Kultura e Shqipërisë

(Përcjellë nga Kultura shqiptare)
This is the stable version, checked on 20 qershor 2024. 3 pending changes await review.

Kultura Shqiptare është një term që mishëron elementet artistike, gatimit, letrare, muzikore, politike dhe sociale që janë përfaqësues të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi. Kultura shqiptare është formuar në mënyrë të konsiderueshme nga gjeografia dhe historia e Shqipërisë, Kosovës, dhe pjesëve të Maqedonisë veriore, pjesëve të Malit të zi, Çamërisë, dhe pjesëve të Italisë jugore. Ajo u rrit nga ajo e ilirëve dhe popujve të tjerë të lashtë të Ballkanit, me bindjet e tyre pagane dhe mënyrën specifike të jetës në zonat e pyllëzuara të Evropës Jugore të largët. Kultura shqiptare është ndikuar edhe nga Grekët e Lashtë, Romakët, Bizantinët dhe Otomanët.

Një Odë tipike.

Arti në Shqipëri është influencuar nga ngjarjet e ndryshe gjatë periudhës historike, ka gjurmë të hershme, dhe vazhdon të zhvillohet.

Fillimet e artit figurativ në truallin e Shqipërisë janë të hershme. Gjurmët e para i përkasin periudhës së neolitit. Nëpërmjet zbulimeve të shumta arkeologjike, në zona të ndryshme të vendit, janë gjetur qindra e mijëra qeramika, terakota, zbukurime ne metal etj., që u përkisnin fiseve ilire, paraardhësve të drejtpërdrejt të shqiptarëve të sotëm.

Prodhimet më të hershme janë të thjeshta, për përdorim praktik, por në to shfaqen edhe vlera artistike si në format zoomorfe të enëve ashtu edhe në dekoracionin, gdhendjet dhe elemente të tjerë. Nga shekulli i gjashtë deri në shekullin e trete p.e.s në qeramika vizatohen linja dhe figura gjeometrike; forma ndërtohet me siluetë më elegant dhe pasurohet me elementë plastikë. Shumë enë të kësaj periudhe, që ruhen sot në muzetë e Shqipërisë, kanë vlera të mirëfillta artistike dalluese vendase, që nuk i ndeshim në artin e fqinjëve të tjerë po aq të lashtë si Helenët, Maqedonët apo Romakët.

Nga ato enë të lashta, të zbukuruara me dekoracione e fraktura plastike, nis rruga e skulpturës në truallin e Shqipërisë duke u bërë kështu bashkudhëtare me artin e popujve më të hershëm të Evropës. Tipare më të qarta u dukën sidomos me formimin e qyteteve ilire Bylis, Amantia, Foinikue, Butrot si dhe me ngulmimet helene: Dyrrahu, Apollonia, Orikumi (Pashalimani).

 
Shqiponja është simbol kombëtar i Shqipërisë dhe shqiptarëve.[1]

Sporti në Shqipëri

Redakto

Sportet malore

Redakto

Territori i Shqipërisë është i pasur me male dhe kodra, të cilat zënë 2/3 e sipërfaqes së vendit, të përhapura gjerësisht nga veriu deri në jug. Pikat më të rëndësishme malore janë Dajti, Llogaraja, Dardha, Bozdoveci, Voskopoja, Valbona e Thethi. Këto pika ofrojnë mundësi të shumta natyrore për të praktikuar aktivitete të shumta si: alpinizëm, treking, ecjet, skitë, eksplorimin e shpellave (speleologjinë), biçikletat malore etj.

Përsa i përket Alpinizmit, Shqipëria ka tashmë një traditë të admirueshme. Federata Shqipëtare e Alpininizmit, e cila është themeluar në vitin 1958 ka organizuar dhe organizon veprimtari alpinistike në rajonet më spektakolarë të Shqipërisë. Zonat më të rëndësishme për sportin e alpinizmit, janë Jezerca, mali i Hekurave, Razma e shumë të tjera në Alpe, Munella ne Puke, Korabi Radomira dhe Lura në rrethin e Dibrës, Biza në rrethin e Tiranës, mali i Cikës në rrethin e Vlorës, mali i Tomorrit në Berat, Gjinari në Elbasan, mali i Rungajës në Vithkuq, në parkun e Qafë Shtamës në rrethin e Krujës etj. Përveç sportit te alpinizmit majat e maleve dhe territoret malore janë tërheqëse për ndërtimin e kampingjeve dhe akomodimin me çadra. Sigurisht, kjo gjatë stinës së ngrohtë, pasi dimri në lartësi të mëdha është i ashpër dhe e bën të pamundur, jo vetëm ngjitjen, por edhe ndërtimin e një kampingu.

Territori i Shqipërisë ofron mundësi të mëdha për të ushtruar edhe veprimtaritë e trekkingut dhe ngjitjeve malore. Zonat ku mund të zhvillohen këto veprimtari janë të shtrira nga veriu në jug. Tërheqës është programi i trekking-ut i quajtur "trekkingu i Çikës", i cili zhvillohet në zonën jugperëndimore të vendit, duke përshkuar luginën e përroit të Dukatit, vargun e Çikës, zonën e Kurveleshit dhe përfundon në bregdetin Jonian. Ky trekking zhvillohet përgjatë itinerarit Dukat-Tërbaç-Vranisht-Kuç-Kudhës-Qeparo. Zona të tjera të përshtatshme për trekking dhe ngjitje alpinistike janë Alpet e Shqipërisë në pika të tilla si: Vermosh, Theth, Razëm, Bogë, Valbonë, etj. Mali Tomorrit i shtrirë në rrethet e Beratit dhe Skraparit. Vithkuqi, Voskopoja, Drenova në rrethin e Korçës, Guri Kamjes në rrethin e Pogradecit, lugina e Drinos në zonën e Dropullit në rrethin e Gjirokastrës si dhe intinerari Borsh-Zhulat që përshkon Kurveleshin etj.

Shëtitjet me këmbë janë një mënyrë tjetër për të shijuar natyrën, duke bërë njëkohësisht edhe aktivitet fizik. Në të gjitha vendet malore evropiane, shëtitjet apo ecjet e gjata në këmbë janë baza e turizmit aktiv, pasi ky aktivitet shtrihet në të gjitha moshat. Në Shqipëri ecja në këmbë është gjithashtu një sport tepër i aplikuar, pasi natyra dhe territoret me shtigje të ngushta dhe monopate, ofrojnë një kënaqësi të veçantë. Zakonisht për grupe të ndryshme janë udhërrëfyes banorët e fshatrave pranë, të cilët e njohin mirë zonën. Shëtitjet me këmbë janë të prekshme nga të gjithë, mjafton dëshira për të kaluar një pjesë të kohës së lirë në natyrë, jashtë jetës frenetike të qytetit.

Sporti i skive është veçanërisht i zhvilluar në zonën e Korçës, e cila njihet për resortet e saj të skive. Zona kryesore për zhvillimin e sporteve dimërore është pika malore e Voskopojës si dhe pista e Bigëllit ne Boboshticë ku zhvillohen edhe garat e Kampionatit Kombëtar të skive. Ia vlen të përmendet këtu edhe Shishtaveci në zonën e Kuksit, Dardha ne rrethin e Korcës, alpet Shqiptare me Razmën, Bogën, Thethin dhe Grabovën ne rrethin e Gramshit.

Voskopoja: Voskopoja ndodhet rreth 21 km nga Korça mbi një pllajë 1160 m mbi nivelin e detit. Karakteristikë e vendit është ajri i pastër dhe uji i freskët dhe kurativ. Gjatë dimrit mund të praktikohet sporti i skive

Razma: Fshati i Razmës ndodhet rreth 41 km në veri të Shkodrës. Ai është vendi ideal për të praktikuar alpinizmin malor dhe skitë. Fshatrat e tjerë rreth tij; Vermosh, Boga dhe Vukli janë unik për bukurinë e tyre natyrore. Kjo zonë shquhet për traditën në bujari dhe mikritje.

Speleologjia

Redakto

Si rezultat i përhapjes së madhe të formacinoneve gëlqerore në territorin e Shqipërisë, ka një zhvillim të formave të shumëllojshme karstike, gjë e cila ka mundësuar egzistencën e shumë shpellave karstike me interes të madh për turizmin, apo siç quhet ndryshe speleologjia. Shqipëria shquhet në tërë territorin e rajonit për sasinë dhe shumëllojshmërinë e shpellave.

Vetëm në zonën e Shkodrës gjenden 35 shpella të tilla si e Zhylës, Jubanit, Murriqit, Pusit, e Birrëve me rathë etj. Me interes të veçantë turistik mund të përmendim "Shpellën e Pëllumbasit", e cila ndryshe quhet dhe "Shpella e Zezë", ajo ndodhet në juglindje të Tiranës. Shpellë tjetër atraktive është shpella e Pirrogashit e cila gjendet ne rrethin e Skraparit në jug të vendit, ajo është dhe shpella më e madhe në Shqipëri. Shpellat të tjera janë, shpella e Nezirit (Mat), shpella e Lekë Petës në Kurvelesh, e Trenit në Devoll etj.

Çiklizmi malor

Redakto

Një aktivitet i veçantë që mund të ushtrohet në zonat malore është çiklizmi malor. Turet e çiklizmit malor zhvillohen në Alpet Shqiptare, si në Theth, Bogë, Vermosh etj

Aeronautika

Redakto

Natyra shqiptare ofron mundësi të shumta për sporte dhe pushime aktive. Mjaft e zhvilluar këtu është aeronautika, e cila është e lidhur me kushtet e përshtatshme topografike dhe natyrore të Shqipërisë. Pika më e përshtatshme për të praktikuar këtë sport është Qafa e Llogarasë në zonën e Vlorës, ku drejtimi i erës është shumë i favorshëm.

Raftingu

Redakto

Me urdhër të MTKRS-së, nr. 135, datë 12 maj 2011, sporteve rafting në Shqipëri u jepet statusi i Federatës Shqiptare të Rafting, e cila krijon kushte e mundësi të reja edhe më të mëdha progresi e zhvillimi të këtij sporti të vjetër e me tradita në Shqipëri. Është vetë terreni dhe luginat atraktive e të përshtatshme të lumenjëve tanë, që e kërkojnë një sport të tillë, siç është sporti ujor i rafting. Dihet tashmë se sportet ujore të rafting në Shqipëri, zhvillohen kryesisht në Luginat e lumenjëve, si: Osumi, Vjosa, Devolli, Valbona. Buna, Drini e Shkumbini, të cilat frekuentohen nga shumë turistë të huaj e vendas. Por, padyshim, kanionet e lumit të Osumit, janë ndër më të përmendurat dhe më të famshmet në Shqipëri, për vetë bukuritë dhe relievin karakteristik që i ka falur natyra kësaj lugine, me një peisazh tepër të rrallë e mahnitës të saj. Ushtrimi i sporteve të rafting në këtë luginë, bëhet në itinerarin: Qafzez - Miçan - Corrovodë, ndërsa në luginën e Vjosës itinerari i sportit të raftig përshkon zonën: Ura e Dashit - Kanioni i Langaricës. Zona të tjera, ku ushtrohen këto sporte në Shqipëri janë: Lugina e Devollit në jug të vendit, si dhe luginat e Shalës dhe të Valbonës në zonën e Alpeve, etj.

Hipizmi

Redakto

Hipizmi (i quajtur ndryshe sporti me kuaj), fillesat e veta në Shqipëri i startojnë rreth 100 vjet më parë në qytetin e Shkodrës. Më pas kanë vazhduar të organizuara më mirë gjatë periudhës së MbretërisëAhmet Zogut. Pas luftës së dytë botërore, për rreth dyzet vjet hipizmi, ushtrohej vetëm nga segmente të ushtrisë shqiptare në kompeticione të ndryshme. Ky sport është praktikuar kryesisht në ato rrethe që kanë qendrat më cilësore të mbarështrimit të kuajve si, në Shkodër, Durrës, Tiranë, Elbasan (Cërrik), Korçë, Divjakë, Berat, Vlorë, Fusha e Pelave në Lurë, Shishtaveci në Kukës etj. Shtrirja gjeografike të këtij sporti është tepër interesante, ku natyra tipike për secilin nga vendet e përmendura, gërshetohet me elementë të veçantë, gjeografike, historike dhe tradicionale.

Sportet nënujore

Redakto

Sportet nënujore në Shqipëri janë zhvilluar në përmasa profesionale vetëm pas viteve 90-të. Zona të përshtatshme për zhytjet nënujore do të përmendim Kepin e Rodonit, Kepin e Lagjit, në zonën rreth Gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit, plazhin e Dhërmiut, në plazhin e Zhironit në Ujë të Ftohtë Vlorë etj. Këto zona ofrojnë një florë dhe faunë të pasur nënujore, anije të mbytura, korale si dhe objekte me vlera arkeologjike. Në plazhin e Dhërmiut organizohen çdo vit kurse verore për këtë lloj aktiviteti. Zhytjet nënujore janë të lejuara në bazë të lejeve të posaçme të Institutit të Arkeologjisë.

Peshkimi

Redakto

Peshkimi është një nga veprimtaritë më kryesore në bregdet dhe në ujërat e brendshme. Klima e përshtatshme në vendin tonë bën që sezoni i peshkimit në Shqipëri të jetë aktiv gjatë gjithë vitit. Kjo shtrirje e vazhdueshme kohore, ka luhatjet e saj në varësi të sezonit të shumimit të peshqve. Kënaqësia e një sporti të tillë si peshkimi, plotësohet nga efektet relaksuese që ofron ky sport si edhe bukuria e egër e peisazhit shqiptarë. Vëndi ynë është i pasur me zona të përshtatshme per ushtrimin e kësaj veprimtarie. Ndër zonat ideale per peshkimin malor janë lugina e lumit Valbonë, përroi i Thethit ku gjuhet trofta e mermertë, lugina e sipërme e Vjosës, etj. Peshkimi sportiv me grepa ka mundësi të ushtrohet në grykëderdhjet e lumenjve si ato të Vjosës, Semanit, Matit, Drinit etj. Kënaqësi më vete është edhe peshkimi në laguna sidomos në Karavasta, Nartë, Kune-Vain etj.

Shiko dhe këtë

Redakto

Lidhje të jashtme

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Elsie, Robert (2001). A Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture. London: Hurst & Company. fq. 78. ISBN 1-85065-570-7. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)