Xhamia e Sinan Pashës, Prizren

monument kulture në Kosovë

Xhamia e Sinan Pashës është një monument i trashëgimisë kulturore në Prizren, Kosovë. Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor", i miratuar me numër 1599/48.

Xhamia e Sinan Pashës, Prizren
Xhamia e Sinan Pashës
LlojiArkitektuale
VendndodhjaPrizren, Kosovë
Ndërtuar1615
Emri zyrtar: Monument
LlojiNën mbrojtje
Përcaktuar1599/48 (2012)
Nr. i referencës337

Historia

Redakto

Xhamia e Sinan Pashës ndodhet në zonën historike të Prizrenit, është ndërtuar në vitin 1615 nga Sofi Sinan Pashës - person i shquar, njeri i dijes, me pozitë të rëndësishme në administratën Osmane.

Xhamia i shërbeu nevojave fetare deri në vitin 1912. Gjatë luftërave Ballanike dhe Luftës së Parë Botërore xhamia u shfrytëzua si depo për municion nga ushtria bullgare dhe serbe. Në vitin 1919 xhamia pësoi një dëmtim të rëndë, me ç’rast është demoluar hajati i xhamisë. Me formimin e Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore në vitin 1967 filloi përkujdesja për monumentet. Kështu gjatë viteve 1968/1969 pas një renovimi xhamia shndërrohet në Muze të Dorëshkrimeve Orientale, kurse gjatë viteve 1973-1978 bëhet restaurimi dhe konservimi i pikturave murale.

Në periudhën prej 2007 - 2011 me donacionin të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA) janë bërë punimet restauro-konservuese si në enterier po ashtu edhe në eksterier. Duke u bazuar në gjurmët dhe dokumentet e vjetra është bërë rikonstruktimi i tërësishëm i hajatit, përforcimi struktural i kupolës, ndërrimi i mbulesës nga plumbi, restaurimi dhe konservimi i pikturave murale.

Në vitin 2011 xhamia e Sinan Pashës pas një periudhe të gjatë është hapur përsëri për shërbim për besimtarët. Në vitin 2013 kanë filluar punimet për rregullimin e oborrit të xhamisë, gjithashtu me donacion të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA), me ç’rast planifikohet të krijohen hapësira përcjellëse rekreative në kuadër të kompleksit të Xhamisë.[1]

Ndërtimi

Redakto

Xhamia është vendosur mbi një bazament të ngritur ku qasja nga rruga bëhet në anën veriore nëpërmjet shkallëve të gdhendura nga guri. Ka planimetri katrore me një mihrab në pjesën jug-lindore që e bën xhaminë më specifike në krahasim me xhamitë tjera në Kosovë. Është ndërtuar nga gurët lumorë të latuar, të lidhur me llaç gëlqeror, ndërsa nga ana e jashtme është veshur me gurë të gdhendur, të cilët supozohet që janë marrë nga gërmadhat e Manastirit të Kryeengjëjve.

Minarja e xhamisë është ndërtuar prej gurëve shtufe (siga), me bazë katrore dhe trung rrethor. Në pjesën e sipërme të së cilës ndodhet një sherefe.

Para hyrjes në xhami ndodhet hajati i hapur, i punuar prej guri. Hajati ka tri kupola të mbuluara me plumb të cilat mbështeten në shtylla guri me bazë rrethore. Xhamia mbulohet me një kupolë të gjerë më diametër 42.5 m. Enterieri është hapësirë unike, e ndriçuar përmes dritareve të radhitura në nivele, me kupolë të pikturuar me motive florale në tri faza. Dy fazat e para të pikturave murale u takojnë shekujve XVI-XVII të punuar me teknikën “al seko”, kurse faza e tretë i takon periudhës së shekullit XIX të punuar në stilin Barok, ku mbizotërojnë motivet me ngjyrë blu. Brendia në përbërje ka mahvilin, mimberin dhe mihrabin po ashtu të dekoruar me piktura me motive florale dhe dekorime plastike të punuara në gurë.

Në anën veriore të xhamisë, pranë shkallëve gjendet abdes'hanja e dekoruar e cila shërben për besimtarët që marrin abdes dhe shfrytëzim publik. Në anën jugore të xhamisë gjendet oborri i madh i rrethuar me mure nga guri.

Sipas tipologjisë xhamia e Sinan Pashës i takon tipit të xhamive me mihrab dhe me hajat të ndërtuar prej guri, në të cilin gjendet edhe një mihrab.

Lidhje të jashtme

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.