Saimir Pirgu mbi skenën e Royal Opera House në Londra me Premierën e operës «Rigoletto» të Giuseppe Verdit me trion PIRGU – KEENLYSIDE – KURZAK. Tenori shqiptar me famë botërore, Saimir Pirgu, u rikthye në Operën Mbretërore të Londrës, ku bashkë me Ermonela Jahon, një dekadë më parë, këta artistë shqiptarë debutuan në këtë shtëpi operistike prestigjioze. Duke folur nga ambientet e kësaj Opere, Saimir Pirgu dha edhe një detaj interesant në planet e tij të ardhshme, në “Royal Opera House”. “Tashmë jam duke interpretuar Rigoleton në rolin e Dukës së Mantovas, një rol që unë e kam kënduar pothuajse në gjithë botën tashmë dhe jam, si të them, i shtëpisë në rolin tim. Gjithashtu do të vij përsëri në muajt Mars dhe Maj, për një premierë botërore të operës King Roger, e kompozitorit polak Shimanovski, dhe që pritet me shumë interes nga kritika dhe nga audienca, si londineze, ashtu edhe ajo botërore, sepse shfaqja bëhet premierë”, u artisti shqiptar. Tenori shqiptar do të japë tetë shfaqje në Operën Mbretërore të Londrës, në “Covent Garden”, deri në mes të Tetorit. Duka i Mantovës, i cili është edhe protagonisti kryesor i operës « Rigoletto » të G.Verdit është bërë tashmë një nga rolet më të suksesshëm të tenorit Saimir Pirgu. Ai ndodhet gjithnjë e më shpesh në krye të afisheve të teatrove më të rëndësishëm të planetit, në kopertinat e revistave më të njohura të artit e lirikës botërore, i shoqëruar me vlerësime të larta, duartrokitje e ovacione nga të katër anët e botës. Pas suksesit të madh të Saimir Pirgut në qershor të këtij viti në operën e Zyrihut, ku opera « Rigoletto » u ndoq edhe jashtë mureve të saj nëpermjet një ekrani gjigand me pjesëmarrjen e mbi 10 mijë spektatorëve që e duartrokitën me ovacione, tenori shqiptar do të ngjitet përsëri në skenën e Royal Opera Hause të Londrës. I duartrokitur tashmë dhe i respektuar nga publiku dhe kritika e mbarë botës, Saimir Pirgu konsiderohet si një nga artistët që ka patur ngjitjen më të shpejtë në karrierë në qarqet operistike dhe koncertale, duke u konsideruar sot si një nga tenorët më të shquar në peisazhin e lirikës ndërkombëtare.

  • Pas vitesh qëndrimi shembullor në Itali tenori Saimir Pirgu e shikon në përmasa monumentale formuesin dhe udhërrëfyesin e tij në art Luciano Pavarottin vlerësoi në publik këto kohë artisti që meritoi si ceremoni nderimi shtetësinë italiane dhe mediat e shkruara theksuan se kjo nuk e bën më pak shqiptar: "Jam dhe mbetem shqiptar" u shpreh ai për gazetën e njohur Il Messaggero në shkrimin e gazetares Rita Sala shoqëruar edhe me një galeri fotografike të zgjedhur të tenorit Pirgu shkëputur nga disa prej roleve të rëndësishme të tij apo nga një prej takimeve të fundit me Presidentin e Republikës Italiane Giorgio Napolitano e dirigjentin Riccardo Muti pas koncertit "Grande Guerra".ilmessaggero.it Tani thuhet në intervistën e gazetës italiane tenori Pirgu me gëzim pret vizitën e Papa Françeskut në vendin e tij: "Kjo tregon se Shqipëria, pas kaq shumë vitesh izolimi, sheh drejt Europës."

Vlerësuar për autoritetin dramatik dhe skenik të interpretimeve të tij, ai është cituar në shtypin ndërkombëtar si "një nga zërat më të bukur që mund të dëgjohen sot" (Seen And Heard International), si "një nga interpretuesit më të rëndësishme botërorë të roleve të tenorit lirik" (Opera Today) "Një yll në rritje" (Opera Now). "Interpretimi i tij vokal tingëllon spontan, krejtësisht i pa sforcuar, duke u zgjeruar vazhdimisht në një lojë intuitive dritë-hijesh me një prekje të mëndafshtë" (New York Times), "Teknika e tij është e shkëlqyer dhe cilësia lirike e zërit të tij është po kaq e bukur" (Placido Domingo), "Vetëm qielli mund të jetë kufiri i tij ”, (The New York Sun). Kompozuar në vitin 1851 brënda 40 ditëve, opera « Rigoletto » i përket triptikut gjenial verdian të periudhës së pjekurisë krijuese të autorit, së bashku me « Trovatoren » dhe « Traviaten ». Nëpërmjet muzikës sublime të Verdit dhe gjenisë krijuese të Viktor Hygosë, në të cilën është mbështetur libreti i kësaj opere shkruar nga Piave, publiku i sotëm zbulon e rizbulon mesazhe të mëdha, të cilat mbeten aktuale e të bëjnë të reflektosh seriozisht mbi abuzimin e pushtetit absolut, i cili ngjall tek njerëzit revoltën kundër padrejtësisë së kushteve sociale në të cilat mund të ndeshen shumë shtresa të shoqërisë edhe në ditet e sotme. Kush është Rigoletto e çfarë e bën këtë personazh të operistikës të kapërcejë shekujt e të jetë gjithnjë e më i kërkuar nga spektatori ? Ky personazh kompleks jeton në çdo moment me ankthin e mallkimit për gjuhën e tij të pamëshirshme ndaj viktimave të së shkuarës. Në fund të operës, mallkimi bie mbi Gildën, vajzën e tij të vetme, këtij thesari që ai e kishte kultivuar me xhelozinë më të madhe, larg botës së pamëshirshme të krimit dhe vesit. Gilda do të ishte njëkohësisht dobësia dhe ndëshkimi i tij. Ashtu si edhe viktimat e tjera, ajo do të ndiqej prej Dukës, për t’u rrëmbyer më pas me dorën e vetë Rigoletto-s, që beson në rrëmbimin e një tjetër vajze të re. Gilda zgjedh të vdesë vetë nga dora e vrasësit që kishte paguar babai i saj, për të shpetuar Dukën, njeriun që aq pafajësisht i fali dashurinë e saj. Me një zë të bukur, herë të fuqishëm e here melodioz, tenori Saimir Pirgu shpalos nëpëmjet një loje aktoriale të rrallë, tiparet e një Duke arrogant, më të paskrupullt, më mizor e më imoral se kurrë. Epshet e papërmbajtura të këtij padroni të ri duket se nuk kanë më asnjë kufi. Pirgu e njeh mirë këtë personazh dhe loja e tij rrjedh natyrshëm, duke mos e lënë indiferent spektatorin në salle. Si në aktrim, ashtu edhe në nuancat më të holla vokale, shpaloset oreksi i madh i një diktatori në pushtet për aventura të shfrenuara, të cilat e implikojnë gjithnjë e më shumë në ndërmarrje të mynxyrshme e imorale, të mbështetura nga vartësi i tij Rigoletto. Zëri i Pirgut kapërcen me mjeshtëri regjistra të ndryshëm emocionalë, duke nisur nga lirika e arieve, duetit dhe kuartetit, në elegancën e këngës « La donna e mobile » e deri në tonet më të larta të të aktit të dytë. Edlira Dedja në shkrimin e saj vlerësonte se : "Duartrokitje frenetike shoqërojnë gjithnjë Saimir Pirgun në përfundimin e kësaj opere-perlë të trashëgimisë boterore të lirikës, duartrokitje, të cilat jam e bindur që do ta ndjekin edhe në Operën Mbretërore të Londrës, mbrëmjen e dites së premte!"