Arkada Nimtali
Arkada Nimtali (e njohur në bengalisht si Nimtali Deuri) është një arkadë në Dhaka, Bangladesh që daton nga Periudha Mogule. Ishte portiku i pallatit të naib nazimit të Dhakës, nën-guvernatori i Bengal Subahut në Perandorinë Mogule. Tani, struktura është e vendosur në kompleksin e "Asiatic Society of Bangladesh" duke bujtur Muzeun e Trashëgimisë së Shoqërisë Aziatike. Është një muze publik që paraqet historinë e shekujve të XVIII dhe XIX.
Arkada Nimtali | |
---|---|
Nimtali Deuri | |
Informacion i përgjithshëm | |
Statusi | Në funksion |
Tipi | Portik |
Stili arkitektural | Arkitektura Mogule me elemente evropiane |
Vendndodhja | Bangladesh Asiatic Society of Bangladesh Rruga e Sekretariatit të Vjetër 5, Nimtali, Ramna, Dhaka, Bangladesh |
Koordinatat | 23°43′28″N 90°24′09″E / 23.7245°N 90.4024°E |
Përfundimi | 1766 |
Pronar | Shoqëria Aziatike e Bangladeshit |
Arkitektura
RedaktoArkada është një shembull i Arkitekturës Indo-Islamike. Ajo ka dy façda të dallueshme, ku në një anë, façada përfshin dy çhatri të varura të Stilit Mogul, ndërsa në anën tjetër, façada është një arkadë e madhe po e stilit mogul. Me gjasa është një evoluim i Stilit të Shaista Khanit,[1] që ishte një stil i arkitekturës mogule i veçantë për Dhakën. Megjithatë ajo mund të konsiderohet si një paraprirëse e Arkitekturës Indo-Saraçene që do të zhvillohej më vonë, duke përzier stilin mogul me atë europian.
Nga ana arkitekturore, Nimtali Deuri është një ndërtesë dy katëshe e depërtuar nga një arkadë e madhe që çonte te kompleksi i pallatit nga ana perëndimore. Ai përbëhet nga disa dhoma të madhësive të ndryshme bashkë me një sallë të madhe në katin e parë. Është zbukuruar me dritare gotike "orielë", çati të sheshta mbi dërrasa dhe trarë druri, grila veneciane, suva me pluhur tullash etj.
Ndërtesa dy katëshe shumëkëndëshe në anën lindore nga veriu në jug është 15.20 m (49.9 ft) e gjatë, ndërsa përgjatë anës perëndimore është 8.13 m (26.7 ft) e gjatë në anën perëndimore. Një kalim i gjerë, i harkuar 5 m (16 ft) i gjerë kalon nga lindja në perëndim. Në katin përdhes ndodhen dy dhoma në anën veriore të kalimit, ndërsa në anën jugore gjendet një dhomë dhe një palë shkallë që të çojnë në katin e sipërm. Dhoma në anën jugore të kalimit dhe një nga dhomat në anën veriore është 3.38 metra katrorë secila, ndërsa dhoma në anën perëndimore të rreshtit jugor është 2.74 m (3.00 yd) me 1.82 m (1.99 yd). Dy dhomat katrore në katin e sipërm janë 3.38 m (3.70 yd) në secilin krahë. Dhoma e madhe e sallonit në anën lindore në katin e dytë është 13.75 m (15.04 yd) me 8.30 m (9.08 yd) dhe ana një 8.22 m (8.99 yd) me 4.14 m (4.53 yd). Ka një verandë të hapur në anën ballore (perëndimore) të këtyre dy dhomave me një lartësi prej 2 m (2.2 yd) nga niveli i dyshemesë, ndërsa ka përmasa 3.68 m (4.02 yd) me 1.70 m (1.86 yd).
Historia
RedaktoPallati Nimtali
RedaktoPallati Nimtali ishte rezidenca e familjes së naib nazimit (nën-guvernatori) i Dhaka-Niabatit (Divizioni i Dhakës) në shekujt e XVIII dhe XIX. Kur kryeqyteti i Subah-i-Bangala-s u zhvendos nga Dhaka për në Murshidabad rreth vitit 1717, Dhaka u bë selia e nën-guvernatorit të një divizioni që përfshinte afërsisht pjesën më të madhe të Bangladeshit të tanishëm. Divizioni i Dhakës mbulonte pjesë të mëdha të Bengalit lindor, duke përfshirë Dhakën e tanishme, Komillën, Noakhalin dhe Çitagongun. Divizioni i Dhakës ishte një nga burimet më të mëdha të të ardhurave për Perandorinë Mogule, duke përfshirë oborrin perandorak në Delhi dhe oborrin e navabit të Bengalit në Murshidabad. Naib nazimët ishin përgjegjës për mbledhjen e të ardhurave, marrëdhëniet me kompanitë e huaja tregtare dhe për Marinën Mogule.
Nën-guvernatori, zakonisht një aleat i ngusht i navabit, qëndronte në një nga shumë pallatet ose fortesat e braktisura të Dhakës. Në 1763, kur oficeri i ushtrisë britanike lejtnant Swinton e zaptoi qytetin, navabi Xhasarat Khan, naib nazimi që jetonte në fortesën kryesore të Dhakës (burgu i tanishëm qëndror), nuk ishte në Dhaka. Ai atëherë ishte i burgosur i navabit Mir Qasim në Bihar.
Navabi Mir Qasim mësoi rreth rolit të Xhasarat Khanit në shpëtimin e britanikëve në Dhaka gjatë armiqësisë së tij me britanikët, duke shpërfilluar urdhërat e navabit Siraxhudaula, ndërsa urdhëroi divanin Muhamad Beg ta burgoste atë. Xhasarat Khani u arratis nga Dhaka, por më pas u kap dhe u çua në Munghir të Biharit, ku u mbajt në burg. Sulmi i lejtnant Swinton-it mbi Dhakën në fakt u ndërmor për të shpëtuar nën-guvernatorin miqësor. Swinton-i e bëri rezidencën e tij në fortesën e vjetër.
Në 1765, Lord Clive, duke kujtuar shërbimet e shkuara të Xhasarat Khanit rekomandoi, me miratimin e Këshillit të Kalkutës së navab Nazmudaulas ta ricaktonte Xhasarat Khanin naib nazim të Dhakës. Khani në vijim u rikthye në Dhaka. Me të mbërritur në Dhaka, ai gjeti se rezidenca e tij ishte zënë nga britanikët dhe kështu u vendos te Bara Katra, një pallat tjetër i vjetër i mogulëve. Swinton-i shpejt u udhëzua nga Këshilli i Kalkutës të ndërtonte një rezidencë të re për naib nazimin. Ndërtimi i një pallati të ri në lagjen Nimtali u përfundua shpejtë brenda vitit.
Pallatit Nimtali që u ndërtua në vitin 1766, pasi Kompania Britanike e Indisë Lindore mori divanin e Dhakës në 1765 dhe nëpërmjet tij administrimin e Dhakës. Ata caktuan lejtnantin Archibald Swinton për të vepruar si administrator i Dhaka Niabatit ose Divizionit të Dhakës që atëherë ishte nën një naib nazim ose nën-guvernator. Naib nazimët e Dhakës jetonin në Fortesën e Dhakës (Burgu i tanishëm Qëndror).
Swinton zgjodhi lagjen Nimtali në veri të qytetit si vendin për pallatin e ri. Nuk dihet me saktësi si u projektua dhe planifikua ndërtimi, por mund të konsiderohet me siguri se Swinton-i luajti një rol të rëndësishëm në këtë projekt. Në këtë mënyrë u ndërtuan ky pallat, i pari i llojit të tij i ndërtuar gjatë kohës së Kompanisë Britanike të Indisë Lindore, si me elemente mogule ashtu edhe britanike në planimetrinë dhe zbatimin e tij. Për këtë përgjithësisht thuhet se nga ana arkitekturore ai paraqet një karakter shekullar Indo-Britanik.
Vetëm portiku i pallatit ka mbijetuar deri në ditët e sotme, i quajtur Nimtali Deuri në bengalisht.[2] Arkada është paraqitur në shumë piktura të artistëve europian gjatë Sundimit Britanik. Charles D'Oyly e paraqet arkadën në veprat e tij. Në mjaft tekste dhe piktura historike, ai është paraqitur si pjesë e Pallatit të navabit të Dhakës.
Pallati i humbur Nimtali zinte një sipërfaqe të konsiderueshme në anën veriore të qytetit mes Nimtali Mahallës dhe Ndërtesës sëe Gjykatës së Lartë dhe përbëhej nga disa struktura të veçanta dhe një amalgamë ndërtesash. Vendi ishte pak në periferi të qytetit, i rrethuar kryesisht nga pyje. Nuk është e mundur të jepet një përshkrim i saktë i këtyre strukturave pasi asnjë raportim bashkëkohës os planimetri e vendit nuk ka mbijetuar. Megjithatë, mund të hamendësohet, duke gjykuar nga portiku ekzistues, Nimtali Deuri, se ai ishte ndërtuar sipas projekteve të zakonshme mogule të pallateve me mjaftë portikë, oborret të brendshme, rezidenca private, vende lutjeje, depozita ose ujëmbledhës, barraka për ushtarët dhe zona për stafin, kopështe dhe kështu me radhë. Për sa kohë që pallati ishte rezidenca e naib nazimit ai lujti një rol domethënës në jetën socio-kulturore të Dhakës.
Një kanal i ngusht uji që rridhte nga veriu dhe merrte ujë nga lumi Kamalapur në lindje formonte sistemin e furnizimit me ujë të pallatit. Kishte edhe një depozitë të madhe të quajtur "Navabi Dighi" (mbijeton akoma dhe mund të gjendet midis sallave Fazlul Huk dhe Shahidullah të Universitetit të Dhakës) dhe xhamisë Navabi Masxhid, një strukturë një-kupolëshe në jug të kompleksit të tanishëm të Shoqërisë Aziatike.
Për sa kohë pallati qëndroi si rezidenca e naib nazimit, ai lujti shumë role domethënëse jetën shoqëore dhe kulturore të Dhakës. Ai shërbeu si qendër e kulturës mogule në Dhaka, duke patronazhuar muzikën dhe kërcimin klasik, pikturën dhe artet apo artizanatet e tjera. Një ngjarje plotë ngjyra që zhvillohej aty rregullisht ishte procesioni i Eid-it i zhvilluar gjatë festimit të Eid-ul-Fitrit, që zakonisht niste nga Arkada Nimtali dhe pasi parakalonte pjesë të ndryshme të qytetit, përfundonte prapë aty.
Peshkopi Heber, që e vizitoi Dhakën në 1824, la një përfshkrim të kompleksit të pallatit, që ai e gjeti në gjendjen të rrënuar. Ai përmend një "portik me të vërtetë të bukur, Nimtali Deuri i tanishëm, me një galeri të hapur, ku luhej nobuti, ose muzika luftarake e darkës, një shenjë e dinjitetit sovran, për të cilin navabi nuk pati kurrë një pretendim legjitim, por në të cilin qeveria vijonte ta joshte atë...” Ai përmend më tej “një sallë shumë të bukur, një tetëkëndësh të mbështetur mbi harqe gotike, me një verandë përreth tij dhe me dritare të larta gotike...”
Përveç çfarë përmendi Heberi ka pasur një dhomë me dymbëdhjetë dyer të njohur si baraduari. Thuhet se dhoma ishte caktuar për audiencat e dymbëdhjetë sardarëve (udhëheqësit) e "mahallave" të qytetit, që në kohën e audiencës e kishin zakon të hynin individualisht në sallë përmes dymbëdhjetë dyerve. Kjo sallë audiencash që dikur bujtëte Muzeun e Dhakës nga rreth vitit 1914 deri në vitin 1983 ishte pjesë e zonës rezidenciale të pedagogëve të Universitetit të Dhakës, Anvar Pasha Bhavani.
Pallati Nimtali mbeti rezidenca zyrtare e naib nazimëve deri në vitin 1843, megjithëse ata ishin të zhveshur nga pushteti i tyre që në 1822. Me konsolidimin e pushtetit nga Kompanisë së Indisë Lindore, naib nazimët e humbën gradualisht funksionin e tyre ushtarak dhe administrativ bashkë me autoritetin. Navabit, më vonë, ju dha një shumë e papërfillshme prej 6000 rupish si pension mujor. I zhveshur nga i gjithë pushteti, autoriteti, privilegjet dhe financimet ai nuk e kishte të mundur ta mirëmbante kompleksit e stërmadh të pallatit në nivelin e duhur.
Pallati Nimtali, duke përfshirë Nimtali Deurin mbijetoi gjatë kohës së naib nazimëve, por me shfuqizimin e postit në 1843, ai nisi të degradonte. Fatmirësisht Nimtali Deuri ose porta perëndimore e kompleksit të pallatit iu shmang shkatërrimit. Megjithëse koha ka vepruar mbi ndërtesën, nuk ka dëshmi të drejtpërdrejta që ai u dëmtua nga tërmeti i vitit 1897. Gjithësesi për arësye të ndryshme pjesë të ndërtesës pësuan dëmtime që më vonë u riparuan pa e marrë parasysh natyrën e tij arkitekturore. Arkada Nimtali ose portikut i jashtëm u ndërtua si një portë hyrëse nga perëndimi në Pallatin Nimtali.[3] Pushteti i tyre u dobësua gradualisht pasi Kompania Britanike e Indisë Lindore morri kontrollin në Dhaka në 1793. Naib nazimët vijuan të jetojnë të pushtetshëm, bashkë me parinë e Dhakës. Zyra e naib nazimit u shfuqizua në vitin 1843 pasi britanikët e konsoliduan pushtetin mbi Indinë. Në vijim pallati u shndërrua në rrënoja.
Disa nga banuesit e pallatit ishin navabi Hasmat Xhung dhe navabi Nusrat Xhung, nipa dhe pasues të Xhasarat Khanit. Zotëruesi i fundit i njohur ishte navabi Gaziudin, naib nazimi i fundit, i njohur edhe si "pagla" apo "navabi i marrë". Ai shkapërderdhi të gjithë pasurinë që familja zotëronte dhe jetoi një jetë shumë të shthurur dhe vdiq në vitin 1843. Që atëherë pronësia e pallatit ndryshoi mjaftë herë. Për disa kohë Kompania e mbajti kompleksin nën pronësinë e saj dhe pastaj nisi ti shiste ndërtesat dhe terrenet e saj nëpërmjet ankandeve. Mjerisht pronarët e rinj gradualisht i shkatërruan pothuajse të gjitha ndërtesat në kompleks. 'Baraduari' ndryshoi duar mjaftë herë dhe në një pikë u ble nga Maulvi Mainudin dhe nga ai Ruplal Dasi, një zamindar dhe bankier nga Dhaka. Në vitet 1880 sekti i Brahmat e Shpërblimit të Ri e vendosën selinë e tyre në rajonin e Pallatit Nimtali dhe e emërtuan atë Bidhan Palli, duke i ofruar zonës një mjedis të ri të entuziazmit shoqëror dhe fetar. Më vonë në pjesën e parë të shekullit të XX, kur kryeqyteti i ri dhe Universiteti i Dhakës po ndërtoheshin, qeveria e bleu të gjithë zonën Nimtali.
Kështu Pallati Nimtali i naib nazimëve të Dhakës dhe terrenet përreth pasi kaluan peripeci dhe pronarë të ndryshëm, në vijim u bë pronë e Universitetit të Dhakës. Portiku i vetëm i mbijetuar, tani i vendosur në kompleksin e Shoqërisë Aziatikë e të Bangladeshit, është dëshmitari i vetëm i ekzistencës së Pallatit Nimtali. Në ditët më të mira ai bujtëte shumë njerëz dhe institucione, si p.sh. zyrën dhe bibliotekën e Shoqërisë Aziatike që kur ajo u themelua në 1952 deri në 1982, kur Shoqëria u zhvendos në një ndërtesë të re pranë tij. Nimtali Deuri tashmë është nën kujdesin e "Shoqërisë Aziatike të Bangladeshit".
Shoqëria Aziatike
RedaktoMë 3 janar 1953, Ahmad Hasan Dani themeloi "Shoqërinë Aziatike të Pakistanit" ("Asiatic Society of Pakistan") në terrenin e Pallatit Nimtali.[4] Organizata u formua si një shoqëri edukimi e modeluar mbi Shoqërinë Aziatike të Bengalit. Në vitin 1972, organizata u riemërtua "Shoqëria Aziatike e Bangladeshit".
Restaurimi
RedaktoMë parë, shumë ndërhyrje të bëra në strukturën e brendshme të ndërtesës nga përdoruesit e saj, duke përfshirë Universitetin e Dhakës, Muzeun e Dhakës dhe në fund Shoqëria Aziatike nga vitet 1952 deri në 1982. Riparimet dhe ndryshimet strukturore u bënë kryesisht sipas tekave dhe nevojave të tyre. Strukturalisht, ndërhyrje të tilla i kanë ndryshuar mjaftë veçoritë arkitekturore fillestare të ndërtesës. Duke gjykuar nga gjendja e tanishme, duket se ndërtesa ishte shembulli i parë ku tiparet dhe dizajnet mogule që ndërtesa u përfshinë me stilin europian të ndërtimit. Padyshim kjo e ka bërë ndërtesën historikisht shumë domethënëse.
Mes shqetësimit publik mbi mirëmbajtjen,[5] Shoqëria Aziatike ndërmori një restaurim të gjerë të arkadës mes viteve 2009 dhe 2011. Kjo u mbështet nga Ministria e Çështjeve Kulturore të Bangladeshit me rastin e 400 vjetorit të bërjes së Dhakës qytet nën sundimin Mogul. Kostoja e restaurimit ishte 15 milionë taka të Bangladeshit.[6][7][8]
Muze
RedaktoNjë muze publik që paraqet jetën e parisë së Dhakës në shekujt e XVIII dhe XIX tani bujtet brenda tre kateve të arkadës.[9] Ai u hap në janar 2019. Kati përdhes përfshin prezantime video, rregjistrime të historisë së Dhakës dhe kushtime ndaj themeluesve të Shoqërisë Aziatike. Kati i dytë paraqet sende personale të naib nazimëve, duke përfshirë piktura, arka dhe filxhanë çaji. Kati i tretë ka koleksionin më të madh që paraqet shtrirjen kohore nga Periudha Mogule dhe ajo Britanike, duke përfshirë oborrin e naib nazimëve, porcelane, monedha, prerje të Lloyd's Evening Post, piktura, muslina dhe sende të tjera historike.
Shiko gjithashtu
RedaktoReferime
Redakto- ^ Sirajul Islam; Sajahan Miah; Mahfuza Khanam; Sabbir Ahmed, red. (2012). "Architecture". Banglapedia, National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Banglapedia Trust, Asiatic Society of Bangladesh. Marrë më 2 shtator 2022.
- ^ Sharif Uddin Ahmed (2012). "Nimtali Deuri". përmbledhur nga Sirajul Islam; Sajahan Miah; Mahfuza Khanam; Sabbir Ahmed (red.). Banglapedia: National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Banglapedia Trust, Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 11 gusht 2024.
- ^ Sharif Uddin Ahmed (2012). "Nimtali Palace". përmbledhur nga Sirajul Islam; Sajahan Miah; Mahfuza Khanam; Sabbir Ahmed (red.). Banglapedia: National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Banglapedia Trust, Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 2 shtator 2022.
- ^ Sirajul Islam; Sajahan Miah; Mahfuza Khanam; Sabbir Ahmed, red. (2012). "Asiatic Society of Bangladesh". Banglapedia, National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Banglapedia Trust, Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 2 shtator 2022.
- ^ "Nimtali Deuri falling apart" (në anglisht). The Daily Star. 17 shkurt 2008. Marrë më 2 shtator 2022.
- ^ "Asiatic Society Heritage Museum in Old Dhaka opens for public on Friday" (në anglisht). Dhaka Tribune. 4 janar 2019.
- ^ "Asiatic Society Heritage Museum opens for public on Friday" (në anglisht). New Age Bangladesh.
- ^ "How the Nimtali Deuri of Old Dhaka was restored" (në anglisht). 31 gusht 2021.
- ^ "Nimtoli Deuri becomes heritage museum in Dhaka, Bangladesh" (në anglisht). Thedailystar.net. 17 janar 2019. Marrë më 2 shtator 2022.
Bibliografia
Redakto- Sharif Uddin Ahmed (2012). "Nimtali Deuri". përmbledhur nga Sirajul Islam; Sajahan Miah; Mahfuza Khanam; Sabbir Ahmed (red.). Banglapedia: National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Banglapedia Trust, Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 2 shtator 2022.
- Sharif Uddin Ahmed (2012). "Nimtali Palace". përmbledhur nga Sirajul Islam; Sajahan Miah; Mahfuza Khanam; Sabbir Ahmed (red.). Banglapedia: National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Banglapedia Trust, Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 2 shtator 2022.