Rendet arkitekturorë
“Një rend ne arkitekturë është një lloj asemblazhi i pjesëve të subjektit për të formuar proporcionet e paravendosura, të rregulluara sipas funksionit që çdo pjesë ka për të luajtur".[1] Rendet arkitekturorë janë stilet e lashta të arkitekturës klasike, secili i dallueshëm nga proporcionet dhe profilet e tij karakteristikë dhe shumica të dallueshëm menjëherë nga tipi i kolonës së përdorur. Tre rende arkitekturore të lashta—Rendi dorik, Rendi jonik dhe Rendi korintik—e kanë zanafillën nga Greqia e lashtë. Këtyre, romakët u shtuan në praktikë nëse jo në emër, Rendin tuskan, i cili ishte një version më i thjeshtë i Rendit dorik dhe Rendin e përbërë, që ishte më tepër ornamental sesa ai korintik. Rendet arkitekturore të një ndërtese klasike janë të ngjashëm me me moduset muzikore të muzikës klasike , gramatika ose retorika e një kompozimi të shkruar. Përcaktohen nga disa module si intervalet muzikore dhe ngre disa pritshmëri në audiencë nëpërmjet gjuhës së tij.[2] Ndërsa në arkitekturën greke rendet ishin thelbësisht strukturorë, që e përdornin pak harkun deri në periudhën e vonë, në Arkitekturën romake ku harku ishte shpësh mbizotërues, rendet u bënë gjithmonë e më shumë elemente dekoruese përveç portikëve dhe përdorimeve të ngjashme. Kolonat u tkurrën në gjysëm-kolona të ngjitura për muri ose u kthyen në shtylla. Ky trajtim vazhdoi pas përdorimit të vetëdijshëm dhe "korrekt" të rendeve, fillimisht duke ndjekur ekskluzivisht modelet romake, të rikthyera gjatë Rilindjes.[3] Revivali arkitekturës greke, i frymëzuar nga njohja gjithmonë e më e madhe e origjinaleve greke, riktheu modelet më autentike, duke përfshirë edhe ata nga periudhat relativisht të hershme.
Karakteristika të përbashkëta
RedaktoNdërsa rendet janë më lehtësisht të identifikueshëm nga kapitelet e tyre, rendet organizonin gjithashtu formën, proporcionet, detajet dhe marrdhëniet e kolonave, trabeacionit, frontonit dhe stilobatit.[4] Rendet e ndryshëm u zbatuan në gjithë gamën e ndërtesave dhe monumenteve. Trungu i kolonës dhe baza varjojnë gjithashtu me rendin dhe ndonjëherë është i artikuluar me hulli vertikale. Trungu është më i gjerë në fund sesa në majë, për shkak të të fryrës (entasis), që duke filluar nga një e treta e lartësisë, e bënë në mënyrë të pa vërejtshme kolonën lehtësisht më të holl në krye. Secili nga stilet ka një trabeacion të tijin, që konsistonte në arkitrarin, frizën dhe kornizën. Rendi arkitektonik bazohet në raportin e proporcioneve: bazohet në një sistem rregullash (kanonesh) që vendos raportet proporcionalë midis çdo pjese të veçantë të tempullit grek me çdo pjesë tjetër të tempullit. Këta raporte proporcionale bazohen te moduli (nga latinishtja modus, masë) që jepet nga diametri i kolonës pranë bazës. Rendet arkitektonikë, të lirë (me kolona apo shtylla) ose të ngjitura në një mur (me gjysëm-kolona ose lezena), janë të përbëra nga elemente mbështetëse vertikale (p.sh. kolona) dhe nga një element horizontal (trabeacioni). Kapiteli qendron në një trung. Ai ka një funksion peshë-mbajtës, që e përqendron peshën e trabeacionit në kolonë, por më së pari shërben për qëllime estetike. Qafa ësthë vazhdimi i trungut, por është vizualisht i ndarë nga një ose shumë hulli horizontale. Modanatura qëndron në krye të qafës. Është një bllok i rrumbullakët që fryhet drejt majës për të mbajtur abakun, që është një katror ose në formë blloku që nga ana e tij mban trabeacionin. Trabeacioni konsiston në tre shtresa horizontale, të gjitha të ndara në mënyrë të dukshme nga njëra tjetra duke përdorur modanatura ose fasha. Në veprat romake dhe post-rilindase, trabeacioni mund të mbahet nga kolona në kolonë në formën e një harku që e kalon peshën te kolonat, duke mbajtur ndarjet e saj dhe zbukurimet skulpturore, nëse ka. Nga ana e saj kolona përbëhet nga elemente të ndryshme: (kapiteli, trungu, baza) dhe kështu edhe trabeacioni (korniza, friza, arkitrari). Ka shumë emra për pjesët e shumta të rendeve. Kryesisht sipas tipit të kapitelit, rendet veçohen në: dorik, jonik, eolik dhe korintik, në Greqi, me shtimin e tuskanit dhe të përbërit në Romë.
Historia
RedaktoKodifikimi i parë i rendeve arkietktonike që na ka ardhur është ai i traktatit "De architectura" të Vitruvit që i kushtoi një pjesë të rëndësishme përshkrimit të tre rendeve kryesore greke (dorik, jonik, korintik).[5] Këta rende në fakt janë zhvilluar në arkitekturën greke: ai dorik dhe jonik duke filluar nga zanafilla e tyre, në momentin e realizimeve të para prej guri, duke u përhapur që nga shekulli i VI p.e.s., me një mbizotërim të rendit dorik në greqinë kontinentale dhe në kolonitë e Magna Graecia-s dhe të jonikut dhe eolikut (i rrallë, për shembull tempulli i Neandria-s dhe tempulli i Larisa-s) në qytetet greke të Azisë së Vogël, në Turqinë e sotme. Rendi dorik u zhvillua në Greqinë kontinentale dhe u përhap në Magna Graecia (në Itali). Ishte stabilizuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të mirë-përcaktuar në karakteristikat e tij në kohën e ndërtimit të Tempullit të Herës në Olimpia, rreth vitit 600 p.e.s.. Rendit jonik bashkë-ekzistonte me atë dorik, duke u parapëlqyer nga qytetet greke të Jonisë, në Azinë e Vogël dhe në ishujt e Egjeut ku u zhvillua edhe një rend pak i njohur i ngjashëm me atë jonik. Nuk arritën një formë të përcaktuar qartë deri në mes të shek. të V p.e.s.[6] Tempujt e hershëm jonikë të Azisë së Vogël ishin veçanërisht ambiciozë në shkallë, si Tempulli i Artemidës në Efes.[7] Rendi korintik ishte një variant me dekorime të pasura që nuk u zhvillua deri në periudhën helenistike dhe duke mbajtur shumë karakteristika të atij jonik. U bë tepër popullor nga romakët.[8] Shembulli i parë i kapitelit korintik nga ana tjetër i përket shekullit të IV p.e.s. në Tempullin e Apollonit në Bassae. Sipas Mark Vitruv Pollionit krijuesi i tij qe arkitekti Kalimak, që duke shëtitur pa një kanistër të depozituar si ofertë në një varr të një të reje dhe të mbuluar nga një pllakë katërkëndëshe, rreth të cilës ishte rritur një bimë akantusi (Acanthus), nga e cila u frymëzua për skemën dekoruese të kapitelit të ri. Këtyre tre rendeve, Vitruvi ju shtoi, me një përshkrim të përgjithshëm, rendin tuskan që e konsideronte autokton të Italisë, por që në të vërtetë përfaqëson një variant vendor të rendit dorik.[9]
Rendet greke
RedaktoJanë tre rende kryesore të Arkitekturës së Greqisë së lashtë: dorik, jonik dhe korintik. Tre rendet e lashta greke janë përdorur në mënyrë konsistente në arkitekturën neo-klasike. Përveç këtyre ekziston edhe rendi eolik që është një rend pak i njohur i ngjashëm me atë jonik. Rendi dorik konsiderohet si rendi më i hershëm. Rendi dorik dhe jonik duket se janë shfaqur pak a shumë herët, joniku në Greqinë lindore dhe doriku në perëndim dhe në kontinent. Të dy duket se zunë fill nga arkitektura prej druri. Tempulli i Herës në Olimpia është tempulli më i vjetër i mirë-ruajtur i rendit dorik. Është ndërtuar pak pas vitit 600 p.e.s.. Rendi dorik më vonë u përhap përgjatë Greqisë dhe Siçilisë ku ishte rendi kryesor për ndërtimet monumentale për rreth 800 vite.
Rendi dorik
Redakto- Për më tepër shiko Rendi dorik
Rendi dorik zuri fill në Greqinë kontinentale dhe në perëndim, në Siçili. Është rendi më i thjeshtë, i karakterizuar nga kolona tipikisht të shkurtra dhe imponuese me kapitele të thjeshtë të rrumbullakët dhe pa bazë. Me një lartësi që është vetëm katër deri në tetë herë sa diametri i saj në bazë, kolonat janë më të shkurtrat e rendeve klasike. Trungu i kolonës së rendit dorik ka 20 hulli. Kapiteli konsiston në një qafë me një formë të thjeshtë. Ekini është konveks dhe abaku katror, që lidh kapitelin me trabeacionin. Trabeacioni është i ndarë në tre regjistra horizontalë, pjesa më e poshtme e të cilit është e lëmuar ose e ndarë nga linja horizontale. Pjesa e sipërme është e veçantë për rendin dorik. Friza e trabeacionit dorik është e ndarë në triglife dhe metopa. Një triglif është një njësi që konsiston në tre shirita vertikalë të ndarë me hulliza. Metopat janë të sheshta ose me relive të skalitura midis dy triglifeve. Kolonat greke të rendit dorik nuk kanë një baze, por janë të vendosura drejtëpërdrejtë në stilobat. Format më të vona, gjithësesi, kanë një bazë konvencionale që konsiston në një plint dhe një torus. Versionet romake të rendit dorik kanë proporcione më të vogla. Si rezultat ata duken më të vegjël sesa ata grekë.
Rendi jonik
Redakto- Për më tepër shiko Rendi jonik
Rendi jonik zunë fill në Greqinë lindore, ku zanafilla e tij ndërthuret rendin e ngjashëm por pak të njohur eolik. Dallohet nga kolonat më të zgjatura, hullizat me një bazë të madhe dhe dy spërdredhje në ekinin e kapitelit. Vetë ekini është i dekoruar me një motiv me vezë dhe maja shigjetash. Trungu i kolonës jonike ka katër hulliza më tepër se ai dorik (në total 24 hulliza). Baza jonike ka dy modanatura konvekse të quajtura toruse që janë të ndara nga një ‘‘skotia’’. Kolona jonike ka gjithashtu entasis (një fryrje në një të tretën e trungu). Kolona jonike është sa nëntë diametra të fundit të trungut. Vetë trungu është tetë diamtra i lartë. Arkitrari i trabeacionit zakonisht konsiston në tre fasha të shkallëzuara. Friza nuk ka triglife dhe metopa si ajo dorike. Ndonjëherë friza ka një zbukurim të vazhduar siç janë figurat e skalitura.
Rendi korintik
Redakto- Për më tepër shiko Rendi korintik
Shkrimtari romak Vitruvi konsideronte si krijues të rendit korintik Kalimakun, një skulptor grek i Shekullit të V p.e.s.. Ndërtesa më e vjetër e njohur e ndërtuar sipas këtij rendi është Monumenti i Lisikratit në Athinë, i ndërtuar midis viteve 335 dhe 334 p.e.s.. Rendi korintik është rendi më zbukurues, i karakterizuar nga një kolonë e zgjatur elegante me hulliza që ka një kapitel të dekoruar me dy radhë gjethesh akantusi dhe katër spërdredhje. Zakonisht konsiderohet si më eleganti i rendeve arkitekturore. Kolona e rendit korintik ka 24 hulliza. Kolona zakonisht është sa dhjetë diametra e lartë.
Rendi eolik
Redakto- Për më tepër shiko Rendi eolik
Rendi eolik ishte një rend i hershëm i arkitekturës greke. Ai ka ngjashmëri të madhe me rendin më të njohur jonik, por dallon nga kapiteli, ku një palmetë del midis dy spërdredhjeve të jashtme, në vend të jetë i lidhur horizontalisht nga një formë në krye të kapitelit. Shumë shembuj të këtij rendi shfaqin detaje më të thjeshta krahasuar me rendin jonik. Rendi eolik doli nga përdorimi në fund të periudhës arkaike në Greqi.
Rendet romake
RedaktoRomakët adoptuan gjithë rendet greke dhe zhvilluan gjithashtu dy rende të tyret, thelbësisht modifikime të rendeve greke. Gjithësesi, ishte vetëm gjatë Rilindjes që u emërtuan dhe formalizuan si Rendi tuskan dhe Rendi i përbërë, përkatësisht më i thjeshti dhe më i dekoruari i rendeve. Romakët krijuan gjithashtu edhe rendin e mbivendosur, që ishte mbivendosja e rendeve të ndryshme në katet e njëpasnjëshme të një ndërtese. Rendet më të rënda vendoseshin në fund, ndërsa më të lehtit në krye. Kjo nënkupton se rendi dorik vendosej në katin përdhes, rendi jonik përdorej në katet e mesit, ndërsa rendi korintik ose i përbërë përdorej në katet e sipërm.
Rendi tuskan
Redakto- Për më tepër shiko Rendi tuskan
Rendi tuskan ka një dizajnë shumë të thjeshtë, me një trung të lëmuar dhe kapitele, baza dhe friza të thjeshta. Është një përshtatje e thjeshtëzuar e rendit dorik. Rendi tuskan karakterizohet nga një trung pa hulliza dhe një kapitel që konsiston në një ekin dhe një abakus. Në proporcione është i ngjashëm me rendin dorik, por në tërësi është në mënyrë domethënëse më i thjeshtë. Kolona zakonisht është sa shtatë diametra e lartë. Krahasuar me rendet e tjerë, rendi tuskan duket me solidi.
Rendi i përbërë
Redakto- Për më tepër shiko Rendi i përbërë
Rendi i përbërë është një rend i përzier, që kombinon spërdredhjet e rendit jonik me gjethnajën e rendit korintik. Deri gjatë Rilindjes nuk renditej mes rendeve të veçanta, por konsiderohej si një formë e vonë romake e rendit korintik. Kolona e rendit të përbërë është zakonisht sa dhjetë diametra e lartë.
Zhvillimi historik i rendeve
RedaktoArkitektura e Rilindjes pa rinovimin e interesit për burimet e literaturës mbi kulturën e lashtë greko-romake dhe zhvillimin pjellor të një arkitekture të re të bazuar në parimet klasike. Traktati De architectura i teoricienit, arkitektit dhe inxhinierit romak Mark Vitruv Pollioni, është vepra e vetme mbi arkitekturën klasike greko-romake që ka mbijetuar. I rizbuluar në shekullin e XI, Vitruvi u lartësua menjëherë si një autoritet referues mbi arkitekturën. Gjithësesi, në tekstin e tij fjala rend nuk gjendet. Për të përshkruar katër llojet e kollonave (ai përmend vetëm ato: tuskane, dorike, jonike dhe korintike) ai përdori, në fakt, fjalë të ndryshme si: genus (gjini), mos (zakon, modë, mënyrë), opera (vepër, punim). Termi rend, ashtu si dhe idea e ridefinimit të kanonit nisi të qarkulloi në Romë, në fillim të shekullit të XVI, me gjasa gjatë studimeve të tekstit të Vitruvit të drejtuara dhe ndara nga Baldassare Peruzzi, Filippo Brunelleschi, Leon Battista Alberti, Michelangelo Buonarroti, Donato Bramante dhe Antonio da Sangallo i Riu.[10]
Që në këtë kohë përcaktimi i kanonit qe një përpjekje kolektive që përfshiu mjaft gjenerat arkitektësh evropian, nga periudhat e Rilindjes dhe Barokut, duke i bazuar teoritë e tyre në studimin e shkrimeve të Vitruvit dhe vëzhgimi i rrënojave romake (rrënojat greke u bënë të disponueshme kryesisht pas pavarësisë së Greqisë). Ajo që ju shtua ishin rregullat për përdorimin e rendeve arkitekturore dhe proporcionet e sakta të tyre deri në hollësitë më të vogla. Komentarë mbi përvetësimin e rendeve për tempujt kushtuar hyjnive të veçanta (Vitruvi I.2.5) u përpunuan nga teoricienët e Rilindjes, ku ai dorik u karakterizua nga fortësia burrërore, joniku si femëror dhe korintiku si vajzëror.[11] Arkitektët e Rilindjes, duke filluar me Leon Battista Albertin dhe më pas me Michelangelo Buonarrotin krijuan Rendin gjigand. Rendi gjigand karakterizohet nga kolona që lartosohen në dy ose më shumë kate.
Përcaktimi i Vignola-s për konceptin e "rendit"
RedaktoDuke ndjekur shembullin e Vitruvit dhe pesë librat e Regole generali di architettura sopra le cinque maniere degli edifici të Sebastiano Serlios, të publikuar për herë të parë në vitin 1537, Giacomo Barozzi da Vignola krijoi një libër rregullash që ishte jo vetëm më praktik se traktatet e mëparshme, por ishte gjithashtu përdorues dhe sistemues në mënyrë konsistente i termit rend për të përcaktuar pesë llojet e ndryshme të kolonave të trashëguara nga lashtësia. Një publikim i parë i ilustrimeve të ndryshme, si fleta të veçanta, u shfaq në Romë në vitin 1562, me titullin: Regola delli Cinque Ordini di Architettura (Rregulli i pesë rendeve të arkitekturës. Siç pohon David Watkin, libri i Vignola-s "ishte një histori mahnitëse publikime prej mbi 500 botimesh në 400 vite në dhejetë gjuhë të ndryshme, italisht, hollandisht, anglisht, flamandisht, frëngjisht, gjermanisht, portugalisht, rusisht, spanjisht dhe suedisht gjatë të cilave ai u bë ndoshta libri më ndikues i të gjitha kohërave".[12] Libri konsiston thjeshtësisht në një hyrje të ndjekur nga 32 ilustrime me shpjegime, duke theksuar sistemin e proporcioneve me të gjitha hollësitë e të pesë rendeve. Sipas Christof Thoenes, eksperti kryesor i traktateve të arkitekturës së Rilindjes, "në përputhje me shembullin e Vitruvit, Vignola zgjodhi një “modul” të barabart me një gjysëm-diametër që është në bazë të sistemit. Gjithë përmasat e tjera janë të shprehura në fragmente ose shumëfisha të këtij moduli. Rezultati është një model matematik dhe me ndihmën e tij secili rend, me përmasa harmonike, mund të adoptohet lehtësisht në çdo lartësi të dhënë, të një façate ose interiori. Nga ky këndvështrim, Regola e Vignola-s është një arritje e rëndësishme intelektuale".[13] Në Amerikë, The American Builder's Companion,[14] i shkruar në fillim të shekullit të XIX nga arkitekti Asher Benjamin, ndikoi shumë ndërtues në shtetet lindore, veçanërisht ata që zhvilluan atë që do të bëhej e njohur si Stili Federal i Arkitekturës. Ri-interpretimi i fundit amerikan i Regola-s së Vignola-s, u botu në vitin 1904 nga William Robert Ware.[15] Shkëputja nga moda klasike erdhi në fillim me Revivalin gotik, pastaj me zhvillimin e modernizmit gjatë shekullit të XIX. Bauhausi promovoi funksionalizmin e pastërt, pa zbukurime të tepërta dhe që u bë një nga karakteristikat e Arkitekturës moderne. Ka gjithësesi disa përjashtime. Arkitektura post moderne futi një përdorim ironik të rendeve si një referencë kulturore, e shkëputur nga rregullat strikte të kompozimit. Nga ana tjetër, pak praktikues si psh. Quinlan Terry punojnë akoma në një gjuhë tradicionale të arkitekturës klasike.
Rendet e rastësishëm
RedaktoMjaft rende, zakonisht të bazuar në rendit rendin e përbërë dhe që variojnë vetëm në dizajnin e kapiteleve, janë krijuar nën frymëzimin e rasteve specifike, por nuk përdoreshin përsëri. Kështu ata mund të konsiderohen si një-përdorimësh ose të rastësishëm. Vëllai i Robert Adam, James ishte në Romë në vitin 1762, duke vizatuar antikitetet nën drejtimin e Charles-Louis Clérisseau; ai shpiku një Rend britanik, vizatimi i të cilit gjendet në Avery Architectural and Fine Arts Library në Columbia University. Adami publikoi një gravurë të tij. Në kapitelin e tij luani dhe një-brirëshi heraldik zënë vendin e sperdredhjeve të përbëra, një konceptim bizantino-romanik, por i shprehur në terma ë realizmit neo-klasik. Në vitin 1789 George Dance shpiku një Rend amonit, një variant i jonikut duke zëvendësuar spërdredhjet me format fosile të amonitit për Shakespeare Gallery e John Boydell-it në Pall Mall, Londër. Në Shtetet e Bashkuara Benjamin Latrobe, arkitekti i ndërtesës së Capitol-it në Washington DC, projektoi një seri rendesh amerikanë me motive vegjetale. Më i famshëm është rendi me kallinj misri, që është realizuar nga Giuseppe Franzoni dhe u përdor në Vestibulin me kube të vogël të Gjykatës Supreme. Vetëm Gjykata Supreme i mbijetuar nga zjarri i 24 gushtit të vitit 1814, pothuajse e padëmtuar. Me rivendosjen e paqes, Latrobe projektoi një rend amerikan që zëvendësonte gjethet e akantusit me ato të duhanit, për të cilin ai ia dërgoi skicën Thomas Jeffersonit në një letër më 5 nëntor 1816. Ai u inkurajua të dërgonte një model të tij, që mbeti në Monticello. Në vitet 1830 Alexander Jackson Davis e admiroi atë mjat për të bërë një vizatim të tij. Në 1809 Latrobe krijoi një rend të dytë amerikan, duke përdorur lulet e manjolas të futur brenda profilit të modanaturës klasike, siç e tregojnë vizatimet e tij. Synohej të përdorej për "kolonat e sipërme në galerinë e hyrjes së Dhomës së Senatit"[16].
Edwin Lutyens, i cili nga viti 1912 vendosi New Delhin si kryeqytetin e ri të qeverisë së Perandorisë britanike në Indi,[17] projektoi një Rend Delhi që kishte një kapitel që paraqiste një fashë kurrizesh vertikalë me zile të varura në çdo kënd si një zëvendësim për spërdredhjet.[18] Projekti i tij për pallatin qendror të qytetit të ri, Viceroy's House, tani rezidenca presidenciale (Rashtrapati Bhavan), ishte një integrim tërësor i elementeve të Arkitekturës indiane në një ndërtesë me forma dhe proporcione klasike,[19] dhe e përdori gjerësisht këtë rend.[18] Rendi Delhi ri-shfaqet në disa ndërtesa të mëvonshme të Lutyens-it duke përfshirë ‘‘Campion Hall’’ në Oxford.[20] Të gjitha rendet e rastësishme shprehin "arkitekturën folëse" (architecture parlante) që mësohej në shkollat e Parisit, më qartësisht nga Étienne-Louis Boullée, në të cilat detajet skulpturore të arkitekturës klasike vendoseshin, për të folur simbolikisht, për të shprehur më mirë synimin e strukturës dhe zbukuronin kuptimin e saj vizual me përshtatje specifike. Kjo ide u mor fortësisht në trajnimin e Beaux-Arts architecture, rreth viteve 1875-1915.
Referime
Redakto- ^ Joseph Gwilt: The encyclopedia of Architecture: Historical, Theoretical, and Practical; redaktuar nga Wyatt Angelicus Van Sandau Papworth; Crown, 1982, ISBN 0-517-54729-5, 9780517547298
- ^ John Summerson: The Classical Language of Architecture; 1980 edition, Thames and Hudson, World of Art series, ISBN 0-500-20177-3, fq. 7-15
- ^ John Summerson: The Classical Language of Architecture; 1980 edition, Thames and Hudson, World of Art series, ISBN 0-500-20177-3, fq. 19-21
- ^ Helen Gardner, Fred S. Kleiner & Christin J. Mamiya: Gardner's Art through the Ages. Thomson Wadsworth, 2004, ISBN 0-15-505090-7, fq. 126-132
- ^ Joseph Rykwert: La colonna danzante. Sull'ordine in architettura; 2010, fq.15
- ^ Donald E. Strong: The Classical World, Paul Hamlyn, London, 1965, fq. 38-40
- ^ Donald E. Strong: The Classical World, Paul Hamlyn, London, 1965, fq. 35
- ^ Banister Fletcher: A History of Architecture on the Comparative method; 2001. Elsevier Science & Technology. ISBN 0-7506-2267-9, fq. 93-97
- ^ Joseph Rykwert: La colonna danzante. Sull'ordine in architettura; 2010, fq. 248 e në vazhdim.
- ^ H. Burns & H. Gunthers: 24éme Colloque International d'Etude Humanistes; Tours, 1981
- ^ Julian Small: "The five orders of classical architecture" Arkivuar 30 tetor 2019 tek Wayback Machine.
- ^ David Watkin: Introduction to the Canon of the Five Orders of Architecture; përkthyer në anglisht nga John Leeke, ribotim i versionit të vitit 1699, N.Y., 2011
- ^ "BOOKS ON ARCHITECTURE". Arkivuar nga origjinali më 15 shtator 2014. Marrë më 3 qershor 2016.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Asher Benjamin: The American Builder's Companion: Or, a System of Architecture Particularly Adapted to the Present Style of Building; 1827, Dover Publications, isbn 978-0-486-22236-3
- ^ William Robert Ware: The American Vignola: A Guide to The Making of Classical Architecture; 1994, Courier Dover Publications, isbn 978-0-486-28310-4, fq. 160
- ^ United States Capitol exhibit
- ^ Roderick Gradidge: Edwin Lutyens: Architect Laureate; 1981, George Allen and Unwin, London, isbn 0-04-720023-5, fq. 69
- ^ a b Roderick Gradidge: Edwin Lutyens: Architect Laureate; 1981, George Allen and Unwin, London, isbn 0-04-720023-5, fq. 151
- ^ Elizabeth Wilhide: Sir Edwin Lutyens: Designing in the English Tradition; 2012, National Trust Books, London, isbn 9781907892271, fq. 41–42
- ^ Roderick Gradidge: Edwin Lutyens: Architect Laureate; 1981, George Allen and Unwin, London, isbn 0-04-720023-5, fq. 161
Bibliografia
Redakto- Asher Benjamin: The American Builder's Companion: Or, a System of Architecture Particularly Adapted to the Present Style of Building; 1827, Dover Publications, isbn 978-0-486-22236-3
- H. Burns & H. Gunthers: 24éme Colloque International d'Etude Humanistes, Tours 1981.
- Ephraim Chambers: Cyclopædia: or, An Universal Dictionary of Arts and Sciences (në dy volume), London, 1728.
- Banister Fletcher: A History of Architecture on the Comparative method; 2001. Elsevier Science & Technology. ISBN 0-7506-2267-9.
- Helen Gardner, Fred S. Kleiner dhe Christin J. Mamiya: Gardner's Art through the Ages. Thomson Wadsworth, 2004, ISBN 0-15-505090-7.
- Roderick Gradidge: Edwin Lutyens: Architect Laureate; 1981, George Allen and Unwin, London, isbn 0-04-720023-5.
- Joseph Gwilt: The encyclopedia of Architecture: Historical, Theoretical, and Practical; redaktuar nga Wyatt Angelicus Van Sandau Papworth; Crown, 1982, ISBN 0-517-54729-5, 9780517547298
- Joseph Rykwert: La colonna danzante. Sull'ordine in architettura; 2010.
- Julian Small: "The five orders of classical architecture" Arkivuar 30 tetor 2019 tek Wayback Machine.
- Donald E. Strong: The Classical World, Paul Hamlyn, London, 1965.
- John Summerson: The Classical Language of Architecture; 1980 edition, Thames and Hudson, World of Art series, ISBN 0-500-20177-3.
- William Robert Ware: The American Vignola: A Guide to The Making of Classical Architecture; 1994, Courier Dover Publications, isbn 978-0-486-28310-4.
- Elizabeth Wilhide: Sir Edwin Lutyens: Designing in the English Tradition; 2012, National Trust Books, London, isbn 9781907892271.
- Barozzi da Vignola, Giacomo, Canon of the Five Orders; përkthyer në anglisht nga John Leeke (1669), me parathënien e David Watkin, Dover Publications, N.Y., 2011