Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2018/27
Luani (Panthera leo) është një prej llojeve të maceve të mëdha, që i takon gjinisë Panthera, pjesë e familjes Felidae. Me disa meshkuj që i kalojnë 250 kg në peshë, është macja e dytë më e madhe e gjallë, pas tigrit. Sot, luanë të egër jetojë në Afrikën sub-sahariane dhe në Indi (ku një popullsi e rrezikuar banon në Parkun Nacional të Pyllit të Girit). Në lashtësi, ishin të përhapur në shumicën e Afrikës, duke përfshirë Afrikën veriore, si dhe në Euroazi, nga Greqia dhe Evropa juglindore deri në Indi. Në fund të Pleistocenit, rreth 10,000 vjet më parë, luani ishte gjitari i madh tokësorë i dytë më i përhapur, pas njerëzve: Panthera leo spelaea jetonte në pjesët veriore dhe perëndimore të Evropës dhe Panthera leo atrox jetonte në Amerikë, nga Jukoni në Peru.
Në natyrë, meshkujt jetojnë 10 deri në 14 vjet, kjo për shkak të lëndimeve të marra nga luftimet e vazhdueshme me meshkujt e tjerë rivalë që reduktojnë shumë jetëgjatësinë e tyre. Në kaptivitet ata mund të jetojnë më shumë se 20 vjet. Ata zakonisht banojnë në savana dhe lëndina, edhe pse ata mund të shkojnë në shkurre dhe pyje. Luanët janë jashtëzakonisht shoqërorë në krahasim me macet tjera. Një tufë luanësh përbëhet nga femra, të quajtura luanesha, dhe këlyshë, si dhe nga një numër i vogël i meshkujve të rritur. Grupe të luaneshave zakonisht gjuajnë së bashku, kryesisht thundrakë të mëdhenj. Luanët janë grabitqarë gjahtarë, si dhe kafshë që ushqen me kërma. Edhe pse zakonisht luanët nuk gjuajnë njerëz, disa kanë gjuajtur. Duke fjetur kryesisht gjatë ditës, luanët janë aktivë gjatë natës, si dhe ndonjëherë gjatë muzgut. Megjithëse luani është nje grabiqar mjaft i madh, tigri cilësohet më i madh dhe më i fortë se ai.