Vendenisi ose Vindenisi është një lokalitet arkeologjik i cili ndodhet në fshatin Gllamnik, pranë lumit Llap, në komunën e Podujevës, 25 km në veri të Prishtinës. [1] [2]

Vendenisi
Lokaliteti arkeologjik në Polanicë
Mozaiku i Orfeut nga Vendenisi në Stemën e Komunës së Podujevës (Besianës)
LlojiArkeologjike
VendndodhjaGllamnik, Podujevë, Kosovë
NdërtuarRomake, Antikitet i Vonë
Emri zyrtar: Lokalitet Arkeologjik / Rezervat
LlojiNën mbrojtje
Përcaktuar0301-607/85
Nr. i referencës2121

Historiku Redakto

Në literaturën antike përmendet si Vendenis (ndonjëherë Vindenis).[2] Rëndësia e këtij lokaliteti që i takon periudhës romake (shekujt I-IV) dhe asaj të antikitetit të vonë (shekujt IV-VI), u dëshmua me rastin e gërmimeve arkeologjike të realizuara gjatë viteve 1980-86. Ndonëse gërmimet ishin mjaft modeste (u gërmuan gjithsej 534 m2 ose vetëm 2% e arealit), ato ndriçuan gjurmë të antikitetit romak ku vlen të theksohen zbulimet e veçanta siç është Mozaiku i Orfeut, unik në Ballkan dhe më gjerë. Mozaiku i Orfeut edhe në ditët e sotme gjendet në Muzeun Popullor të Beogradit dhe akoma nuk është kthyer në muzeun amë, në Muzeun e Kosovës.

Nga gjetjet më të rëndësishme në Vendenis vlen të veçohet një sarkofag tërësisht i punuar nga mermeri i bardhë (dim: 2,15 x 0,98 x 0,80 m) me çati dy ujore të stilizuar me katër akrotere në akse dhe e zbukuruar me stilin e luspave të peshkut. Supozohet se ky sarkofag bashkë me kapakun e saj peshon mbi 3 (tre) ton. Vendenisi dallohet nga lokalitetet tjera arkeologjike romake të zbuluara në Kosovë, sidomos tek ritet e varrimit biritual si me inhumacion ashtu dhe me djegie apo incernacion. Po ashtu janë gjetur edhe fragmente të shumta të enëve, poçe si dhe enë qelqi dhe një sasi e konsiderueshme e monedhave të periudhës perandorake romake. Vendenis ishte njëri nga stacionet kryesore rrugore që gjendej në trasenë e rrugës Via Lissus (Lezhë)- Naissus (Nish), dhe kjo e dëshmuar nga gjeografi grek Ptolomeu i shek. II, si dhe në hartën e famshme të Konrad Peuntingerit, shih Tabula Peutingeriane. Paraprakisht mendohet se Vendenis, ishte një stacion i rëndësishëm rrugor që lidhte para së gjithash Ulpianën, Therandën antike dhe Vicianën (Shih), me Ad Finesin - sot banja e Kurshumlisë, për të vazhduar në drejtim të Naissusit. [1]

Nga të dhënat e mëparshme, si dhe nga incizimet gjeo-fizike, mendojmë se ky lokalitetit do të duhej të jetë i shtrirë në rreth 20 hektarë sipërfaqe. Ekipi i gjeofizikantëve dhe arkeologëve (gjermanë dhe kosovarë), gjatë realizimit të matjeve gjeofizike në arealin e paracaktuar, arriti të evidenton disa gjurmë të mirëfillta të strukturave të objekteve të ndërtuara nga materialet e gurit, tullave, tjegullave dhe llaçit. Studimet e kryera me magnetometër incizuan struktura të shumta të objekteve të ndryshme për banim por vlen të veçohet një objekt i veçantë me përmasa prej 150 x 150 m dhe me trashësi të mureve prej rreth 5m, që paraprakisht na indikon në gjurmë të një Castrumi garnizoni ushtarak romak.[3] Me rëndësi të posaçme është gjetja e një fragmenti altari kushtuar DEAE DARD, çka dëshmon edhe për autonominë shpirtërore të popullatës autoktone.[2] Një artefakt interesant i gjetur në Vendenis është edhe Venera e Vendenisit, një statujë e hyjneshës Venera.

Shih edhe Redakto

Referime Redakto

  1. ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1733. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844. {{cite encyclopedia}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ a b c Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 2870 - 2871.
  3. ^ Lokaliteti arkeologjik Vindenis ‘Polanicë’ (Podujevë), Databaza e Trashegimise Kulturore të Kosoves Arkivuar 22 janar 2020 tek Wayback Machine 8.07.2016

Lidhje të jashtme Redakto

42°51′58″N 21°11′00″E / 42.865994°N 21.183222°E / 42.865994; 21.183222