Xhamia e Musa Khanit në Dhaka
Xhamia e Musa Khanit është një strukturë e Periudhës Mogule që gjendet në pjesën jugore të kryeqytetit të Bangladeshit, Dhaka.[1] E ndërtuar rreth fundit të shekullit të XVII ose fillimit të shekullit të XVIII xhamia ka vlera të rëndësishme historike dhe është emërtuar sipas Musa Khanit, djalit të Isa Khanit, baro-bhujanit të shuquar të Bengalit mesjetar. Struktura u ndërtua gjatë regjimit Mogul në Bengal nga djali i Musa Khanit, divani Munavar Khan.[2]
Xhamia e Musa Khanit në Dhaka | |
---|---|
মুসা খান মসজিদ | |
Informacion i përgjithshëm | |
Tipi | Xhami |
Stili arkitektural | Arkitektura Indo-Islamike, Arkitektura Mogule |
Vendndodhja | , Universiteti i Dhakës, Dhaka, Bangladesh |
Koordinatat | 23°43′36″N 90°24′03″E / 23.7268°N 90.4007°E |
Përfundimi | Rreth fundit të shek. të XVII |
Xhamia me tre kupola tashmë është e vendosur në kampusin e Universitetit të Dhakës, përkrahë "Shahidullah Hall"-it dhe mbrapa Curzon Hall-it. Ajo tani është nën kërcënim për shkak të projektit të metrosë nga Qeveria e Bangladeshit dhe është përfshirë në listën 75 strukturave që mund të përballen me pasoja serioze për shkak të projektit.[3]
Sfondi historik
RedaktoToka e Bengalit në periudhën mesjetare sundohej nga afërsisht dymbëdhjetë pronarë tokash që në histori njihen si baro-bhujanë. Baro-bhujanët drejtoheshin nga Isa Khani, një komandant mysliman raxhput, që zhvilloi një seri fushatash të suksesshme ushtarake dhe i rezistoi me sukses pushtimit mogul në Bengal deri në vdekjen e tij. Kryeqyteti i tij ishte i vendosur në Sonargaon të distriktit Narajanganxh.
Pas vdekjes së tij në vitin 1599, djali i tij, Musa Khani mori kontrollin dhe vazhdoi trashëgiminë e babait të tij për të luftuar mogulët në kufijtë perëndimorë dhe veriorë, por në vijim u mund nga gjenerali mogul Islam Khani I dhe më vonë u bë besnik i mogulëve dhe shërbeu ushtrinë mogule gjatë Fushatës së Tripurës. Musa Khani vdiq në mënyrë të natyrshme në vitin 1623 duke u varrosur në Dhaka.[1]
Xhamia kishte një tabelë mbishkrimore mbi hyrjen qëndrore, që tani mungon. Tradicionalisht i atribuohet Musa Khanit (të vdekur në vitin 1623), djali i kreut të famshëm të bara bhujanëve, Isa Khanit. Por stili arkitekturor i ndërtesës nuk përputhet me traditën e kësaj kohe. Në façadën e saj me panele, hapjet e hyrjeve nën harqe gjysmë-rreth, kupolat me supe mbi tambure tetëkëndore dhe kullat këndore me minare shtesë anash, bartin ngjashmëri më të mëdha me Xhaminë e afërt të Khvaxha Shahbazit (ndërtuar në vitin 1679). Kështu, bazuar në stilin ndërtimor, xhamia duhet të jetë ndërtuar gjatë sundimit të Shaista Khanit ose edhe më vonë, nga divani Manavar Khani, djali i Musa Khanit, në kujtim të të cilit e emërtoi Xhamia e Musa Khanit, mendim që mbështetet edhe nga A. H. Danit.[2] Ajo ndodhet pranë përkrahë varrit të Musa Khanit.[4]
Arkitektura
RedaktoXhamia është e vendosur në anën perëndimore të "Shahidullah Hall"-it në Universitetin e Dhakës dhe më pak se 500 metra nga Xhamia e Khvaxha Shahbazit. Ajo është e vendosur afër Portës Mir Xhumla (Porta e Dhakës), një nga ndërtimet më të vjetra të mogule të Dhakës, që nënkupton rëndësinë e vendit. Në veri-lindje të kompleksit ndodhet varri i Musa Khanit. I gjithë kompleksi dikur ishte i rrethuar nga një mur i jashtëm, tani i zhdukur plotësisht.[2]
Ajo përfaqëson një xhami tipike bengalezo-mogule me platformë; domethënë, një xhami me tre kupola që qëndron mbi një platformë të ngritur drejtkëndore, ku kupola qëndrore është më e madhe se dy të tjerat.[4] Si Xhamia Çoukbazar (1676) dhe disa shembuj të tjerë të këtij lloji në qytetin e Dhakës, kjo xhami përmban një seri dhomash poshtë platformës, me rafte librash në kamaret e mureve. Kjo hollësi e veçantë e ndërtesës sugjeron se ajo fillimisht duhet të jetë ndërtuar si një medrese-xhami.[2] Zoklatura me bodrum, 3.05 metra e lartë, ka përmasa të jashtme prej 17.68 m (58.0 ft) nga veriu në jug dhe 14.02 m (46.0 ft) nga lindja në perëndim. Nën platformë ndodhet një seri dhomash që tashi janë të dëmtuara keq.[1]
Platforma arrihet nga një palë shkallë të drejta në këndin jug-perëndimor nëpërmjet një portiku të thjeshtë. Me gjasa dhomat e mëdha poshtë platformës përdoreshin për banim. Hapsira poshtë platformës është organizuar në katër rreshta, ku dhomat perëndimore dhe lindore mund të hyhen së jashtmi, ndërsa dhomat e brendshme hyhen nga dhomat lindore.[4] Në anën lindore të bodrumit ndodhen tre dhoma të veçuara, secila nga të cilat hyhet nga lindja nëpërmjet një hyrje të vetme arkadë. Secila nga këto dhoma është e ndarë prapë në dy gjysma nga një hark i gjerë horizontal veri-jug. Më tej në perëndim janë tre dhoma të veçuara, secila e lidhur me lindoren nga një hyrje harkore. Dhoma më jugore, në anën lindore, ka një hapje shtesë në këndin jug-perëndimor, që çon në një kalim të ngushtë përgjatë anës jugore poshtë platformës. Të gjitha këto dhoma përmbajnë rafte librash në kamaret e murit. Në anën perëndimore poshtë platformës ndodhen tre dhoma të tjera të veçuara, secila e hapur drejtë perëndimit nga një hyrje e vetme harkore. Në këto tre dhoma, që kanë të njëjtat hollësi ndërtimore si ato të anës lindore, tani qëndrojnë disa studentë të medresesë.[2]
Tavanet e brendshëm të bodrumeve poshtë platformës fillimisht ishin të zbukuruar me rozeta radhorësh me stuko në intervale, gjurmët e të cilave gjenden akoma aty-këtu. Façada lindore e xhamisë fillimisht kishte dy panele, por tashi është bërë e thjeshtë duke e lyer me suva çimentoje kohët e fundit. Parapetet horizontale janë zbukuruar me rreshta bedenash të mbyllura. Tamburet tetëkëndore kanë si brenda ashtu dhe jashtë një rresht bedenash bazale. Të tëra kupolat kurorëzohen me funde zambakore dhe maja "kalasa". Kulmi i secilës kupolë së brendshmi është i dekoruar me një medalion të madh të pikturuar.
Xhamia, mbi gjysmën perëndimore të platformës ka një planimetri gjatësore me përmasa prej 15.91 m (52.2 ft) me 8.23 m (27.0 ft) së jashtmi dhe 13.11 m (43.0 ft) me 5.0 m (16.4 ft) së brendshmi. Strkuktura mbështetet nga katër kulla tetëkëndore në kënde, me minare shtesë në anët e tyre, që ngrihen sipër mureve horizontale të parapetit duke përfunduar me kioska me kupola në krye. Ato janë të brinjëzuara në stilin tipik bengalez. Parapetet janë të drejtë në vend të kornizës lakore të modelit para-mogul.[2]
Façada lindore ose kryesore është e ndarë vizualisht në tre seksione. Secili seksion përmban një hyrje me harqe gjysmë-rrethi, me çiftin e saj të kolonave të holla anash. Hyrja qëndrore, më e madhe se ato anësore, është vendosur në një fronton të dalë me torreta zbukuruese kufizuese. Hyrjet përputhen me tre kupolat sipër dhe janë zbukuruar me harqe kuspore. Secili nga muret veriore dhe jugore është i hapur me një hark me katër qendra. Muri perëndimor i kiblës është i zgavërt së brendshmi me tre kamare gjysmë-tetëkëndore të mihrabëve, që janë të gjitha me harqe. Harku i mihrabit qëndror është shumë-kuspor, ndërsa të tjerët janë të thjeshtë me harqe me katër qendra. Mihrabi qëndror, më i madh se anësorët, është i dalë së jashtmi me torretat e zakonshme zbukuruese në secilën anë.[4]
Struktura është e ndarë në tre kthina të brendshme, me tre kupola bulbore me hulli, të vendosura mbi tambure. Kupolat përpjestimisht më të vogla anësore janë vendosur mbi kthinat anësore, duke u vendosur mbi një pendentiv. Nga tre kthinat në brendësi të xhamisë, qëndrorja është më e madhe dhe katrore, me secilën anë 4.88 m (16.0 ft). Kthinat më të vogla anësore kanë përmasa 4.88 m (16.0 ft) me 3.05 m (10.0 ft). Sipër çatisë ndodhen tre kupolat me supe mbi tambure tetëkëndore, mbi secilën kthinë. Kupola qëndrore është më e madhe se anësore dhe mbahet mbi dy harqe të gjerë lindje-perëndim bashkë me katër pendentivë të vegjël në këndet e sipërme. Kupolat krahasimisht më të vogla anësore mbahen nga harqe tradicionale gjysmë-rreth në muret lindore dhe perëndimore, këndet e sipërm janë të mbushur me pendentivë trekëndorë.[2]
Kërcënimi
RedaktoXhamia tani është një monument i mbrojtur që u restaurua dhe riparua nga Departmenti i Arkeologjisë së Bangladeshit.[4] Por tani, e gjithë ndërtesa, si brenda ashtu dhe jashtë, është e mbuluar me suva çimentoje dhe e lyer me gëlqere të bardhë, çka e ndryshon nga stili origjinal.[2] Por kjo strukturë mogule, që është një nga më të rrallat e vendit, kërcënimin më të madh ka një projekt të hekurudhës së metrosë që kalon pranë saj. Struktura është mes 75 strukturave me rëndësi historike të rrezikuara për shkak të këtij projekti.[5]
Pamje të xhamisë
|
---|
|
Shiko gjithashtu
Redakto- Isa Khani
- Dhanmondi Shahi Eidgah
- Xhamia Sat Gambuxh
- Xhamia Çoukbazar në Dhaka
- Xhamia e Kartalab Khanit
- Xhamia e Khan Mohamad Mridhas
- Xhamia e Shahbaz Khanit
- Xhamia e Shaista Khanit në Dhaka
- Husaini Dalani
- Arkada Nimtali
- Fortesa e Lalbagut
- Bara Katra
- Çhota Katra
- Arkitektura e Dhakës
- Arkitektura e Bangladeshit
- Lista e vendeve të adhurimit në Dhaka
- Lista e xhamive në divizionin e Dhakës
- Lista e monumenteve të trashëgimisë në Dhakën e vjetër
- Lista e monumenteve të rëndësishme në divizionin e Dhakës
Referime
Redakto- ^ a b c Dipan Nandi (25 gusht 2012). বারোভূঁইয়াদের শেষ স্মৃতিচিহ্ন মুসা খান মসজিদ. Jaijaidin (në bengalisht). Arkivuar nga origjinali më 16 tetor 2016. Marrë më 16 tetor 2016.
- ^ a b c d e f g h M. A. Bari (2012). "Musa Khan Mosque". përmbledhur nga Sirajul Islam; Ahmed A. Jamal (red.). Banglapedia: National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht) (bot. i 2-të). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 2 shtator 2022.
- ^ "Musa Khan Mosque" (në anglisht). dhaka.gov.bd. Portali Kombëtar i Qeverisë. 4 korrik 2015. Arkivuar nga origjinali më 19 tetor 2016. Marrë më 16 tetor 2016.
- ^ a b c d e "Musa Khan ki Masjid". Archnet (në anglisht).
- ^ Mohiuddin Alamgir (4 korrik 2015). "Disfiguring history in the name of renovation". New Age (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 16 tetor 2016. Marrë më 16 tetor 2016.
Bibliografia
Redakto- M. A. Bari (2012). "Musa Khan Mosque". përmbledhur nga Sirajul Islam; Ahmed A. Jamal (red.). Banglapedia: National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht) (bot. i 2-të). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 2 shtator 2022.
- Perween Hasan (2007). Sultans and Mosques: The Early Muslim Architecture of Bangladesh (në anglisht). London: I. B. Tauris. ISBN 978-075560988-8.
- Ishrat Islam; Allen Noble (1 mars 1998). "Mosque Architecture in Bangladesh: The Archetype and Its Changing Morphology". Journal of Cultural Geography (në anglisht). 17 (2): 5–25.
- Catherine Blanshard Asher (1984). "Inventory of Key Monuments". përmbledhur nga George Michell (red.). The Islamic Heritage of Bengal (në anglisht). Përgatigur me ndihmën e Fondacionit "Aga Khan". Paris: United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization (UNESCO). ISBN 92-3-102174-5.