Shtëpia e Katarina Josipit

monument kulture në Kosovë

Shtëpia e Katarina Josipit është një monument i trashëgimisë kulturore në Zym, Prizren, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor".

Shtëpia e Katarina Josipit
LlojiArkitekturore
VendndodhjaZymi (Prizren), Kosovë
NdërtuarShek. XX
Emri zyrtar: Monument /Ansambël
LlojiNën mbrojtje
Nr. i referencës3426

Historiku

Redakto

Kate Dulaj, apo siç njihet me emrin Katarina Josipi, u lind në vitin 1928 dhe jetoi në Zym për 5 vite. Ka qenë aktorja e parë shqiptare në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, ku punoi 20 vite, prej vitit 1949. Vdiq në vitin 1969 dhe u varros në fshatin Shëngjergj. Shtëpia e Katarina Josipit, pronë e familjes Dulaj, gjendet në veriperëndim të fshatit Zym në rajonin e Hasit, Prizren, në lagjen “Berisha”. Është ndërtuar në shekullin XIX dhe ka shërbyer për banim gjatë tërë kohës. Ajo është ndërtuar në terren të pjerrët, në suterren dhe katin përdhese. I takon tipit të shtëpive me çardak druri, i cili shtrihet në një pjesë të fasadës së katit. Themelet, muret e suterrenit dhe muret mbajtëse të katit përdhese, janë të ndërtuara prej materiali guri vendor, në formë drejtkëndëshi, me madhësi të ndryshme të lidhura me llaç balte. Stabilizimi dhe përforcimi horizontal i mureve është bërë nëpërmjet trarëve nga druri- hatullave. Muret ndarëse të përdheses janë punuar nga konstruksioni i drurit të mbushura me qerpiçë dhe konstruksion tradicional me thupra në formë gërshete, të mbushura dhe suvatuara me llaç balte. Sipërfaqja e mureve të brendshme është suvatuar dhe lyer me gëlqere. Konstruksionet e meskatit dhe të kulmit janë të punuara me trarë prej druri. Kulmi është treujor i mbuluar me pllaka guri, që është karakteristikë e këtij regjioni. Dyert dhe dritaret janë prej druri. Në suterren gjendet vetëm dhoma e zjarrit me oxhak. Në katin përdhese gjenden korridori në trajtë të çardakut dhe tri dhoma, prej të cilave njëra është dhoma e miqve. Në çardak më vonë janë vendosur dy hambarë drithi. Në pjesën e epërme, çardaku ka traun me një jastëk të profiluar. Në enterier gjenden jastëku i profilizuar, tavanet, një dollap prej druri, raftet, oxhakët, furra, hambarët e drithit, cergat, enë druri, enë dheu -vegshat, vorbat, enë dhe kusi bakri, tavolina etj. Oborri i shtëpisë ndërlidhet me kompleksin e ndërtesave të familjes Dulaj, shtëpinë e ndërtuar në vitin 1962, rrënojat e ahurit dhe disa objekte prej guri. Në vitin 2012 është hartuar projekti i restaurimit të shtëpisë, ku është paraparë shndërrimi në shtëpinë – muze të Katarina Josipit. Ndërhyrjet restauruese kanë filluar në vitin 2015, me ç’rast janë bërë përforcimet strukturale, dhe adaptimet e nevojshme në enterier. Në vitin 2019 është përuruar Shtëpia Muze e aktores Katarina Josipi.[2]

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 26 shkurt 2023. Marrë më 26 shkurt 2023. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)

Lidhje të jashtme

Redakto