Historia e arsimit
Historia e arsimit (anglisht: History of education; gjermanisht: Bildungsgeschichte) është një disiplinë shkencore e pedagogjisë. Ajo përmbledh një pasqyrë historike të koncepteve të ndryshme edukative e arsimore e të cilat duhet të përfaqësohen në kontekstin përkatës social dhe kulturor.
Historia e arsimit merret me studimin e lindjes dhe të zhvillimit të edukatës, arsimit dhe të mendimit pedagogjik në të kaluarën e shoqërisë njerëzore, duke filluar prej të kaluarës më të largët e deri te e kaluara më e afërt e saj.[1] [2] Ajo ndahet në dy nëndegë e që janë:
- Historia e arsimit dhe pedagogjisë botërore, dhe
- Historia e arsimit dhe pedagogjisë kombëtare
Historia e përgjithshme e arsimit
RedaktoShkollat dhe arsimi në antikitet
RedaktoTrajtimet e para në fushën e arsimit, edukatës dhe pedagogjisë i bënë filozofët antikë, veçanërisht sofistët, si dhe Sokrati, Platoni e Aristoteli. Platoni pikëpamjet e tij mbi sistemin e edukimit dhe arsimit i paraqiti në veprën "Shteti". Shqyrtime të ngjashme dhanë edhe filozofë të tjerë, dhe të gjithë ata trajtuan vetëm arsimimin e të rinjëve të skllavopronarëve dhe drejt interesave të klasës sunduese. Pavarësisht këtij kufizimi, këto trajtime kanë çuar në zhvillimin e pedagogjisë, sepse ato janë imponuar nga nevoja për një sistem gjithëpërfshirës të arsimit, edukimit të fëmijëve nga një moshë e re dhe njerëzit të cilët do të duhej të merreshin në mënyrë profesionale me arsimin. Në Romën e lashtë u dallua sidomos Quintiliani i cili veçanërisht theksonte zhvillimin e metodave të të folurit dhe edukimin oratorik.[3]
Shkollat dhe arsimi në feudalizëm
RedaktoEpoka e feudalizmit nuk solli ndonjë ndryshim të madh në fushën e arsimit dhe pedagogjisë. Mësimdhënia në mesjetë u dominua nga mësimet e dogmave kishtare dhe figura qendrore ishte mësuesi - madje shprehja "mësuesi ka thënë" ("magister dixit") ishte parimi sipas të cilit e gjithë njohuria reduktohej vetëm në atë që thoshte mësuesi. Nevojat dhe mundësitë e fëmijës nuk ishin të rëndësishme dhe qëllimi i edukimit ishte të "përgatisë" njeriun për jetën pas vdekjes. Prandaj në përputhje më këtë "filozofi" fëmijët përgatiteshin për të qenë të bindur, dhe si mjet më i zakonshëm i arritjes së formimit të bindjeve të nxënësve përdorëshin ndëshkimet fizike.[3]
Shkollat dhe arsimi në kohën e Rilindjes
RedaktoRilindja, ndër të tjera, solli lulëzimin e arsimit dhe mendimit pedagogjik. Në këtë periudhë u shquan sidomos, Vitorino da Feltre, Erazmo i Roterdamit, Ludvig Vivesi, François Rabelais dhe të tjerë. Humanistët insistojnë veçanërisht në pasurimin e përmbajtjes mësimore që duhet të mësohet, sidomos me shkenca natyrore dhe në histori, të cilat ishin lënë pas dore në të kaluarën, në metodat e reja të arsimimit, në marrëdhënie më humane me fëmijën, nevojat dhe mundësitë e të cilëve tani bëhen më të rëndësishme, futja e edukimit të detyrueshëm fizik etj. Tomas Mori jep pikëpamjet e tij utopike mbi edukimin, dhe në këtë mënyrë shërbeu si bazë për rendin e ardhshëm socialist. [3]
Në këtë periudhë u dallua edhe pedagogu çek Jan Amos Komenski (1592-1670), i cili nuk është vetëm një teoricien i thjeshtë, por edhe një personalitet që ka kontribuar edhe në realizimin e koncepteve dhe pikëpamjeve të tij. Në idetë e tij ai shtron nevojën e arsimimit të një mase të gjerë njerëzish duke kombinuar filozofinë natyrale të Rilindjes dhe pikëpamjen materialiste të filozofit anglez Francis Bacon. Komenski mund të konsiderohet si themelues i didaktikës dhe vepra e tij "Didaktika e madhe" (anglisht: Great didactica; Latin: Didactica magna) është njëri nga tekstet e para të pedagogjisë (didaktikës). Ai është veçanërisht meritor për futjen e sistemit klasë-orë-lëndë, si dhe trajtimin e disa parimeve pedagogjike të cilat i mbështeti me argumente. Komenski gjithashtu ka shkruar një varg tekstesh që janë përdorur për një kohë të gjatë në Evropë dhe gjithashtu ka ndihmuar në organizimin e arsimit në shumë vende, si Angli dhe Suedi. Sidoqoftë, koncepti i tij pedagogjik nuk është i përjashtuar nga ndikimi i fesë, veçanërisht në fushën e edukimit moral.[3]
Historia e arsimit shqiptar
Redakto- Artikulli kryesor: Historia e arsimit shqiptar
Në trojet shqiptare prania e institucioneve arsimore dëshmohet që në periudhën antike e deri në kohën e principatave shqiptare në Mesjetë. Në vitet e pushtimit osman mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshehurazi në ato pak shkolla fetare që u lejuan të vazhdonin veprimtarinë e tyre, si në vitin 1584, në Stubëll të Kosovës, pastaj në Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632), Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), Pllanë (1639), Bilisht (1639), Dhërmi (1660), Janjevë (Kosovë) (1665), në Akademinë e Re në Voskopojë e në Medresenë e Bushatllinjëve në Shkodër, etj.
Në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare çështja e arsimit dhe shkollës shqipe u vu në qendër të vëmendjes së rilindësve tanë. Për nevojat e shkollave shqipe u botuan një varg abetaresh si ajo e Naum Veqilharxhit (1844, 1845), e Konstandin Kristoforidhit (1867, 1868), e Daut Boriçit (1869), "Allfabetarja e Stambollit" (1879) etj. Një kontribut të rëndësishëm zhvillimit të arsimit dhe të shkollsë shqipe i dha edhe "Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip" e Stambollit në krye me Sami Frashërin.[4]
Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë "Mësonjëtorja e parë shqipe" e cila me të drejtë konsiderohet si shkolla e parë kombëtare (laike) shqipe[5]; ndërsa në Prizren, (Kosovë), u ngritën "Shkolla Shqipe e Djemve" (1889)[6] dhe "Shkolla Shqipe e Vashave" (1892). Nuk vonoi shumë dhe në Manastir u organizuan dy kongrese kombëtare (1908, 1910), ku u morën vendime të rëndësishme edhe për zhvillimin e arsimit në Shqipëri. Në vitet 1908 - 1909 u hapën 15 shkolla shqipe. Më 1909 në Elbasan zhvilloi punimet Kongresi Kombëtar për Problemet e Arsimit e që njihet edhe me emrin Kongresi i Shkollave. Po në këtë vit u hap edhe Shkolla normale e Elbasanit si i pari institucion i përgatitjes profesionale të mësuesve në Shqipëri.
Me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 u krijuan kushtet për ngritjen e sistemit arsimor shtetëror edhe në Shqipëri dhe së shpejti u formua edhe Ministria e Arsimit në krye me Luigj Gurakuqin; gjuha shqipe u bë gjuhë zyrtare; u ngrit rrjeti shkollor në tërë vendin; u shtypën tekste shkollore. Gjatë Luftës së Parë Botërore u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit me qendër në Shkodër, me tri drejtori vartëse: Shkodër, Tiranë e Berat; u ngritën dy shkolla normale, Komisia Letrare Shqipe dhe një paketë tekstesh për shkollat fillore; u shtri veprimtaria arsimore edhe në Kosovë dhe trojet shqiptare në Mal të Zi. Nga ana tjetër në Krahinën Autonome të Korçës u hapën rreth 60 shkolla shqipe. Në periudhën 1920-24 u zhvilluan tre kongrese arsimore: në Lushnjë (1920, 1922) dhe në Tiranë (1924). Ngadalë u shtrua rruga për njësimin e shkollave shqipe, kombëtarizimin dhe laicizimin e tyre. Në periudhën 1920-1930 në Shqipëri u ngritën edhe një varg shkollash të tjera: Shkolla Teknike Shqiptare (1921), Instituti Femëror "Kyrias" (1925), Instituti Femëror "Nana Mbretneshë" (Tiranë) (1933), Gjimnazi "Illyricum" (1921), Gjimnazi i Shtetit (1922, Shkodër), Liceu Kombëtar (1921, Korçë), Gjimnazi i Gjirokastrës (1923), Shkolla Tregtare në Vlorë (1924), Instituti Shqiptaro-Amerikan i Kavajës (1926) etj. Mes dy luftërave botërore, arsimi fillor u bë i detyrueshëm në Shqipëri (5 vjet në fshat dhe 6 vjet në qytet) ndërsa arsimi i mesëm u shtri në qytetet kryesore të vendit. Më 1933 u bë edhe shtetëzimi i shkollave private dhe të huaja.[4]
Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore arsimi shqiptar u shtri mbi baza kombëtare edhe në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish Mbretërinë Jugosllave.
Arsimi Shqipëtar në vitet 1945-1990
RedaktoPas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri u bë Reforma Arsimore e vitit 1946 e cila përcaktoi kohzëgjatjen e arsimit të përgjithshëm në 11 vjet; arsimi fillor 4 vjet, arsimi unik 3 vjet dhe i mesmi 4 vjet. Arsimi fillor dhe ai unik u bënë të detyrueshme. Prej vitit 1963, arsimi i detyrueshëm u ngrit nga 7 në 8 vjeçar dhe arsimi i mesëm nga 11 në 12 vjet. Ashtu si në çdo fushë tjetër edhe në arsim u ndërmorën disa reforma. Hapi i parë në fushën e arsimit ishin kurset kundër analfabetizmit të cilat u përhapen në çdo cep të vendit gjatë viteve 1945-1949.
Fushata kundër analfabetizmit
RedaktoMe një popullsi prej 1.122.044 banorë të rregjistruar në 30 shtator të vitit 1945 numri i analfabetëve arrinte në 911.410 banorë ose 81% e popullsis së vendit. Gjatë vitit 1945 ishin hapur 566 kurse ku mësohej shkrim dhe lexim për 10.234 vetë. Sipas një ligji të miratuar në vitin 1949 mosha deri ne 40 vjeç detyroheshin të merrnin bazat në shkrim dhe lexim. Nga një praktikë e tillë rezultoi se mbas 5 vitesh kishin mësuar shkrim dhe lexim rreth 130.000 vetë dhe kishin mbetur 420.000 analfabet. Në vitin 1955 u shpall publikisht se ishte likuiduar analfabetizmi deri në moshën 40 vjeç. Edhe pse u punua vullnetarisht për uljen e analfabetizmit në arkiva faktohet se një pjes e popullsis nuk arriti të mësonte shkrim dhe lexim sidomos moshat e mëdha. Ky problem vazhdoi edhe në vitet më vonë.
Themelimi i shkollave
RedaktoArsimi fillor dhe 7 vjeçar
Në vitet e para të pas luftës zhvillim të madhë pati arsimi fillor. Në vitin 1946 Këshilli i Ministrave i RPSH mori masa për vënien e arsimit në jetë, nga ku u formuan Reforma Arsimore, Kuvendi Popullor dhe u dekretuan ligjet mbi “Reformën Arsimore" dhe “Arsimin fillor të detyruar". Në krahasim me vitin e parë pas çlirimit , gjatë viteve 1948-1949 shkollat fillore u shtuan me rreth 71%. Arsimi 7 vjeçar në krahasim me vitin 1945 u zgjerua me 71% për numrin e shkollave dhe rreth 30% për sa i takon numrit të nxënësve. Për të plotësuar nevojat për mësues u zgjerua rrjeti i shkollave pedagogjike dhe u hap Instituti i Lartë Pedagogjik në Tiranë. Arsimi fillor i detyruar gjatë viteve 1951-1952 thuajse u realizua plotësisht.
Arsimi i mesëm
Në vitet 1946-1947 funksiononin vetëm 6 gjimnaze në Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Shkodër, Durrës dhe Vlorë. Gjithashtu dhe instituit teknik në Tiranë. Vetëm një vitë më vonë numri I gjimnazeve arriti ne 20. Zhvillime pati edhe gjatë viteve ’60 ku zhvillim kryesor mori arsimi profesional i mesëm dhe ai i përgjithshëm. U zgjerua rrjeti i shkollave tekniko-profesionale i të gjitha kategorive kudo në Shqipëri. Në vitet 1952-1953 numëroheshin 15 shkolla të ulta profesionale dhe 24 shkolla të mesme tekike dhe pedagogjike.
Arsimi i lartë
Gjatë mesit të viteve ’50 u hodhën themelet e para të shkollës së lartë. Hapja e Institutit Pedagjogjik të Tiranës në vitin 1946 shënoi hapin e parë. Në ktë institut 2 vjeçar studjoheshin degë si Gjuha dhe Letërsia Shqipe, Matematika dhe Fizika, Shkenca Biologjike , Gjeografia dhe Historia. Pas vitit 1951 u hapën institute të tjera 3 dhe 4 vjeçre për pedagogji. Në vitin shkollorë 1955-1956 të arsimit të lartë numëroheshin 6 Institute 4 dhe 5 vjeçar dhe 22 fakuktete me rreth 1957 studentë. Me deklaratë të Presidiumit të Kuvendit Popullor më 3 shtator 1957 u krijua Universiteti Shtetëror i Tiranës (USHT). USHT hapi dyert në 16 shtator të 1957s . Në vitin 1962 u krijua Universiteti Bujqësorë i Tiranës, në Kamëz.
Shih edhe
RedaktoLiteratura
Redakto- Benavot, Aaron, and Julia Resnik. "Lessons from the past: A comparative socio-historical analysis of primary and secondary education". in Joel Colton et al. eds. Educating all children: A global agenda (2006): 123–229. online
- Connell, W. F. ed. A History of Education in the Twentieth Century World (1981), 478pp; global coverage
- Cubberley, Ellwood Patterson. The History of Education: Educational Practice and Progress Considered as a Phase of the Development and Spread of Western Civilization (1920) [The history of education : educational practice and progress considered as a phase of the development and spread of western civilization online]
- Foght, H.W. ed. Comparative education (1918), compares United States, England, Germany, France, Canada, and Denmark online
- Rebecca Marlow-Ferguson, Rebecca, ed. World Education Encyclopedia: a survey of educational systems worldwide (Gage, 4 vol 2002)
- Palmer, Joy A. et al. eds. Fifty Major Thinkers on Education: From Confucius to Dewey (2001)
- Palmer, Joy A. ed. Fifty Modern Thinkers on Education: From Piaget to the Present Day (2001)
- Peterson, Penelope et al. eds. International Encyclopedia of Education (3rd ed. 8 vol 2010) comprehensive coverage for every nation
- Watson Foster, ed. The Encyclopaedia and Dictionary of Education (London: 1921, 4 vol) online free; global coverage
Referime
Redakto- ^ Peter Gray:"A Brief History of Education"www.psychologytoday.com
- ^ Timo Hoyer: Sozialgeschichte der Erziehung. Von der Antike bis in die Moderne, 2015, WBG, ISBN 978-3-534-17517-8
- ^ a b c d Hajrullah Koliqi:(1997), Historia e pedagogjisë botërore I, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, fq. 117, 149, 196 dhe 275
- ^ a b Fjalor enciklopedik shqiptar, (Vëllimi I), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 116-117.
- ^ Në rrethet profesionale e joprofesionale të historianëve të arsimit, ende vazhdojnë diskutimet nëse "Shkolla e Korçës e vitit 1887" është e para shkollë shqipe apo jo! Duke mos mohuar mësimin e gjuhës shqipe në shkolla të tjera edhe para datës 7 mars 1887, patjetër duhet ritheksuar se Mësonjëtorja e Korçës e 7 marsit 1887 vazhdon të mbetet e njohur me epitetin, "Shkolla e parë laike dhe kombëtare shqipe."
- ^ Kjo shkollë konsiderohet si shkolla e parë në gjuhën shqipe në Kosovë.