Jane Austen (16 dhjetor 1775 - 18 korrik 1817) ishte një shkrimtare angleze.

Jane Austen
U lind më16 dhjetor 1775
Anglia Steventon, Hampshire, England
Vdiq më18 korrik 1817
Anglia Winchester, Hampshire, England
KombësiaAngleze
Gjinitë letrareDramë

Biografia

Redakto

Jane Austen (16 dhjetor 1775 – 18 korrik 1817) ishte një shkrimtare angleze. Informacioni biografik për Jane Austen është i paktë. Kanë mbetur vetëm një numër i vogël letrash personale dhe të familjes (janë gjetur vetëm 160 letra nga 3000 që mendohet se ka pasur Austen), dhe motra e saj Cassandra, të cilës i drejtoheshin shumica e letrave, dogji pjesën më të madhe të letrave dhe censuroi ato që nuk i shkatërroi. Letrat e tjera u shkatërruan nga trashëgimtarët e Admiral Francis Austen, vëllai i Jane. Shumica e materialit biografik i prodhuar për 50 vjet pas vdekjes së Jane, u shkrua nga të afërmit e saj dhe reflekton paragjykimet e familjes në favor të "të mirës dhe të qetës teze Jane". Studiuesit kanë zbuluar shumë pak informacion që atëherë.

Familja

Redakto

Prindërit e Jane, George Austen (1731 – 1805), dhe gruaja e tij Cassandra (1739 – 1827), ishin pjesëtarë familjesh të rëndësishme të asaj kohe. George e kishte prejardhjen nga një familje prodhuesish leshi, e cila ishte ngritur me anë të profesionit në këtë klase shoqërore të pasur. Cassandra ishte një pjesëtare e familjes së shquar Leigh.Ata u martuan më 26 prill 1764 në kishën Walcot në Bath, Somerset të Anglisë. Nga 1765 deri në 1801, pra për pjesën më të madhe të jetës së Jane, George Austen shërbeu si rektor në Steventon, Hampshire dhe në një fshat fqinj. Nga 1773 deri në 1796, ai e shtoi këtë fitim duke u marrë me bujqësi dhe duke i dhënë mësim tre apo katër djemve.

Familja e Jane ishte e madhe: gjashtë vëllezër – James (1765 – 1819), George (1766 – 1838), Edward (1767 – 1852), Henry Thomas (1771 – 1850), Francis William (Frank) (1774 – 1865), Charles John (1779 – 1852), dhe një motër, Cassandra Elizabeth (9 janar 1773 – 1845), e cila, ashtu si Jane, vdiq e pamartuar. Cassandra ishte shoqja më e ngushtë e Jane gjatë jetës së saj. Nga vëllezërit e saj, Jane ishte më e afërt me Henryn, i cili u bë bankier dhe, pasi banka e tij falimentoi, u bë klerik. Henry ishte gjithashtu agjenti letrar i Jane. Rrethi i tij i madh shoqëror në Londër përfshinte bankierë, tregtarë, botues, piktorë dhe aktorë. Ai i siguroi Jane një pamje të botës sociale që nuk mund të shihej nga një komunë e vogël në Hampshire. George u dërgua të jetonte me një familje vendase në një moshë të vogël sepse, siç tregon Le Faye, biografi i Jane, ai ishte "mendërisht i sëmurë dhe pësonte kriza". Ai mund të ketë qenë gjithashtu shurdhmemec. Charles dhe Frank shërbyen në flotën ushtarake detare, duke u ngritur të dy në gradën e admiralit. Edward u adoptua nga kushëriri i tij i katërt, Thomas Knight, duke trashëguar pronat e tij dhe duke marrë emrin e tij në 1812.

Femijeria

Redakto

Jane Austen u lind më 16 dhjetor 1775 në Steventon, Hampshire dhe u pagëzua publikisht më 5 prill 1776. Pas pak muajsh në shtëpi, e ëma e la Austen me Elizabeth Littlewood, një grua që jetonte aty afër, e cila u kujdes dhe e rriti Jane për një vit. Në 1783, sipas traditës familjare, Jane dhe Cassandra u dërguan në Oxford për t'u edukuar nga zj. Ann Cawley me të cilën u shpërngulën në Southampton më vonë atë vit. Të dyja vajzat u sëmuren me tifo dhe Jane pothuajse vdiq. Më pas Jane u edukua në shtëpi, derisa u largua në një shkollë me konvikt me motrën e saj Cassandra në 1785. Programi mësimor i shkollës përfshinte Frengjisht, drejtshkrim, qendisje, kërcim, muzikë dhe ndoshta dramë. Në dhjetor 1786, Jane dhe Cassandra ishin kthyer në shtëpi sepse familja e tyre nuk kishte gjendje ekonomike për të dërguar të dyja vajzat në shkollë.

Jane mori pjesën tjetër të edukimit të saj duke lexuar libra, e drejtuar nga i ati dhe vëllezërit e saj James dhe Henry. Me sa duket, George Austen i dha të bijave hyrje të pakufizuar në librarinë e tij të madhe, ishte tolerant ndaj eksperimenteve të herë pas hershme të Jane në shkrim, dhe u siguroi të dy motrave letër të shtrenjtë dhe materiale të tjera për shkrim dhe vizatim. Sipas Park Honan, një biograf i Jane, jeta në shtëpinë Austen ishte "një atmosferë e lehtë dhe e hapur intelektuale" ku idetë e atyre me të cilët familja nuk ishte dakort politikisht, konsideroheshin dhe diskutosheshin. Pas kthimit nga shkolla në 1786, Jane nuk jetoi askund tjetër përveçse me familjen e saj.

Shfaqjet teatrale private ishin gjithashtu pjesë e edukimit të Jane. Që nga mosha shtatë vjeçare deri në moshën 13 vjeçare, familja dhe shoqëria e ngushtë organizuan një seri dramash, duke përfshirë këtu edhe dramën "Rivalët" (1775) nga Richard Sheridan dhe "Bon Ton" nga David Garrick. Megjithëse detajet nuk dihen, Jane me siguri do të kishte marrë pjesë në këto aktivitete, në fillim si spektatore dhe më pas si pjesëtare pasi arriti moshën. Shumica e dramatizimeve ishin komedi, gjë e cila tregon një nga mënyrat e kultivimit të dhuntive komedike dhe satirike të Jane.

Që në 1787, Jane filloi të shkruante poema, histori, dhe drama për zbavitjen e vetes dhe familjes. Jane më vonë përpiloi kopje të 29 prej këtyre punimeve të hershme në tre blloqe, tashmë të quajtura "Juvenilia", që përmban pjesë origjinalisht të shkruara mes 1787 dhe 1793. Ka prova në dorëshkrim që Jane vazhdoi të punonte mbi këto pjesë deri në periudhën 1809-11, dhe mbesa dhe nipi i saj, Anna dhe James Edëard Austen, bënë shtime të tjera në 1814. Ndër këto vepra ishte edhe një novelë satirike në letra e titulluar "Love and Freindship", në të cilën ajo tallej me novelat sentimentale, dhe "The History of England" (Historia e Anglisë), një dorëshkrim me 34 faqe i shoqëruar me 13 modele në miniaturë të bëra nga motra e saj, Cassandra.

Mosha madhore

Redakto

Pasi u rrit, Jane vazhdoi të jetojë në shtëpinë e prindërve të saj, duke kryer ato aktivitete që ishin normale për vajzat e moshës dhe statusit social të saj: ajo praktikonte piano, ndihmonte të ëmën dhe motrën në mbikëqyrjen e shërbyeseve, dhe kujdesej për të afërmet e saj femra gjatë lindjes dhe për të afërmit në prag të vdekjes. Ajo u dërgoi pjesë të shkruara mbesave të saj të sapolindura, Fanny Catherine dhe Jane Anna Elizabeth. Jane ishte krenare në veçanti për arritjet e saja si rrobaqepëse. Ajo gjithashtu shkonte në kishë rregullisht, shoqërohej me shoqe dhe fqinjë, dhe lexonte novela, shpesh të sajat, me zë të lartë para familjes.

Sëmundja dhe vdekja

Redakto

Në fillim të vitit 1816, Jane Austen filloi të ndihej e sëmurë. Ajo e injoroi sëmundjen e saj në fillim dhe vazhdoi të punonte dhe të merrte pjesë në aktivitetet e zakonshme familjare. Në mes të atij viti, rënia e saj ishte e vazhduar për Jane dhe familjen e saj, dhe gjendja e saj fizike filloi një përkeqësim të ngadaltë, të gjatë, dhe të çrregullt që kulminoi në vdekjen e saj vitin pasues. Për sëmundjen që çoi në vdekjen e saj ka shumë mendime disa prej të cilëve janë: Limfoma Hoxhkins, tuberkuloz bovin (një sëmundje tashmë e lidhur me pirjen e qumështit të papasterizuar) dhe sëmundja Brill-Zinsser.

Filmografia

Redakto

Në ketë filmografi gjenden filmat të xhiruar sipas romanet e Jane Austen, apo filma që merren me Jane Austen. Në kllapa protagonistët.