Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/48/2012
Shpallja e Pavarësisë ose Deklarata e Pavarësisë është shpallja e pavarësisë së Vilajetit shqiptar nga Perandoria Osmane. Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë. Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë.