Kisha e Shën Kollit (Kurjan)

kishë në Shqipëri
(Përcjellë nga Kisha e Kurjanit)

Kisha e Shën Kollit është një monument i trashëgimisë kulturore në Kurjan, rrethi i Fierit, në qarkun e Fierit, Shqipëri.[1] Ky monument është miratuar me numër "6, 15.01.1963".

Kisha e Shën Kollit (Kurjan)
VendndodhjaKurjan, Rrethi i Fierit, Qarku i Fierit, Shqipëri
Organi drejtuesDRKK Fier
Emri zyrtar: Monument i trashëgimisë kulturore
LlojiNën mbrojtje
KriteretI
Përcaktuar15.01.1963
Nr. i referencësFR013

Në periferi të Kurjanit, gjendet mbi një kodër të vetmuar kisha e Shën Nikollës. E ndërtuar me muraturë me tulla të kuqe dhe gurë të skuodruar tek qoshet[2], kjo faltore është ndërtuar në shekullin e XIII, në stilin bizantin. E përbërë nga Naosi (salla) dhe narteksi (parasalla) kisha e Shën Kollit siç quhet nga vendasit dikur mbulohej nga një qemer cilindrik tipik për kishat ortodokse.

Gjatë shekujve kupola është shembur dhe sot është zëvendësuar nga një çati prej druri dhe tjegullash. Po kështu kishës i mungon edhe portiku i dikurshëm që ndodhej në anën perëndimore të saj si dhe dy portikë të tjerë të vegjël që mbulonin portat veriore dhe jugore të naosit. Nga ato kanë mbetur vetëm bazamentet dhe disa kapitele antike të stilit Dorik[3]. Ashtu sinë të gjitha kishat mesjetare që ndodhen në rajonin e Fierit edhe tek ajo e Kurjanit gjejmë gurë, kolona dhe mbishkrime të marra nga Apolonia ose qytetet e tjera antike. Pjesë të tjera të kësaj faltoreje janë edhe tre absidat, ku ato në murin verior dhe jugor janë më të vogla se ajo në murin e anës lindore, kurse dyshemeja është shtruar me pllaka guri.

Në këtë kishë shihet edhe ndikimi i stilit romane që e gjejmë tek harku I portës jugore. Ky stil perëndimor erdhi në Shqipëri me pushtimet e mbretërisë së Napolit gjatë shekujve XI-XIV. Në këtë pikë mund te themi se shtesat që i janë bërë nga ndikimi I madh që ka në botën e krishterë emir I shenjtit që mban kjo kishë.

Shën Nikolla është një shenjtor që nderohet njëlloj nga të dyja kishat si ajo katolike ashtu edhe nga ajo ortodokse[4]. Edhe kishat protestante e respektojnë Shën Nikollën duke e imagjinuar atë në imazhin e plakut të vitit të ri Santa Klausit. Përpara se të shndërrohet në shenjt dhe idhull I krishterimit Nikolla ishte një prift i përkushtuar në Provincën romake të Licies në Azinë e vogël. Shumë shpejt në sajë të cilësive dhe aftësive që zotëronte ai u bë peshkop I Mirës dhe u shndërrua në një figurë autoritare të kishës. Me një personalitet të tillë ai mori pjesë në këshillin e Nikesë në vitin 325, që ishte forumi I parë i autoriteteve më të larta kishtare. Në këtë koncil ai ju kundërvu doktrinës së Ariusit duke u rreshtuar në krahun e autoriteteve më të larta e krishterë.

Nikolla vdiq në vitin 343 në Patara qytetin e lindjes dhe u varros në Mira, në kishën që mori emrin e tij. Shumë shpejt varri i tij u bë vend pelegrinazhi pasi figura e tij nisi të konsiderohej si mbrojtës i marinarëve, tregtarëve dhe udhëtarëve[5]. Në këtë formë kulti i Shën NIkollës si demonstrues iI padrejtësive, mbrojtës i njerëzve në nevojë dhe i përkushtuar ndaj atyre që e thërrisnin për ndihmë u përhap krahas lindjes edhe në Evropën Perëndimore.

Në fillim të shekullit të XI në vitin 809 Mira u pushtua nga Harun El Rashidi. Në vitin 1034 arabët e shkatërruan kishën e Shën Nikollës duke rrezikuar edhe varrin e tij. Gjatë kryqëzatave në vitin 1089 me iniciativën e Peshkopit të Barit Urso, u bë transferimi i eshtrave të tij, ku në praninë e Papa Urbanit të II-të, Shën Nikolla u rivarros në Bari. Ku u shpall mbrojtës i qytetit. Për nder të tij u ndërtua edhe Bazilika e e Shën Nikollës, sot një nga kishat më të famshme të Barit.

Pikërisht adhurimi ndaj figurës së tij mund të ketë qenë shtysa që Normanët e Napolit të kenë meremetuar kishën e Kurjanit.

Ndërkohë njihet fakti që gjatë periudhës së pushtimeve të tyre në Shqipëri Normanët morën nën mbrojtje shumë kisha dhe manastire, duke u kujdesur për mirëmbajtjen dhe meremetimin e tyre. Shembulli më tipik është kisha e Shën Mërisë së Apolonisë. E ndodhur vetëm 20 km në perëndim të Kurjanit ajo ka si pjesë të saj një portik të bukur romanik të ndërtuar nga normanët e Robert Guiskardit.

Në vitin 1956 një ekspeditë studimore e Universitetit të Tiranës dhe institutit të historisë bëri një nga zbulimet më interesante në brendinë e kësaj kishe, siç ishte fakti se afresket e saj ishin pikturuar në vitin 1578 nga piktori ikonograf Nikolla, biri i Onufrit dhe ndihmësi i tij Joani. Mbishkrimi që vërtetuan këtë fakt u publikua nga studiuesi ikonografisë bizantine : Theofan Popa, në librin e tij : Mbishkrime të kishave të Shqipërisë : Teksti i shkruar në greqishten bizantine ishte një thirrje në formë lutjeje që I drejtohej famulltarit Ja se cthuhej në : “Kur të ngresh duart para perëndisë o meshtar, më përmend edhe mua me katarin dhe të paditurin Joanin me Nikollën… Pas këtij zbulime afreskët e kishës së Kurjanit u bënë objekt studimesh nga ana e institutit të monumenteve të kulturës i cili e shpalli në vitin 1963 kishën e Shën Kollit Monument kulture.

Pikërisht për pikturat murale të kësaj kishe dy studiueset e njohura Viktori Puzanova dhe Dhorka Dhamo në një artikull studimor për pikturën monumentale të botuar në Studime historike 2, 1967, theksojnë se : Afresket e hershëm të kishës së Kurjanit i përkasin stilit Bizantin me tendenca të traditës vendase. Kjo shihet në disa skema si psh : tek kungimi i Marias prej Zosimesë, Afresket e Kurjanit paraqesin figura me përpjesëtime të vogla dhe motive ornamentale.

Lidhje të jashtme

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ LISTA E MONUMENTEVE: RRETHI I FIERIT (PDF). Instituti i Monumenteve të Kulturës - Ministria e Kulturës. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 16 maj 2017. Marrë më 1 gusht 2017.
  2. ^ (A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 1983, fq.176)
  3. ^ (A. Meksi, po aty)
  4. ^ (Kliti Kallamata, Ikona, Athinë 1998 fq.112-113)
  5. ^ (K.Kallamata, po aty)