Spitali i Prizrenit
Spitali i Prizrenit është i vetmi spital i përgjithshëm i nivelit sekondar në Rajonin e Prizrenit dhe është i vendosur ne pjesën jugore të qytetit, në rrugën Shehë Emini. Spitali i Prizrenit filloi punën në vitin 1915 dhe ka një traditë të pandërprerë deri me tani. Spitali i Prizrenit i shërben një popullate me një numër të përafërt prej 500.000 banorësh që i mbulon gjashtë komunat: Komuna e Sharrit, Komuna e Rahovecit, Komuna e Malishevës, Komuna e Suharekës, Komuna e Mamushës dhe Komuna e Prizrenit.[1]
Historiku
RedaktoQyteti i Prizrenit ka traditë të lashtë mjekesore. Fillimisht shërbimet ishin të pakta dhe të nivelit të ulët. Institucioni i parë mjekësor në qytetin e Prizrenit u themelua në vitin 1343, në formë të një spitali të vogël me 12 shtretër, në afërsi të Manastirit të “Shën Angjelit”. Aty shëroheshin murgjit dhe murgeshat e Manastirit, ku punonte një mjek popullor, i ardhur nga Italia.
Gjatë periudhës së pushtimit otoman, mjekësia në qytetin e Prizrenit ka kaluar nëpër shumë faza të zhvillimit, ndërsa shërimin zakonisht e kryenin mjekët popullorë. Me hapjen e Fakultetit të Mjekësisë të Stambollit, në Prizren filluan të vijnë mjekë të shkolluar, të cilët në fillim kryenin punët në shërbime shëndetësore ushtarake nga fusha e mjekësisë dhe e farmacisë.Mjeku i parë, i diplomuar në Fakultetin e Stambollit, i cili erdhi në Prizren ishte Mehmet Efendiu, ndërsa mjeku i parë i shkolluar në Falultetin e Stambollit nga Prizreni ishte Avdyl Bakiu. Spitali i parë për nevoja të popullatës në Prizren u hap në vitin 1871 dhe kishte një fond prej 100 shtretërish, i destinuar për shërimin e të sëmurëve nga sëmundjet infektive, që shënoheshin si epidemi të asaj kohe.
Elektrifikimi i qytetit në vitin 1929 krijoi parakushte për një infrastrukturë më të volitshme për krijimin e shërbimeve të reja mjekësore, ndër to edhe sallën e vogël operative, e cila u hap në vitin 1930, në të cilën kryheshin intervenimet e vogla kirurgjike. Si kirurgë të parë në Prizren kanë punuar Dr. Asim Kuleviq (punon deri në vitin 1936) dhe Dr. Ibrahim Dadiq, kirurg i cili ka zbatuar kirurgjinë universale (kirurgjia e përgjithshme, gjinekologjia) dhe operacionet i kryente me anestesion lokal, spinal dhe me anë të eterit.
Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, në muajin shkurt 1944, në Spitalin e Prizrenit nga Durrësi vjen Dr. Luciano Motroni, kirurg nga Italia, i cili dha një kontribut të madh në arsimin dhe edukimin e shumë brezave të ardhshëm të mjekëve, të cilët punuan nëpër të gjitha qendrat e Kosovës.[2] Duhet përmendur se në vitin 1966 në repartin e kirurgjisë vjen kirurgu i parë shqiptar, dr. Muhamet Guguli.
Në vitin 1946 themelohet Shërbimi për Mbrojtje nga Tuberkulozi, që udhëhiqej nga doajeni i mjekësisë kosovare, Prim. Dr. Daut Mustafa. Përveç punës së palodhshme në shërimin e të sëmurëve, ai dha një kontribut të madh dhe të rëndësishëm në aftësimin e gjeneratave të reja të infermierëve, sidomos në periudhën nga viti 1948 deri më 1951.Gjatë punës së vet të palodhshme, Dr. Daut Mustafa për 8 vite ka udhëhequr edhe Spitalin e Prizrenit, periudhë në të cilën Spitali ka arritur një zhvillim si në infrastructure, po ashtu edhe në kuadër.
Rol të rëndësishëm në zhvillimin e spitalit kanë luajtur edhe veteranët e mjekësisë prizrenase: Dr. Reshat Opoja, Dr. Talat Gorani, Dr. Sherif Besimi (pediatri), Dr. Xhemal Hyseini (interno), Dr. Durak Rada, Dr. Salajdin Jagxhiu (krahëror), Dr. Xhelal Xhibo (infektologji), Dr. Durmish Celina (epidemiologji), Dr. Sylejman Arapi (oftamologji), Dr. Ramiz Krasniqi, Dr. Jëlldëze Gorani (gjinekologji), Dr. Emrush Sagdati (radiologji) dhe shumë të tjerë.[3]
Departamentet e Spitalit
Redakto- Departamenti i Sëmundjeve të Brendshme
- Departamenti i Diagnostikës
- Departamenti i Degëve Kirurgjike
- Departamenti për Nëna dhe Fëmijëve
- Departamenti i Anestezionit me Mjeksi Emergjente
- Departamenti i Administrates dhe shërbimeve të përbashkëta
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1525. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
- ^ Krasniqi, S. (27 dhjetor 2019). "Në kujtesën e qytetit: Dr Luciaono Motroni, mjeku nga Italia që u dashurua përjetësisht me Prizrenin". prizrenisot.com. Prizreni Sot. Arkivuar nga origjinali më 6 qershor 2020. Marrë më 6 qershor 2020.
- ^ "Spitale Rajonale". QKUK. Arkivuar nga origjinali më 18 maj 2014. Marrë më 23 shkurt 2014.
Lidhje të jashtme
Redakto- Spitali i Prizrenit (faqe zyrtare) Arkivuar 16 prill 2022 tek Wayback Machine