Shtëpitë shkolla ishin shkolla të vendosura në shtëpi ose objekte tjera private në Kosovë, për shkak të dëbimit të nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë nga objektet e tyre legale, nga autoritetet shtetërore serbe. [1] [2]

Shtëpia shkollë e familjes Hërtica në Prishtinë
Shtëpitë shkolla të familjes Mërnica në Vushtrri
Shtëpia shkollë e Zymer Hazirit 1992

Vështrim

Redakto

Puna në shtëpitë-shkolla filloi në vitin shkollor 1991/92, kur mësimi në gjuhën shqipe u pengua në të gjitha nivelet përmes përjashtimit të nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve shqiptarë nga objektet shkolore. Projektin për mbrojtjen e arsimit në gjuhën shqipe përmes vazhdimit ë procesit edukativ dhe arsimor nëpër shtëpitë shkolla e hartoi Enti Pedagogjik i Kosovës, mbështetur nga të gjitha instancat dhe subjektet politike të Kosovës, përfshirë edhe Qeverinë e Përkohshme të Kosovës në emigrim. Strategjinë me modalitetin e arsimit në shtëpitë - shkolla dhe planet e programet mësimore për rrethanat e krijuara e miratoi Pleqësia e Arsimit të Kosovës në vitin 1991. Strategjia parashikonte zhvillimin e mësimit jashtë objekteve të uzurpuara nga autoritetet serbe, në shtëpi private, në institucione të bamirësisë, në objekte private të pashfrytëzuara, në institucione fetare etj. E para shkollë që filloi mësimin sipas kësaj strategjie ishte Gjimnazi "Xhevdet Doda" në Prishtinë, i cili filloi mësimin më 6 janar 1992 në shtëpinë e Zijadin Gashit. Në shkolla të tilla funksionuan kryesisht shkollat e mesme të Kosovës dhe njësitë e Universitetit të Prishtinës.

Shtëpitë - shkollat vazhduan të funksiononin deri më 24 mars 1999, kur filluan bombardimet e NATO-s në caqet ushtarake dhe policore serbe. Financimi i këtyre institucioneve arsimore bëhej përmes kontributeve vullnetare, përmes skemës së vetëfinancimit, përmes fondacioneve të ngritura brenda dhe jashtë vendit, si dhe të mjeteve financiare të grumbulluara nga Këshilli për Financim i Qeverisë së Kosovës në emigrim. [1] [3] [4]

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1629–1630. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  2. ^ https://ekonomiaonline.com/historite-e-ndritshme-kosovare-shtepite-shkolla/
  3. ^ https://telegrafi.com/historia-e-shtepive-shkolla-ne-kosoven-e-kohes-se-millosheviqit-video/
  4. ^ QIK (25 mars 1995). "Policia ndrhyri sërish në SHM Muharrem Bekteshi". Gazeta Bujku. fq. 15. Marrë më 2024-10-18.

Lidhje të jashtme

Redakto