Suzi Çelebiu i Prizrenit
Suzi Zerini i njohur edhe si Suzi Çelebiu i Prizrenit[1] apo (1455/65 - 1525)[2] ka qenë alim, poet dhe historian osman. Shquhet për poemën e tij Gazavatnam Mihaloğlu ku kumtohet pushtimi i Ballkanit nga Perandoria Osmane në shekullin e 15 dhe beteja e lavdinë e komandantit ushtarak Ali bej Mihalolli, ndër veprat më të shquara të letërsisë osmane të atij shekulli.
Biografia
RedaktoEmri i tij i vërtetë qe Muhammed Efendiu, i biri i Mahmudit, i biri i Abdullahut dhe rreth vogëlisë së tij dihet vetëm që u lind në Prizren dikur mes viteve 1455-1465, ku dhe u rrit dhe u edukua. Suzi është një pseudonim që domethënë "i zjarrtë, i flaktë".[3] I janë drejtuar gjithashtu Sûzî-i Rûmî, Sûzî-i Pürzerrînî, Mevlânâ Sûzî, Sozi Çelebi/Efendi/Baba; ndërsa emërtimi Naqshbandi Suzi tregon se ka qenë pjesë e tarikatit Nakshbandi.[3]
Ka gjasa që si jeniçer të jetë edukuar në sarajin mbretëror në Stamboll.[4] Sipas Sami Frashërit ai punoi për disa kohë si kadi, e më pas shërbeu si sekretar personal (qatib) i kreut të akinxhijve Ali bej Milahollit.[3] Njihte turqishten, arabishten dhe persishten. Ishte qatip, luftëtar, sekretar personal, poet, historian, imam, mualim (mësues), myderriz.
Më 1513 Suziu mundësoi kompleksin e parë të xhamisë me medrese (külliye) në Prizren,[5] dhe në mënyrë që të mbaheshin ekonomikisht i pajisi me një vakëf. Ai vetë i dhuroi mjaft libra kësaj shkolle, duke themeluar kësodore të parë bibliotekë orientalistike në viset shqiptare.[6]
Vepra
RedaktoNdër veprat e tij të shkruara shquhet vepra poetike-historike me titull "Libri i pushtimeve të Ali bej Mihalollit" (Gazavet name-i Ali Beg Mihalogllu), e përbërë prej 15.000 bejtesh (30.000 dyvargjesh). Libri ndahet në dy pjesë: në pjesën e parë përshkruhen fitoret e Ali Beut kundër jomyslimanëve, ndërsa në pjesën e dytë përshkruhet dashuria romantike e tij me Mejremen, të bijën e një princi të Vllahisë.[7] Ja se çka shkruan Suziu për fatin e gjeneralit hungarez, Mihaj Silagji, që ra rob i turqëve, në vitin 1460, kur Gazi Ali Beu, korri fitore të shkëlqyeshme kundër hungarezëve:[4]
"Ec, por me kujdes, mos i zgjat shumë hapat, Se në çdo hap ka mija pengesa e do të ngatërrohesh! Mos ia hap botës krahërorin, si mburojë Se do të bëhesh nishan i shigjetave qiellore, Princ, mos mendo se për gjithëmonë do të mbetet kolltuku, Sepse Husrefit fati ia hoq kurorën nga koka!"
Suzi shkroi edhe poezi didaktike-satirike. Ka mendime se Suzi Prizreni shkroi vepra edhe në gjuhën shqipe me alfabet arab.[8]
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ Elsie, Robert (2004). Historical Dictionary of Kosova (në anglisht). Scarecrow Press. fq. 176. ISBN 9780810853096.
- ^ Balla, Hasan (2000). Fishta dhe Konica për shqiptarët. Tiranë: Mokra. fq. 119. ISBN 9789992765876.
- ^ a b c Ibrahimi, Nexhat (2 prill 2012). "Suzi Prizreni, dijetar dhe bamirës i shekullit XV-XVI". zeriislam.com.
- ^ a b Kaleshi, Hasan (1976), Roli i shqiptarëve në letërsinë orientale, fq. 160
- ^ Le Gall, Dina (2005). A Culture of Sufism: Naqshbandis in the Ottoman World, 1450-1700 (në anglisht). SUNY Press. fq. 67. ISBN 9780791462454.
- ^ Egro, Dritan (2010). Schmitt, Oliver Jens; Rathberger, Andreas (red.). "Islam in the Albanian Lands (XVth-XVIIth century)". Religion und Kultur im albanischsprachigen Südosteuropa (në anglisht). Peter Lang. 4: 39.
- ^ Ka mendime sipas të cilave Gazi Ali Bej Mihalogllu ishte vet Gjergj Elez Alia.
- ^ Koliqi, Hajrullah (2002). Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar. Prishtinë: Libri shkollor. fq. 77–78.