dhe rritën lartësitë e institucionit të besimit fetar që ushqeu dhe frymëzoi dashurinë ndaj Zotit, në shumicën e popullsisë të vendit tonë.

Është për të ardhur keq që madhështia dhe kontributi i atyre dijetarëve të ndritur, nuk është ndriçuar ende plotësisht. Zbehje dhe mjegullim që u shkaktua qëllimisht nga ideologjia komuniste. Duke shfrytëzuar rastin e përgatitjes së kësaj monografie, për dy arsye, jemi të obliguar dhe të privilegjuar që të ndalemi pak më shumë në udhëtimin e tyre jetësor.

Arsyeja e parë, sepse na takon t’u shprehim mirënjohje të përjetshme dhe falenderim të pakufishëm për gjithçka punuan dhe shërbyen. Natyrisht, duke sjellë në kujtesë të lexuesve, prejardhjen familjare, përgatitjet arsimore dhe kulturore, vlerat, përpjekjet dhe sakrificat e tyre.

Arsyeja e dytë dhe më kryesore, ka lidhje me përmbushjen në mënyrë sa më të mirë dhe sa më të plotë, të misionin tonë për të shpalosur në këtë artikull, vërtetësinë dhe rëndësinë e figurës së Haxhi Hafiz Qamil Baçës, në historinë e besimit islam shqiptar. Fakti historik se, ai ka qenë adhurues, nxënës dhe bashkëkoleg me shumicën prej tyre, e bën plotësisht të denjësishëm dhe të madhërishëm personalitetin e tij.

Ndër më elitarët mësues të asaj periudhe në stafin pedagogjik të Medresesë së Tiranës, padyshim ka qenë, Haxhi Tahir Hallulli. Nuk mund të ishte rastësi preferenca e tij, për të patur nxënës personal Qamil Baçën, fëmijën e ardhur nga Gurakuqi i Librazhdit. Ky detaj i fuqishëm shpirtëror dhe jetësor, me siguri ka qenë përcaktues në ecurinë e tij.

Me atë urtësi e mënçuri që Haxhi Tahiri, mëkoi me shumë dëshirë e pasion edhe nxënësin e tij personal, Qamil Baça, duke e trajtuar dhe konsideruar si ta kishte fëmijë. Sepse, në të shumtën e kohës, e mbante në shtëpi duke e bërë pjesë të familjes së tij, privilegj që ai djalosh e meritonte dhe ta impononte, pasi shquhej për sjelljen, edukatën dhe mprehtësinë individuale në përvetësimin e programit shkollor.

Fëmijë quhej, sepse i rreferohemi moshës reale që kishte, por Qamili, për nga pjekuria, serioziteti, disiplina dhe zgjuarsia shfaqte individualitetin e një të rrituri. Dëshmia më e qartë frytdhënëse e këtyre cilësive të jashtëzakonshme, ishte dekretimi në moshën 14 vjeçare “Hafiz”, titull fetar mysliman që i akordohej atij që arabisht lexon dhe di përmendësh Kuranin.

Pak nxënës të Medresesë kishin fat që të gëzonin dhe përjetonin emocionet e forta të këtij dekretimi.

Të gjithë punojnë pa u kursyer dhe synojnë pafundësisht për të mbërritur në këto lartësi. Mirëpo në të shumtën e rasteve, nuk mjaftojnë dëshirat dhe përpjekjet sepse në mes tyre qëndron vështirësia. Nuk është e lehtë që të përvetësosh në mënyrë të përsosur gjuhën arabe, për të nisur startin drejt leximit rrjedhshëm dhe të mësuarit përmendësh të ajeteve që përmban i madhërueshmi Kur’an. Më e pakta, individi duhet të jetë i lindur me të tilla aftësi inteligjente dhe më e shumta duhet përqëndrim, durim dhe punë e madhe. Ndryshe, këtë titull do e gëzonin shumë klerikë...

Jo vetëm kaq, por kjo ngjarje e shënuar në Medresenë e Tiranës, bëri që të gjithë të “kthenin” kokën nga Qamil Baça, në shenjë respekti, adhurimi dhe vlerësimi. Lumturi dhe arritje e madhe për nxënësin, po aq sa krenari dhe shpërblim moral për mësuesin. Gjithkush nga bashkëmoshatarët donte ta kishte mik dhe ëndërronte suksesin e tij. Po ashtu, edhe vetë mësuesit dëshironin ta kishin në klasat e tyre kujdestare për t’u dëshmuar nxënësve të tjerë se kush ishin majat që duhej të synonin dhe pushtonin në fushën e mësimit dhe të dijes.

Ndërkohë, për Qamil Baçën nuk kishte vetkënaqësi, por përherë e më shumë shtonte përpjekjet dhe angazhimet e veta për të shtuar njohuritë individuale duke ecur në gjurmët e mësuesve të shquar të Medresesë së Tiranës, të cilët për atë ishin modele të përkryera dhe pika rreferimi.

Figurë frymëzuese e përjetshme për atë, mbeti Hafiz Ali Korça, dijetar, enciklopedist, poliglot, gjuhëtar, letrar, fetar dhe atdhetar i flaktë. Lindi në Korçë, në vitin 1873 dhe u edukua në kryeqendrën më të famshme të edukimit për kohën që jetoi, në Stamboll dhe për t’u kthyer më pas t’i shërbejë popullit të tij. Fillimisht në vendlindje, dhe në vazhdimësi në Tiranë e rrethe të ndryshme, derisa më 1956, ndërroi jetë në qytetin e Kavajës, pas një internimi të pashpirt.

Emblemë që Qamil Baça, pati fatin e madh ta njihte nga afër dhe ta kishte mësues. Dhe më shumë se kaq, gjatë jetës së vet mbeti adhurues dhe rriprodhues i qindra vargjeve të krijimtarisë artistike me motive atdhetare të Hafiz Ali Korçës.

Në shenjë nderimi për mësuesit e Medresesë, nuk mund të lëmë pa kujtuar dhe bërë homazhe respekti dhe nderimi për Hafiz Ibrahim Dalliun.

Figura e tij morale dhe kontributi i jashtëzakonshëm ishin shëmbull frymëzimi për mënyrën se si duhet të jetonte dhe punonte ai brez, në shërbim të fesë dhe kombit. Ibrahim Dalliu lindi në Tiranë, në vitin 1878, në një familje me tradita fetare islame.

Nuk kemi dëshmi apo informacion të saktë, nëse Qamil Baça mund ta ketë parë apo të jetë takuar në ambjentet e Medresesë me Haxhi Vehbi Agolli (Dibra), por mbetet fakt i padiskutueshëm, se në jetën e tij, ai burrë i mënçur i kombit shqiptar, shërbeu si busull orientimi dhe motivimi në çdo bankë shkolle e auditor studimi, në çdo predikim dhe adhurim për Zotin dhe Shqipërinë.  Fëmijët dhe nipërit e Haxhi Hafiz Qamil Baçës, dëshmojnë se ai nuk i hoqi nga shpirti dhe goja në përditshmërinë e tij, shprehjet filozofike dhe urtitë popullore të Haxhi Vehbi Agollit.


I përgatitur në nivelet më të larta si klerik i besimit islam, në një nga universitetet teologjike të Stambollit, doemos Hafiz Qamil Baça, ishte një aset i çmuar për Komunitetin Mysliman Shqiptar. I ri në moshë, ende pa mbushur të njëzetat, por i pjekur dhe i ditur në mendime, i qartë dhe largpamës në vizionin e të ardhmes, ai emërohet muezin në Xhaminë e Ethem Beut në qendër të Tiranës.

Hafiz Qamil Baça, ishte i plotësuar nga ana teorike dhe praktike sepse kishte kaluar gati 16 vite nëpër bangat e shkollës dhe auditore të universitetit teologjik. Ndërkohë që Zoti i kishte falur edhe hijeshinë dhe madhështinë fizike, elementë jo të domosdoshëm për një klerik, por nëse ai i gëzon, ka të drejtë të ndjehet fatlum dhe i privilegjuar.

Në rastin konkret, ne do të thoshim se ai ka qenë shumë i ledhatur, kur kujtojmë edhe zërin e tij brilant, të ëmbël, të kthjellët dhe shumë melodioz. Po ashtu, ai shquhej për një komunikim të ngrohtë, miqësor dhe vëllazëror me besimtarët, miqtë dhe çdo qytetar të thjeshtë.


Pas tri viteve, Komuniteti Mysliman Shqiptar e emëron Imam të Xhamisë së Kokonozëve në Pazarin e ri që ndodhet në pjesën lindore të qendrës së Tiranës ndërtuar në mesin e shekullit XVII, saktësisht në periudhën dhjetëvjeçare të viteve 1750-1760.

Pas tri vitesh, Hafiz Qamil Baça, emërohet Imam në një tjetër xhami të kryeqytetit, pikërisht në atë të Zajmit e ndërtuar në vitin 1776. Ky institucion fetar konsiderohet nga më të famshmit në historinë e besimit islam të Tiranës dhe ka shërbyer si pikënisje popullimi të kësaj zone.

Ashtu sikurse në xhaminë e Kokonozëve edhe këtu, krahas detyrës së imamit, ai nuk ndërpreu për asnjë moment misionin e rëndësishëm të predikuesit. Interesimi dhe pjesëmarja gjithnjë dhe më e shumtë në këto dëgjime, pasuruan dijet dhe shtuan adhurimin dhe dashurinë për krijuesin e Gjithësisë, në mbarë komunitetin mysliman të kësaj lagjeje.

Vitet që kalonin e pasuronin dhe e maturonin gjithnjë e më shumë Hafiz Qamil Baçën si shërbëtor dhe besnik të Zotit. Kjo përvojë jetësore e fituar me pasion dhe përkushtim në xhamitë më të njohura të Tiranës, ia shtuan meritat dhe konsideratat vetjake duke u cilësuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, si klerik i devotshëm dhe i denjë.

Tashmë ai ishte pjesë e elitës së nderuar dhe të respektuar të asaj periudhe të artë, ku dijetarët e besimit islam shqiptar u bënë shëmbëlltyra e përsosur e harmonisë, dashurisë dhe prosperitetit mbarëkombëtar. Duke qenë komuniteti me numërin më të madh të besimtarëve në Shqipëri, myslimanët ishin frymëzues dhe garantues të tolerancës, bashkëpunimit të ngushtë dhe bashkëjetesës paqësore në çdo aspekt të jetës shoqërore.

Faktor i rëndësishëm dhe përcaktues për këtë frymë pozitive doemos ishin klerikët që drejtonin institucionet e kultit fetar. Në këtë këndvështrim, kuptohet pesha kryesore, binte mbi myftinitë e rretheve që ideonin dhe realizonin programet e veprimtarisë së ditore dhe vjetore të xhamive. Një përgjegjësi të tillë, pati nderin ta meritonte edhe Hafiz Qamil Baça duke u emëruar Myfti në Vlorë dhe më pas në Durrës. Të dekretoheshe në këtë pozicion shumë të lartë, në radhë të parë, ishte vlerësim dhe përgjegjësi e madhe që doemos duhej justifikuar me angazhime dhe rezultate konkrete.

Mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë, me tri Kryetar të Komunitetit Mysliman Shqiptar

____________________________________________________________________________________________________________________

Haxhi Musa Basha                      (1945-1954)

Haxhi Hafiz Sabri Koçi             (1990-2003)

Haxhi Selim Muça                      (2004-2014)

Vlerësimi, nderimi dhe respekti i veçantë që ka gëzuar pafundësisht në jetën e tij nga këta udhëheqës shpirtëror është një tjetër këndvështrim  domethënës dhe rrezatues mbi Haxhi Hafiz Qamil Baçën, si dijetar i kohës dhe personalitet i njohur në historinë e besimit islam shqiptar.

Me Hafiz Musa Bashën, për nga mosha ndjehej, si nxënës i tij. Me Haxhi Hafiz Sabri Koçin, ishin jo vetëm bashkëmoshatarë të lindur në një javë, por edhe bij të Çermenikës. Me Haxhi Selim Muçën, vazhdoi të ishte po ai mësuesi i dashur dhe gojëmjaltë i Medresesë së Tiranës... Ndaj dhe gjithë jetën, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, ai asnjëherë nuk e thirri me emër apo Hafiz, por vetëm “Profesor Qamili!”.

Edhe atëherë, kur e lanë fuqitë fizike dhe u detyrua të largohet nga drejtimi i Myftinisë në moshën 86 vjeçare, ai u respektua dhe u nderua si Myfti Nderi i Librazhdit. Më shumë se kaq edhe vetë Zoti i Madhërueshëm nuk do ia lejonte sakrificën e shërbimit, Haxhi Hafiz Qamil Baçës!

Haxhi Hafiz Qamil Baça  “Qytetar Nderi” i Librazhdit”

Këshilli Bashkiak i qytetit të Librazhdit miraton Kërkesën e Komunitetit Mysliman

KËRKESË E komunitetit musliman shqiptar

Lënda: Për dhënie titulli "Qytetar Nderi"

Drejtuar: Këshillit Bashkiak të qytetit të Librazhdit

Hirësia e Tij, Haxhi Hafiz Qamil Baça, ka lindur më 20 maj të vitit 1921 në Librazhd. Ai ka mbaruar studimet e tij në Medresenë e Tiranës dhe pas mbarimit të saj është emëruar nga Komuniteti Mysliman “Muezin” në Xhaminë e Et'hem Beut në Tiranë.Në vitin 1940 është emëruar Imam xhamie në xhaminë e "Pazarit të Ri" po në Tiranë. Nga Xhamia e “Pazarit të Ri" është emëruar në Xhaminë e Zajmëve në Tiranë. Pas vitit 1966 dhe luftës nga shteti i asaj kohe ndaj fesë, me mbylljen e kulteve fetare, kthehet në vendlindjen e tij në Librazhd.

Pas ndryshimit të sistemeve politike dhe lirive fetare ai emërohet "Myfti" në Librazhd. Në këtë detyrë punoi deri në shkurt të vitit 2004. Gjatë jetës së tij dhe kryerjes se detyrës, Hafiz Qamil Baça është dalluar për humanizëm të thellë, duke ndihmuar sipas mundësive si dhe duke sensibilizuar shtresa të ndryshme sociale në ndihmë të të varfërve dhe njerëzit në nevojë të Librazhdit. Hafiz Qamil Baça është një besimtar i zellshëm, i ndershëm dhe patriot. Të gjitha këto cilësi ai është përpjekur t’i kultivojë edhe tek të afërmit e tij, brezat e rinj si dhe qytetarët e Librazhdit.

Gjatë kryerjes së shërbimit pranë Myftinisë së Librazhdit ai është dalluar per dashurinë që ushqen ndaj besimit të vet si dhe ndaj njerëzve duke manifestuar një shkallë të lartë tolerance fetare e besimi, sipas mësimeve te Kur'anit të Madhnueshëm, i cili porosit midis nesh: Paqe, Harmoni dhe Begati. Për të gjitha këto veti dhe cilësi, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, duke parë e vlerësuar cilësitë e larta dhe të lëvdueshme të Hirësisë së Tij, Hafiz Qamil Baça, i propozon Bashkisë Tuaj të nderuar të Librazhdit dhënien e titullit: “Qytetar Nderi”.

Duke i dhënë këtë titull Hirësisë së tij, Hafiz Qamil Baçës, njëherësh keni nderuar edhe vetë Bashkinë Tuaj shëmbullore në marrëdhëniet midis komuniteteve si dhe vetë Komunitetin Mysliman të qytetit tuaj dhe më gjërë.Me shpresën dhe bekimin e Allahut shpresojmë se kërkesën tonë modeste do ta merrni parasysh duke na gëzuar ne dhe hirësinë tij, Haxhi Hafiz Qamil Baçën, i cili tashmë është edhe në një moshë të shtyrë.

Zoti jua shperbleftë për punën tuaj fisnike.

Haxhi Hafiz Qamil Baça nuk i përket vetëm Çermenikës dhe Librazhdit. Tej kësaj hapësire gjeografike, ai është respektuar dhe nderuar në Vlorë dhe Durrës, ku ka shërbyer me devotshmëri si drejtues i komuniteteve myslimane. Po aq, i mirëpritur ka qenë dhe në trevat që kufizoheshin me vendlindjen e tij. Kemi treguar për miqësinë e ngushtë që ka patur me Haxhi Musa Bashën, kryetar i Bashkisë së Elbasanit dhe më pas, Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Ndërkohë, që gjatë periudhës së hulumtimit dhe bashkëbisedimit me besimtarë të ndryshëm për të grumbulluar materialin e kësaj monografie, mjaft detaje interesante i kemi vjelë edhe në Qarkun e Elbasanit. Arsye kjo, e mjaftueshme për të ndezur shkëndijën e idesë së akordimit të një titulli mirënjohës, në kuadrin e një borxhi të pashlyer dhe plotësimin e një dëshire të hershme të besimtarëve islam të këtij Qarku.

I meritueshëm ky akt moral për Haxhi Hafiz Qamil Baça, i cili gjithë jetën kontribuoi për mirëkuptimin dhe harmoninë mes besimeve fetare, duke ushqyer përherë paqë dhe qetësi shpirtërore.

KANË THËNË PËR HAFIZ QAMIL BAÇËN…

_________________________________________________________________________________________________________________________

Isuf Dervishi-ish Kryetar i Këshillit Bashkiak të Librazhdit është shprehur:

Haxhi Hafiz Qamil Baça vjen pas një plejade dijetarësh të Gurakuqit, si Selman Kokiçi (Mulla Selmani), Hajdar Kokiçi (Hajdar Efendiu), Ibrahim Shehu, etj. Nga viti 1900, mbase edhe më parë deri në vitin 1967, si rezultat i punës së këtyre dijetarëve, Gurakuqi, ishte kryeqendra e fesë islame për Librazhdin. Edhe në rrethanat e frenimit të veprimtarive fetare nga ana e shtetit ateist, Haxhi Hafiz Qamil Baça nuk e pushoi kurrë punën e tij të devotshme për prezantimin e fesë islame, për kryerjen e riteve në shtëpinë tij dhe të bashkëfshatarëve.

Me fjalën dhe veprën e tij ishte shembull i klerikut të përkushtuar ndaj problemeve të fesë dhe mbetet njeriu që do të kujtohet me nderim e vlerësim të jashtëzakonshëm. Haxhi Hafiz Qamil Baça ka meritë të veçantë për propagandimin e fesë islame në rrethin e Librazhdit, ku për një kohë të gjatë ushtroi detyrën e Myftiut. Ai këtu fitoi një popullaritet të gjerë, një dashuri të veçantë, një nderim të rrallë, një autoritet të madh. Ishte dijetar dhe veprimtar i palodhur.

Ligjërimet i kishte ndikuese, fjalimet të kuptueshme, thirrës i sinqertë, myfti i ndershëm, kishte njohuri të gjera, praktikonte diturinë në vepra. Emri i tij u bë i përhershëm nëpër fletët e historisë. Meritoi respekt të naltë dhe vend të lavdërueshëm prej Allahut, Zotit të botëve!

Kam patur fatin, ta njoh nga afër si bashkëfshatar në Gurakuq dhe në qytetin e Librazhdit, kur kryente detyrën e Myftiut të rrethit dhe si mik i ftuar në familjen time. Ishte i thjeshtë dhe modest. Duhet ta ngacmoje pak që të fillonte të fliste, pastaj të gjithë e dëgjonim me vëmendje, fliste shumë rrjedhshëm dhe qartë.

Kam patur fatin dhe njëkohësisht nderin që në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Bashkisë të Librazhdit të vendos në rendin e ditës propozimin e Komitetit Mysliman Shqiptar për shpalljen e Haxhi Hafiz Qamil Baçës: “Qytetar Nderi të Librazhdit”. Të gjithë antarët e Këshillit, folën me respekt dhe mirënjohje për veprën e tij.

Në përfundim të diskutimeve, të 17 këshilltarët votuan pro. Mirëpo, jeta dhe veprimtaria e këtij kleriku të nderuar të besimit islam konsiderohet e lavdërueshme dhe shumë e vyer nga komuniteti librazhdas. Ndaj, përsëri në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Bashkiak, sëbashku me antarin e Komisionit për emërtimin e rrugëve në qytetin e Librazhdit, studiuesin Rrahman Gjorga, kemi propozuar që rruga nga Komisariati i Policisë deri te Xhamia të nderohet me emrin e paharruar “Haxhi Hafiz Qamil Baça”. Pas votimit unanim në Këshillin Bashkiak, që nga viti 2008, kjo rrugë mban këtë emër.

Ilirjan Meta, kryetar i Këshillit të Përkohshëm Pluralist të qytetit të Librazhdit, në vitet 1990-1991 do të shprehej:

“Haxhi Hafiz Qamil Baça, frymëzues dhe Kontribues i tolerancës mes besimeve fetare”

Në fillimet e para të demokracisë unë kam qenë Kryetar i Këshillit të Përkohshëm Pluralist të Librazhdit. Në atë periudhë intelektualët, veçanërisht në fushën e besimit fetar, ishin të paktë ose mungonin krejtësisht. Arsyeja ishte e qartë, pasi përfaqësuesit e këtij komuniteti, vinin nga një nivel fillestar rringjalljeje, për shkak të ndalimit të besimit fetar nga regjimi diktatorial. Ndaj dhe drejtuesit e institucioneve të besimeve fetare që sapo ishin krijuar, kishin arsimim të mesëm ose ishin trashëgimtarë të të afërmve të tyre që ishin dalluar ndër breza, për shërbimin dhe përkushtimin e tyre ndaj besimit fetar.

Hafiz Qamil Baça, ishte intelektual i kompletuar, jo vetëm për atë fushë që përfaqësonte, por shquhej edhe për kulturën dhe edukatën qytetare që shfaqte në jetën e përditëshme. Këtë pasuri vlerash shpirtërore dhe intelektuale, ai e kishte ushqyer dhe kultivuar ndër vite.

Hafiz Qamili kishte një tolerancë të madhe për besimet fetare ne vend. Me kujtohet në një mbledhje të keshillit të Qytetit të Librazhdit ku do diskutohej për truallin e ndërtimit të xhamisë sq qytetit ku hafizi tha:

- Zoti Kryetar! Secili besim fetar, duhet të ketë institucionin e vet. çdo njeri, në liri dhe demokraci, ka të drejtë sipas përkatësisë së besimit fetar, të ketë xhaminë, kishën apo teqen. Duke u nisur nga fakti që besimtarët muslimanë përfaqësojnë popullsinë dërmuese të rrethit të Librazhdit, është në nderin e Këshillit tuaj Pluralist dhe në detyrimin tonë të ligjshëm si Myftini, që xhamia të lartësohet sa më shpejt... Të jeni të sigurtë, se në të ardhmen edhe vëllezërit tanë të krishterë e bektashi, do të kenë shtëpitë e Zotit, ku do të falen dhe luten, me dinjitet dhe personalitet, ashtu si e meritojnë të gjithë besimtarët e devotshëm.

Dhe vërtetë, ashtu ndodhi! Tashmë, në rrethin tonë të gjitha besimet fetare kanë institucionet e tyre përkatëse. Mirëpo, ajo që më bëri përshtypje në atë diskutim dhe më ka ngelur ende e freskët në kujtesë edhe pas gjithë këtyre viteve, sikurse ju thashë edhe më sipër, ishte pjekuria dhe pesha e fjalës së Hafizit. Sikurse dallohet qartë, ai shpalosi mirëkuptimin dhe respektimin ndaj të gjitha besimeve, pra tolerancën fetare, atë dukuri pozitive, të cilën e ka bërë Shqipërinë model dhe pikë rreferimi në mbarë botën e qytetëruar.

Hafiz Qamil Baça, mbetet ideatori dhe themeluesi i xhamisë së qytetit të Librazhdit, një ndërtesë madhështore dhe e hijshme, krejtësisht e justifikuar dhe e merituar në lartësinë e pozicionit  gjeografik, ku pati fat të kishte themelinë për  herë të parë.

Kjo xhami, u bë lajmëtarja e mbarësisë për ndërtimin e rifunksionimin e simotrave të saj në çdo fshat të rrethit të Librazhdit. Nuk ka fshat në rrethin tonë që të mos ketë xhaminë e vet. Kontributi dhe merita kryesore për këtë pasuri të madhe shpirtërore, padiskutim i adresohet, Haxhi Hafiz Qamil Baçës, udhëheqësit të përkryer shpirtëror për gati 13 vjet i Myftinisë së Librazhdit.

Haxhi qazim Muçi  Ish Myfti i rrethit të Korçës shprehet:

“Myftiu i Librazhdit, Haxhi Hafiz Qamil Baça, do të pozicionohej Aty ku ishte e drejta dhe e vërteta“

Me Haxhi Hafiz Qamil Baçën, takoheshim zako-nisht në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar në Tiranë. Respektohej dhe nderohej nga të gjithë kolegët e myftinive të Shqipërisë. Jo thjesht prej moshës, por seps e ishte një klerik me bagazh të plotë dhe të fortë teologjik. Kujtohet si një nga Hafizët më të njohur sepse ka patur një zë shumë të mirë dhe shquhej mes të tjerëve për këndimin e Kuranit. E dëshmoj  këtë  të vërtetë sepse sa herë që organizoheshin takime zyrtare apo veprimtari të ndryshme, ai dëshirohej nga të gjithë për këndimin e Kuranit të madhërueshëm.

Hafizët janë personalitete në besimin tonë islam, ndaj gëzojnë respektin dhe nderimin maksimal të të gjithë besimtarëve. Janë njerëz që dinë përmendësh dhe këndojnë në arabisht Kuranin. Nuk janë besimtarë të zakonshëm por elitarë. Një prej tyre është edhe Haxhi Hafiz baça që librin e madhërueshëm e futi në shpirt dhe mëndje që kur ishte 14 vjeç.

Zotëronte edukatë të madhe. Ishte në anën e rregullit dhe të disiplinës. Aty ku ishte e drejta dhe e vërteta, do të pozicionohej edhe Myftiu i Librazhdit, Haxhi Hafiz Qamil Baça.

Më kujtohet se autoriteti dhe dinjiteti i shpalosur nga Haxhi Hafiz Qamil Baça, u bë motiv dhe frymëzim për të gjithë ne krerët e myftinive të rretheve që dolëm në mbështetje të vazhdimësisë së misionit të Kryetarit, në interes të padiskutueshëm të realizimit dhe përmbushjes së objektivave që synonte Komuniteti Mysliman.

Njerëzit e ndershëm dhe të pastër orientoheshin dhe ecnin të garantuar vetëm në udhën që përshkonte Myftiu i Librazhdit, Haxhi Hafiz Qamil Baça. Burrë serioz, fjalëpakët dhe me besim të madh. Ai ka qenë i zgjedhur në forumet e larta të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Ai personalitet meritonte gjithçka! Ndjehej se i bëheshin të gjitha nderimet dhe vlerësimet përgjatë gjithë periudhës që ai shërbente si klerik. Ne e dallonim qartë që Hafiz Sabri Koçi, e kishte krah të djathtë, e mbante afër si mik dhe mbi të gjitha si këshilltar të parë në bashkëbisedime për zgjidhjen e problemeve me të cilat u përballë gjatë më shumë se një dekade, si Kryetar i Komunitetit Mysliman.

Të mos harrojmë se ai ka qenë bashkëkohës, madje me siguri do të jetë takuar edhe me  Hafiz Ali Korçën, një nga shtyllat e besimit islam. Ndaj mbetet personalitet i nderuar, Haxhi Hafiz Qamil Baça!

Zoti ua shpërbleftë që kujtoni dhe memorizoni këtë emër të nderuar të besimit Islam.

Haxhi Agim Duka Myfti i rrethit të Elbasanit:

„mbështetje dhe frymëzim për mua në përmbushjen suksesshëm të misionit shenjtëror që më është besuar.“

Ishte 16 nëntor 1990, dita e çeljes së xhamisë së parë në Shkodër, nga ku u përhap sihariqi i madh i rrikthimit të besimit në Zot dhe kryerjes së riteve fetare në Shqipëri. Pikërisht, në këtë ceremoni madhështore që u organizua në Xhaminë e Plumbit,  ndër shumë figura të tjera hoxhallarësh u takova edhe me Hafiz Qamil Baçën, që kishte ardhur me shumë kënaqësi dhe dëshirë për të asistuar në gëzimin e jashtëzakonshëm që shënonte momentin historik në besimin tonë islam.

Hafiz Qamil Baça ishte një figurë e njohur jo vetëm në zonën e Librazhdit, por edhe më gjerë, ku gëzonte respekt të madh në rrethin e Elbasanit, veçanërisht në trevën e Çermenikës, Shmilit dhe Labinotit. Ishte njeri aktiv dhe i kudondodhshëm si klerik, duke iu gjendur pranë besimtarëve, për të përballuar shqetësimet dhe brenda mundësive dhe aftësive që zotëronte edhe për t’u zgjidhur problemet.

Në vitin 1991, pas shëmbjes së komunizmit, bashkë me tim Atë, Mersin Dukën,  do të ishin pjesë e grupit të parë të haxhijve që udhëtuan për në Mekë- vendlindja e Profetit Muhamed, vendi më i shenjtë në botë për myslimanët.  Në ato ditë të paharruara, ata përjetuan emocione dhe kënaqësi shpirtërore të jashtëzakonshme.

Takimi i dytë me Hafiz Qamil Baçën, ka qenë në vitin 2004, në Xhaminë Mbret të qytetit tonë, kur unë do të prezantohesha në detyrën e re, si Myfti i Elbasanit. Në këtë ngjarje të shënuar të jetës time, unë pata fatin të kisha në krah edhe këtë personalitet të njohur dhe të nderuar të besimit islam.

Ishte ditë xhumaje, ditë e mbarë dhe shumë e veçantë... Më shumë se kaq, prezenca e Hafiz Baçës, klerik me përvojë dhe në moshë, më emociononte dhe detyronte t’i ofroja mbajtjen e ligjëratës të së premtes.

Mirëpo, kultura dhe edukata e tij individuale, ishin komplementuese dhe frymëzuese. Sinqerisht, të imponohej me madhështinë e karakterit dhe thjeshtësinë e personalitetit.

- Sot unë kam ardhur për të dëgjuar dhe uruar Myftiun e ri! - ma ktheu me urtësi dhe dashamirësi. Ndërkohë që në këtë ditë të gëzuar, ai u angazhua në mbajtjen e vasit.

Edhe sot më oshëtijnë fjalët e tij të ngrohta dhe inkurajuese, në momentin kur u përshëndetëm.

- Më pëlqeve në ligjërim, por ajo që më kënaqi më shumë ishte leximi i Kuranit në namaz!

Ligjëratë shpirtërore që mu ngulit thellë në zemër duke mbetur edhe për ditët në vazhdim, mbështetje e frymëzim në përmbushjen suksesshëm të misionit shenjtëror që më është besuar.

Haxhi Ardit Hoxhllaku Myfti i rrethit të Librazhdit:

Kudo që shkoJ, nëpër fshatra  e familje,  dëgjoj të përmendet me respekt dhe nderim emri i tij

Haxhi Qamil Baça, i lindur në fshatin Gurakuq të zonës së Çermenikës në qytetin e Librazhdit është një ndër hoxhallarët më të spikatur në këtë zonë. Haxhi Qamili pasi mbaroi studimet teologjike në Stamboll, kthehet në Shqipëri, duke shërbyer me përkushtim dhe devotshmëri në pozicione të ndryshme si klerik, me ndjesinë e një detyrimi moral ndaj komunitetit mysliman të vendit të vet.

Ai ishte ndër hoxhallarët e parë në Shqipëri që mori pjesë në hapjet e xhamive në të gjithë territorin e vendit. Haxhi Qamili njihet nga e gjithë zona e Librazhdit sepse ka shërbyer pas rrëzimit të komunizmit në vitin 1990, në të gjithë trevën tonë, duke iu përgjigjur njerëzve për të gjithë nevojat fetare që kishin.

Unë, si Myfti i Librazhdit, i emëruar në vitin 2017, kisha dëgjuar edhe para se të vija rreth Hoxhë Qamilit, për punën e palodhshme dhe vullnetin e pa shterur që kishte. Pasi erdha në Librazhd, e kuptova akoma edhe më mirë rëndësinë e tij, sepse kudo që shkoja nëpër fshatra dhe familje nuk kishte mundësi të kalonte takimi pa u përmendur me respekt dhe nderim emri i tij.

Ai nuk kishte lënë vend e votër pa prekur me shërbimet e tij. Edhe pse në moshë i thyer, ai kishte shërbyer për vite me radhë si Myfti i ketij rrethi. Gjatë kohës që ai ka shërbyer, ka arritur të bëjë shumë gjëra të dobishme, të cilat edhe sot ne falë punës dhe zgjuarsisë së tij vashdojmë nën gjurmët e tij.

Ai me vullnetin e tij të hekurt, arriti të marrë vendin pranë Muzeut për të ndërtuar xhaminë pasi në vitet e para, rolin e xhamisë e kryente bodrumi i muzeut. Me këmbënguljen e tij, në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman Shqiptarë dhe Shoqatën e Katarit, arriti të ndërtojë xhaminë e qytetit, e cila ndodhet në zemër të qytetit të Librazhdit. Nuk u mjaftua me kaq, por filloi të ndërtoi xhami në të gjithë fshatrat në bashkëpunim me shoqata të ndryshme. Falë punë së tij,  sot shumë fshatra gëzojnë xhamitë e tyre.

Puna e Hoxhë Qamil Baçës, ka filluar me të, por nuk ka mbaruar me vdekjen e tij. Ajo vazhdon edhe sot duke ecur pa u ndalur...

HAXHI HAFIZ QAMIL BAÇA, PERSONAZH NË FAQET E SHTYPIT DHE BOTIMEVE TË NDRYSHME.

Jeta dhe aktiviteti i tij i vyer, objekt studimi për shumë krijues librazhdas dhe autorë të tjerë

Haxhi Hafiz Qamil Baça, mbetet personalitet i nderuar i besimit islam për kontributin e vyer që ka dhënë për historinë e myslimanizmit shqiptar. Duke qenë pjesë e atij brezi të artë që hodhën themelitë e pavarësisë së këtij besimi, herë pas here ai është vlerësuar dhe kujtuar me respekt të veçantë.

Dëshmi e kësaj konsiderate morale e shpirtërore që ushqen shoqëria e sotme dhe kryesisht komuniteti i besimtarëvë ndaj tij, janë shkrimet e botuara në shtypin shqiptar. Mjafton të kujtojmë vetëm tituj e disa artikujve, si:

  • “Një jetë në shërbim të fesë”;
  • “Kleriku që manifestonte një shkallë të lartë tolerance”;
  • “Një jetë në shërbim të kombit” ...dhe menjëherë krijon ndjesinë pozitive dhe dashamirëse për të mësuar diçka më shumë rreth kësaj figure të njohur jo vetëm në komunitetin e besimit islam por edhe në rrethin shoqëror ku punoi dhe jetoi. Po ashtu, jetën dhe aktivitetin e tij të vyer, e kanë bërë objekt studimi shumë krijues librazhdas dhe autorë të tjerë. Ne mundëm që të siguronim vetëm një pjesë të këtyre publikimeve. Me siguri, emri i Haxhi Hafiz Qamil Baçës gjendet në të tjera faqe gazetash apo tituj libra të ndryshëm.

Ndërkohë, dëshirojmë dhe besojmë që në të ardhmen të tjerë kolegë do të ulen dhe të shkruajnë për këtë shëmbëlltyre të përsosur njerëzore në përmbushjen e detyrimit tonë moral për të kujtuar dhe nderuar personalitetet që i kanë shërbyer me devotshmëri besimit fetar dhe Atdheut. Po ashtu, mbetet për t’u hulumtuar dhe kërkuar në arkivat e botimeve të hershme fetare shkrimet që kanë për autor Haxhi Hafiz Qamil Baçën. Një prej tyre është revista cilësore e kohës, me titull “Zani i Naltë”, organ Bashkësisë Myslimane Shqiptare, themeluar në vitin 1923. Revistë që kishte bashkëpunëtorë personalitetet e shquara Hafiz Vehbi Dibra, Hafiz Ismet Dibra, , Hafiz Ali Korça, Ferit Vokopola. Në faqet e kësaj reviste janë botuar edhe artikuj që kanë patur për autorë emra të njohur të letërsisë shqiptare, si Mit’hat Frashëri. Këto shkrime kanë qenë të standarteve të larta dhe pasqyrë e vlerave të inteligjencës myslimane të asaj kohe krizash mendimesh dhe ideologjish.

MIRËNJOHJE PËR ATA QË AKORDUAN “MIRËNJOHJE E QARKUT ELBASAN”

__________________________________________________________________________________________

Haxhi Hafiz Qamil Baça nuk i përket vetëm Çermenikës dhe Librazhdit. Tej kësaj hapësire

gjeografike, ai është respektuar dhe nderuar në Vlorë dhe Durrës, ku ka shërbyer me devotshmëri si drejtues i komuniteteve myslimane. Po aq, i mirëpritur ka qenë dhe në trevat që kufizoheshin me vendlindjen e tij. Kemi treguar për miqësinë e ngushtë që ka patur me

Haxhi Musa Bashën, kryetar i Bashkisë së Elbasanit dhe më pas, Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Në nderim të figurës dhe vepres së Hafiz Qamil Baça Këshilli i Qarkut Elbasan u impenjua për vlerësimin e tij me “MIRËNJOHJE E QARKUT ELBASAN

Në vend të mbylljes

_______________________________________________________________________________________________________________________

Njerëzit e shquar, cilës do fushë t’i përkasin, i japin fizionominë kombit, e mbajnë gjallë atë. Ndaj çdo popull i përjetëson ata duke i nderuar me emrat e tyre qytetet, rrugët, institucionet, shkollat etj.

“Çdo emër i harruar është një faj, çdo emër i mohuar përbën një krim historik”, - thotë një i mënçur.

Në vorbullën e shekullit të kaluar, kanë jetuar, vepruar dhe janë përpjekur një mori mendimtarësh, predikuesish, luftëtarësh islamë. Disa prej tyre janë imponuar me gjakun, djersën dhe qëndrimin e tyre në kthesa historike, por disa i janë nënshtruar heshtjes së rëndë. Patjetër, duhet një frymëzim dhe një motivim si një thirrje nga brenda, një detyrë kombëtare, një ndjenjë përgjegjësie për t’i nxjerrë në dritë dhe vlerë-suar, këto figura që e lartësuan fenë islame, kombin tonë, që na lanë një trashëgimi të pasur, që na bën të mbajmë ballin lart.

Një pjesë e shqiptarëve në periudhën osmane, u angazhuan në detyra të larta shtetërore, ushtarake, fetare, deri edhe diplomatike e kulturore. Motivet e angazhimit ishin, aftësitë, trimëria, zgjuarsia, karakteri i fortë e besnikëria. Madje, shumë prej tyre me shpresë për t’i shërbyer, nëpërmjet Perandorisë edhe Atdheut të vet. Pra, kur ishte çështja për të mbrojtur interesat kombëtare të vendlindjes së tyre, ata nuk iu përulen kërkesave të Portës së Lartë. Është fillimi i historisë së besimit islam shqiptar, janë gurët e parë të asaj themelie mbi të cilën lartësohet madhërishëm institucioni i besimit islam shqiptar, krejt i pavarur që zgjodhi për busull, devizën: Fe dhe Atdhe!

Mes tyre, modestisht sa edhe denjësisht, qëndron emri i ndritur dhe kontributi i vyer, i Haxhi Hafiz Qamil Baçës, personalitet i besimit mysliman, Myfti i Librazhdit. Ne u përpoqëm dhe mundëm të shlyenim sadopak nga detyrimi moral që na takon si shoqëri, në shenjë mirënjohjeje dhe falenderimi, për gjithçka bëri në jetën e tij. Edhe më shumë mund të bëjnë në të ardhmen, Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe organet e pushtetit lokal të Bashkisë së Librazhdit dhe Përrenjasit, ku ai shkriu jetën në emër të adhurimit dhe dashurisë për Zotin. Nderi dhe detyrimi për këto obligime është i tyre, sepse Haxhi Hafiz Qamil Baça, nuk dëshiroi, nuk kërkoi privilegje e lavdi as kur ishte gjallë. Por të gjallët, duke mos harruar të paharruarit, respektojnë vetveten!