Joan Pararendësi dhe Pagëzori
Gjon Pagëzori/Shën Prodhrom[1][2] (hebr. Johanan ben Zaharja (Joani [i biri] i Zaharisë), arabisht: يحيى بن زكريا Jahja ibën Zeqirija) është një ndër figurat qendrore të Mandeizmit, Krishterimit, Islamit dhe Ungjijve.
Shën Joani (geg. Gjon) (emri Joan vjen nga heb. “Yohanan” - Perëndia është mëshirëplotë”) njihet gjithashtu edhe si “Pararendësi” (nga gr. Προδρομος Prodhromos), pra ai që “shkon (rend) përpara dhe hap rrugën” (Matth. 11:10), dhe si “Pagëzori (nga gr. Βαπτιστης Baptistis) ”, sepse pagëzoi Krishtin, me të Cilin kishte dhe lidhje farefisnore. Vetë Krishti tha për Joanin se ai është më i madhi ndër profetët (Matth. 11:9,11). Në Kishat Ortodokse, kjo figurë zë vend pas Hyjlindëses Mari, prandaj edhe ikona e tij vendoset gjithnjë pranë ikonës së Krishtit dhe Hyjlindëses Mari. Në kishën katolike dita e 24 qershorit është festa përkujtimore e lindjes së Joan (Gjon) Pagëzorit. Ai është shenjt i kishës ortodokse dhe katolike. Jeta dhe predikimet e tij ndërthuren vazhdimisht me veprën e Jisu Krishtit.
Ngjizja e pazakontë dhe lindja e Joanit
RedaktoI ati i Joanit ishte Zaharia, kryeprift në Tempullin e Solomonit në Jeruzalem, ndërsa e ëma, Elisabeta, ishte kushërirë e Virgjëreshës Mari. Të dy ishin shumë shpresëtarë të devotshëm, e megjithatë kishin arritur në një moshë të shkuar, pa bërë dot asnjë fëmijë, megjithëse gjatë gjithë jetës ishin lutur shumë për një djalë. Një ditë, teksa Zaharia, teksa po shërbente në Tempull, duke blatuar temjan në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, iu shfaq Kryeengjëlli Gabriel (i njëjti engjëll, i cili iu shfaq edhe Marisë 6 muaj më pas, për t’i lajmëruar se ishte përzgjedhur për të sjellë në botë Mesinë, Krishtin, e shumëpritur).[3] Gabrieli i tha:
“Lutja jote u dëgjua, edhe gruaja jote, Elisabeta, do të të lindë djalë, dhe do ta quash emrin e tij Joan. Edhe ti do të kesh gëzim e ngazëllim; dhe shumë njerëz do të gëzohen për lindjen e tij. Se do të jetë i madh përpara Zotit... dhe me Frymë të Shenjtë do të mbushet nga barku i së ëmës” (Lluk. 1.13-15).
Zaharia dhe gruaja e tij ishin të dy të moshuar, kështu që dyshoi, për një çast, të vërtetën e fjalëve të engjëllit. Por kur do Perëndia, kapërcehet rregulli i natyrës. Në këtë mënyrë, Gabrieli i tha se do të ishte pa gojë derisa të lindte fëmija, dhe kjo si një ndëshkim, për pabesinë e tij. Kur djali lindi dhe erdhi koha për t’i vënë emrin, në ditën e tetë, Zaharia shkroi në një dërrasë emrin “Joan”, dhe atëherë i erdhi goja, sipas fjalëve të engjëllit. [4]
Jeta dhe vepra
RedaktoJoani u tërhoq në shkretëtirë, ku jetoi si asket, duke u përkushtuar në lutje. Rroba e tij ishte e ashpër, e bërë nga lëkura e devesë, dhe ushqehej me karkaleca e mjaltë të egër.
Rreth vitit 27 pas Krishtit doli nga shkretëtira dhe shkoi në brigjet e lumit Jordan, ku filloi të thërriste njerëzit në pendim: “Pendohuni, se u afrua Mbretëria e qiejve” (Mt. 3:2) dhe t’i pagëzonte.[5]
Pagëzimi i Joanit ishte më i lartë se pastrimet e përshkruara nga Ligji për njollosjet e trupit (Lev. 15). Nuk jepte faljen e mëkateve por, duke dënuar sjelljen e tyre të pabesë dhe paudhësitë me afrimin e Gjykimit hyjnor, i çonte në njohjen e mëkateve të tyre, që të pendoheshin dhe të përgatitnin zemrat që të kërkonin Atë që kishte pararendur Joani.[6] “Unë nuk jam Krishti, po se jam dërguar përpara atij.” (Joani 3:28). “Unë ju pagëzoj me ujë, tha ai duke pasur parasysh pagëzimin; por Ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i zoti t’i mbaj sandalet (d.m.th. të shpjegojë misterin e bashkimit të hyjnisë dhe të njerëzimit); Ai do të pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë dhe me zjarr” (Matth. 3:11-12; Lluk. 3:16; Mark. 1:8).
Jisui erdhi gjithashtu tek Joani e i kërkoi ta pagëzonte. Fillimisht, Joani hezitoi të pagëzonte atë, të cilin e njohu dhe e shpalli si “Qengjin e Perëndisë, që mban mëkatet e botës”, por Jisui i tha: “Lëre tani, sepse kështu duhet të përmbushim çdo drejtësi.” (Matth. 3:15). Gjatë pagëzimit të Jisuit, një zë u dëgjua prej qiellit, i cili e dëshmoi Jisuin si Birin e Tij të dashur, dhe Shpirti i Shenjtë u shfaq në formë pëllumbi. Këtu kemi shfaqjen e Trinisë së Shenjtë: Perëndia Atë nëpërmjet zërit qiellor, Biri në personin e Jisu Krishtit, dhe Shpirti i Shenjtë në formë pëllumbi.[7]
I dërguar nga Perëndia si zëri në shkretëtirë, për të shpallur dhe për të përgatitur ardhjen e Krishtit, Joani i jep fund misionit të tij duke pagëzuar Jisu Krishtin në Jordan: “Ky pra, gëzimi im u mbush. Ai duhet të shtohet dhe unë të pakësohem...” (Joan 3:30).
Joani nuk pati frikë të thërriste në pendim si të varfrit, ashtu edhe të pasurit, përfshirë sundimtarin Herod Antipa, i cili njihej për imoralitetin e tij, pasi kishte marrë për grua Herodiadën, gruan e të vëllait të vdekur, Filipit. Për këtë arsye Herodiada e urrente Joanin dhe donte të hakmerrej, sapo të gjente rastin.
Vdekja
RedaktoHerodi shtroi një gosti me rastin e ditëlindjes së tij, ku ftoi gjithë parinë e Galilesë. Gjatë gostisë, bija e Herodiadës kërceu një valle me të cilën i mahniti të gjithë të pranishmit e në mënyrë të veçantë Herodin, i cili, i entuziazmuar, i premtoi vajzës: "Kërko çfarë të duash dhe unë do të jap deri në gjysmën e mbretërisë sime". E nxitur nga e ëma, ajo i kërkoi kokën e Joan Pagëzorit.
Mbreti nuk mund që ta refuzonte premtimin që pati dhënë , dhe urdhëroi prerjen e kokës së tij.
Pas kësaj ngjarjeje, nxënësit e Joanit shkuan për të varrosur trupin e tij (Matth. 14:11). Kurse Herodiada, dha urdhër ta varrosnin kokën në një vend të padenjë, afër pallatit të Herodit në Makerontë.
Besohet se u varros në Sebasti të Samarisë, por u zhvarros më 362 nga Julian Apostati, dhe reliket e tij u shpërndanë në vende të ndryshme të botës.
Nderimi i tij
RedaktoKisha ortodokse lindore e përkujton këtë shenjtor në ditë të ndryshme të vitit, si: 23 Shtator (Ngjizjen), 24 Qershor (Lindjen), 7 Janar (Mbledhjen në nderim të tij - festa kryesore), 29 gusht (Prerja e kryes) etj.[8]
Shën Joani nderohet me fjalime, me shërbesa himnologjike, me kisha, me ikona dhe emrat e besimtarëve. Derivate të emrit Joan janë: Jani, Jovani, Gjoni, Xhovani, Xhoni etj.
Himnologjia për shenjtin
RedaktoEtërit dhe himnografët e Kishës kanë hartuar shërbesa liturgjike në nderim të shën Joan Pagëzorit, për ngjarjet e ndryshme të jetës së tij. Në shqip, disa nga këto shërbesa janë përkthyer nga Imzot Theofan Noli[9].
Përlëshorja
Redakto“I drejti kujtohet kudo me këngë, po ty tarrin
dëshmimi i Krishtit, o Pararendës dhe Pagëzor.
Se vërtet’ u tregove më i nderuari i Profetëve
se u vlerësove për nderin të pagëzosh të paralajmëruarin
Përandaj pra, u mundove për të vërtetën
dhe me gëzim lëçite në mes të ferrit
Se Krishti si njeri u çfaq mbi dhe
I cili ngre mëkatin e botës, dhe na fal përgjithnjë
mëshirë dhe shpëtim.” [10]
Shiko edhe
RedaktoReferime
Redakto- The Synaxarion: The Lives of the Saints of the Orthodox Church, Volume VI: July, August, Translated from French by: Mother Maria (Rule) and Mother Joanna (Burton), ISBN: 978-960-518-305-9, 2008.
- Nicon Patrinacos, A Dictionary of Greek Orthodoxy, Hellenic Heritage Publications, Pleasantville, NY, 10570, 1987.
- Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.I Shtator - Tetor, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2014.
- Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.III Janar - Shkurt, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2016.
- Libri Liturgjik “Kremtore e Kishës Orthodhokse”, përkthyer nga greqishtja në shqip nga Imzot Theofan Noli, Boston, Mass, 1947.
- Bibla Shqip 2018 "Së bashku", Dhiata e Re, Ungjilli i Mattheut (bible.com)
- Bibla Shqip 2018 "Së bashku", Dhiata e Re, Ungjilli i Markut (bible.com)
- Bibla Shqip 2018 "Së bashku", Dhiata e Re, Ungjilli i Llukait (bible.com)
- Bibla Shqip 2018 "Së bashku", Dhiata e Re, Ungjilli i Joanit (Gjonit) (bible.com)
Referime
Redakto- ^ Religion on the border: Sanctuaries and festivals in post-communist Albania. fq. 2.
- ^ Revue de geographie, vol. 10. fq. 214.
- ^ Heromonak, Makarios (2014). Sinaksari, Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi I Shtator - Tetor. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 229–230. ISBN 978 - 9928 - 4251 - 0 - 2.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Nicon Patrinacos, A Dictionary of Greek Orthodoxy, Hellenic Heritage Publications, Pleasantville, NY, 10570, 1987, fq 17-18
- ^ Nicon Patrinacos, A Dictionary of Greek Orthodoxy, Hellenic Heritage Publications, Pleasantville, NY, 10570, 1987, fq. 218
- ^ Hieromonak, Makarios (2016). Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.III Janar - Shkurt. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 93. ISBN 978 - 9928 - 4377 - 3 - 0.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.III Janar - Shkurt, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2016.
- ^ "Kalendari Kremtues Ortodoks 2020".
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Libri Liturgjik “Kremtore e Kishës Orthodhokse”, përkthyer nga greqishtja në shqip nga Imzot Theofan Noli, Boston, Mass, 1947, fq. 497 - 510
- ^ Libri Liturgjik “Kremtore e Kishës Orthodhokse”, përkthyer nga greqishtja në shqip nga Imzot Theofan Noli, Boston, Mass, 1947, fq. 498