Madama Butterfly (Madama Baterflaj) është një opera në tre akte (fillimisht dy) e Xhiakomo Puçinit (Giacomo Puccini), me libret të Xhiuzepe Xhiakoza (Giuseppe Giacosa) dhe Luixhi Ilika (Luigi Illica), përcaktuar në partiturë dhe në libret “tragjedi japoneze” dhe dedikuar mbretëreshës së Italisë Elena e Malit të Zi.

Posteri origjinal

Premiera u shfaq në Milano në Teatrin Ala Skala (Teatro alla Scala), më 17 shkurt 1904.

Gjeneza e operas Redakto

Puçini e zgjodhi subjektin e operës së tij të gjashtë pasi pa tragjedinë me të njejtin titull (Madame Butterfly) në korrikun e 1900 në teatrin Duka i Jorkut (Duke of York's Theatre) në Londër. Tragjedia me një akt e David Belaskos (David Belasco) ishte e frymëzuar nga një tregim i amerikanit Xhon Luter Long (John Luther Long) me titull Madam Butterfly, i shfaqur në 1898.

Pas fillimit në 1901, kompozimi vijoi me ndërprerje të shumta: orkestrimi nisi në nëntor të 1902 dhe u përfundua në shtator të vitit tjetër. Vetëm në dhjetor të 1903 opera mund të konsiderohet e plotë në të gjitha pjesët e saj.

Për realizimin e dramës Puçini u dokumentua pa pushim e deri në detaje mbi elemente të ndryshme orientale që i konsideroi interesante për t’i përfshirë. Në veçanti e ndihmoi një aktore e famshme japoneze dhe bashkëshortja e ambasadorit japonez në Itali e cila i përshkroi zakonet dhe traditat e këtij populli kaq magjepsës.

Fabula Redakto

Pasi zbarkon në Nagasaki, Pinkerton (tenor), oficer i marinës së Shteteve të Bashkuara, për kreni dhe shpirt aventure martohet, sipas zakoneve të vendit, me një geishë 15-vjeçare të quajtur Cio-Cio-San (japonisht: Chōchō-san), që në japonisht do të thotë Zonja (San) Flutur (蝶 Chō?), në anglisht Butterfly (soprano), duke fituar kështu të drejtën për të refuzuar gruan edhe pas një muaji. Në fakt kështu ndodh dhe Pinkerton rikthehet në atdhe duke braktisur nusen e re. Por kjo e fundit, e ushqyer nga një dashuri përvëluese dhe ngulmuese, megjithëse vuan në pritjen e gjatë me fëmijën që lindi nga kjo martesë, vazhdon t’u përsërisë të gjithëve besimin e pashembur në kthimin e të dashurit.

Pinkerton në fakt kthehet pas tre vjetësh, por nuk kthehet vetëm: i shoqëruar nga një grua e re me të cilën është martuar rregullisht në Shtetet e Bashkuara. Ka ardhur për të marrë fëmijën, për ekzistencën e të cilit është vënë në dijeni nga konsulli Sharpless (bariton), për ta marrë me vetë në atdhe dhe për ta edukuar sipas zakoneve perëndimore. Vetëm para kësaj dëshmije Butterfly kupton: iluzioni i saj më i madh, lumturia e ëndërruar pranë njeriut të dashur është zhdukur plotësisht. Vendos të zhduket nga skena e botës në heshtje, pa zhurmë. Pasi përqafon e dëshpëruar djalin, vret veten (sipas zakonit japonez jigai) me një thikë të dhuruar nga i ati.

Përbërja e orkestrës Redakto

Partitura e Puçinit parashikon përdorimin e:

• 3 flautë (III. anche ottavino), 2 oboe, korno anglez, 2 klarineta, klarinetë bas, 2 fagotë

• 4 korno, 3 trompa, 3 trombonë, trombon bas

• timpan, tambur, triangolo, piatti, tam-tam, grancassa, tam-tam japonezë (ad libitum)

• harpë

• harqe

Luajnë në skenë:

• kampanella, këmbana, këmbana japoneze, vjola, fishkëllima zogjsh, tam-tam, tam-tam grave.

Përmbledhje Redakto

Periudha kohore: 1904.
Vendi: Nagasaki, Japoni.

Akti 1 Redakto

Në 1904, një oficer i Marinës së Sh.B.A. i quajtur Pinkerton merr me qera një shtëpi në një kodër në Nagasaki, Japoni, për të dhe për gruan e tij të ardhshme "Butterfly". Emri i saj i vërtetë është Ciocio-san, (cio-cio, shqiptuar "çoço" nga japonishtja përkthehet "flutur"). Ajo është një vajzë 15-vjeçare me të cilën ai po martohet për interes, duke qenë se ka ndërmend ta braktisë sapo të gjejë një bashkëshorte amerikane dhe duke qenë se ligjet japoneze janë shumë lëshues. Martesa zhvillohet në shtëpi. Butterfly është kaq e gëzuar që po martohet me një amerikan sa fshehurazi është konvertuar në e krishterë. Pas ceremonisë së martesës, xhaxhai i saj i paftuar i cili ka zbuluar kthimin e fesë, vjen në shtëpi, e mallkon atë dhe u urdhëron të gjithë të ftuarve të largohen. Pasi ata largohen Pinkerton dhe Butterfly këndojnë një duet dashurie dhe përgatiten të kalojnë bashkë natën e tyre të parë.

Akti 2 Redakto

Tri vjet me vonë, Butterfly është ende në pritje që Pinkertoni të kthehet pas largimit të tij pak kohë pas dasmës. Shërbyesja e saj, Suzuki përpiqet ta bindë që ai nuk do të kthehet, por Butterfly nuk e dëgjon. Goro, personi që i organizoi martesën, përpiqet ta martojë sërish, por ajo nuk e dëgjon as atë. Konsulli amerikan, Sharpless, vjen tek shtëpia e saj me një letër që ka marrë nga Pinkertoni, i cili i kërkon të lajmërojë Butterfly se ai po kthehet në Japoni. Konsulli nuk arrin të përfundojë fjalën sepse Butterfly gëzohet jashtëzakonisht që ai po kthehet. Sharpless e pyet Butterfly çfarë do të bënte nëse Pinkerton nuk kthehej. Më pas ajo i tregon se ajo ka lindur një djalë pasi ai është larguar dhe i kërkon konsullit t'ia tregojë.

Nga shtëpia në kodër, Butterfly shikon anijen e Pinkertonit ndërsa po mbërrin në port. Ajo dhe Suzuki përgatiten për ardhjen e tij dhe mbeten në pritje. Suzuki dhe fëmija bien në gjumë, por Butterfly qëndron zgjuar gjithë natën duke pritur që ai të vijë.

Akti 3 Redakto

Suzuki zgjohet në mëngjes dhe Butterfly më në fund bie në gjumë. Sharpless dhe Pinkerton mbërrijnë në shtëpi së bashku me gruan e re amerikane, Kate. Ata kanë ardhur sepse Kate ka rënë dakord të rrisë fëmijën. Por ndërsa Pinkerton sheh si Butterfly e ka zbukuruar shtëpinë për rikthimin e tij, kupton se ka bërë një gabim të madh. Ai pranon se është burracak dhe se nuk mund të përballet me të duke lënë që Suzuki, Sharpless dhe Kate t'i japin lajmin Butterfly. Ajo bie dakord të heqë dorë nga fëmija vetëm nëse vetë Pinkerton vjen ta shohë. Më pas ajo i lutet satujave të Zotave, i thotë lamtumirë djalit të saj dhe i lidh sytë. Ajo vendos një flamur të vogël amerikan në duart e tij dhe shkon pas një mbulese për të prerë fytim me thikën e të atit. Pinkerton vërsulet me nxitim. Është tepër vonë.

Përmbledhje (numrat muzikorë) Redakto

Kjo është një përmbledhje e versionit standart[1] me ariet, duetet, triot etj. Përmbledhja përbëhet nga 34 gjurmë.

Akti 1 Redakto

1. Një prelud i shkurtër orkestral me një temë hapëse fluturake, ndiqet nga një temë e dytë me karakter më haptazi japonez. Kjo çon drejt skenës së hapjes.

2. E soffitto e pareti ("Dhe tavani e muret"). Pinkerton, një oficer i Sh.B.A. pjesë e anijes Abraham Lincoln, dhe Goro, një organizuesh martesash japonez, po shohin një shtëpi të vogël në një kodër që sheh portin. Goro e ka gjetur këtë shtëpi për Pinkerton dhe nusen e tij dhe po i tregon shtëpinë me dyert rrëshqitëse dhe kopështin e vogël. Shërbëtori, kuzhinieri dhe shërbyesja e nuses, Suzuki, hyjnë në kopësht dhe prezantohen me Pinkerton. Pasi largohen, Goro i thotë Pinkerton se çdo gjë është tashmë gati dhe se gruaja e tij e ardhshme, 15-vjeçarja e quajtur Cio-Cio San (e thirrur Butterfly), do të mbërrijë së shpejti. Po ashtu, duke ardhur janë dhe Konsulli Amerikan, regjistruesi i martesave dhe të afërmit e nuses, përveç xhaxhait. Xhaxhai i saj është prift dhe refuzoi të marrë pjesë në ceremoni. Sharpless, Konsulli Amerikan, ngjitet në kodër nga qyteti. Ai hyn në kopësht, përshëndet Pinkerton dhe Goro dhe sodit pamjen e portit të Nagasakit. Pinkerton i thotë Sharpless se ai sapo e ka blerë shtëpinë e vogël për 999 vjet, me të drejtën për ta anulluar çdo muaj. Pinkerton shpjegon se në Japoni ligji është shumë i lirshëm.

3. Dovunque al mondo ("Kudo në botë"). Ndërsa orkestra luan hymnin e flamurit amerikan (The Star Spangled Banner) (një temë muzikore që karakterizon Pinkerton gjatë gjithë operas), Pinkerton i tregon Sharpless se, kudo në botë, endacaku i bardhë i Amerikës (Yankee) nuk është i kënaqur deri sa të marrë lulet e çdo bregu dhe dashurinë e çdo gruaje të bukur. "Prandaj po martohem në stilin japonez, për 999 vjetët, por me të drejtën për të anulluar martesën çdo muaj". Sharpless është kritik ndaj bindjeve të Pinkerton, por ata pajtohen për "America forever" (Amerika përgjithmonë). Pinkerton i kërkon Goro të sjellë Butterfly tek ai. Kur Goro largohet, Sharpless pyet Pinkerton nëse ai është me të vërtetë i dashuruar.

4. Amore o grillo ("Dashuria o bukuria"). Pinkerton e pranon para Sharpless se ai nuk e di nëse është i dashuruar apo thjesht i magjepsur, por ai është yshtur nga pafajsia, sharmi dhe bukuria e Butterfly. Ajo është si flutur që fluturon dhe ulet në tokë me një hijeshi, kaq e bukur sa "unë duhet ta kem, edhe pse do t'ia plagos flatrat e saj prej fluture". Sharpless i thote Pinkerton se ka dëgjuar të flasë Butterfly kur ajo vizitoi konsullatën dhe i kërkon Pinkerton të mos ia këpusë flatrat e saj delikat. Megjithatë, Pinkerton i thotë Sharpless se ai nuk do t'i shkaktojë "asnjë dhimbje të madhe, edhe nëse Butterfly bie në dashuri". Sharpless merr gotën e tij të whisky dhe propozon një dolli për familjen e Pinkerton tek e cila Pinkerton shton, "dhe për ditën që do të kem një martesë të vërtetë me një nuse të vërtetë amerikane". Goro rikthehet për t'i thënë Pinkerton dhe Sharpless se po vjen Butterfly dhe miqtë e saj.

5. Ancora un passo ("Një hap akoma"). Butterfly dëgjohet ndërsa drejton miqtë për në majën e kodrës, duke u treguar me ngazëllim se "Mbi male e dete noton fryma e gëzuar e pranverës. Jam vajza më e lumtur në Japoni, ose më saktë në të gjithë botën!". Butterfly dhe miqtë e saj hyjnë në kopësht. Ajo e dallon She Pinkerton dhe ua tregon miqve të saj dhe të gjithë përkulen para tij.

6. Gran ventura ("Të priftë e mbara"). Butterfly përshëndet Pinkertonin, i cili e pyet nëse un lodh duke ngjitur kodrën. Butterfly thotë se për një nuse të lumtur pritja është akoma më e vështirë. Pinkerton e falenderon për komplimentin por e ndërpret ndërsa ajo vazhdon t'i bëjë të tjera. Butterfly i thotë Pinkerton dhe Sharpless se familja e saj është nga Nagasaki dhe se kanë qenë shumë të pasur.

7. L’Imperial Commissario ("Komisari Perandorak"). Goro shpall mbërritjen e Komisarit të Madh dhe të Regjistruesit të martesave. Butterfly përshëndet të afërmit që kanë ardhur për dasmën. Pinkerton qesh kur i shikon dhe i pëshpërit Sharplessit "Kjo është një farsë: të gjithë do të jenë të afërmit e mi për vetëm një muaj". Sharpless i thotë se, megjithëse ai e konsideron kontratën e martesës si farsë, ajo e konsideron të vërtetë. Ndërkohë Butterfly u tregon të afërmve të saj sa shumë ajo e dashuron Pinkertonin. Një nga kushërirat e saj thotë se Goro i ofroi asaj në fillim por ajo refuzoi. Të afërmit e Butterfly thonë se ai ngjan si mbret, kaq i pasur dhe i paashëm dhe, pas një shenje nga Butterfly, gjithë miqtë dhe të afërmit e saj përkulen para tij dhe dalin nga kopështi. Pinkerton e merr Butterfly për dore dhe e çon në shtëpi.

8. Vieni, amor mio! ("Hajde, e dashur!"). Nga mënga e saj, Butterfly nxjerr të gjitha thesaret e saj për t'ia treguar Pinkerton. Thesari përfshin vetëm disa shami, një pasqyre, një shirit dhe xhingla të tjera. Më pas i tregon një kuti të gjatë dhe të ngushtë e cila mban thesarin e saj të vetëm të çmuar, por ajo nuk mund ta hapë sepse ka shumë njerëz rreth e rrotull. Goro i përshpërin Pinkerton për t'i thënë se kutia përmban një "dhuratë" që Mikado i ka dhënë babait të Butterfly, duke e ftuar atë të kryejë seppuku. Butterfly vazhdon t'i trgojë Pinkerton thesaret e saj të vogla që përfshijnë edhe disa statuja të vogla: "Ato janë shpirtrat e paraardhësve të mi".

9. Iera son salita tutta sola ("Mbrëmë u ngjita vetëm"). Butterfly i thotë Pinkerton se dje, fshehurazi, pa i treguar xhaxhait, i cili është prift budist, Bonzo, shkoi në Konsullatë dhe braktisi fenë e të parëve për t'u konvertuar në fenë e Pinkertonit. "Po ndjek fatin tim dhe, plot me përulësi, i lutem Zotit të Pinkertonit".

10. Tutti zitti ("Të gjithë pushoni"). Çdo gjë është gati dhe Goro u kërkon të gjithëve të heshtin. Komisari drejton ceremoninë e shkurtër dhe është dëshmimtar ndërsa Pinkerton dhe Butterfly firmosin letrat.

11. Madama Butterfly ("Zonja Butterfly"). Dasma fillon dhe të gjithë i urojnë çiftit të ri lumturi. Pas pak Sharpless i lutet Pinkertonit të mos jetë mizor dhe largohet në shoqëri të Komisionerit dhe Regjistruesit. Pinkerton, Butterfly dhe të ftuarit e saj vazhdojnë festimet me shumë dolli.

12. Cio-Cio San! ("Cio-Cio San"). Dollitë ndërpriten nga një zë i egër jashtë skene që thotë: "Cio-Cio San! Cio-Cio San! Ti je e mallkuar!". Xhaxhai i Butterfly, ka zbuluar se ajo ka hequr dorë nga feja e të parëve të saj dhe po e mallkon. Ai qëndron para saj, i bërtet dhe e mallkon ndërsa Pinkerton ndërhyn ta ndalojë. Bonzi është i trondindur para amerikanit dhe i urdhëron pjesëmarrësit të largohen me të duke i thënë Butterfly, "Ti na ke mohuar ne dhe ne do të të mohojmë ty". Të gjithë të ftuarit bërtasin mohimin e tyre ndërsa largohen me nxitim. Nata po bie. Butterfly po qan. Pinkerton e ngushëllon.

13. Bimba, Bimba, non piangere ("Vogëlushe, vogëlushe, mos qaj"). (Kjo fillon duetin e famshëm të dashurisë që mbyll Aktin e parë.) Pinkerton i thotë Butterfly se "Të gjithë të afërmit e tu dhe priftërinjtë në Japoni nuk vlejnë sa lotët nga sytë e tu të bukur". Butterfly buzëqesh mes lotëve, "Me të vërtetë? Unë nuk do të qaj më. Dhe nuk do të shqetësohem më për mallkimin e tyre sepse fjalët e tua janë të ëmbla për mua". Ata dëgjojnë prapaskene Suzukin ndërsa bën lutjen e mbrëmjes.

13A. Viene la sera ("Nata po bie"). (Dueti i gjatë vazhdon.) Pinkerton i thotë Butterfly se "Nata po bie" dhe Butterfly përgjigjet "me të vjen errësira dhe paqja". Pinkerton përplas duart e tij dhe hyjnë tre shërbëtorë që mbyllin shtëpinë. Më pas Suzuki ndihmon Butterfly të vishet për mbrëmjen e martesës. Pinkerton e shikon Butterfly ndërsa ai e shikon, por lumturia e saj është e zbehur sepse "ende zëri i egër më mallkon. Butterfly është e mohuar – e mohuar por e lumtur".

14. Bimba dagli occhi ("Vogëlushe me sytë"). (Dueti i gjatë vazhdon.) Pinkerton admiron bukurinë e Butterfly dhe i thotë "ti ende s'më ke thënë se më do". Butterfly përgjigjet duke thënë se ajo nuk do t'i thotë fjalët "nga frika mos vdes ndërsa i dëgjoj!". Ajo i thotë se tani është e lumtur.

15. Vogliatemi bene ("Më duaj, të lutem."). (Dueti i gjatë vazhdon.) Butterfly lutet me Pinkerton "Më duaj, të lutem!" Ajo e pyet nëse është e vërtetë që, në vendet e huaja, njerëzit i kapin fluturat dhe i ngulin flatrat e saj në një tavolinë. Pinkerton e pohon por shpjegon, "E di pse? Në mënyrë që ajo të mos fluturojë larg". Ai e përqafon dhe thotë "Unë të kam kapur. Ti je e imja." Ajo përgjigjet "Po, përjetë."

Akti 2 Redakto

16. E Izaghi e Izanami ("Dhe Izanagi e Izanami"). Ndërsa hapet perdja, kanë kaluar tri vjet. Suzuki gjunjëzohet para një Buddha, duke u lutur që Butterfly të pushojë së qari. Butterfly e dëgjon dhe i thotë se Perëndite Japoneze janë dembele dhe se Perëndia Amerikane do të përgjigjej shumë shpejt sikur të dinte se ku jetojnë ata. Suzuki i thotë Butterfly se paratë e tyre thuajse kanë mbaruar dhe se nëse Pinkerton nuk kthehet shpejt ato do vuajnë mjerimin. Butterfly e siguron Suzuki se Pinkerton do të kthehet sepse ai është marrë vesh me konsullin për të paguar qeranë. Suzuki i thotë se bashkëshorti i huaj nuk do të kthehet kurrë tek nusja e tij japoneze, por Butterfly i përgjigjet ashpërsisht duke thënë se Pinkerton i është betuar mëngjesin e fundit që ishin bashkë "Oh, Butterfly, gruaja ime e vogël, unë do të kthehem me trëndafila, kur toka të jetë plot gëzim, kur gushëkuqi bën folenë." Suzuki ngadalë fillon të qajë.

17. Un bel dì ("Një ditë të bukur"). Këtu, aria më e famshme e operas, (dhe një nga më populloret në repertorin e sopranove), Butterfly thotë se, "një ditë të bukur", ata do të shohin një re tymi në horizont. Më pas do të shfaqet një anije dhe do të hyjë në port. Ajo nuk do të shkojë poshtë për ta takuar, por do të presë në kodër që ai të vijë. Pas një kohe të gjatë, ajo do të shohë në largësi një burrë që nga qyteti po i drejtohet kodrës. Kur ai të mbërrijë, ai do të thërrasë nga larg "Butterfly", por ajo nuk do të përgjigjet, pjesërisht për shaka dhe pjesërisht që të mos vdesë nga gazi i takimit të parë. Më pas ai do t'i thotë: "Vogëlushe. Grua e dashur. Lule portokalli." Butterfly i premton Suzukit se kështu do të ndodhë. Suzuki largohet ndërsa Sharpless dhe Goro hyjnë në kopësht.

18. C’e. Entrate. ("Është. Urdhëroni."). Sharpless e përshëndet, "Më falni, Zonja Butterfly." Pa parë kush flet, Butterfly e korrigjon, "Zonja Pinkerton, ju lutem." Kur kthen shpinën ajo shikon që është Sharpless ai që i foli dhe i flet e gëzuar, "Konsulli im i dashur! Mirëseardhët në këtë shtëpi amerikane." Sharpless nxjerr një letër nga xhepii tij dhe i thotë "Benjamin Franklin Pinkerton më ka shkruar." Sharpless i thotë se Pinkerton është mirë, dhe ajo thotë, "Unë jam gruaja më e lumtur në Japoni." Butterfly e pyet, "Kur e bën gushëkuqi folenë e tij në Amerikë?" Pyetja e çorienton Sharpless prandaj Butterfly i shpjegon se Pinkerton premtoi se do të kthehet "kur gushëkuqi të ngrejë sërish folenë e tij." Ajo thotë se në Japoni gushëkuqi e ka ndërtuar folenë tri herë dhe ajo pyet nëse andej e ngre folenë më rrallë. Sharpless i thotë se ai nuk e di sepse nuk ka studiuar ornitologji. Në këtë moment Butterfly dëgjon Goron që qesh dhe i pëshpërin Sharpless se Goro nuk është njeri i mirë. Ajo i tregon se, pasi Pinkertoni ishte larguar, Goro ka ardhur shumë herë për t'i rregulluar këtë apo atë burrë. Ajo thotë se Goro tani dëshiron që ajo të martohet me një burrë të pasur, Yamadori, i cili po vjen në shtëpi me shoqëruesit e tij muzikantë që po interpretojnë një melodi japoneze (Miyasan).

19. Yamadori, ancor le pene ("Yamadori, akoma vuajtje"). Butterfly shikon Yamadori dhe e pyet nëse ai do heqë dorë nga kërkesa e tij sepse "Ti tashmë ke pasur shumë gra." Yamadori e pranon se është martuar me të gjitha, por gjithashtu është ndarë nga të gjitha. Ndërkohë Sharpless heq dorë nga përpjekja për t'i lexuar Butterfly letrën e Pinkertonit dhe e vendos sërish letrën në xhep. Goro i thotë Sharpless se Butterfly mendon akoma se është e martuar. Butterfly e dëgjon dhe thotë: "Unë nuk mendoj se jam, unë jam." Kur Goro përpiqet t'i tregojë për ligjin japonez ajo e ndërpret duke thënë se Japonia nuk është vendi i saj, ShBA është. Ajo i thotë Goros se ajo e kupton sa i lehtë është divorci nën ligjet japoneze, "por në Amerikë ti nuk mund ta bësh këtë gjë." Ajo kthehet furishëm dhe pyet Sharpless, "A jam e saktë?" Sharpless është në siklet dhe i duhet të pranojë se ajo ka të drejtë. Butterfly kthehet triumfalisht dhe i kërkon Suzukit t'iu shërbejë çajin. Yamadori, Sharpless dhe Goro diskutojnë butësisht për verbërinë e Butterfly. Goro pëshpërin se anija e Pinkertonit pritet të vijë së shpejti dhe Sharpless thotë se Pinkerton është shumë në siklet për tu takuar me Butterfly dhe se i ka kërkuar Sharpless që të merret me të. Yamadori i ofenduar largohet së bashku me Goron dhe enturazhin e tij. Sharpless qëndron dhe ulet pranë Butterfly dhe nxjerr edhe një herë letrën.

References Redakto

Notes

  1. ^ Versioni "standart" version i referohet versionit përfundimtar të Puçinit, publikuar nga Ricordi në 1907.

Burimet

  • Burke-Gaffney, Brian, Starcrossed: A Biography of Madame Butterfly, EastBridge, 2004 ISBN 1-891936-48-4
  • Groos, Arthur, "Madame Butterfly: The Story", Cambridge Opera Journal, Vol.3 No.2 (July 1991)
  • Melitz, Leo, The Opera Goer's Complete Guide, 1921 version, source of the plot.
  • Mezzanotte, Riccardo (Ed.), The Simon & Schuster Book of the Opera: a Complete Reference Guide – 1597 to the Present, New York: Simon and Schuster, 1977 ISBN 0-671-24886-3
  • Osborne, Charles, The Complete Operas of Puccini, New York: Da Capo Press, 1983
  • Van Wyck Farkas, Remy. Madama Butterfly record insert, 1952.
  • Weaver, William, Simonetta Puccini, (eds.), The Puccini Companion, New York: W.W. Norton & Co, 1994. ISBN 0-393-32052-9

Lidhje të jashtme Redakto

Lidhje të jashtme Redakto