Historia e Shqipërisë

This is the stable version, checked on 18 mars 2024. 4 pending changes await review.

Historia e Shqipërisë në të vërtetë nuk përfshin vetëm të dhënat historike të hapësirës gjeografike mbi të cilën gjenden territoret shqiptare por edhe hapësirat e tjera të banuara nga shqiptarët e që kanë mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme e që në suazat e Perandorisë Osmane kanë krijuar një tërësi.

Shqipëria në 1939-1944

Paleoliti

Redakto

Gjurmët më të hershme njerëzore në territorin e Shqipërisë shfaqen në periudhën musteriane, që i përket Paleolitit të Mesëm (100 000 – 30 000 vjet më parë). Këto përfaqësohen nga vegla prej stralli të punuara mirë, me forma tipike musteriane, të cilat i kanë shërbyer njeriut primitiv për procese të ndryshme pune që lidheshin drejtpërdrejt me sigurimin e ushqimit të tij të përditshëm. Të tilla vegla, si prefëse, kruese, gërryese, etj., janë gjetur, deri më sot, në stacionin prehistorik të Xarrës në rrethin e Sarandës, në stacionin e Kryegjatës, në afërsi të Apollonisë (Fier) dhe në stacionin e Gajtanit në rrethin e Shkodrës. Nga format dhe përmasat e tyre të vogla këto vegla ngjasojnë mjaft me veglat e strallit të zbuluara në depozitimet musteriane të krahinave fqinje të Greqisë Veriore, të Thesalisë, të Malit të Zi etj.

Neoliti

Redakto

Janë zbuluar e gërmuar një numër i madh vendbanimesh neolitike me shtrirje gati në tërë territorin e Shqipërisë, si në Maliq, Cakran, Vashtëmi, Burimas, Podgorie, Barç dhe në Dërsnik të rrethit të Korçës, në Kamnik të Kolonjës, në Blaz e Nezir të Matit, në Cakran të Fierit, në Burim, në Gradec e në Cetush të Dibrës, në Kolsh të Kukësit, në Rrajcë e në Rashtan të Librazhdit e nga gjetje të rastit në pika të tjera. Më mirë është njohur e studiuar pellgu i Korçës, i cili gjatë epokës parahistorike ka pasur kushte shumë të mira gjeo-klimatike. Jeta në Shqipëri gjatë neolitit u zhvillua në kushte shumë të përshtatshme natyrore. Klima e ftohtë dhe e lagësht e paleolitit, e cila kishte filluar që në mezolit ia la vendin një klime më të butë, që kishte pak a shumë karakterin e klimës së sotme. Si rrjedhim edhe flora e fauna thuajse nuk ndryshojnë prej asaj të ditëve tona.

Epoka e bronzit

Redakto

Epoka e bronzit në Shqipëri përfshin mijëvjeçarin e tretë dhe gjithë mijëvjeçarin e dytë p.e.s., e deri në fundin e shek. XII p.e.s. Ajo njihet prej të dhënave të fituara nga shtresat e kulturës së bronzit në vendbanimet e Maliqit, të Trenit e të Sovjanit në pellgun e Korçës, nga shtresa e parë e vendbanimit të Gajtanit në afërsi të Shkodrës, nga gjetjet në shpellën e Nezirit dhe nga vendbanimi i Badherës e kalaja e Kalivosë në rrethin e Sarandës. Gjithashtu njihet nga varrezat tumulare në Mat, në Kukës, në Barç (Korçë), në Pazhok (Elbasan), në Divjakë (Lushnjë), në Patos (Fier), në Vajzë e Dukat (Vlorë), në Piskovë (Përmet), nga tumat në luginën e Dropullit, nga tuma e Bajkajt (Sarandë) e nga depo e gjetje të rastit të zbuluara buzë liqeneve të Shkodrës, të Pogradecit, të Prespës etj.

Këto të dhëna dëshmojnë se territori i Shqipërisë gjatë kësaj epoke ka qenë i populluar gjerësisht, që nga zonat e tij të ulëta fushore e deri në krahinat e brendshme dhe të vështira malore. Njerëzit banonin kryesisht në vendbanime të hapura. Në një masë më të kufizuar janë shfrytëzuar dhe shpellat, ashtu siç kanë vazhduar të jenë në përdorim edhe palafitet, siç tregojnë gërmimet e viteve të fundit në vendbanimin palafit të Sovjanit. Nga fundi i kësaj epoke lindin edhe vendbanimet e para të fortifikuara, të cilat rrethohen me mure gurësh të palatuar e të lidhur në të thatë apo me ledhe e hunj. Një pjesë e mirë e vendbanimeve të këtij lloji, si kalaja e Gajtanit, qyteza e Margëlliçit (Fier) etj., që do të marrin zhvillim të plotë dhe do të bëhen karakteristike për epokën pasuese, atë të hekurit, e kanë origjinën e vet në këtë periudhë.

Banesat kanë qenë kasolle, që ndërtoheshin me lëndë drusore, kallama e kashtë. Ato janë njëkthinëshe zakonisht me planimetri katërkëndëshe, por duket se ka qenë në përdorim edhe tipi me bazë të rrumbullakët e trup konik. Dyshemetë kanë qenë të shtruara me baltë të ngjeshur e të rrahur, kurse muret të thurura me thupra e të lyera me baltë të përzier me byk. Në mes kishin nga një vatër të rrumbullakët; ka raste kur këtë e gjejmë të vendosur anash në formën e një korite që nuk njihet në banesat neolitike. Vlen të përmendim një kompleks banesash të bronzit të vonë të zbuluara në kalanë e Badherës, të cilat kanë formë katërkëndëshe ose rrethore të ndërtuara me një xokolaturë gurësh, mbi të cilën ngriheshin paretet dhe çatia prej materiali të lehtë.

Ilirët

Redakto


Shthurja e bashkësisë primitive shek. XI - V p.K

Redakto
Artikull : Origjina dhe trualli historik i Ilirëve
Artikull : Gjendja ekonomiko-shoqërore e Ilirëve
Artikull : Kultura Ilire
Artikull : Kolonitë helene të bregdetit Ilir

Burimet historike dëshmojnë se në epokën e hekurit territori i Shqipërisë banohej nga ilirët, një nga popullsitë e mëdha të Evropës së atëhershme, që shtrihej në gjithë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Rreth fundit të shekullit XII ose fillimit të shekullit XI para erës sonë në territorin e tyre shfaqen për të parën herë objekte prej hekuri. Futja në përdorim e këtij materiali të ri, që i dha emrin epokës shënon, edhe për ilirët nismën e një periudhe të re historike. Hekuri kishte cilësi të pakrahasueshme ndaj lëndëve të para të njohura deri atëherë për përgatitjen e veglave të punës dhe të armëve. Si i tillë, ai çoi në rritjen e rendimentit në sfera të ndryshme të ekonomisë, në zhvillimin e mëtejshëm të këmbimit, në rritjen e pasurisë shoqërore, në thellimin e diferencimit shoqëror, në formimin e federatave fisnore si forma të organizimit politik. Në tërë përmbajtjen e vet kjo periudhë e historisë së ilirëve karakterizohet, kështu, nga shthurja e plotë e organizimit fisnor dhe nga përgatitja e kushteve për lindjen e skllavopronarisë dhe të shteteve skllavopronare ilire. Ky proces nuk u krye njëlloj në të gjithë territorin e gjerë ilir. Më shpejt përparuan popullsitë që banonin në ultësirën bregdetare dhe në luginat e pllajat me kushte më të mira natyrore, ndërsa më ngadalë ecnin fiset e zonave të thella e të varfra malore.

Njohuritë tona për këtë periudhë mbështeten kryesisht në të dhënat arkeologjike, por këtu vijnë në ndihmë për herë të parë edhe burimet e shkruara historike, të cilat u takojnë kryesisht ilirëve të Jugut.

Shtetet Ilire

Redakto
Artikull : Shtetet e para Ilire
Artikull : Fuqizimi i skllavopronarisë
Artikull : Shteti i Epirit

Në fundshekullin V p.e.s. ilirët hynë në rrugën e zhvillimit skllavopronar. Në shekujt që pasuan e deri në pushtimin romak krahinat më të përparuara ilire, ato jugore, kryesisht bregdetare, njohën zhvillimin e tyre më të lartë shoqëror e politik të pavarur. Urbanizimi intensiv i kësaj treve dhe zhvillimi që mori, për pasojë, mënyra antike e prodhimit në shek. IV-III p.e.s. çoi në krijimin e një shoqërie antike të mirfilltë dhe në formimin e një vargu shtetesh ilire, të cilat u inkuadruan në qytetërimin e përparuar të botës mesdhetare.

Midis formacioneve shtetërore që u formuan në trevën e gjerë ilire, ai që arriti një shkallë të lartë të zhvillimit politik dhe që luajti një rol të shquar në ngjarjet politike të kohës qe Shteti Ilir apo Mbretëria Ilire. Që nga dukja e këtij shteti emrat ilir dhe Iliri morën, përveç kuptimit të gjerë etnik, edhe një kuptim të ngushtë politik, që u lidhën me fatet historike të këtij formacioni shtetëror dhe të popullsisë së tij, e cila në burimet e shkruara do të njihet me emrin Illyrii propriedictii (ilirë të mirëfilltë). Në kohë të ndryshme Mbretëria Ilire ushtroi pushtetin e vet, natyrisht me luhatjet që i imponuan rrethanat politike, në një territor të gjerë që përfshinte krahinat prej lumit Naretva (Narona) në veri e deri te lumi Vjosa (Aous), në jug me një shtrirje drejt lindjes deri te liqenet Lyhnide në kufi me Maqedoninë dhe më në veri me Mbretërinë Dardane. Në krahinat më jugore ilire u formua një shtet tjetër i rëndësishëm ilir i njohur me emrin Shteti i Epirit, i cili shquhet sidomos në ngjarjet politike të fundit të shek. IV dhe të çerekut të parë të shek. III p.e.s. Në kohën e shtrirjes më të gjerë të tij, ai përfshinte tokat prej lumit Vjosa (Aous) e deri në gjirin e Artës (Nikopolit), duke u kufizuar nga jugu me Akarnaninë, kurse nga lindja me Thesalinë e Maqedonisë.

Në këtë hapësirë kanë ekzistuar si formacione shtetërore të pavarura edhe një varg qytetesh shtete, si Dyrrahu, Apolonia, Ambrakia, historia politike e të cilave u zhvillua herë në lidhje të ngushtë e herë në kundërshtim me atë të Shtetit Ilir dhe të atij të Epirit. Në rrethana të caktuara politike lindin gjithashtu formacione më pak të rëndësishme në formën e lidhjeve qytetare (Koinon), si ajo e Bylinëve etj., që kanë një peshë më të vogël në historinë politike të Ilirisë.

Në krahinat e brendshme jugore dhe qendrore ilire u formuan tri mbretëri të vogla ilire: e paionëve, e dardanëve dhe e athamanëve. E para shfaqet me një shkëlqim të shkurtër në shek. IV p.e.s. për të rënë pastaj shpejt nën goditjet e politikës ekspansioniste të shtetit maqedonas, kurse dy të fundit dalin në arenën politike në shek. III me një rol të parëndësishëm.

Popullsitë ilire të krahinave të brendshme qendrore e veriore nuk njohën deri në fillim të erës sonë një organizim politik shtetëror; edhe në këtë kohë ato arritën të organizohen vetëm në federata fisnore, siç është rasti i dalmatëve ose i fiseve të tjera.

Shteti Ilir Fuqi mesdhetare

Redakto
Artikull : Luftërat kundër Romës
Artikull : Mbretëria e Dardanisë
Artikull : Qëndresa e Ilirëve kundër pushtuesve romak

Në historiografinë moderne është bërë zakon që shtetin ilir të mesit të shek. III ta quajnë shteti ardian. Studiuesit që e pagëzuan me këtë emër ia atribuojnë formimin e këtij shteti fisit të ardianëve. Sipas tyre, ky fis, i shtyrë nga keltët që vinin nga veriu u bart gjatë shek. IV në bregun e djathtë të Naronës, përballë ishullit Far, në jug të dalmatëve; pa i braktisur këto krahina, aty nga mesi i shek. III p.e.s. në kohën e sundimit të Pleuratit, atit të Agronit, ardianët zbritën gjatë bregdetit deri thellë në jug. Nën goditjet e ardianëve, sipas këtyre studiuesve, ranë mbretëritë e vjetra të enkelejve dhe të taulantëve dhe ardianët u imponuan pushtetin e tyre gjithë fiseve të Ilirisë së Jugut; u krijua kështu një mbretëri e re, shumë më e gjerë sesa të parat, që shtrihej nga kufijtë e Epirit deri përtej Naronës në veri.

Kjo tezë, ndonëse përfaqësonte mendimin më të përhapur, nuk mbeti pa u kundërshtuar. Studiues të tjerë vunë në dyshim rolin e ardianëve në formimin e shtetit dhe u përpoqën që t’i zëvendësonin ata me labeatët, të cilët kishin një pozitë qendrore në mbretëri ndaj asaj periferike të ardianëve. Nuk u pranua gjithashtu origjina ardiane e dinastisë themeluese të Agronit, e cila u kërkua përsëri te labeatët; u vu në dukje me të drejtë, se Agroni njihej si mbret i ardianëve, vetëm te historiani Dion Kasi (Dio Cassius), një burim i vonë i shekullit II të erës sonë, kurse autorë të tjerë, më të hershëm e më të besueshëm, e përmendin si një mbret të ilirëve. Më në fund u përjashtua mundësia e lindjes së këtij shteti, si rrjedhojë e pushtimeve të një fisi dhe u paraqit si krijesë e një grupi sundimtarësh, të cilët bashkuan fise që kishin interesa të përbashkëta dhe lidhje afërsie me dinastinë pushtuese.

Me gjithë ndryshimet që paraqesin pikëpamjet e shqyrtuara, ato bashkohen në vështrimin që i bëjnë thelbit të çështjes: formacioni politik për të cilin bëhet fjalë paraqitet si një shtet fisnor dhe si një vepër personale e një sundimtari, qoftë ky Pleurati apo i biri i tij, Agroni. Teza mbi zhdukjen pas vitit 270 të mbretërisë së enkelejve dhe të taulantëve dhe formimi rreth mesit të shek. III p.e.s. i një mbretërie ardiane shumë më të gjerë e më të fuqishme se të parat paraqitet sot si një trajtesë mekanike. Me të drejtë është vënë në dukje se kësaj teze i mungon argumentimi historik dhe se e ashtuquajtura mbretëri e enkelejve është një krijesë e historiografisë moderne.

Nga ana tjetër, shteti ilir i mesit të shek. III shihet si një dukuri krejt e re në botën ilire. Sipas autorëve të kësaj pikëpamjeje ilirët nuk njihnin më parë veçse një rend fisnor dhe vetëm pas mesit të shek. III u krijua ky “entitet politik krejtësisht i ri”. Analiza objektive e burimeve tregon se mbretëria e Agronit është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e shtetit të mëparshëm ilir, pa asnjë ndërprerje në traditën e vet politike. Qendra e këtij shteti ka qenë më në jug se sa pranohet dhe bërthamën e tij kryesore e përbënin tokat e shtetit të vjetër ilir, të cilat gjatë konfliktit me Romën u bënë teatri i veprimeve më të rëndësishme ushtarake. Ardianët banonin gjithashtu më në jug; sipas autorëve antikë ata nuk janë veçse një nga popullsitë e rëndësishme që bënin pjesë në shtetin ilir dhe nuk u njihet ndonjë rol i veçantë në formimin e mbretërisë së Agronit. Përfshirja e tyre në përbërjen e shtetit ilir ndodhi, sikurse është vënë në dukje me të drejtë, në drejtim të kundërt nga ai i pranuar, nëpërmjet shtrirjes së këtij shteti në veri. Burimet tregojnë qartë se banorët e këtij shteti quhen si më parë “ilirë”, vendi “Iliri” dhe sundimtarët “mbretër ilirë”.

Meqë në jetën politike të shtetit ilir nuk ka pasur asnjë ndërprerje, dinastia e Agronit duhet të ketë qenë e re dhe me origjinë veriore. Midis asaj dhe sundimtarëve të mëparshëm nuk ka pasur asnjë lidhje. Ka të ngjarë që në mesin e shek. III p.e.s. ose pak më parë, shteti ilir të ketë njohur një periudhë trazirash të brendshme, hollësitë e të cilave nuk i dimë. Nuk është çudi që zhvillimi i vrullshëm i qyteteve të Veriut, të mbetura jashtë konflikteve luftarake që prekën pjesën jugore të shtetit ilir bashkë me qytetet e tij, të ketë ndryshuar raportin e forcave dhe të ketë ndikuar apo të jetë bërë bazë e ndryshimeve politike që pasqyrohen vetëm në ndryshimin e dinastisë sunduese dhe në shkëputjen e dy qyteteve të rëndësishme të Adriatikut Lindor, Dyrrahut e Apolonisë, nga shteti ilir.

Historia e 60 vjetëve të fundit (231-168 p.e.s.) të shtetit ilir është kryesisht historia e luftërave me Romën. Ngjarjet që u zhvilluan në prag të këtyre luftërave janë vetëm një prelud i tyre. Megjithatë këto janë një dëshmi e rëndësishme për vendin që zinte ky shtet midis fuqive të tjera të Ballkanit dhe për rolin e tij historik në ngjarjet politike të kohës.

Burimi më i rëndësishëm për këto luftëra është vepra e historianit grek Polibi. Por, kjo vepër e shek. II p.e.s., që përfaqëson një histori të përgjithshme, përshkohet nga një tendenciozitet dhe subjektivizëm i theksuar, ku nuk fshihet simpatia ndaj Romës. Historia e ilirëve, ashtu sikurse në përgjithësi historia e kundërshtarëve politikë të Romës, paraqitet e shtrembëruar. Qëllimi kryesor i Polibit është të justifikojë në këtë vepër pushtimet romake, të cilat i quan të drejta, të nevojshme dhe të dëshirueshme nga popullsitë vendase. Për Polibin këto pushtime ishin të pashmangshme, sepse “fati i kishte caktuar Romës misionin të sundojë botën”. Një pjesë e burimeve që ka përdorur Polibi vjen nga historiani më i lashtë romak Fabi Piktor dhe, sipas një mendimi të përgjithshëm, ka karakter thjesht propagandistik.

Burimet e tjera për këtë periudhë, duke qenë nën ndikimin e një tradite të korruptuar rëndë paraqiten më të pasakta. Kjo vihet re në radhë të parë tek Livi, i cili i kushton më tepër vëmendje efektit retorik e moralizues sesa të vërtetës historike. Për hir të paraqitjes së bukur dhe tërheqëse të ngjarjeve, ai shpeshherë sakrifikon këtë të vërtetë. Tregimet e tij janë të veshura me petkun moralizues dhe në mjaft raste me hollësi fantastike. Shumë të pasigurta janë edhe njoftimet e shkrimtarëve të tjerë, Dion Kasi e Apiani, që përfaqësojnë ritransmetime të cunguara, dhe më tepër të pasakta të tradicionit të vjetër.

Iliria nën okupimin Romak

Redakto
Artikull : Iliria nën okupimin Romak

Shteti romak si gjatë luftërave, ashtu edhe pas mbarimit të tyre u mor me organizimin administrativ të viseve të pushtuara, të cilin e kreu në disa etapa dhe me ndryshime sipas konjunkturave që krijoheshin herë pas here dhe në pajtim me mundësitë që kishte vetë shteti romak. Qëllimi kryesor i organizimit administrativ të Ilirisë, ka qenë përforcimi i pushtetit romak, me anë të të cilit do të kalohej në një administrim e shfrytëzim më racional e sistematik të provincave ilire. Kjo ka ndodhur në periudhën e fundit të Republikës së Romës dhe në mënyrë të veçantë me krijimin e perandorisë. Këtij qëllimi i shërbyen masa të tilla si konfiskimi i tokave dhe ndryshimet në pronësinë tokësore, shndërrimi i disa qyteteve në koloni romake dhe ngulimet e një popullsie italike e orientale, zhvillimi i teknikës dhe i prodhimit, shfrytëzimi i minierave dhe ndërtimi e rindërtimi i rrugëve dhe në përgjithësi situata e rëndë që iu imponua ilirëve, veçanërisht duke filluar nga shek. I e.s. Bashkë me këtë politikë Roma bëri përpjekje të mëdha për asimilimin, “romanizimin” e popullsisë ilire, por pa arritur rezultate të dukshme.

Shqipëria nën Perandorinë Bizantine shek.V - X

Redakto
Artikull : Shqiptarët në mesjetën e hershme
Artikull : Ruralizmi i jetës në mesjetën e hershme
Artikull : Organizimi shtetëror dhe jeta politike

Kur Perandoria Romake u nda në atë të lindjes dhe atë të perëndimit në vitin 395, trojet e Shqipërisë së sotme u bënë pjesë e Perandorisë Bizantine. Në kohën e Perandorisë Romake, disa ilirë u ngritën në poste të larta në perandorinë e re. Tre perandorët që mbruajtën historinë e Bizantit (duke mbretëruar nga vitet 491 deri në vitet 565) ishin me prejardhje ilire: Anastasi I, Justini I dhe perandori më i njohur i Bizantit Justiniani I.

Në dhjetëvjeçarët e parë nën qeverisjen bizantine (deri në vitin 461), Iliria vuajti bastisjet shkatërruese të visigotëve, hunëve dhe ostrogotëve. Jo shumë kohë pasi këta pushtues barbarë u derdhën nëpër Ballkan, u shfaqën Sllavët. Midis shekullit VI dhe VII ata u ngujuan në trevat ilire dhe vazhduan të asimilojnë fiset ilire pak a shumë ku ndodhet tani Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia. Fiset ilire të jugut, megjithatë, përfshi dhe Shqipërinë e sotme iu shmangën asimilimit dhe ruajtën gjuhën e tyre amtare.

Me kalimin e disa qindvjeçarëve, nën përplasjen me romakët, bizantinët dhe kulturën sllave, fiset ilire të jugut pësuan një shndërrim dhe pasoi një kalim nga popullata e vjetër ilire në shqiptare të re. Si rrjedhojë, nga shekulli i VII deri në atë të XI, emri Iliri i hapi rrugë emrit, në fillim të përmendur në qindvjeçarin e 2-të nga gjeografi Ptolemeu i Aleksandrisë, të fiseve Albanoi, të cilët banonin çfarë sot është qendra e Shqipërisë. Nga një fis i vetëm emri u përhap duke përfshirë pjesën e mbetur të vendit si Arbëri dhe, përfundimisht, Shqipëri (Albania). Zanafillat e kombit shqiptar duket ndodhën në atë kohë kur populli shqiptar vërejti se ata ndanin një truall të përbashkët, emër, gjuhë, dhe trashëgimi kulturore. (Gjuhëtarët kanë përcaktuar se emri "Shqipëri" rrjedh nga ndajfolja "shqip", në kuptimin "qartë" (në kuptimin "flas qartë"; tek Buzuku: vjen me e thashunë shqip). Ky emër ka zëvendësuar emrin e vjetër Arbëri gjatë shekujve XVI dhe XVII. Hipoteza e prejardhjes nga emri "shqipe", ose "shqiponjë," pra "Shqipëri" - "toka e shqiponjës" është një hipotezë romantike, që nuk përputhet me realitetin shkencor.

Shqipëria midis Bizantit dhe Perëndimit shek. XI - XIV

Redakto
Artikull : Normanët në Shqipëri
Artikull : Jeta politike në Shqipëri shek.XII - XIII
Artikull : Shqipëria dhe Mbretëria e Sicilisë shek.XIII
Artikull : Gjendja kishtare në Shqipëri shek.XI - XIV
Artikull : Prona feudale në Shqipëri shek.XI - XIV
Artikull : Qytetet në Shqipëri shek.XI - XIV

Shqipëria nën sundimin Osman

Redakto


Pushtimet e para osmane në Shqipëri

Redakto

Sulmet e ushtrive osmane për pushtimin e viseve shqiptare nisën në mesin e viteve 80 të shek. XIV. Të udhëhequra nga bejlerbeu i Rumelisë, Timurtash Pasha, në vitin 1385 ushtritë osmane, pasi morën Sofjen, u futën në Shqipëri dhe pushtuan qytetet e Shkupit, të Përlepit, të Manastirit dhe të Kosturit. Në dokumente perëndimore dhe osmane të shek. XIV-XV për qytetet e Shkupit, të Manastirit, të Kosturit, të Janinës etj., si dhe për Fushë-Dardaninë shprehimisht është shënuar se ato ishin "në Shqipëri" apo "në tokat shqiptare".

Në muajin gusht të vitit 1385 Balsha II i shkruante Republikës së Venedikut se zotërimet e tij ishin nën sulmet e përditshme të ushtrive osmane dhe se ato kishin shkaktuar një pështjellim të madh te nënshtetasit e tij. Kur Balsha II ishte i zënë në konflikt me mbretin e Bosnjës, Tvërtkon (1376-1391), për çështjen e zotërimit të Kotorrit, një ushtri e fuqishme osmane, e komanduar nga Timurtash Pasha, në shtator të vitit 1385 u fut me shpejtësi në thellësi të tokave shqiptare. Balsha II së bashku me një grup fisnikësh të udhëhequr prej tij, mobilizuan me shpejtësi një pjesë të ushtrisë dhe u dolën përpara osmanëve në fushën e Savrës (pranë Lushnjës). Në betejën e Savrës, që u zhvillua më 18 shtator 1385, forcat ushtarake shqiptare u thyen dhe vetë Balsha II gjeti vdekjen. Fitorja e betejës i dha mundësi ushtrisë osmane që të pushtonte Beratin, Krujën etj., të cilat i mbajti përkohësisht, derisa ua lëshoi zotëruesve të mëparshëm. Inkursionet e tyre u shtrinë edhe në Shqipërinë e Epërme deri në Lezhë, si dhe në Shqipërinë e Poshtme. Në vitin 1386 osmanllinjtë pushtuan Nishin dhe pas një viti Selanikun, që e mbajtën përkohësisht në duart e tyre, deri më 1403.

Për disa familje fisnike të njohura, si Balshajt, Muzakajt etj., beteja e Savrës shënoi rënien e tyre nën vasalitetin osman, i cili në fillim qe i dobët dhe herë-herë formal. Pa kaluar shumë kohë nga disfata që pësuan në fushën e Savrës, Balshajt rifilluan të ndiqnin një politikë të pavarur. Në vitin 1388, Gjergji II Balsha, krahas forcave ushtarake të sundimtarëve të Rashës e të Bosnjës, mori pjesë në betejën që u zhvillua në Beliqë (Bosnjë) dhe forcat e tij luajtën një rol të rëndësishëm në thyerjen e ushtrive osmane, të komanduara nga L`alla Shahini. Kjo fitore nxiti Karl Topinë dhe Muzakajt që të shkëpusnin lidhjet e tyre të vasalitetit ndaj osmanëve.Ballkani ne shekullin XIV ishte nje teritor i coptuar, i ndar ne shume principata e shtete te pavarura sic ishin principata greke,bullgare, serbe,dhe shqiptare. Ndermjet tyre kishte mosmarrveshje e zhvilloheshin luftra per ceshtje fetare si dhe per probleme kufijesh. Keto dy ceshtje kishin krijuar nje anarki ne Ballkan e cila letesonte perparimet e ushtiris osmane.

Krijimi i Koalicionit Ballkanik

Redakto

Intensifikimi i sulmeve të ushtrive osmane dhe zgjerimi i vrullshëm i pushtimeve të tyre në Ballkan bënë që sundimtarët ballkanas të linin mënjanë grindjet e konfliktet ndërmjet tyre dhe të mendonin e të projektonin aksione të përbashkëta ushtarake për të mbrojtur zotërimet e veta. Në vitin 1387 u krijua një koalicion i gjerë ballkanik, ndërkohë që më 1388 sulltani përqendroi forca të shumta në Plovdiv për të vijuar pushtimet në Ballkanin Qendror. Knjazi serb i Rashës, Llazari Hrebelanoviçi mori nismën dhe ftoi sundimtarët e tjerë ballkanas që të bashkonin forcat e tyre për të ndalur marshimin osman. Thirrjes së tij iu përgjigjën disa prej sundimtarëve shqiptarë, si Gjergji II Balsha, sundimtar i Shkodrës, Teodor II Muzaka, zot i Beratit dhe i Myzeqesë, Dhimitër Jonima, zot i trevave përgjatë rrugës tregtare Lezhë-Prizren, Andrea Gropa, zot i Ohrit dhe i rajoneve rreth tij, sundimtarë të Shqipërisë së Poshtme etj. Me ta u bashkuan edhe sundimtarë të tjerë ballkanas, si vojvoda rumun Mirçea, bani kroat Ivan Horvat, mbreti Tvërtko I i Bosnjës, sundimtari i Kosovës Vuk Mlladenoviqi, që zakonisht njihet me mbiemrin Brankoviçi (Vuk Brankoviçi) etj. Zotërimet familjare i kishte në pjesën veriore të Drenicës dhe të Fushë-Dardanisë. Pas vdekjes së Vukës në tetor 1398, jeta politike në zotërimet e tij u decentralizua. Trupat shqiptare kishin një peshë të rëndësishme në forcat e koalicionit ballkanik. Kronikat osmane, që përshkruajnë këtë ngjarje, theksojnë numrin e madh të ushtrisë së Gjergjit II Balsha dhe e cilësojnë atë si njërin prej tre sundimtarëve kryesorë të koalicionit antiosman, krahas knjazit Lazar dhe vojvodës Vllatko Vukoviqit, komandant i ushtrisë së mbretit Tvërtko I të Bosnjës.

Në qershor të vitit 1389 ushtritë e koalicionit ballkanik u bashkuan në Fushë-Dardani (Fushë-Kosovë). Në çastin e fillimit të betejës, V. Brankoviqi i largoi trupat e veta nga koalicioni. Më 15 qershor ballkanasit zhvilluan një betejë të përgjakshme me focat osmane të komanduara nga sulltan Murati I. Pas disa sukseseve të para të ushtrive të koalicionit, fitorja në këtë betejë anoi përfundimisht nga osmanët, por me humbje njerëzore të mëdha nga të dyja palët. Gjatë zhvillimit të betejës luftëtari Milosh Kopili vrau sulltan Muratin I. Për hakmarrje osmanët vranë robërit e luftës, duke përfshirë knjaz Llazarin e Milosh Kopilin. Në këtë betejë mbeti i vrarë Teodori I Muzaka, si dhe shumë bashkëluftëtarë të tij dhe shqiptarë të tjerë. Beteja e Fushë-Dardanisë dhe akti heroik i Milosh Kopilit lanë mbresa të fuqishme te shqiptarët e Kosovës, të cilët i përjetësuan ato në këngë popullore.

Dështimi i Koalicionit

Redakto

Disfata e koalicionit ballkanik në betejën e Fushë-Dardanisë të vitit 1389 pati rrjedhime të rënda për popujt e Gadishullit të Ballkanit. Ajo i dha fund krijimit të koalicioneve ballkanike të gjera kundër pushtuesve osmanë dhe sulltanit pasardhës, Bajazitit I (1389-1402), të njohur me cilësimin Rrufeja (Jëlldërëm), i lehtësoi rrugën për pushtime të reja në Ballkan. Pushtuesit osmanë e kthyen në vasal të tyre sundimtarin e Kosovës, Vukë Brankoviçin, të cilin, në fillim të vitit 1392, e detyruan t'u dorëzonte Shkupin, e më pas Zveçanin (kështjellë pranë Mitrovicës) etj. Me marrjen e Shkupit, osmanët përforcuan pushtetin e tyre në pjesën lindore të Shqipërisë Qendrore (Maqedonia e sotme), veçanërisht nëpër rajonet fushore të lumit Vardar, që ishin nga më të begatat e Ballkanit. Pozicioni gjeografik shumë i favorshëm i Shkupit, ku kryqëzoheshin rrugët më të shkurtra që lidhnin kryeqytetin e Perandorisë Osmane me të gjitha tokat shqiptare dhe me rajonet e tjera të Ballkanit, nxitën sulltanët osmanë që ta bënin atë bazë ushtarake shumë të fuqishme, duke e shpallur Pashasanxhak, d.m.th. vend-rezidencë e bejlerbeutRumelisë.

Ndryshimet në Fe

Redakto

Ndërkaq osmanët ishin përpjekur për zgjerimin e pushtimeve të tyre në Shqipërinë Qendrore. Qysh në vitin 1385 ata u kishin marrë Muzakajve qytetin e rëndësishëm të Kosturit, kurse rreth vitit 1394 u morën Gropajve Ohrin, të cilin nuk e mbajtën dot për një kohë të gjatë. Ky qytet buzë liqenit kishte fortesë të fuqishme dhe një pozicion shumë të favorshëm për kontrollin e peshkimit në liqen e në dajlanet e shumta të lumit Drin në Strugë, ku tregtohej me shumicë peshku i thatë që përgatitej aty. Për zotërimin e rajonit të liqenit dhe dobësimin e pranisë së fisnikëve shqiptarë aty, osmanët vendosën administratën e tyre në Ohër dhe rrënuan tri kështjellat e tjera, të Strugës, të Pogradecit e të Starovës, që ishin në roje të liqenit dhe të rrugëve që gjendeshin pranë tij.

Në kushtet e mungesës së një kishe kombëtare shqiptare, që do të ndikonte shumë në ruajtjen e unitetit fetar te shqiptarët, një pjesë e konsiderueshme e fisnikërisë dhe e shtresave të tjera, që jetonin në Shkup, Manastir dhe në qytete të tjera të viseve lindore, filluan të përqafonin masivisht islamizmin. Që në fund të viteve 60 të shek. XV mbi 60% e banorëve të Shkupit e të Manastirit ishin myslimanë. Kurse te sllavët, që kishin kishën e tyre kombëtare, nuk u përhap procesi i islamizimit.[1] Në regjistrat kadastralë osmanë të shek. XV thuajse asnjë spahi nuk ka të shënuar cilësimin se është serb apo sllav, ndryshe nga shumë të tjerë që mbajnë mbiemrin Shqiptari (Arnauti).

Konvertimi në islamizëm i shqiptarëve i shkëputi shumë prej tyre nga ndikimi i kishave ortodokse sllave e greke (që liturgjinë e mbanin në gjuhën sllave dhe greke), duke ndërprerë kështu vrullin e procesit shekullor të sllavizimit e të greqizimit të shqiptarëve. Gjithashtu islamizimi u dha mundësi shqiptarëve që të integroheshin në jetën e Perandorisë Osmane dhe të ruanin, deri në një farë mase, pozitat e tyre ekonomike e politike.

Rikonsolidimi i Perandorisë Osmane

Redakto

Pasi e konsoliduan pushtetin osman në viset lindore të Shqipërisë Qendrore, trupat osmane nisën sulmet në drejtim të rajoneve perëndimore e bregdetare, si dhe të Shqipërisë së Epërme dhe asaj të Poshtme, sulme që i vazhduan pa ndërprerë nga viti 1385 deri në vitin 1402 për t`i rifilluar pas një dhjetëvjeçari. Pasi morën Zveçanin, më 1393 osmanët arritën të pushtonin po përkohësisht Shkodrën, Ulqinin, Dejën e Krujën, të cilat i mbajtën deri më 1395. Po në fund të shek. XIV ata morën përkohësisht Janinën dhe pushtuan krahinat e Korçës e të Përmetit. Zgjerimi i pushtimeve osmane në Shqipëri u ndërpre përkohësisht pas betejës së Ankarasë, të zhvilluar më 20 qershor 1402, ku trupat osmane pësuan një disfatë të rëndë dhe sulltan Bajaziti I (1389-1402) ra rob në duart e ushtrive fitimtare mongole të udhëhequra nga Timurlengu. Pas kësaj beteje, për një dhjetëvjeçar, jeta politike e Perandorisë Osmane u përfshi nga konflikte të ashpra ndërmjet tre djemve të Bajazitit I për trashëgimin e fronit, konflikte që përfunduan me ardhjen në pushtet të Mehmetit I (1413-1421). Sulltani i ri riaktivizoi politikën pushtuese edhe në drejtim të Ballkanit dhe të Shqipërisë.

Para se sulltan Mehmeti I të vinte në pushtet, në vitin 1412 ushtritë osmane sulmuan Novobërdën dhe e mbajtën të rrethuar për një kohë të gjatë, por nuk e morën dot, sepse mbrojtësit e saj luftuan me guxim. Ushtritë e sulltan Mehmetit I, me vdekjen e Niketë Topisë, në fillim të vitit 1415 pushtuan Krujën, gjatë vitit 1417 i morën Beratin Teodor Muzakës dhe Kaninën bashkë me Vlorën Rugina Balshës, kurse në vjeshtë të vitit 1418 pushtuan Gjirokastrën, kryeqendrën e zotërimeve të Zenebishëve.

Fitorja e trupave osmane në betejën e Fushë-Dardanisë të vitit 1389 dhe konsolidimi i pushtetit të tyre në fund të shek. XIV në qytetin e Shkupit, në rajonet e lumit Vardar si dhe pushtimi i Krujës, i Beratit, i Gjirokastrës etj., lehtësuan pushtimet e mëtejshme osmane në Ballkan e në Shqipëri dhe shtuan panikun në radhët e sundimtarëve ballkanas, shumë prej të cilëve u bënë vasalë të sulltanëve. Në Shkup u vendos selia e bejlerbeut të Rumelisë, që ishte komandanti i përgjithshëm i ushtrive osmane për pjesën evropiane të saj. Me një personalitet të tillë ushtarak e politik shumë të fuqishëm të Perandorisë Osmane duhej të përballeshin vazhdimisht fisnikët shqiptarë. Krahas tij ata duhej të përballeshin edhe me pinjollët e shumtë të familjes së fuqishme të Evrenozëve. Qysh kur nisën pushtimet e para osmane në Shqipërinë Lindore, në fund të shek. XIV, e deri në fund të shek. XV, kur ranë në duart e tyre edhe kështjellat e fundit në tokat shqiptare, ato të viseve perëndimore, në të gjitha betejat e aksionet e rëndësishme ushtarake të ushtrive pushtuese u shquan si komandantë ushtarakë osmanë një varg pinjollësh të familjes Evrenozi që jetonin në Shkup. I pari i tyre ishte Evrenoz-Beu (Pasha Jigit beu), i cili kishte pushtuar Thesalinë; emrin e tij e përdorën gjatë shekujve si mbiemër djemtë, nipërit e pasardhësit e tjerë të tyre..

Artikull : Shqipëria përballë pushtimit osman 1385-1443

Shqipëria në kohën e Gjergj Kastriotit - Skenderbeut 1443-1468

Redakto
 
Portreti i Skënderbeut
Artikull : Rimëkembja e Shtetit të Kastriotëve
Artikull : Fitoret e Besëlidhjes Shqiptare nën udhëheqjen e Skenderbeut
Artikull : Formimi i Shtetit Shqiptar nën drejtimin e Skenderbeut
Artikull : Marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë në kohën e Skenderbeut
Artikull : Betejat shqiptaro-osmane të viteve 60

Shqipëria në vitet 1468-1479

Redakto
Artikull : Shqipëria në vitet 1468-1479

Rilindja kombëtare :

Redakto
 
Kufijtë në Ballkan 1878-1912

Nga mesi i shekullit të XIX-të Perandoria Osmane ishte në grahmat e "Çështjes Lindore", në kohën që ballkanasit, duke përfshirë edhe shqiptarët, kërkonin të plotësonin ëndrrën e tyre kombëtare, bashkimin e katër Vilajeteve shqiptare. Për të mbrojtur dhe përkrahur interesat e tyre kombëtare, shqiptarët u mblodhën në Prizren, një qytet i Kosovës, në vitin 1878 dhe krijuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Lidhja kishte dy qëllime kryesore, atë politik dhe atë kulturor. Së pari, u përpoq (pasukses) të bashkonte të gjitha trojet shqiptare - atë kohë të ndara ndër katër Vilajete: Vilajetin e Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës - në një shtet vetqeverisës nën kuadrin e Perandorisë Osmane. Së dyti, nisi një lëvizje për zhvillimin e gjuhës, letërsisë, arsimimit, dhe kulturës shqiptare. Në vijë me programin e dytë, në vitin 1908 udhëheqësit shqiptarë u takuan në qytetin e Manastirit (tani Maqedoni) dhe përshtatën dy alfabete kombëtarë. Të dy alfabetet bazoheshin në shkrimin latin, të cilët zëvendësuan alfabetet e tjera në përdorim në atë kohë, dhe që përfshinin alfabetin arab (Elifba, për myslimanët), atë grek (për ortodoksët) dhe atë latin (për katolikët) që ishin deri në atë kohë në përdorim. Alfabeti që përdoret sot rëndom ndër shqiptarë është njeri prej alfabetëve zyrtarë të hartuar nga ky Kongres.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, nën trysninë e fuqive evropiane, u shtyp nga Perandoria Osmane në vitin 1881. Qëllimi i fuqive evropiane ishte të pengonte krijimin e një shteti me shumicë absolute myslimane në zemër të Evropës. Fuqitë evropiane e justifikuan këtë presion me gjoja alarmimin e Portës së Lartë nga synimi i fuqishëm kombëtar brenda Lidhjes Shqiptare. Megjthkëtë, lidhja mbeti simbol i zgjimit dhe aspiratave kombëtare të shqiptareve të kudondodhur dhe idetë e qëllimet e saj ushqyen përpjekjet për pavarësi kombëtare të katër Vilajeteve shqiptare.

Kur Turqit e Rinj (Xhon Turqit), që kishin marrë pushtetin në Stamboll në vitin 1908 shpërfillen zotimet e tyre ndaj shqiptarëve për reforma administrative dhe njohjen e vetvendosjes (autonomisë) së Vilajteve shqiptare, shqipëtarët u hodhën në kryengritje të armatosur (1910-1912). Të alarmuar nga ardhmëria e autonomisë shqiptare, fqinjët ballkanas të Shqipërisë, që kishin bërë tashmë plane për copëtimin e vendit, i shpallën luftë Perandorisë Osmane në tetor 1912, dhe ushtritë greke, serbe dhe malazeze përparuan në trevat Shqiptare.

Për të shmangur asgjësimin e vendit, të dërguarit e kombit u takuan në një kuvend në Vlorë. Ata udhehiqeshin nga Ismail Bej Vlora, një shqiptar që kishte pasur pozita të larta në administratën osmane. Më 28 nëntor 1912, kuvendi shpalli pavaresinë e Shtetit Shqiptar.

Pavarësia e Shqipërisë

Redakto

Krijimi i shtetit të ri

Redakto

Pak kohë pas mundjes së osmanëve nga lidhja ballkanike, në dhjetor të vitit 1912 u thirr në Londër një konferencë ambasadorësh të Fuqive të Mëdha (Britanisë, Gjermanisë, Rusisë, Austro-Hungarisë, Francës dhe Italisë) për të vendosur mbi çështjet e ngritura nga lufta në Ballkan. Me mbështetjen e dhënë shqiptarëve nga Austro-Hungaria dhe Italia, konferenca ra dakord të krijohej një shtet i pavarur shqiptar. Por, në vendosjen e kufinjve të shtetit të ri, duke pasur trysni të forta nga fqinjët e Shqipërisë, Fuqitë e Mëdha nuk e njohën gjërësisht realitetin demografik dhe u dorëzuan serbëve Vilajetin e gjërë të Kosovës dhe në lindje pjesën më të madhe të Vilajetit të Manastirit, përfishi Shkupin, Ohrin, Manastirin, ndërsa në jug, Greqisë iu dha pjesa më e madhe e Vilajetit të Janinës, përfshirë vetë qytetin e Janinës dhe gjithë Çamërinë, njohur ndryshe si Epiri i Jugut me qendër në Lumin Thíamis. Këto cungime të trevave shqiptare iu shtuan atyre të aneksuara nga Mali i Zi të zonave të Ulqinit, Podgoricës, Kotorrit, Plavës dhe Gucisë.[2]

Shumëkush dyshoi nëse shteti i ri do të ishte funksional me pothuajse dy të tretat e tokave dhe popullsisë shqiptare të lëna jashtë kufinjve të saj, duke qene se këto treva ishin nga më prodhimtaret në bujqësi dhe blegtori. Nga ana tjetër, një bashkësi e vogël rreth 30.000 banorë të deklaruar me kombësi greke u përfshi brenda kufijve të Shqipërisë. (Megjithëkëtë, Greqia numëronte të gjithë shqiptarët e besimit ortodoks - rreth 20 përqind të popullsisë - si grekë, duke pretenduar se numri i popullsisë me kombësi greke ishte më i madh seç mendohej). Që atëherë, pakicat greke, çame dhe kosovare mbeten temat më shqetësuese në marrëdhëniet Shqiptaro-Greke dhe Shqiptaro-Jugosllave.

Fuqitë e Mëdha i imponuan shtetit të ri shqiptar një princ gjerman, Wilhelm von Wied (Vilhelm Vid), si kusht për ekzistencën e tij. Vilhelmi Vidi mbërriti në Shqipëri në mars 1914. Mosnjohja e tij me Shqipërinë dhe problemet e saj si dhe mungesa e popullaritetit të tij ndër shqiptarë, përzier me ndërlikimet e ngritura nga shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, e detyruan atë të braktiste Shqipërinë vetëm gjashtë muaj më pas. Lufta që vijoi e zhyti vendin në një krizë të re ndërkaq që ushtritë e Austro-Hungarisë, Francës, Italisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë e zaptuan dhe pushtuan gati gjithë territorin e shtetit shqiptar. Shteti shqiptar, i mbetur pa udhëheqje qendrore politike dhe ekonomike, për shkak të pushtimit të ri, e pllakosi vendin në kaos. Në Konferencën e Paqes së Parisit, 18 janar 1919 - 21 janar 1920 zhvilluar pas Luftës së Parë Botërore, shuarja e Shqipërisë u shmang kryesisht nga përpjekjet e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Woodrow Wilson, i cili kundërshtoi planin e Britanisë, Francës dhe Italisë për ndarjen e Shqipërisë midis fqinjëve të saj, dhe sidomos nga delegacioni shqiptar që insistoi me forcë në ruajtjen e shtetit shqiptar.

Një kongres kombëtar, u mbajt në Lushnjë më 28 janar 1920, për të shpallur hapur konsolidimin e themeleve të shtetit shqiptar dhe për të hedhur bazat e qeverisë së re, akt ky nëpërmjet të cilit burrat e shtetit shqiptar e provuan veten të aftë për të qeverisur vendin në kundërshtim me pretendimet e fuqive të mëdha. Kongresi vendosi unanimisht rrëzimin e qeverisë së Durrësit, zgjodhi Këshillin e Lartë prej katër anëtarësh Luigj Bumçin, Aqif Pashë Elbasanin, Abdi Toptanin dhe Mihal Turtullin, emëroi qeverinë me kryeministër Sulejman Delvinën dhe zgjodhi Senatin. Si rezultat i përpjekjeve të shquara të patriotëve të kombit, në dhjetor 1920 Shqipëria, këtë herë me mbështetjen e Britanisë, u pranua në Lidhjen e Kombeve, duke fituar kështu për herë të parë njohjen ndërkombëtare si shtet vetëvendosës.

Konsolidimi i shtetit shqiptar

Redakto
 
Ahmet Zogu

Në fillim të viteve 1920 shoqëria shqiptare ishte e ndarë midis dy grupimeve politike opoziatare. I pari, përbehej prej shtresës së bejlereve dhe pashallarëve të mëdhenj, pronarë të mëdhenj tokash, intelektualë të shkolluar jashtë vendit, iniciatorë të lëvizjes për bashkimin e Vilajeteve shqiptare dhe aktorë kryesorë politikë dhe ekonomikë në Shpalljen e Pavarësisë. Ndër ta numëroheshin Vlorajt, Vrionasit, Biçakçinjtë, Toptanasit, Vërlacët, Këlcyrajt, etj.. Ky grupim politik dhe ekonomik përfaqësonte forcat tradicionaliste shqiptare dhe synonte modernizimin e Shqipërisë sipas standarteve Perëndimore, ndërkaq që orintimi i tyre politik qe thellësisht i djathtë. Në mes të tyre shquhej për ambicjen e tij dhe Ahmet Zogu, një pronar i vogël fisnor nga rrethi i Matit, i shkolluar në Stamboll dhe Austri.

Grupi i dytë përbëhej nga tregtarë progresistë dhe politikanë me prirje demokratike të kohës, të cilët synonin gjithashtu modernizimin e Shqipërisë sipas standardeve Perëndimore, ndërkaq që orientimi i tyre politik qe i majtë. Ky grupim udhëhiqej prej Fan Stilian Nolit, një peshkop ortodoks i edukuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto forca politike, të kundërta në program dhe përbërje, përfaqësonin natyrën kontradiktore të politikës shqiptare në fund të Luftës së Parë Botërore.

Në periudhën midis vitit 1920 dhe 1924 forcat liberale (të majta) u fuqizuan së tepërmi dhe në vitin 1924 një kryengritje popullore e detyroi Ahmet Zogun të largohej nga Shqipëria për në Jugosllavi. Në pozitën e kryeministrit të qeverisë së re shqipatare, Noli iu përvesh një programi social që synonte një reformë të plotë agrare dhe modernizimin e infrastrukturës administrative të vendit sipas shembullit të demokracive perëndimore. Ky program hasi kundërshtimin e klasës së bejlereve dhe pashallarëve të mëdhenj, të cilët nuk donin të humbisnin pozitën e tyre të lartë në drejtimin e shtetit. Gjithashtu, qeveria e Nolit nuk arriti dot të sensibilizonte opinionin ndërkombëtar në ndihmë të saj. Qeveria e vetme që e njohu Shqipërinë në arenën ndërkombëtare ishte vetëm regjimi i ri Sovjetik i Leninit. Si pasojë, qeveria e Nolit u konsideruar tepër e majtë dhe përfundimisht një eksperiment në politikën shqiptare. Në krye të gjashtë muajve qeveria e Nolit ra dhe Zogu u rivendos si kryeministër i Shqipërisë me ndihmën zemërgjerë të Ushtrisë Jugosllave.

Zogu rifilloi sundimin e tij katërmbëdhjetëvjeçar në Shqipëri në fillim si president i Shqipërisë (1925-1928) dhe më vonë si Zogu I, Mbret i Shqiptarëve. Revolucioni demokratik i Nolit tronditi gjithë klasën politike shqiptare, përshi dhe Zogun. Tashmë ish bërë e qartë se nëse Shqipëria duhej të bënte përpara atëherë duheshin ndërmarrë reforma domethënëse. Si rezultat, Zogu qe i suksesshëm në vendosjen e rregullit dhe rendit publik, hapjen e shkollave fillore dhe të mesme.

Këto reforma u interpretuan nga qarqe të ndryshme si skllavërim kombëtar pasi sigurimi i të ardhurave financiare për to dhe modeli i tyre ish kryesisht Italia. Financimet dhe traktatet e shumta që Zogu ndërmori me qeverinë fashiste të Mussolinit shpesh u interpretuan si orvatje për ta shndërruar Shqipërinë në një koloni Italiane. Ndërkaq, interpretime të tjera të historiografisë hedhin dritë mbi fatkin se shumë nga reformat e modernizimit të ndërmarra prej Zogut qenë lëvizje të detyruara të tij për t'i shpëtuar kolonizimit real të Shqipërisë nga Italia, plan ky i shpallur haptas prej saj që para rënies së Perandorisë Osmane. Një ndër faktet që e ndihmon këtë interpretim është largimi i Zogut nga vendi më 1939, vit në të cilin Italia fashiste pushton Shqipërinë. Zogu fillimisht u largua për në Greqi më pas në Egjipt e më pas për në Francë ku dhe ndërroi jetë.

Ligjërisht Shqipëria e Zogut ish një monarki kushtetuese dhe parlamenti i Shqipërisë i përfaqësonte të dyja forcat kryesore politike, tradicionalistët e djathtë dhe progresitët e majtë. Ndërkaq, baza mbështetëse e autoritetit të Zogut ishin bejlerët dhe pashallaët e zonave qendrore dhe jugore dhe bajraktarët e veriut. I mbështetur në këtë rrjet, i siguruar nga ndihmat financiare të Italisë dhe në një xhandarmari të stërvitur dhe udhëhequr nga oficerë të huaj, Zogu solli stabilitet në Shqipëri. Ai vendosi autoritetin shtetëror në zonat e thella malore, uli kriminalitetin, hodhi themelet e sistemit të ri arsimor dhe ndërmori hapa shumë të guximshëm në modernizimin e jetës shoqërore të vendit.

Zogu dështoi në zgjidhjen e promblemit të reformës agrare. Ai importonte drithra në shuma të kosiderueshme, por sidoqoftë mungesa e të ardhurave dhe e aktivitetit të shtresës së fshatarësë detyroi një pjesë të saj të emigronte jashtë shtetit. Për më tepër Zogu u kufizoi shtetasve të tij të drejtat qytetare, fetare dhe civile të cilat krijuan kushte të favorshme për kryengritje të shpeshta ndaj regjimit të tij. Në betejën kundër korrupsionit shtetëror nuk u tregua i vendosur ndërkaq që qe i ashpër me një pjesë së opozitës politike. Zogu neglizhoi në masë të konsiderueshme krijimin e grupeve dhe celulave të para komuniste në Shqipëri edhe pse elementi komunist nuk qe burimor për vendin. Ndërkaq, elementi komunist u përdor si armë për të luftuar dhe përçarë stabilitetin e vendit.

Lufta e Dyte Botërore

Redakto

Në tetor të vitit 1940 forcat italiane e përdorën Shqipërinë si një bazë ushtarake për të pushtuar Greqinë, por ata u zmbrapsen shpejt në Shqipëri. Pasi Gjermania naziste mundi Greqinë dhe Jugosllavinë në vitin 1941, krahinat e Kosovës dhe Çamërisë i´u bashkëngjitën Shqipërisë, duke krijuar kështu një shtet shqiptar të bashkuar kombësisht. Shteti i ri zgjati deri në nëntor 1944, kur gjermanet që kishin zëvendësuar forcat pushtuese italiane duke ndjekur dorëzimin e Italisë u tërhoqën nga Shqipëria në vitin 1943. Kosova iu ritrupëzua pjesës serbe të Jugosllavisë dhe Çamëria Greqisë.

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Redakto

Shteti i Diktaturës se proletariatit

Redakto

Sunduesit e rinj të Shqipërise trashëguan një vend jashtëzakonisht të varfër, të persekutuar nga analfabetizmi, gjakmarrja fisnore, shumllojshmëria e sëmundjeve epidemike dhe mungesa fantastike e të drejtave më themelore civile dhe qytetare. Për eliminimin e tyre komunistët ndërmorën një program radikal modernizimi që synonte pavarësinë sociale dhe ekonomike të Shqipërisë, si një suplementim të reformave të filluara qysh nga Shpallja e Pavarësisë në Vlorë1912.

Akti i parë i qeverisë së re ishte ajo e një reforme agrare pa kompromis. Tokat e bejlerve dhe agallarëve u ndanë në ngastra më të vogla dhe i'u dhanë atyre fshatarëve që ose nuk kishin tokë, ose që deri në atë kohë kishin shërbyer si sejmenë dhe bujkrobër. Kjo masë theu gjithashtu dhe bazën fuqimore të klasës së bejlerëve. Për më tepër, qeveria shtetëzoi industrinë, bankat dhe gjithë kapitalin tregtar dhe të huaj në vend. Pak kohë mbas reformës agrare filloi kolektivizimi i tokës, proces i cili mbaroi në 1967. Si rezultat, fshatarësia humbi tokën që i'u dha në fund të Luftës së Dytë Botërore. Socializmi nën udhëheqjen e Enver Hoxhës u përhap në zonat e thella malore dhe për pasojë shkaterroi institucionin e vjetër tradicional të kanunit, lidhjet e ngurta fisnore dhe strukturën patriarkale të familjes.

Shqipëria aderoi në kampin komunist me Jugosllavinë (1944-48), BRSS (1948-61) dhe Kinën (1961-78).Politikisht, Hoxha u zhgenjye me aleatët e tij komunistë dhe u nda me secilin prej tyre, duke i akuzuar për tradhti ideologjike ndaj kauzës së proletariatit dhe paqësim me Perëndimin kapitalist. E izoluar nga Perëndimi dhe Lindja së bashku, Shqipëria adoptoi kursin e ndërtimit të socializmit "me forcat e veta" duke u pozicionuar si vendi i vetëm stalinist në gjithë bllokun komunist.

Sidoqoftë shtypja politike i errësoi këto arritje kombëtare. Qeverisja e Hoxhës u karakterizua nga persekutimi policor i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, i njohur thjesht si Sigurimi. Për eliminimin e pakënaqësisë, qeveria përdori shpesh përsekutimin e udhëheqjes në rradhët e Partisë dhe në mënyre më pak të ndjeshme atë të popullsisë në përgjithësi. Ata që kritikonin Partinë dhe drejtuesit e shtetit në veprat e tyre, qoftë kulturore, editoriale, ose thjesht propagandistike përjashtoheshin nga puna, burgoseshin në kampe të punës së detyrueshme ose thjesht ekzekutoheshin. Udhëtimi jashtë shtetit ishte i ndaluar për të gjithë përveç atyreve që shkonin me punë ose sponsorizim shtetëror. Në 1967 praktikimi fetar u ndalua pasi udhëheqja e shikonte fenë si një institucion feudal mesjetar që pengonte bashkimin dhe përparimin kombëtar. Vendet e kultit u mbyllen dhe në shume raste ose u shkatërruan ose u kthyen në shtëpi për veprimtari rinore. Shpëtuan vetëm ato që përbënin pasuri kulturore si Xhamia e Ethem Beut në qëndër të Tiranës.

Rënia e komunizmit

Redakto

Mbas vdekjes së Enver Hoxhës më 1985, zëvendësuesi i tij, Ramiz Alia, u përpoq ta ruante strukturën e sistemit ekzistues, por në të njëjtën kohë tentoi të implementonte reforma, në mënyrë që të revitalizonte ekonominë që në atë kohë po bënte në vend numero. Si rezultat ai lejoi investime nga firma të huaja në Shqipëri dhe shtoi marrëdhëniet diplomatike me vendet Perëndimore. Sidoqoftë me rënien e komunizmit në Evropën Lindore në vitin 1989, shumë segmente të shoqërise shqiptare filluan nja aktivizim politik më të vendosur dhe filluan agjitimin kundër qeverisë. Grupet më aktive ishin ato më të zhgënjyerat intelektualët dhe rinia studentore. Në përgjigje të kërkesave të tyre Ramiz Alia u dha shqiptarëve (Minoritetit) të drejtën për udhëtim jashëte shtetit, zbuti fuqitë ekzekutive të Sigurimit, adoptoi disa masa të ekonomisë së lirë. Në dhjetor të 1990 Alia legalizoi krijimin e partive politike, kjo sinjalizoi fundin e monopolit komunist mbi ekzekutivin.

Masë mbas mase, kontrolli absolut i shtetit mbi shoqërinë shqiptare u dobësua. Pasiguria politike, ekonomike dhe shoqërore solli rënien e shumë qeverive midis 1990 dhe 1992. Në mars të vitit 1992 fitorja vendimtare e Partisë Demokratike solli në fuqi Sali Berishën, presidentin e parë të zgjedhur në një skenë demokratike dhe elektorale qysh prej fillimit të viteve 20-të.

Përparimi shqiptar drejt reformës demokratike mundësoi pjesëmarrjen shqiptare në Konferencën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, e cila solli fundin e izolimit makabër shqiptar. Përjekjet për krijimin e një ekonomie të lirë sollën kriza të vazhdueshme, por gjithashtu mundësuan sjelljen e ndihmave humanitare në Shqipëri nga komuniteti ndërkombëtar. Në këtë menyrë, Shqipëria filloi integrimin e politikës dhe institucioneve të saj me Perëndimin, pjesë e të cilit shqiptarët e kanë konsideruar përherë veten.

Dështimi i shumë firmave piramidale investimi shkaktuan rënien e ekonomisë dhe më vonë të qeverisë në fillim të vitit 1997. Rreth një e treta e popullisë e gjetën vetën të varfër sa hap e mbyll sytë. Dhuna u shtua dhe turma popullore rrëmbyen armë, banda kriminale kontrollonin zona të tëra të vendit. Në përgjigje të kësaj, OKB dërgoi trupa paqëruajtëse në mars të atij viti. Partia socialiste fitoi zgjedhjet parlamentare në qershor 1997 dhe sekretari i Partisë Rexhep Mejdani u zgjodh President i ri i Shqipërisë.

1999 vendi mirëpriti rreth 450,000 shqiptarë të Kosovës që i largoeshin dhunës serbe në Kosovë.

Shiko edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ "Islamizimi i shqiptarëve, gjatë periudhës së pushtimit osman". Gazeta Dielli. 9 janar 2023. Marrë më 15 mars 2024.
  2. ^ "Konferenca e Londrës, 109 vite nga ndarja e trojeve shqiptare". Gazeta Si. 12 dhjetor 2021. Marrë më 15 mars 2024.

Lidhje të jashtme

Redakto