Fabrika e Ferronikelit është një kompleks industrial që ndodhet në Komunën e Drenasit dhe që përbëhet nga disa vendburime prej të cilave dallohen, Kodra e Goleshit dhe Çikatova, të hapura në vitin 1984. Vendburimi Kodra e Goleshit ndodhet rrëzë malit të Goleshit, kurse Çikatova në masivin e Dritanit, rreth 20 km në perëndim të Prishtinës. Shtrirja e xeherorit në vendburim është e përshtatshme për eksploatim: trashësia e xeherorit është 10 m dhe e mbulesës së dheut sipër xeherorit po ashtu është 10 m. Pra, koeficienti i zbulimit është shumë i përshtatshëm 1:1 (t/m³). Krijimet gjeologjike janë shumë të buta, që bëjnë të mundur nxjerrjen e xeherorit pa lëndë eksplozive, duke përdorur eskavatorë. Përmbajtja e metalit, që sillet 1.33% nikel dhe 0.06% kobalt nuk është e njëtrajtshme. Prodhimi i programuar i xeherorit të Ni-Co ishte 983,000 tonë në vit (në raport 40% nga Kodra e Goleshit dhe 60% nga Çikatova), që në praktikë nuk është arritur.[1]

Ferronikeli në Drenas

Historiku

Redakto

Kërkimet e xeherorëve silikat të nikelit në territorin e Kosovës datojnë që nga viti 1958, ku janë përcaktuar shfaqjet e para mineralizuese të nikelit në territorin e Gllavicës, afër minierës së magnezitit në Magurë. Në kuadër të Ferronikelit funksionojnë dy miniera me shfrytëzim sipërfaqësor: Gllavica dhe Çikatova (Dushkaja, Suka).[2]

Miniera e nikelit silikat “Gllavica” gjendet në Jugperëndim të Prishtinës në distancë prej rreth 20 km2. Vendburimi i nikelit Gllavica shtrihet në masivin peridotit të Goleshit në bregun lindor të kodrës Gllavicë. Ai ka drejtim të shtrirjes përafërsisht veri-jug në gjatësi prej 1050 m. Vendburimi shtrihet në formë të mbulesës dhe ka një sipërfaqe prej rreth 32 ha. Vendburimi i nikelit “Gllavica”, i takon grupit të vendburimeve silikate të korës së tjetërsimit. Formimi i vendburimit është i lidhur me formimin e kores së tjetërsimit të serpentiniteve.

Pas hulumtimeve gjeologjike intensive gjatë vitit 1967, është zbuluar vendburimi i ri Çikatova afër Drenasit. Miniera e nikelit silikat “Çikatova e Vjetër” gjendet në regjionin e masivit peridotit të Dritanit (Dobroshevcit) komuna e Drenasit. Nga Prishtina, në drejtim të perëndimit, gjendet në largësi prej 20 km2, kurse nga vendburimi i Gllavicës është larg 12 km2.

Në vendburimin e nikelit “Çikatovë e Vjetër“ ekzistojnë dy vendburime (trupa mineral): “Dushkaja“ dhe “Suka“. Rezervat gjeologjike në dy minierat janë vlerësuar të jenë rreth 13 Mt me përbërje mesatare të nikelit 1.31% dhe të kobaltit 0.06%. [3]

Shfrytëzimi i xehes së nikelit ka filluar në vitin 1982, ndërsa shkritorja ka filluar punën nga viti 1984. Mes viteve 1982 - 1999, janë shfrytëzuar 7092090 tonë xehe me 1.21 % Ni, ndërsa mes viteve 1984-1997 janë prodhuar gjithsej 36728 tonë nikel metal. Puna në minierat sipërfaqësore u ndërpre në vitin 1999 për shkak të luftës. Pas privatizimit nga kompania NewCo Ferronikeli Complex L.L.C.- (prill 2006),shfrytëzimi ka rifilluar në të dy minierat, gjatë vitit 2007.

Në vitin 2013 fillon faza e dytë e re-kultivimit te deponisë së skories në Sukë, pastaj janë bërë investimet në zgjerimin dhe efikasitetin në rritje të ESP në furrat rrotulluese si dhe fillon aplikimi i një metodë më të avancuar për rafinimin e nikelit ne formen e granulave. Ndërtimi i basenit sedimentues për trajtimin e ujit atmosferik dhe instalimi i një ndarësi për vajra që mund të rrjedhin është bërë në vitin 2015.[1]

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1111. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  2. ^ Osmani, J. : Vendbanimet e Kosovës- Drenica, Prishtinë 2005.
  3. ^ Ferronikeli - “Raporti i pyetësorit për miniera”, Prishtinë, 2006.

Lidhje të jashtme

Redakto