Meribane Shala
Meribane Shala ishte aktore nga Kosova. Lindi në Vushtrri më 1932, në një familje atdhetare, arsimdashëse e përparimtare. Për një kohë jetoi me familje në Durrës, Shqipëri, dhe më pas u zhvendos në Prishtinë përfundimisht për të jetuar deri më ’56.
Profesioni i parë i Merit ishte të ngiste biçikletën në rrugët e Durrësit ku kishte migruar me familjen e saj dhe me disa familje të tjera në vitet e rënda të pasluftës. Më pas u kthyen në Kosovë e Meri përsëri me biçikletë barte postën dhe afishet bashkë me vëllezërit: Abdurrahmanin dhe Rezakun, të cilët ishin të burgosur. Pasuan vitet ’48, '49, Merit i plotësohet dëshira për të aktruar, sepse Abdurrahmani, që ishte ushtar, i lejoi që të bëhej aktorja e parë (ndër femrat shqiptare) e teatrit në themelim në Prishtinë. Meri dhe Kati, dy aktorët e para në Dramën Shqiptare shkelën në skenën e teatrit, kulisat e tij shkelën vargonjtë e prapambeturisë, të mentalitetit tonë arkaik, ato ishin prijetaret e fill pas tyre Melihate Qena, Vera Balaj, Hyrije Hana, Belxhyzete Domi, Naxhije Deva, Nexhmije Pagarusha, Mysherefe Lloza Preka etj.
Meri nga inercia e talentit të saj u hodh ne dërrasat e skenës me tërë qenien e saj. Mosha e njomë nuk e njihte as skenën e ftoftë, as kushtet e rënda në të cilat mbaheshin provat, as turnetë nëpër Kosovë, kur aktorët udhëtonin me kamion bashkë me dekorin e dramava që i shfaqnin. Meqë atëbotë kishte pak aktore, Merit i jepej mundësia të luante edhe rolet e çunave. U varguan rolet në dramat e shkrimtarëve dhe dramaturgëve shqiptare e botëror.
U krijua edhe “skena e vogel’’. Shumë aktore venin e vinin, që të ndienin ngrohtësinë familjare, meqë shumica nuk ishin nga Prishtina. Nga grimi qe duhej vëne për role të ndryshme të plakës 70 vjeçare, të nuses, të vjehrrës, të çunit në dyqan të këpucëtarit, të nxënësit para pushkatimit, të gruas të cilën e rrihte burri, të palaços, Meri fitoi rrudhat e para, që shprehnin jetën e saj të brendshme, sepse ajo kishte lindur dhe ishte përgatitur vetëm që të ishte gjithnjë e para.
Rolet
RedaktoMeribane Shala luajti role të shumta: të bijën e Jeroties në “Personi i dyshimtë‘’ i Branislav Nushiqit, në rolin e Vidës te ‘’Zhelanët’’ të Matej Borit, në regji të Abdurrahman Shalës, që në Takimet e teatrove në Beograd dolën fitues me shpërblimin e parë, vajzën në ‘’Zjarrin dhe hiri’’, plakën në ‘’Besa’’ të Sami Frashërit, Agafen në ‘’Martesa’’ e Gogolit, Vaskën në ‘’Hijet e rënda ‘’ të Hamza Hamos, ‘’Mirandolina ‘’ të Goldonit, Franciken në ‘’Mbreti i Betanjoves‘’, në ‘’Prajsa e humbur‘’, në komedinë ‘’Kryjet e hudres’’ e shumë shumë role të tjera për një kohë fare të shkurtër, aq sa jetoi deri në moshën 24 vjeçare.[1]
Thënie për Meribane Shalën dhe aktrimin e saj
RedaktoVehap Shita (kritik teatror), më 1953, për rolin e saj në komedinë ‘’Bora’’ të Nushiqit: “Asnjëherë nuk kemi pasur arsye per të dyshuar në prirjet artistike të Meriban Shalës, në disa role të veçanta që i përshtaten asaj. Por duke interpretuar mikeshën Zhivanoviq, ajo tregoi se përnjëmend është e lindur për të interpretuar të tilla role, secilin rol të saj e karakterizoi përjetimi artistik, me gjallërinë e saj i dha pjesës tonin komik e sarkastik’’.
Aktori Istref Begolli thotë ta ketë takuar në pjesën ‘’Zhelanët’’. “Meri ishte një talente e rrallë, e madhe, me vjen mirë që kemi qenë një gjeneratë. Personalisht mendoj se do të kalojë edhe një kohë e gjatë qe të mund të lind një talente e atille në skenën tonë.’’
Kristi Berisha: më 1954 e kujton Merin në rolin e Franciskes te “Mbreti i Bosnjanoves” me regji të tij. “Meribanja ka pasur nerv aktori. Në dialogje, kur konflikti merrte flakë, interpretimi i saj nxirrte shkëndija. Fahu i saj kanë qenë rolet e karaktereve, edhe pse e shkurtër me shtat, prania e saj e mbushte skenën dhe zërin melodik e intonacionin skenik arrinin shume lehte te publiku”.
Shani Pallaska (aktori i parë mashkull në teatrin PK në Prishtinë): “Ajo që nga shfaqja e dytë apo e tretë, pas rolit të vajzave, luante ҫdo rol, madje edhe të plakave e çunave, dhe askush nuk mund ta kuptonte se ajo ishte një çupë 16-17 vjeçe, luante çdo rol që i jepej, episodik apo kryesor, me shumë sukses.”
Abdurrahman Shala (aktor dhe i vëllai): “Vajza në martesë” e Lope de Vegas me regji të Pshiolles, ishte ajo loja e saj e fundit për Merin tonë, sepse nga fundi i vitit 1995, u sëmurë rëndë, kishte sasi të madhe uji në stomak, në bazë të TBC-së një lloj ndezje e pëlhurës së barkut. Ajo qëndroi 5 muaj në spital në Beograd dhe posa u “shërua”, prapë iu kthye kolegëve, skenës, teatrit dhe publikut, ndonëse për çdo muaj shkonte në rrezatim në Beograd. ”Kur e dërguan për herë të fundit në spital në Beograd, ajo s’mund të fliste, por vetëm më shtrëngonte dorën fort. Ato çaste nuk i harroj kurrë dhe isha i vetëdijshëm se po e humbisja përgjithmonë.”
Aktorja Leze Qena: ”Kush e ka parë Meribanin duke aktruar, e di se ka aktruar me shpirt, e kush nuk e ka parë mëkat qe s’e ka parë.”
Shkrimtari Ramiz Kelmendi, shton: ”Më e para aktore profesioniste shqiptare këtu ndër ne, ajo vdiq më 1956 fare e re, një meteor që shndriti dhe u shua pikërisht kur ajo po ngjiste shkallët e karrierës së saj artistike.”
Referime
Redakto- ^ Ilazi, Hanemshahe (2015). Gra te njohura te trojeve Shqiptare. Prishtine: Koha. ISBN 978-9951-685-25-2.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)