Ndërtesa e shkollës së mesme Ryzhdie
Ndërtesa e shkollës së mesme Ryzhdie është një monument i trashëgimisë kulturore në Prizren, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor", i miratuar me numër 356/88.
Ndërtesa e shkollës së mesme Ryzhdie | |
---|---|
Lloji | Arkitekturore |
Vendndodhja | Prizren, Kosovë |
Ndërtuar | Shek. XIX |
Emri zyrtar: Monument /Ansambël | |
Lloji | Nën mbrojtje |
Përcaktuar | 356/88 |
Nr. i referencës | 631 |
Historiku
RedaktoShkolla e mesme Ryzhdie gjendet në perëndim të Zonës Historike të Prizrenit, respektivisht pranë Kompleksit të Tabahanës. Ndërtesa shtrihet në bregun jugor të Lumbardhit. Shkolla e mesme Ryzhdije u hap në vitin 1874 dhe paraqet themelimin e arsimit të ri të mesëm në Prizren. Në Ryzhdije mësimi zgjaste tri vjet, dhe krahas lëndëve me përmbajtje fetare mësoheshin edhe lëndë të reja sikurse historia, gjeografia, shkencat natyrore, matematika e fizika. Kjo mënyrë e shkollimit në Prizren u zhvillua gjerë më 1912 kur Lufta Ballkanike e më pastaj Lufta e Parë Botërore ndërprenë zhvillimin e këtij sistemi shkollor. Pas Luftës së Dytë Botërore objekti i Ryzhdijes shndërrohet në spital me ç’rast në afërsi të saj ndërtohen edhe objekte tjera kështu që shndërrohet në një kompleks spitalor. Këtë funksion objekti i Ryzhdijes ka pasur deri në vitin 1979, pas vërshimeve katastrofale objekti braktiset dhe më vonë përdoret si depo dhe punëtori. Kur më 13 janar 1992 zjarri e kaplon objektin ai lihet në mëshirë të kohës dhe gradualisht shkatërrohet, kështu që sot nga objekti kanë mbetur vetëm rrënojat. Objekti i Ryzhdijes ka planimetri drejtkëndëshe dhe zhvillohet në dy etazha. Përdhesa është e ngritur nga niveli i tokës për 1.2 metra dhe ka strukturë prej guri. Mbi këtë nivel, struktura e mureve në përdhesë dhe kat është ndërtuar me tulla të argjilës së pjekur. Fasada e lindore, ajo ballore është përpunuar me profilime të stilit neoklasik që është karakteristike për objektet publike të kësaj periudhe. Pas shndërrimit të objektit në spital janë bërë ndërhyrje jo profesionale sidomos në enterier për t’u përshtatur nevojave të spitalit. Ndërtesa e shkollës së mesme Ryzhdije paraqet një ndërtesë me vlerë të madhe artistike, historike, shoqërore dhe shkencore. Ndërtesa si formë arkitektonike paraqet një shembull të veçantë të trajtimit të objekteve publike gjatë shekullit XIX. Në aspektin historik dhe shoqëror, shkolla e mesme Ryzhdije paraqet një dëshmi të nivelit të lartë arsimor të zhvilluar gjatë shekullit XIX.[2]
Shih edhe
RedaktoLidhje të jashtme
Redakto- Databaza e trashëgimisë kulturore të Kosovës Arkivuar 26 mars 2016 tek Wayback Machine
Referime
Redakto- ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
- ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 28 mars 2023. Marrë më 7 qershor 2023.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)