Parku i Gërmisë

Parku i Gërmisë është një park që ndodhet në Prishtinë, Kosovë. Ka një sipërfaqe prej 1126 ha. Ky park është një zonë e mbrojtur e natyrës, i shpallur nga viti 1987. Shtrihet në verilindje të kryeqendrës së Kosovës (Prishtinë) dhe përfshin një sipërfaqe prej 62 km2. Kufijtë e Gërmisë fillojnë prej kodrës së vreshtave në perëndim, pastaj në lindje të Prishtinës përmes kodrës së Mirditës deri te xeherorja e Hajvalisë e deri te rrjedha e lumit të Graqanicës, kufiri jugor shkon përmes rrjedhës së këtij lumi deri te derdhja e lumit të Busisë në të. Pika më e lartë e Gërmisë është Maja e Butosit me lartësi mbidetare prej 1050 m. Relievi i Gërmisë përbëhet prej kodrave me lartësi dhe pjerrësi të ndryshme të ndara mes tyre me hapësira të luginave të përroskave dhe lumenjve. Këtu posaçërisht veçohet lugina e lumit Vellusha e cila buron në pjesën perëndimore të kodrës së Butosit, e cila gjithashtu përfaqëson relievin më karakteristik me lartësi mbidetare 1000 m dhe me gjatësi afërsisht 8 km. Kjo pjesë shtrihet në mes të lumit të Prishtinës në veri dhe atij të Badocit në jug e që njëkohësisht paraqet nyjen hidrologjike të lumit të Prishtinës, Vellushës dhe Badocit. Përndryshe në Gërmi ekzistojnë edhe mjaft burime të cilat gjatë periudhës verore pjesërisht thahen. Sot uji i këtyre burimeve është i lidhur me një rrjet që derdhet në pishinën e Gërmisë.






Parapamje në vitrinë

Redakto