Mbretëria Dardane doli në skenën historike në shek. IV p.e.s. dhe u bë një prej faktorëve relevantë, politikë dhe ushtarakë në Gadishullin Ballkanik dhe Evropën Juglindore gjatë shekujve III-I p.e.s. Shteti i Dardanisë, duke i bërë sfidë dominimit romak për një kohë të gjatë, ra nën pushtetin e Perandorisë Romake dhe iu bashkangjit Provincës së Mezisë së Epërme (Moesia Superior) në vitin 44 të erës sonë. Pavarësia e dikurshme, që krijoi identitetin dardan dhe rezistenca e vazhdueshme, bënë që në vitin 279 të erës sonë të krijohej njësia e veçantë administrative, politike romake, Provinca e Dardanisë. [1] [2] [3] [4]

Mbretëria e Dardanisë
Dardania
393 - 167 pr.k
Harta e Mbretërisë së Dardanisë (e blertë)
Harta e Mbretërisë së Dardanisë (e blertë)
Gjuhët e zakonshmeIlirisht
Besimi
Besimi ilir
NofkaDardan/e
Qeveria
Lloji i qeverisjesMonarki
Mbret 
• 393 – 358 pr.K
Bardhyli
• 358 – 335 pr.K
Kliti
• 335 – 290 pr.K
Bardhyli II
• 290 – 268 pr.K
Monuni I
• 268 – 230 pr.K
Mytili
• 230 – 206 pr.K
Longari
• 206 – 176 pr.K
Bato
• 176 – 167 pr.K
Monuni II
Epoka historikeLashtësia klasike
• Themeluar
393 pr.K
• Pushtimi romak
167 pr.k
Të dhëna të tjera
Pasuar nga
Republika Romake
Sot pjesë eFlamuri Shqipërisë
Flamuri Kosovës
Flamuri Maqedonisë së Veriut
Flamuri Serbisë


Stema e Mbretërisë Dardane
Mbretëria e Ilirisë (ngjyra e verdhë) dhe Mbretëria e Dardanisë (ngjyra e gjelbër}
Mbretëria e Dardanisë në kulmin e zhvillimit të saj
Monedhë e prerë në Damastion
Statujë nga Kllokoti


Territori dhe popullsia Redakto

Dardania shtrihej në territorin e Kosovës së sotme, të Maqedonisë Veriperëndimore, të Serbisë Jugore dhe në një pjesë të Sanxhakut. Në gjysmën e dytë të shek. III p.e.s. në kuadër të mbretërisë hyri edhe Peonia dhe qyteti me rëndësi gjeo-strategjike Bylazora (Veleshi i sotëm). Kosova, duke përfshirë edhe territorin e Shkupit, përbënte hapësirën qëndrore të kësaj mbretërie.

Dardania kishte një pozitë të volitshme gjeografike dhe gjeostrategjike, që mundësoi krijimin e ndërlidhjeve me hapësirat fqinje dhe ato më të largëta. Territori i saj, duke u përshkuar nga luginat e lumenjve Vardar, Drin, Moravë, Ibër dhe Sitnicë, përbënte një udhëkryq të rrugëkalimeve të rëndësishme ballkanike që shpinin drejt Egjeut, Adriatikut dhe Detit të Zi.

Falë edhe pasurive natyrore (arit, argjendit, hekurit, fushave pjellore, pyjeve, kullotave), si dhe të klimës së përshtatshme, kontinentale dhe mesdhetare, Mbretëria Dardane në shek.IV-II p.e.sonë njohu lulëzimin më të madh.

Në Dardani jetonin një varg fisesh tjera më të vogla, por nga burimet e shkruara ngelën të njohur vetëm fisi i dardanëve, galabrëve, daunëve dhe i thunatëve. Pa dyshim, fisi i dardanëve, pas konsolidimit dhe fuqizimit të aristokracisë fisnore, në shekujt VI-IV p.e.s. mori rolin udhëheqës mbi bashkësitë fisnore duke i dhënë emrin mbretërisë. Në shek. V p.e.s. këto fise banonin në hapësirën midis lumenjve Axios (Vardar), Drilon (Drin), Margus (Moravë) dhe Timakus (Timok).

Etimologjia e emrit dardan, përkatësisht e Dardanisë, lidhet me glosën indoevropiane dardh-a, shqip: dardha, që do të thotë vendi i dardhave. Edhe qytetet antike dardane e përcjellin zhvillimin fonetik të shqipes, si Naissus-Nish, Scupi-Shkup, apo emrat e maleve e të lumenjve në Dardani, si Scardus Mons (Mali Sharr), Drinus (Driloni - Drini) etj.

Dardanët janë një nga fiset e mëdha ilire. Në epokën e hekurit, ata formuan një kulturë me veçori lokale duke ruajtur tiparet e përbashkëta me kulturën ilire. Vendbanimet në këtë kohë janë ngritur në kodra gjeostrategjike, pranë burimeve të qëndrueshme ekonomike. Vendbanimet rrethohen me ledhe prej dheu, përforcohen me gjerdhe, apo me ledhe prej gurësh, të ngritura me teknikë të thatë. Këto vendbanime njihen sot me emrat gradina e gradisha, (gardh - gard) disa prej të cilave vazhduan edhe në antikitetin e vonë e në mesjetë. Disa prej tyre njihen me toponimet gjytet dhe kala.

Deri në shek. IV p.e.s. varrimi kryesor është bërë në nekropole tumulare, si në gjithë trevën tjetër ilire. Në fazat e hershme të epokës së hekurit ka edhe varrime me urna - Kultura e Bërnicës (shek. XI-IX p.e.s.). [5]

Dardania paraurbane Redakto

Bazat për lindjen e shtetit dardan vërehen në parahistorinë dardane gjatë shek. VI-IV p.e.s. Në këtë fazë para urbane fuqizohet aristokracia fisnore, e cila akumulon pushtetin, duke krijuar kështu bazë për një shtresë të ardhshme skllavopronare. Lidhjet me jugun e zhvilluar, gjatë shek. VI-V p.e.s. shpejtuan procesin e diferencimit shoqëror. Tregtarët sollën në trojet dardane importe të shumta luksoze për të plotësuar nevojat e aristokracisë vendëse gjithnjë në rritje.

Prodhimtaria e mjeshtërve dardanë u intensifikua nga mesi i shek.V p.e.s. Zejtarët poçarë, prodhonin enë me çark sipas traditës vendëse dhe sipas modeleve helene. Vendbanimet e fazës para urbane gjenden ende në kodra, por me elemente më të avancuara arkitektonike, siç janë themelet me gurë e me lidhje të thatë. Ato zgjerohen në shpate kodrash, me tendencë të vendosjes së tyre rrëzë kodrave apo në rrafsh, gjë që bëhet tipike në fazën vijuese, me krijimin e qendrave urbane. Nekropolet e shek. VI-IV p.e.s. vazhdojnë të jenë të tipit tumular duke qenë pjesë e traditës së hershme ilire. [6]

Lindja dhe forcimi i Mbretërisë Dardane Redakto

Lajmi i parë për dardanët i përket mesit të shek. IV p.e.s. dhe tregon për një përpjekje të mbretërisë së Maqedonisë, që ishte bërë asokohe fuqia politike dhe ushtarake më e madhe në Ballkan, për të forcuar kufijtë veriorë. Sipas historishkruesit romak, Justinit, Filipi II kishte mundur të mposhte e të nënshtronte dardanët e fqinjët e tjerë. Kjo luftë e sundimtarit maqedonas lidhet me pushtimin e Paionisë dhe në përgjithësi me veprimet e tij ushtarake kundër ilirëve, sepse në vitin 344 p.e.s. ai sulmoi edhe shtetin ilir.

Gjendja që Filipi II vendosi në kufirin me dardanët qe e përkohshme dhe më tepër një sigurim i kufijve me fqinjët ilirë, të cilët e kundërshtonin politikën hegjemoniste të Maqedonisë në Ballkan. Në kufirin me dardanët shteti maqedonas kishte arritur pasi kishte pushtuar viset e paionëve. Ngjarjet që ndodhën pas kësaj lufte, duke filluar me kryengritjen e vitit 335 p.e.s. tregojnë qartë se dardanët nuk u pajtuan me politikën pushtuese të Maqedonisë dhe me gjendjen e krijuar në kufirin jugor, prandaj edhe u bashkuan me koalicionin antimaqedonas.

Duke përshkruar ngjarjet e mësipërme, autorët antikë nuk përmendin asnjë qendër banimi të dardanëve dhe nuk thonë asgjë për organizimin e tyre të brendshëm. Madje, ata nuk përmendin as sundimtarin e tyre. Por ngjarjet e mëvonshme dhe të dhëna të tjera burimore dëshmojnë se në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.s. ishte kryer bashkimi i fiseve në një bashkësi të fuqishme. Dardania asokohe përbënte një tërësi gjeografike e politike më vete. Në bashkësinë e dardanëve ishte rritur mjaft pushteti i parisë pronare të tokave. Nga gjiri i kësaj parie doli më vonë dinastia mbretërore, që i vazhdoi luftërat me Maqedoninë, shkaku i të cilave nuk qe vetëm plaçka. Këto luftëra u nxitën, në radhë të parë, nga politika e sundimtarëve maqedonasë, të cilët duke mbajtur të pushtuar Paioninë kishin ndërprerë marrëdhëniet miqësore midis dy fqinjëve dhe kërcënonin në mënyrë të vazhdueshme dardanët.

Në fillim të shek. III p.e.s. në trevën qendrore të Ballkanit doli Mbretëria Dardane si një organizëm politik i rëndësishëm. Në vitet 80 të atij shekulli, në trevën e mësipërme ndodhën dy ngjarje të rëndësishme, të cilat lidhen njëra me tjetrën: invazioni i keltëve, kalimi i tyre në drejtim të Greqisë e të Maqedonisë dhe ndihma që dardanët i ofrojnë Maqedonisë për t’u mbrojtur nga ky invazion. Sipas njoftimit të Justinit, në vitin 279 p.e.s. “mbreti i dardanëve” kishte dërguar delegatë te mbreti maqedonas Ptoleme Kerauni për t’i ofruar një ndihmë ushtarake prej 20 mijë luftëtarësh në luftën kundër keltëve. Por Ptoleme Kerauni e përbuzi ndihmën dhe iu përgjigj me fjalë fyese delegatëve dardanë. Dardanët morën masa mbrojtëse kundrejt keltëve. Pas disfatës në Greqi, keltët të mundur e të shpartalluar u tërhoqën drejt veriut. Tepricat e ushtrisë së tyre “u asgjësuan të gjitha në tokën e dardanëve, nëpër të cilën deshën të kalonin”, kështu shkruante Diodori në tregimin e tij për përfundimin e invazionit të keltëve. Ngjarjet që lidhen me invazionin e keltëve janë një burim i çmuar për të njohur gjendjen e krijuar te dardanët në fillim të shek. III p.e.s. Ndonëse nuk njihet emri i sundimtarit të dardanëve, dihet se këta të fundit kishin mbretërinë e tyre, e cila tashmë ishte një forcë e fuqishme politike dhe ushtarake. Ndryshe nuk ka si shpjegohet ndihma prej 20 000 luftëtarësh që mbreti dardan i ofroi shtetit maqedonas. Ky veprim i sundimtarit të dardanëve duhet parë si një tregues i fuqisë së Mbretërisë së Dardanëve dhe, ndoshta, edhe si një përpjekje për të ndryshuar marrëdhëniet me fqinjin jugorë.

Pas këtyre ngjarjeve, në burimet e shkruara antike, për katër dekada nuk ka ndonjë lajm për dardanët. Së pari mund të mendohet se gjatë kësaj kohe dardanët qenë të shtrënguar të merrnin masa për zhdukjen e pasojave të invazionit kelt. Duke u mbështetur në përhapjen e onomastikës dardane dijetarët kanë shfaqur edhe një mendim tjetër: Gjatë periudhës së mësipërme Mbretëria e Dardanëve u forcua edhe më tej duke zgjeruar njëkohësisht kufijtë e saj në veri e në jug.

Në gjysmën e dytë të shek. III p.e.s. rifilluan luftërat midis Mbretërisë Dardane dhe shtetit maqedonas. Shkaku i fillimit të luftërave duket se ka qenë politika pushtuese e sundimtarëve maqedonas kundrejt fqinjëve të tyre veriorë dhe në mënyrë të veçantë pushtimi i truallit të paionëve. Paionët herë pas here janë ngritur kundër pushtuesve maqedonas dhe, duke u bashkuar në aleanca antimaqedone, kanë mundur edhe të çlirohen. Një aleancë e vjetër, më tepër se sa një pushtim, duhet të ketë ekzistuar midis dardanëve e paionëve, sepse nuk mund të shpjegohen ndryshe të dhënat e autorëve antikë sipas të cilëve, sa herë që paionët fitonin pavarësinë, dardanët e kishin të hapur rrugën drejt Maqedonisë.

Një politikë të tillë ndoqi edhe sundimtari i parë dardan që njohim me emër, Longari, i cili, pasi çliroi Paioninë në vitin 231 p.e.s. luftoi kundër Demetrit II të Maqedonisë duke kundërshtuar kështu përpjekjet e shtetit maqedonas për të zgjeruar kufijtë veriorë. Mbretëria Dardane ishte forcuar shumë dhe prej kësaj kohe sundimtarët maqedonas u detyruan të angazhonin forca të mëdha ushtarake në konfliktin me dardanët, çka ndikoi negativisht në veprimet e tyre luftarake në Greqi dhe në përgjithësi në dobësimin e shtetit maqedonas.

Në këtë periudhë ngritjeje të mbretërisë së tyre sundimtarët dardanë bënë përpjekje për ta forcuar pozitën e tyre në zemër të Ballkanit edhe kundrejt shteteve të tjera fqinje. Në vitin 229 p.e.s. duke përfituar nga rasti që shteti ilir, në krye të të cilit ndodhej Teuta, ishte i zënë në veprime ushtarake në jug, në Epir, “një pjesë e ilirëve, - shkruan Polibi, - ishin shkëputur dhe ishin hedhur nga ana e dardanëve”. Teuta dha urdhër për të bërë paqe me epirotët si dhe për kthimin e ushtrisë, e cila duhet të nënshtronte popullsitë e shkëputura nga varësia e shtetit ilir. Polibi nuk thotë nëse shteti ilir i futi nën vartësinë e tij ata ilirë që u bashkuan me dardanët. Trazirat, me të cilat, sipas tij, u ndesh dhjetë vjet më vonë Skerdilaidi, të çojnë në mendimin se shteti ilir nuk mund t’i mbante nën vartësi këto fise. Dardanët, po atë vit, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë që kalonte fqinji jugor sulmuan tokat e saj. Maqedonia e dobësuar e përballoi me vështirësi sulmin e dardanëve, gjatë të cilit u vra edhe sundimtari i Maqedonisë Demetri II.

Luftërat dardano-maqedone vazhduan edhe gjatë sundimit të Antigon Dozonit, kur iniciativa e luftës kaloi në duart e Maqedonisë, e ndihmuar edhe nga gjendja e re e krijuar nga aleanca me shtetin ilir. Antigon Dozoni mundi të nxirrte dardanët jashtë Maqedonisë e Paionisë dhe nga të gjitha viset që kishin pushtuar në vitet e fundit të sundimit të Demetrit II. Në qytetin paion Bylazora, në luginën e lumit Aksios, maqedonët vendosën një garnizon të fortë ushtarak. Ky qytet kishte një rëndësi të madhe strategjike, sepse duke u ndodhur në luginën e Aksiosit u mbyllte dardanëve rrugën në drejtim të Maqedonisë. Një forcim i tillë i maqedonasve në kufirin me dardanët ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e hegjemonisë mbi Greqinë, aq më tepër kur në brigjet perëndimore të Adriatikut kishin zbarkuar legjionet romake dhe Republika e Romës kishte vendosur kontakte me Maqedoninë. Kjo gjendje herët a vonë do t’i çonte të dyja palët në luftë.

Politikën antidardane e zbatoi më me konsekuencë pasardhësi i Dozonit, Filipi V. Siç tregojnë burimet e shkruara, Mbretëria Dardane edhe gjatë sundimit të këtij mbreti nuk u pajtua me gjendjen e krijuar në Paioni, as me pretendimet hegjemoniste të Filipit. Në vitin 219 p.e.s. kur Filipi V ndodhej në Peloponez ushtria dardane çliroi atë pjesë të Paionisë që mbanin të pushtuar maqedonët dhe bashkë me të edhe qytetin Bylazora. Filipi V u detyrua të ndërpriste luftën në Greqi dhe ta dërgonte ushtrinë e tij në kufijtë veriorë. Veprimet ushtarake u përqendruan përreth Bylazorës dhe luginës së Aksiosit. Forcimi i kufirit verior të Mbretërisë së Filipit dhe zotërimi i Bylazorës, që sipas Polibit do ta vështirësonte hyrjen e dardanëve në Maqedoni, nuk i ndali sulmet e këtyre të fundit. Në një pasazh të Livit tregohet se sundimtari maqedonas u kthye përsëri në vitin 211 në kufirin dardan dhe kësaj radhe pushtoi edhe qytetin Sintia në pjesën jugperëndimore të Dardanisë, dhe në veri të Pelagonisë (rrafshi i Manastirit) një pikëmbështetje tjetër e rëndësishme e sulmeve të dardanëve.

Luftërat që Mbretëria e Dardanëve bëri me shtetin e Filipit V, pavarësisht që nuk arritën të zgjidhnin në favor të tyre çështjen e vartësisë së paionëve, e dobësuan mjaft Maqedoninë dhe u bënë një pengesë serioze për realizimin e ndërhyrjeve ushtarake që synonin rivendosjen e hegjemonisë maqedonase në Greqi. Për Mbretërinë Dardane u krijua një situatë e favorshme pas agresionit të Filipit V në Ilirinë e Jugut. Në vitin 208 p.e.s. dardanët në aleancë me Eropin, sundimtarin e një krahine ilire juglindore, sulmuan shtetin e Filipit. Ndërsa ky i fundit i kufizoi veprimet ushtarake në qytetin Lyhnid dhe në zonën përreth tij, ushtria dardane zbriti deri në Orestidë, një krahinë në kufirin jugperëndimor të Maqedonisë. Kësaj radhe, duke bashkëpunuar me forcat ilire të Dasaretisë, ushtria dardane kaloi nëpër Pelagoni në kufirin perëndimor të mbretërisë maqedonase. Futja e ushtrive ilire në tokat e shtetit maqedon dhe sidomos pushtimi i Orestidës nga ana e ushtrisë së dardanëve e detyruan Filipin V të hiqte dorë nga lufta e Ahesë dhe të kthehej në Maqedoni. Sulmet e dardanëve, shkruante Livi, bënë që Filipi “të tërhiqej edhe nga lufta kundër romakëve dhe e vunë përpara domosdoshmërisë që të mbronte mbretërinë e vet”. Me këto ngjarje të fundit duhet të lidhet edhe një lajm i Justinit, sipas të cilit “dardanët kishin filluar të shkretojnë krahinat kufitare të Maqedonisë dhe kishin marrë 20 mijë robër”. Më pas, vazhdon ai, Filipi V duke analizuar situatën e vështirë në të cilën gjendej Maqedonia dhe marrëdhëniet me kundërshtarët kryesorë të saj, vendosi që fushatën e parë ta bënte kundër dardanëve, sepse ata përbënin një kërcënim serioz dhe zotëronin fuqi të mëdha ushtarake. Për zbatimin e këtij vendimi ai luftoi kundër dardanëve në vitet 208 e 206 para e.sonë.

Bashkëpunimi dardano-romak kundër maqedonëve Redakto

Gjendja e krijuar në Ballkan në fund të shek. III p.e.s. pas paqes që shteti maqedonas bëri me etolët dhe romakët, që i dha mundësi atij për të sulmuar dardanët, nuk vazhdoi gjatë. Livi shkruan se në vitin 200 p.e.s. pas ekspeditës së suksesshme të romakëve në Dasareti (kundër Maqedonisë) tek lëmi i romakëve erdhën mbretër të ndryshëm fqinjë të maqedonëve, midis të cilëve Pleurati, i biri i Skerdilaidit dhe Batoja, i biri i Longarit. Ata i ofronin komandantit romak ndihmë ushtarake kundër maqedonasve. Dardanët u futën përsëri në koalicionin antimaqedon, por tani të përgatitur nga Roma për qëllimet e saj. Ky koalicion e afroi Mbretërinë e Dardanëve edhe me shtetin ilir. Duke bashkëpunuar me ushtrinë romake që kishte arritur në kufijtë e Maqedonisë dhe duke i bashkërenditur me të veprimet luftarake, paria sunduese dardane shpresonte se me premtimet territoriale që i kishte bërë Roma, do të realizonte aspiratën e saj të vjetër, futjen e Paionisë nën varësinë e saj. Kështu në luftën e dytë romako-maqedone morën pjesë edhe dardanët.

Veprimet e para që ndërmori shteti i Filipit në luftën kundër romakëve qenë ato kundër aleatëve të tyre, dardanëve, të cilët, sipas Livit, bashkë me etolët formonin dy mbështetje të mëdha për romakët. Këto veprime u përqendruan në mbylljen e në forcimin e grykës së Pelagonisë, një rrugë tjetër kalimi e përdorur nga dardanët sidomos pas afrimit të tyre me sundimtarët e Ilirisë së Jugut. Në vitin 199 p.e.s. nën presionin e ushtrive romake Filipi V i largoi forcat ushtarake të komanduara nga djali i tij Perseu që mbanin ngushticat e Pelagonisë dhe në këtë mënyrë u hapi rrugën ushtrive ilire të Pleuratit e të dardanëve. Edhe në këtë luftë maqedonasit i konsideruan dardanët si armiq të rrezikshëm. Duke u tërhequr para forcave kundërshtare, Filipi mori masa vetëm kundër dardanëve, të cilët pasi kishin plaçkitur Maqedoninë e Sipërme bashkë me romakët, u tërhoqën drejt viseve të tyre. Ushtria dardane që po largohej nga Maqedonia, e sulmuar nga maqedonasit u detyrua të rreshtohej për luftim. Beteja që vuri përballë ushtrinë e armatosur rëndë të dardanëve kundër kalorësisë e këmbësorisë së lehtë dhe të stërvitur mirë të Filipit përfundoi pa fitoren e asnjërës palë. Taktika që përdori ushtria dardane bëri që në këtë betejë ajo të mos kishte humbje të mëdha dhe të mos mbetej asnjë rob në duart e armikut.

Në vitin 197 p.e.s. pas betejës së Kinokefalit që përfundoi në favor të romakëve, u vendos një armëpushim midis Romës e Maqedonisë. Dardanët, megjithëse luftuan përkrah romakëve, ndryshe nga shteti ilir, nuk patën asnjë përfitim, kështu u bë e qartë politika e diferencuar e Romës dhe synimet e qëndrimi i saj ndaj shteteve të ndryshme ballkanike. Pakënaqësia e krijuar tek paria dardane ndaj romakëve, pas ngjarjeve të mësipërme, shkaktoi një të çarë të thellë në marrëdhëniet midis tyre. Ata filluan përsëri të bëjnë një politikë të pavarur që e provon edhe fakti se etolët në vitin 190 p.e.s. u kërkuan dardanëve ushtarë me pagesë në luftën kundër romakëve.

Nga ana tjetër, Filipi përfitoi nga paqja e qëndrimi hakmarrës i romakëve kundër dardanëve, të cilëve iu desh të luftojnë të vetëm kundër një armiku të egërsuar. Për këtë qëllim, Filipi V, me forca të shumta sulmoi dardanët dhe në betejën që u bë pranë qytetit Stobi në Paioni e theu ushtrinë e tyre. Por dardanët mbetën për maqedonasit gjithnjë kundërshtarë të fortë që nuk e ndërprenë luftën kundër tyre. Duke e ndjerë forcën e Mbretërisë Dardane dhe mospajtimin e saj me politikën maqedonase, sundimtarët e Maqedonisë menduan ta shkatërrojnë atë me anën e forcave të treta. Për këtë Filipi V i shfrytëzoi bastarnët që banonin në krahinën e Danubit. “Qëllimi i Filipit, - thotë Tit-Livi, - ishte që të zhdukte fisin e dardanëve dhe të vendoste në tokat e tyre bastarnët. Ai [Filipi V], mendonte se prej kësaj do të kishte një përfitim të dyfishtë, nga njëra anë, do të zhdukej fisi i dardanëve, i cili gjithmonë kishte qenë armik i rrezikshëm i Maqedonisë dhe shqetësonte mbretëritë e saj në çaste të vështira, kurse, nga ana tjetër, do të dërgonte bastarnët në Itali që ta shkretonin atë pasi të linin në Dardani gratë dhe fëmijët e tyre”.

Bastarnët invaduan viset dardane në vitin 179 p.e.s. të ndihmuar edhe nga trakët e skordiskët, fqinjë veriorë e lindorë të tyre. Invazionet dhe qëndrimi i bastarnëve në viset e dardanëve krijoi për këta të fundit një situatë shumë të vështirë, kurse Perseu, pasardhësi i Filipit V, mundi ta vazhdonte i qetë luftën kundër Romës. Dardanët e pësuan për të dytën herë nga aleatët e tyre romakë. Roma nuk i dha asnjë përgjigje ankesës së delegatëve dardanë që njoftonin senatin romak se invazioni i bastarnëve ishte i përgatitur dhe i nxitur nga Maqedonia. Të mbetur përsëri vetëm, sundimtarët dardanë grumbulluan ushtrinë e tyre dhe i sulmuan bastarnët. Beteja përfundimtare, tregon Tit-Livi, u zhvillua nën muret e një qyteti dardan. Kjo betejë, të cilën e fituan dardanët, edhe pse Livi nuk e përmend këtë, përfundoi me largimin e bastarnëve nga Dardania në dimrin e vitit 176-175 p.e.s.

Atë që nuk mundi ta bëjë me anën e bastarnëve, Maqedonia u përpoq ta bënte me forcën e armëve të tij. Në vitin 172 p.e.s. në krye të ushtrisë maqedonase që sulmoi Mbretërinë Dardane u vu vetë mbreti Perseu. Fitorja e përkohshme nuk i lëkundi dardanët dhe nuk pati ndonjë rëndësi të madhe, sepse në dy vitet që pasuan Mbretëria e Dardanëve përmendet si një fuqi e rëndësishme në brendi të Ballkanit. Në këtë kohë ata e forcuan miqësinë me shtetin ilir nëpërmjet një lidhje martesore të Teutës, bijës së mbretit Monun, me Gentin. Kjo aleancë u shoqërua me një veprimtari ushtarake të përkohshme kundër Maqedonisë në kufijtë perëndimorë të saj, por sukseset e Perseut në krahinën e banuar nga penestët dhe politika antiromake që filloi të bënte Genti e afruan shtetin ilir me shtetin maqedonas. Koniunktura politike që u krijua në prag të luftës së fundit të romakëve kundër shtetit maqedonas e shtetit ilir e detyroi Mbretërinë Dardane të afrohej përsëri me romakët, etolët e penestët kundër maqedonasve. Por me gjithë pjesëmarrjen e tyre në koalicionin antimaqedon edhe pas mundjes përfundimtare të Maqedonisë, dardanët nuk e morën Paioninë. “Dardanëve, të cilët kërkonin Paioninë, pasi ishin kufitarë me tokat e tyre, komandanti romak, - thotë Livi, - iu përgjigj se u jepte liri gjithë atyre që qenë nën sundimin e Perseut. Duke mos u dhënë Paioninë e kërkuar prej tyre, u dha të drejtën të tregtonin kripë”.

Organizimi politik dhe zhvillimi ekonomiko-shoqëror Redakto

Mbretëria Dardane në shekujt III e II p.e.s. u shfaq në ngjarjet historike të Ballkanit si një formacion politik i fuqishëm dhe i rëndësishëm. Treva në të cilën u krijua kjo mbretëri ndodhej në zemër të Ballkanit dhe identifikohet me truallin në të cilin autorët antikë kanë vendosur fisin e madh ilir të dardanëve. Kjo trevë në kohën e lulëzimit të Mbretërisë së Dardanëve arrinte në veri deri në lumenjtë e Angros (Morava e Ibari) dhe te qyteti Nais, në kufirin me autariatët e skordiskët. Në jug ajo shkonte deri te rrjedha e lumit Aksios (Vardar), duke u kufizuar me Paioninë, Pelagoninë e Penestinë. Në lindje lumi Margos (Morava Perëndimore) e ndante Dardaninë nga Trakia, kurse në perëndim lumi Drin e Mali i Sharit e kufizonin me truallin e shtetit ilir. Dardania e lashtë në vija të përgjithshme i përgjigjet krahinës së sotme të Kosovës.

Nga të dhënat burimore të derisotme, që janë të pamjaftueshme, arrihet në përfundimin se dardanët nuk arritën atë zhvillim ekonomik e shoqëror dhe atë organizim politik e shtetëror që patën shtetet fqinje bashkëkohëse të Ilirisë së Jugut e të Maqedonisë. Por kjo nuk do të thotë se dardanët qenë në një shkallë të tillë të zhvillimit që përjashtonte praninë tek ata të një organizimi shtetëror. Nga pikëpamja e strukturës shoqërore dhe ekonomike Mbretëria Dardane, e lindur mbi bazën e një bashkësie fisnore, nuk ka qenë thjesht një organizëm fisnor, primitiv. Gjatë gjithë ekzistencës së saj Mbretëria Dardane ka pasur synime politike të qarta dhe me një veprimtari të organizuar, ku vendin kryesor e zënë natyrisht luftërat me Maqedoninë. Nuk është vetëm “etja për plaçkë” ajo që i shtynte dardanët në luftë me maqedonët. Luftëra plaçkitëse nuk ka bërë vetëm Mbretëria Dardane, ato i kanë bërë në Greqi edhe sundimtarët maqedonas, sikurse edhe më vonë komandantët romakë. Luftërat dardano-maqedone kanë pasur si burim politikën e dy palëve ndërluftuese. Në plan të parë qëndronte politika hegjemoniste e Maqedonisë, por duhet thënë se në kohën e lulëzimit të saj edhe Mbretëria Dardane ka pasur prirje ekspansioniste, kryesisht kundrejt fqinjës së saj, Paionisë.

Në marrëdhëniet me fqinjët Mbretëria Dardane, ashtu si shtetet e tjera, përfaqësohej nga mbretërit, të cilët janë përpjekur të mbrojnë interesat e shtetit të tyre edhe nëpërmjet lidhjeve martesore.

Në Mbretërinë Dardane pushteti mbretëror ishte i trashëgueshëm. Mbreti komandonte dhe dispononte fuqinë ushtarake të të gjithë dardanëve. Nga ato pak burime që njihen, del se ushtria dardane ka qenë një ushtri e rregullt, e organizuar mirë, në bazën e së cilës qëndronte falanga me tetë mijë luftëtarë. Ajo ishte një ushtri e përbërë nga këmbësorë të armatosur rëndë, që manovronte në luftë sipas një taktike të veçantë. Në vitin 199 p.e.sonë kur ushtria dardane po tërhiqej nga Maqedonia u sulmua nga ushtria maqedone; “dardanët, - shkruan Tit-Livi, - kthyen flamujt dhe u vendosën në radhë të rregullta përballë armikut, beteja u zhvillua njëlloj si në një luftë të vërtetë”. Dhe më poshtë ai shton: “Por sapo dardanët viheshin në rrugë, njerëzit e mbretit [Filipi V] i bezdisnin me kalorinë e këmbësorinë e tyre të lehtë, kurse dardanët nuk kishin ushtri të këtij lloji dhe ishin ngarkuar me armë të rënda... U vranë pak, të plagosur pati më shumë, por asnjë nuk u zu, sepse në raste të rralla dalin nga radhët e tyre dhe të shtrënguar të gjithë së bashku luftojnë ose tërhiqen”. Një ushtri e tillë nuk mund të ishte një ushtri fisnore. Në Mbretërinë Dardane ushtria përbënte një forcë të madhe. Në vitin 279 p.e.s. mbreti dardan i ofron si ndihmë Ptoleme Keraunit një ushtri prej 20 mijë luftëtarësh. Shtatëdhjetë vjet më vonë, pasi kishte hyrë në Maqedoni, ushtria dardane duke u tërhequr mori me vete 20 mijë robër, kurse në betejën e vitit 170 p.e.s. kundër Perseut ajo humbi 10 mijë luftëtarë. Këto shifra të larta, të cilat tregojnë fuqinë ushtarake të Mbretërisë Dardane, edhe pse mund të duken të tepruara, bashkë me të gjitha veprimet luftarake të saj, janë dëshmi e pranisë së një organizimi shtetëror në Dardani.

Mbretëria Dardane, si një organizëm politiko-ushtarak i veçantë ka pasur mënyrën e vet antike të prodhimit. Jeta ekonomike në Dardani ka qenë mbështetur në radhë të parë në zhvillimin e bujqësisë. Rrafshinat e Dardanisë kanë qenë pjellore dhe të përshtatshme për të gjitha degët e bujqësisë. Bujqësia duke qenë dega kryesore e ekonomisë, ka bërë që te dardanët të mbizotërojë popullsia fshatare dhe njëkohësisht të ruhet karakteri rural i popullsisë. Një burim me vlerë për të njohur zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe format e pronësisë tokësore te dardanët në shek. III p.e.s. janë të dhënat e Agatharkidit. Në veprën e tij “Evropaikon”, ai shkruan se “dardanët kanë kaq shumë skllevër sa dikush kishte një mijë... kurse një tjetër edhe më shumë. Secili nga këta [skllevër] në kohë paqe punon tokën, kurse në kohë lufte merr pjesë në ushtri, duke pasur si prijës të zotin e vet”. Duke pranuar mendimin e përgjithshëm se me termin dulloi=skllevër, duhet kuptuar një popullsi fshatare e varur, vërtetohet prania te dardanët e një shtrese të pasur që zotëronte prona të mëdha tokësore dhe të një popullsie të shpronësuar, e cila kishte detyrime ndaj parisë ose shtresës sunduese dardane. Paria dardane shfrytëzonte jo vetëm “skllevërit” që përmend Agatharkidi, por edhe robërit e luftës. Kjo duhet të ketë qenë arsyeja që në luftën e vitit 216 p.e.s. ushtria dardane mori me vete 20 mijë robër nga Maqedonia. Por kjo nuk ka qenë forma e vetme e pronësisë së tokës në Mbretërinë Dardane. Te dardanët ka pasur edhe një shtresë të fuqishme fshatarësh të lirë, të cilët bashkë me zejtarët e lirë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të vendit. Edhe gjatë pushtimit romak, kur skllavëria si sistem ekonomiko-shoqëror u përhap në një shkallë të gjerë, fshatarët e lirë mbetën një forcë e madhe në provincën e Dardanisë. Një degë gjithashtu e rëndësishme në jetën ekonomike të dardanëve ka qenë xehtaria, nxjerrja dhe përpunimi i metaleve. Në mungesë të të dhënave të mjaftueshme të drejtpërdrejta duhet marrë parasysh shfrytëzimi i madh i burimeve metalifere në kohën e pushtimit romak, përvoja e xehtarëve dhe e metalpunuesve dardanë.

Nga mesi i shek. IV p.e.s. disa nga vendbanimet e fortifikuara të tipit gradina zëvendësohen me qendra urbane. Ato u ngritën pranë xeherorëve ose në rrafsh e në udhëkryqet tregtare. Damastioni ishte një prej qyteteve të hershme, i cili u ngrit afër minierave të argjendit rreth shek. V p.e.s. Në njoftimet fragmentare të autorëve antikë ato quhen me termat polis, urbs, oppidum. Straboni përmend si të tilla Scupi, Naisi, Ulpiana pararomake, Novobërda etj. Qyteti Sitnia, në veri të Pelagonisë, përmendet si qendër e rëndësishme. Ptolemeu, autor i shek. II të erës sonë përmend katër qytete të vjetra dhe të rëndësishme të Dardanisë: Naissos, Arribantion, Ulpianon dhe Scupi.

Duke iu referuar burimeve e të dhënave arkeologjike mund të mendohet se në shek. III-II ato kishin filluar të merrnin tiparet e qendrave urbane. Objekte të tilla, si vegla pune, stoli e prodhime qeramike që janë zbuluar në disa qendërbanime të fortifikuara dhe që janë prodhime vendase, dëshmojnë për transformimin e tyre në qendra zejtare. Monedhat maqedone, ato të Damastionit e të qyteteve Dyrrah e Apoloni etj., si edhe objekte të ndryshme të importuara duhen marrë si tregues të këmbimit mall-para dhe të një veprimtarie tregtare mjaft të gjerë që arrinte deri në Adriatik e në detin Egje.

Mbretëria Dardane në luftën kundër Romës Redakto

Pas pushtimit të Paionisë e të Maqedonisë nga romakët marrëdhëniet e dardanëve me ta ndryshuan. Që nga kjo kohë për parinë sunduese dardane u bë e qartë se me romakët nuk kishte vend më për bashkëpunim, i cili nuk u kishte sjellë përveç dëmeve, asnjë përfitim. Në kufijtë jugorë vendin e shtetit maqedon e kishte zënë Roma, synimet e së cilës për nënshtrimin e plotë të ilirëve nuk mund të fshiheshin. Tradhtisë së romakëve dardanët iu përgjigjën, në fillim me sulme kundër viseve të pushtuara prej tyre ose duke mbrojtur kundërshtarët e Romës. Më vonë, pas largimit të skordiskëve, të cilët me sulmet e tyre kishin dobësuar Mbretërinë Dardane, dardanët u radhitën në luftë kundër romakëve përkrah fqinjëve të tyre lindorë, medëve. Veprimet e përbashkëta të medëve e të dardanëve, për disa dekada e penguan depërtimin e ushtrisë romake në viset e tyre. Ekspeditat e ndryshme romake të viteve 97 e 85 p.e.s. gjetën një qëndresë të fortë te medët e dardanët dhe përpjekjet për t’i nënshtruar jo vetëm që nuk patën sukses, por përfunduan me humbje për Romën. Në vitin 84 dardanët bënin pjesë në fiset ballkanike që duke sulmuar provincën romake të Maqedonisë arritën deri në Delf. Për komandantët e mëkëmbësit romakë u bë e qartë se dardanët ishin kundërshtarë të fortë dhe për nënshtrimin e tyre duheshin forca të mëdha ushtarake dhe një përgatitje e veçantë për luftë në të cilën objekti kryesor i goditjes do të ishin dardanët.

Këto masa i mori konsulli romak Gai Skribon Kurioni, i dërguar në vitin 76 p.e.s. në provincën e Maqedonisë në krye të pesë legjioneve. Me këto operacione luftarake Roma donte të arrinte nënshtrimin sistematik të fqinjëve veriorë të provincës maqedone. Kryengritja që bëri njëri nga pesë legjionet fill pas zbarkimit në Iliri tregon se në qarqet ushtarake të Romës jehona e ekspeditave të dështuara kundër dardanëve dhe qëndresa e këtyre të fundit ishin një fakt tanimë i njohur. Frontini shkruan në Stratagemat, se “kur në luftën e Dardanisë, njëri nga pesë legjionet, e vendosura në rrethinat e Dyrrahut ngriti krye, iu shmang shërbimit ushtarak dhe tha se nuk kishte ndërmend të ndiqte komandantin e paarsyeshëm dhe një ekspeditë të vështirë e të rrezikshme, Konsulli G. Kurioni, urdhëroi katër legjionet të dilnin të armatosura dhe të radhiteshin në formacion luftarak me armë të zhveshura”. Katër legjionet e sjella nga Kurioni dhe ushtria romake që ndodhej në provincën e Maqedonisë sulmuan Mbretërinë Dardane dhe u futën në Dardani. Burimet e shkruara romake nuk japin të dhëna të drejtpërdrejta për atë se si u zhvillua kjo “luftë me dardanët”, që qe një luftë e vërtetë për nënshtrimin e Dardanisë, si dhe për përfundimin e saj. Por dihet se ushtria romake ka gjetur një qëndresë të fortë dhe u soll mizorisht me dardanët. Kujtimi i masakrave romake në Dardani u ruajt për një kohë të gjatë. Në shek. IV e.sonë Amian Marcelini, duke shkruar për dënimet me dhjetim që perandori Valentinian i dha ushtrisë së tij, e krahasonte atë me mizorinë e Skribon Kurionit në Dardani. Ky i fundit pas kësaj lufte arriti me ushtrinë e tij deri në Danub dhe më vonë festoi edhe triumfin në Romë. Por në burimet e shkruara dardanët dalin edhe më vonë si kundërshtarë të romakëve. Në bazë të këtyre të dhënave kuptohet që edhe pas ekspeditës së Kurionit nuk ndodhi një nënshtrim i plotë i Dardanisë, por më tepër një varësi nëpërmjet së cilës dardanët kishin disa detyrime kundrejt romakëve. Disa ngjarje të mëvonshme tregojnë se dardanët edhe pse të dobësuar nga luftërat kundër romakëve dhe nga pasojat e tyre, vazhduan të kundërshtonin politikën pushtuese të Romës.[7][8][9]

Shih edhe Redakto

Literatura Redakto

  • Zef Mirdita (1979) Studime Dardane, Rilindja, Prishtinë
  • Edi Shukriu (1996) Dardania Paraurbane (Studime Arkeologjike të Kosovës). Dukagjini, Pejë.
  • Edi Shukriu (2016) Studime për Dardaninë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë.
  • Aleksandër Stipçeviq (2002) Ilirët (Historia, jeta, kultura dhe simbolet e kultit). Toena, Tiranë
  • Luan Përzhita (2009) Mbretëria Dardane (Historia e shkurtër e shtetit 2400 vjeçar). Botart, Tiranë
  • Berisha, Milot (2012). "Guidë arkeologjike e Kosovës (Kosova Archaeological Guide)" (PDF). Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit & Instituti Arkeologjik i Kosovës. Arkivuar (PDF) nga origjinali më 5 mars 2014. Marrë më 14 prill 2020. {{cite web}}: Mospërputhje stampash kohore te |archive-date= / |archive-url=; sugjerohet 4 prill 2019 (Ndihmë!)
  • Robert Malcolm Errington (1990). A History of Macedonia. University of California Press. p. 160. ISBN 978-0-520-06319-8.
  • A history of Macedonia Volume 5 of Hellenistic culture and society, Author: Robert Malcolm Errington, University of California Press, 1990 ISBN 0-520-06319-8
  • Lewis, D. M.; Boardman, John (1994). The Cambridge Ancient History. Cambridge University Press. pp. 428—429. ISBN 978-0-521-23348-4.
  • Papazoglu, Fanula (1969). Srednjobalkanska plemena u predrimsko doba: Tribali, Autarijati, Dardanci, Skordisci i Mezi. Sarajevo: Akademija nauka i umjetnosti Bosne i Hercegovine.
  • Karl Kaser, Wolfgang Petritsch, Robert Pichler: Kosovo/Kosova. Mythen, Daten, Fakten. Wieser Verlag, Klagenfurt/Celovec 1999, ISBN 3-8512-9304-5.

Referime Redakto

  1. ^ Lewis, D.M.; Boardman, John (1994). The Cambridge Ancient History (në anglisht). Cambridge University Press. fq. 428–429. ISBN 978-0-521-23348-4.
  2. ^ James R. Ashley (1 janar 2004). The Macedonian Empire: The Era of Warfare Under Philip II and Alexander the Great, 359-323 B.C. (në anglisht). McFarland. fq. 111–112. ISBN 978-0-7864-1918-0.
  3. ^ Elizabeth Donnelly Carney (2000). Women and Monarchy in Macedonia (në anglisht). University of Oklahoma Press. fq. 274. ISBN 978-0-8061-3212-9.
  4. ^ N.G.L. Hammond (1 gusht 1998). The Genius of Alexander the Great (në anglisht). University of North Carolina Press. fq. 11. ISBN 978-0-8078-4744-2.
  5. ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 289 - 291. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  6. ^ Shukriu, Edi (1996) Dardania paraurbane : studime arkeologjike të Kosovës. Dukagjini, Pejë, fq. 5 - 200
  7. ^ Robert Malcolm Errington (1990). A History of Macedonia (në anglisht). University of California Press. fq. 160. ISBN 978-0-520-06319-8.
  8. ^ Hammond, N.G.L. (1988). A History of Macedonia: 336-167 B.C. (në anglisht). Clarendon Press. fq. 253. ISBN 0-19-814815-1.
  9. ^ Përzhita, Luan (2009) Mbretëria Dardane (Historia e shkurtër e shtetit 2400 vjeçar). Botart, Tiranë