Lek Pervizi

piktor shqiptar, shkrimtar, poet dhe ish i burgosur politik gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
(Përcjellë nga Lekë Pervizi)

Lek Pervizi (i lindur në SkurajKrujës më 2 mars 1929) është një piktor shqiptar, shkrimtar, publicist, poet dhe ish i përndjekur politik, me banim në Belgjikë. Pervizi drejton nga tetori i vitit 1993 revistën “Kuq e zi” dhe është aktiv në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.[1][2]

Lek Pervizi fotografuar nga Loreta Cuka

I biri i Gjeneral Prenk Pervizit dhe Prena (Ana) Pervizit, Leka lindi në një familje të shquar katolike të veriut. Pervizi ndoqi studimet në Romë, Itali, ku qëndroi deri në qershor 1943. Kur u kthye në Shqipëri 1944, ai u persekutua nga diktatura komuniste si një kundërshtar politik, i cili vuajti dënimin prej 40 vitesh në burgje dhe kampe internimi. Pervizi e rigjeti lirinë në Belgjikë në 1990, ku iu dedikua me devotshmëri aktiviteteve artistike dhe letrare. Ai themeloi dhe publikoi në tetor 1993 revistën shqiptare “Kuq e Zi” Arkivuar 1 janar 2017 tek Wayback Machine. Ai publikon në këtë revistë kujtimet e tij, poezitë e vizatimet të krijuar në kushtet e periudhës së internimit, si dhe përkthen punime që lidhen me historinë e Shqipërisë. Në 6 mars 2012, një shkollë në fshatin e Plukës në Lushnje mori emrin e tij "Shkolla 9 vjeçare Lek Pervizi Pluk", në fshatin ku Pervizi jetoi dhe punoi për 32 vite si i internuar.

Ndër punimet e tij më të rëndësishme është publikimi i skicave të kampit “famëkeq” të internimit në Tepelenë, të cilat arritën ti mbijetonin kohës dhe sistemit komunist.Ato vizatime Leka ka arritu ti ruaj dhe reflektojnë kujtimet vetjake të situatave gjatë internimit dhe të bashkëvuajtësve me të cilët kishte ndarë dënimet.

Biografia

Redakto

Më i vogli i tre vëllezërve, ai i kaloi vitet e para të jetës së tij në Itali, në Torino dhe Firenze. Ai ndoqi studimet në Itali në kolegjin Instituto Santa Maria në 1938-1943 në Romë. Leka u dallua për pasionin e tij për poezinë dhe pikturën. Me kapitullimin e Italisë në 8 shtator 1943, ai ndërpret studimet dhe kthehet në vendlindje. Ndërkohë Shqipëria udhëhiqej nga regjimi komunist. Familja e Lekës përballet me persekutimin komunist, i cili nisi me djegien e shtëpive në Laç e Skuraj, grabitjen e pasurive dhe konfiskimin e pronave në fshat dhe kryeqytet.[3]

Të dëbuar nga shtëpia e tyre në Tiranëe re, rruga Vaso Pasha, 19, e cila iu dha disa familjeve komuniste, ai dhe familja e tij detyrohen të fshihen në male, për t'i shpëtuar terrorit të regjimit. Në maj 1945, pas tetë muajsh fshehjeje, familja arrin të gjejë një mënyrë për tu sistemuar përmes disa miqve të familjes, të cilët kishin arritur të fitonin pozitë gjatë regjimit komunist. Por më pas familjarët e tij internohen, nisur nga mamaja dhe gjyshja me emrin Mrika, ndërsa dy vëllezërit, Valentini i cili ishte oficer akademist ishte arrestuar dhe burgosur që në dhjetor 1944 në Shkodër. Më pas vëllai tjetër Genci, me profesion aviator, u dënua me 10 vite. Leka mbetet i vetmi nga familja që arrin ti shpëtojë persekutimit për 5 vite përmes ndihmës së disa miqve që kishin lidhje të ngushta me regjimin. Këta të fundit e mbajtën si shitës Lekën në librarinë e tyre "Peppo-kote" në Tiranë. Ndërkohë babai i tij, gjenerali Prenk Pervizi arratiset drejt Greqisë në shtator 1946.[4][5] I konsideruar si një prej armiqve më të mëdhenj të regjimit, kjo bën që familjarët e tij të rrijnë të internuar në burgje dhe kampe internime përgjatë gjithë periudhës komuniste nga 1944 deri në 1990. Përveç trungut familjar të Lekës, u përfshinë dhe kushërij si dhe familjet e tyre, me të vrarë, të burgosur e të internuar.[6].

Në kushtet e krijuara Leka përpiqet të vijojë studimet e tij, por nuk arrin të pranohet në asnjë shkollë për shkak të luftës klasore që i ndante shqiptarët në të mirë dhe të këqinj, në armiq dhe mbështetës të diktaturës së proletariatit. Një ndryshim i madh ndodh pas shkëputjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, ku Shqipëria komuniste kaloi nën mbrojtjen e Bashkimit Sovjetik. Regjimi komunist i cili kishte persekutuar kastën e intelektualëve, klerikët si dhe shumë të tjerë, ia ngarkon jugosllavëve, që kishte përfshirë edhe fëmijët e familjeve armike e reaksonare, të përjashtuar nga shkollat. Duke nisur nga kjo, për të qetësuar gjendjen, fëmijët e perjashtuar u pranuan përsëri në shkollat përkatëse. Në këtë mënyrë Leka përfiton dhe merr pjesë në konkursin e pikturës dhe pranohet në liceun artistik Jordan Misja (1948-1950). Brenda një kohe të shkurtër Leka afirmohet dhe shquhet për talentin e tij artistik. Në një konkurs poezie të organizuar nga profesori dhe njëkohësisht poeti Nexhat Hakiu, Leka kompozon dy poema rapsodike me motive legjendare, dorëshkrime për të cilat merr titullin poeti i ditës dhe në këtë mënyrë arrin të njihet gjerësisht mes studentësh të tjerë. Poemat e krijuara nuk kanë arritur të ruhen.

Në 1 maj 1950 ai arrestohet dhe mbyllet në të njëjtën qeli me vëllain e tij, Valentini si dhe 200 të arrestuar të tjerë nga vende të ndryshme në kalanë-burg të Porto Palermos.Këtu ai nis të shruajë poezi, të bëjë ndonjë vizatim, skica-portrete të shokëve, në mënyrë që tua dhuronte si kujtim. Këto skica dhe poezi nuk kanë arritur ti mbijetojnë kohës.[7].

Kampet e internimit

Redakto

Leka erdhi në Shqipëri në 1943 ku shumë shpejt (nëntor 1944) u arrestua e kaloi dënime të njëpasnjëshme nën persekutimin e diktaturës komuniste, nga 1950 deri më 10 tetor 1990: në Berat, Tepelenë, Porto-Palermo, Shtyllaz, Radostinë,Kuç,Lushnjë (Savër, Gradishtë, Pluk).

Burgu i Porto Palermos

Redakto

Eksperienca e parë e internimit ishte ajo në kalanë e Porto Palermos në 1950, së bashku me vëllain e tij më të madh Valentinin e 200 të arrestuar të tjerë, të cilët vinin nga vende të ndryshme të Shqipërisë. Të internuarit flinin në gurë, mbi një copë batanije, nëse e kishin.[8]

Këta të internuar u zhvendosën drejt Kampit të Tepelenës. Shkaku ishte se në Gjirin e Portopalermos ishte dukur një nëndetëse e verdhë greke. Po në atë kohë një barkë transporti italiane (e cila u kap) ishte parë aty. Kjo u konsiderua si një mënyrë për të marrë të burgosurit, ose dhe si përpjekje pregatitjeje të një zbarkimi. Kjo alarmoi qeverinë. Këto dy incidente u paraqitën si provokacione të qëllimshme, e paraprirëse të ndonjë ndërhyrjeje të huaj. Të burgosurit u hoqën prej aty dhe u transferuan në kampin e Tepelenës. Më vonë në Portopalermo u vendos një repart ushtarak.[9]

Kampi i Tepelenës

Redakto
 
Plani i muzealizimit të Kampit të Tepelenës, projektuar nga Gjon Radovani. Foto nga Loreta Cuka

Dënimi i radhës ishte në Kampin e Tepelenës për Pervizin. Në Kampin e Tepelenës, të krijuar në 1948 në Turan, Veliçot e Memaliaj, ku u internuan shumë familje, të moshuar, gra dhe fëmijë. Këtu u vendosën më se 2500 të internuar të Beratit. Nuk vonoi dhe më gusht 1949 aty u sollën 2500 mirditorë, pleq, gra e fëmijë pas vrasjes së Bardhok Bibës. Në këtë periudhë përhapen sëmundjet epidemike, si dizanteria kolerike. Në një natë vdiqën 33 foshnje. Kjo alarmoi pushtetarët. Kështu të internuarit u transferuan urgjentisht në ish kampin e ushtrisë italiane, nën kala. Kampi ishte rrethuar me tela me gjemba. Të internuarit u mbyllën në katër kazerma, të pajisura me skelë druri që shërbenin si fjetore e banesë.[10] Pikërisht në këtë kamp dy vëllezërit bashkohen me mamanë e tyre, Ana Prena. Kjo e fundit kishte qenë e internuar që prej 1945 me gjyshen e Lekës, nënë Mrikën, e cila kishte vdekur në këtë kamp në moshën 90 vjeçare.[11]

Në kamp qëndronin shumë nëna me fëmijët e tyre, bashkëshortët e të cilave ishin arratisur nga vendi. Në fushën në hyrje të kampit varroseshin të larguarit nga jeta në kamp.[12] Rruga kombëtare për në Gjirokastër kalonte sipër kampit. Aty kishte kaluar njӫ ditӫ vetӫ diktatori Hoxha, qӫ kur mori vesh për ato varre dha urdhӫr tӫ zhdukeshin. Kështu u ndërmor nga komanda transferimi i parë i varrëve e shumë prej tyre humbën. Varret u çuan në grykën e lumit të Bënçës, gjysëm ore larg. Ato varre do tranferoheshin përsëri më vonë në bregun e lumit poshtë kampit në 1953 ku u zhdukën krejtësisht. Fusha e varrezave para kampit u kalua me buldozer dhe u lërua, më pas u mboll me tërshërë ose elb. Kështu varrezat u zhdukën krejtësisht.[13]

Në këtë kamp të gjithë ata që konsideroheshin të aftë për punë nga mosha 15-60 vjeç i nënshtroheshin punës së detyruar. Puna e detyruar konsistonte në transportimin e lëndës drusore, gurëve dhe materialeve të tjera të rënda përgjatë rrugëve malore, nga mëngjesi në darkë për çdo ditë të javës, përveç të dielave.[14]

Ndërkohë Kombet e Bashkuara kishin kërkuar shpjegime nga Bashkimi Sovjetik, që përfaqësonte asokohe Shqipërinë, për Kampin e Tepelenës. Emrat e plotë të familjarëve dhe të të internuarve u përmendën gjatë Asamblesë së Përgjithshme të zhvilluar atje. Ndërkaq edhe Stalini kishte vdekur, zëvendësuar nga Hrushovi. Këto dy ngjarje bënë që kampi i Tepelenes të mbyllej.

Për shkak të presionit të ndërkombëtarëve, kampi u mbyll dhe të internuarit u transferuan në Lushnje, ku u detyruan të punonin në ndërtim dhe agrikulturë. Kjo praktikë u mbarëvajt përgjatë gjithë diktaturës komuniste, si dhe lindën kampe të tjera të vogla të internimit në çdo rreth. Vetëm në rrethin e Lushnjes kishte më shumë se 20 kampe internimi, kryesisht në fermën 29 nëntori, me 13 sektorë-kampe.[15]      
  

Skicat dhe albumi "Rrathët e ferrit"

Redakto
 
Planimetria e kampit të Tepelenës vizatuar nga ish i burgosuri Lekë Pervizi Foto nga Loreta Cuka

Gjatë internimit të tij në Kampin e Tepelenës, Leka skiconte nga jeta në kazermë duke përdorur copëza letre si dhe letrat e kaushëve të duhanit të pleqve. Pas shfaqjes së disa plagëve në duart e Lekës, piktori u hoq nga lista e punës pas lëshimit të raportit mjekësor të mjekeve te spitalit të Gjirokastrës dhe nga doktori që vinte në kamp. Albumi me titull «Nё Rrathёt e Ferrit», botuar nga Instituti i Studimit tё Krimёve tё Komunizmit, ISKK, me kontributin e fondacionit gjerman Konrad Adenauer, është një koleksion i të gjitha skicave për Kampin e Tepelenës që mbijetuan nga regjimi komunist. Këto skica janë ilustruese nga jeta në kampin e internimit në Tepelenë dhe kampe të tjera.

"Ndёrkohё kisha vizatuar nga jeta nё kazermё. Pamjen e skelёve ku rrinin tё internuarit. Figura tё ndryshme grashё e burrash qё rrinin aty pёrrreth. Nё mungesё letre, kisha porositё disa pleq qё tё mё ruanin letrat e kaushёve tё duhanit, qё ata blinin, ose ua sillnin me pako njerёzit e tyre'' shprehet ai në numrin e revistës 'Kuq e Zi". Vetëm disa vizatime arritën ti shpëtonin dhe të vinin si dëshmi deri në ditët e sotme.

Këto skica dhe grafika do të përdoren nga arkitekti Gjon Radovani në projektin e muzealizimit të kampit të Tepelenës.[16]

Kampi në Vlorë

Redakto

Leka së bashku me të internuar të tjerë u izoluan në kampin e të burgosurve në Shtyllas, ku punonin me mijëra të burgosur. Puna e detyruar konsistonte në hapjen e një kanali.[17] Prej atje Leka dhe rreth 100 të internuar të tjerë u transferuan në Kuç, Kurvelesh të Vlorës deri në 1958, në izolim total. Rreth 70 prej këtyre të internuarve vinin nga shtresa e intelektualëve të mëdhenj, të cilët i kishin shpëtuar ekzekutimit.[18]

Së bashku me kampin në Shtyllaz të Fierit, ky grup të internuarish qëndruan për 5 vite në izolim të plotë. Në qershor 1958 edhe këtij kampi i vjen fundi, për shkak të përmirësimit të marrëdhënieve midis amerikanëve dhe sovjetikëve (Hrushov dhe Aisenhauer). Të internuarit transferohen në kampin e Gradishtës në Lushnjë ku puna e detyruar ishte në bujqësi. Leka transferohet në kampin në Plug të Lushnjes. Aty ai u martua me një vajzë të internuar, Gjuliana Malajn (e njohur ndryshe si "Beba", si fëmija që i shpëtoi vdekjes së moshatarëve të saj). Ata qëndrojnë të internuar rreth 32 vite nga 1958 deri në 1990, derisa arrijnë të largohen drejt Belgjikës.

Post-komunizmi

Redakto

Bilanci i familjarëve dhe të afërmve të Lekë Pervizit të larguara nga jeta gjatë komunizmit është 23 vetë: 13 burra, të pushkatuar ose vdekur në burg, 4 gra dhe 6 fëmijë, varret e të cilëve përveç mamasë [19] dhe të vëllait (Gencit), nuk dihen. Pas 22 vitesh rezidencë në Belgjikë, në 6 mars 2012 Leka ftohet në ceremoninë e përurimit të shkollës 9 vjeçare të fshatit Plug me emrin e tij, në komunën Golem në Lushnje.[20] Kjo shkollë 9-vjeçare mori emrin e Lekës në nder të kontributit të tij artistik përmes revistës "Kuq e Zi" në Belgjikë, dedikuar historisë dhe kulturës në Shqipëri.[21]

Me banim jashtë atdheut, Lekë Pervizi drejton që prej 1993 revistën “Kuq e zi” dhe është aktiv në fushën letrare e artistike, si në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Leka ka shkruar monografitë e dy vëllezërve të tij, Valentinin e Gencin, të dy të vdekur: Genci, në kampin e Gradishtës pas 42 vjet burgje e kampe, ndërsa Valentini pas 47 vitesh internim u bashkua në Itali me bashkëshorten, ku gjeti vdekjen në 1999 në Bolonjë.

Dekorimi

Redakto

Në 23 gusht 2018 Lek Pervizi u dekorua me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile” nga Kreu i Shtetit, Ilir Meta. Ky titull iu dha në shenjë nderimi e respekti, e me mirënjohje të veçantë për vuajtjet e sakrificat e tyre si dhe dokumentimin historik nëpërmjet pasqyrimit e vizatimit të kushteve çnjerëzore nëpër kampet e internimit, situatava dhe portreteve njerëzore.[22]

Krijimtaria artistike

Redakto

Ai ka botuara dhe poezitë e tij në Shqipëri, “Ankimi i Zanave” e “Gjurmë të Humbura”, në Itali, “Il Grande Lamento”, dhe “Petalo di rosa”, në Paris, “Complainte de Nymphes”, dhe “Petale de rose”, si dhe librin me tregime nga ferri komunist, “Dans les Cercles de l’Enfer”, librat me poezi “Tingellime te vona”” dhe “Lahurari Shqiptar. Momentalisht po shkruan librin “Gjenerali Prenk Pervizi në shtypin shqiptar” si dhe duke përfunduar triologjinë autobiografike “Tre stinët në jetë”.

Me rëndësi janë përkthimet nga latinishtja e italishtja e vjetër mesjetare të veprës themelore të historisë së Skënderbeut nga dy autorë.

I pari Dhimitër Frangu, shoqërues i Skënderbeut, që shkruan e boton latinisht jetën e Skënderbeut më 1480, pra 12 vjet pas vdekjes së Skënderbeut dhe 30 vjet para librit të Barletit.

Autori tjetër është italiani Paolo Jovio, peshkop i Noçerës dhe studiues e historian, që përkthen veprën e Frangut nga latinishtja dhe e boton italisht më 1531 si të vetën. Me këto dy libra, Leka ka kontribuar për njohjen e jetës e veprave të Skënderbeut. Gjithashtu ai përkthen nga frëngjishtja librin studimor të Eduard Schneider “Pellazgët e pasardhësit e tyre”. Ndërkohë për vitin 2018 të Skënderbeut ai përgatit një album figurativ të shumicës së veprave letrare, historike e artistike të botuara në Evropë gjatë 550 viteve nga vdekja e Heroit kombëtar.

Si piktor ai ka punuar në kushte internimi, vizatimet e kampit të Tepelenës e kampe të tjerë. Në kushtet e kampi të Plukut, ku jetoi 32 vjet ai mundi të pikturonte, i ndihmuar me bojëra vaji nga shokët e Liceut artistik, tabllonë historike të betejës së Albulenës dhe portretet e fëmijëve, nënës e gruas si dhe të vëllezërve, dhe disa autoportrete të tij. Ndërkohe ai kishte punuar disa tabllo me peisazhe e natyra të qeta, portrete e të tjera punime, dhuruar shokëve dhe miqve, që nuk kanë arritur t'i mbijetojnë kohës.

Ҫmime letrare

Redakto
  • Ҫmim Special, “Poeti me i mire i huaj, nga Akademia “Il Covivio 2009” Siracusa..
  • Ҫmim per poezi, Konkurs nderkombetar i qytetit La Spezia, 2005
  • Ҫmim per poezi, Konkurs nderkombetar i qytetit La Spezia,2006
  • Ҫmim për përkthimin e librit te Skënderbeut te Dhimiter Frangut në 600 vjetorin e lindjes te Heroit, Tirane, 2005.

Referime

Redakto
  1. ^ http://www.panorama.com.al/leke-pervizi-ne-rrathet-e-ferrit/
  2. ^ http://www.observatorikujteses.al/lek-pervizi-ne-kampin-e-turhanit-ne-1948-vdiqen-33-femije-brenda-nje-nate/lek-pervizi/
  3. ^ http://www.radiandradi.com/interviste-me-intelektualin-erudit-z-lek-pervizi-kozeta-zylo/
  4. ^ , Julian Amery "The sons of the Eagle, London, 1946,
  5. ^ Keze Zylo, "Interviste me intelektualin erudit, Lek Pervizi, New York, 2008
  6. ^ Keze Zylo, "Interviste me intelektualin erudit, Lek Pervizi, New York, 2008
  7. ^ Lek Pervizi, "Il Grande Lamento", <Lampi di Stampa, Milano, 2006
  8. ^ https://kujto.al/si-minjte-ne-porto-palermo-te-mbyllur-ne-bodrume-u-verbuam/
  9. ^ Pervizi, Lekë (2005), Il GRande Lamento, lampi di stampa {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  10. ^ Lek Pervizi, "Il Grande Lamento", Poesie, lampi di Stampa, Milano, 2006.
  11. ^ Lek Pervizi,"Në Rrathët e Ferrit", ISKK, Tiranë, 2013
  12. ^ lautresite.com, "Le camp de Tepelene, Bruxelles, 2005
  13. ^ https://kujto.al/cuklina-nena-fatkeqe-qe-humbi-dy-femijet-brenda-pak-minutash/
  14. ^ Keze Zylo,"Plagët e internimit në ferrin komunist"",New York, 2008
  15. ^ Fatbardha Saraçi "Kalvari i grave në burgjet e komunizmit",ISSK, 2017
  16. ^ http://www.oranews.tv/index.php/article/kampi-i-tepelenes-do-ta-shpetoje-kujtesen
  17. ^ Lek Pervizi,"Ankimi i Zanave",Arbëria,Tirana, 2002
  18. ^ http://www.radiandradi.com/interviste-me-intelektualin-erudit-z-lek-pervizi-kozeta-zylo/
  19. ^ https://kujto.al/qamil-merlika-ju-rrefej-si-vdiqen-femije-e-pleq-ne-kampin-e-tepelenes/
  20. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 7 janar 2020. Marrë më 20 gusht 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  21. ^ Tribuna Letrare: Vilhelme V. Haxhiraj, "Shkolla 9 vjeçare, Pluk", Mars,2012
  22. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 25 gusht 2018. Marrë më 27 gusht 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)