Shëtitorja dykatëshe në Apolloni (Stili dorik dhe jonik - Shek. IV - III p.e.s.

Arsimi dhe edukata tek ilirët janë nocione dhe koncepte nga fusha e historisë së arsimit dhe mendimit pedagogjik me të cilat nënkuptohet tërësia e formave, organizimeve dhe institucioneve arsimore, edukative dhe shkollore tek ilirët. Duke u mbështetur në hulumtimet dhe zbulimet më të reja shkencore historike, arkeologjike, epigrafike (mbishkrimore), linguistike (gjuhësore), paleografike, etj. është bërë e mundur edhe rikonstruktimi i sistemit arsimor dhe edukativ te ilirët. Në përgjithësi ai është zhvilluar duke u nisur nga një sistem informal dhe familjar i edukatës dhe arsimit drejt një sistemi të organizuar, institucional dhe formal arsimor dhe edukativ.

Ilirët ishin një popull i lashtë i Gadishullit Ballkanik dhe njëri ndër popujt më të lashtë të Evropës. Me sa dihet deri më sot, ata për herë të parë i përmend historiani grek Herodoti në shekullin V p.e.s. Pikërisht në këtë periudhë kohore, ilirët hynë në dritën e historisë si një popull, që dallohej për fizionominë e tij etnike, për zhvillimin e tij kulturor e politik, në mes të popujve të Ballkanit. Territori në të cilin banonin ilirët, nga autorët grek dhe romak është quajtur Iliria. Sipas tyre, ilirët "në epokën parahistorike dhe historike kanë banuar në një rajon të gjërë që nga lindja mbyllet nga Deti Adriatik dhe Deti Jon, në veri nga Alpet Lindore dhe lumi i Dravës, në lindje lumenjt Danubi, Morava dhe Vardari, ndërsa në jug Epiri, Malet e Pindit dhe vise të tjera helene. Përveç kësaj, mund të flitet me mjaft siguri për praninë e elementeve ilire edhe në Greqi, Azinë e Vogël dhe Itali. Ata ishin fqinjë të grekëve antikë me të cilët për shekuj të tërë bashkëjetuan si dy popuj dhe si rezultat i kësaj krijuan "nënshtratin e përbashkët kulturor ballkanik".






Parapamje në vitrinë

Redakto