Xhemal efendi Naipi (Shkodër, 1 mars 1889 - Burgu i Burrelit, 1955) ka qenë kadi, myfti dhe Kryetari i parë Këshillit Kombëtar të Shqipërisë, nga 27 mars 1920 deri më 1920.[1]

Xhemal Naipi
Nënshkrim

Biografia

Redakto

Lindi në qytetin e Shkodrës, i biri i Hasan Naipit, në një familje të vjetër e të njohur qytetare, e përmendur për ushtrimin e detyrës së kadinjëve (gjyqtarëve) në kohët e Perandorisë Osmane, me lidhje të shumta fisnore e miqsore me familje në zë të qytetit. Arsimin fillor dhe të mesëm e mori në vendlindje, kurse studimet e larta i ndoqi dhe i përfundoi në Stamboll në dy degë: në teologji dhe jurisprudencë, duke i qëndruar traditës familjare. I mbrujtur si me kulturë lindore ashtu dhe perëndimore, zotëronte persishten, arabishten, turqishten, italishten dhe frëngjishten.[2]

Në vitet 1913 - 1916 qe kadi, kohë kur edhe qe kryetar i komisionit të arsimit të Shkodrës, hapi tri shkolla fillore që mbaheshin me fondet e Bashkisë. Më 1916 nga fusha e arsimit emërohet drejtor i përgjithshëm i Vakufeve, hera e parë kur ky institucion përshtatej me një realitet nacional tashmë. Ndihmoi pa u kursyer Komitetin "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës", e reflektuar kjo nga letra e 22 shkurtit 1920 që Komiteti i dërgon nga Tirana nënshkruar nga Hoxhë Kadria:[2]

Presim shumë shërbime nga kadia patriot, Z. Xhemal efendi. Te tanë janë kondend nga ai. Lutemi t'i paraqitni të falat t'ona.

Në një protestë të datës 30 janar 1919, e botuar më 31 janar 1919 në të përkohshmet "Koha e re" dhe "Populli", në mes të tjerash shprehej:[2]

A thue na shqiptarët, e sidomos shkodranët, nuk jena regjë ma me proteksione të hueja... Të na hiqen sysh ngatrrestarët e ta largojnë prej Shqipnisë zemrën e keqe që kanë, se kombi shqiptar nuk don gja tjetër, po qeverinë e vet pa proteksione.

Gjatë kohës së Mbretërisë, u zgjodh deputet i Shkodrës në Legjislaturën III (10 shkurt 1937-prill 1939). Me filliminin e luftës, u internua si anti-italian në Ceresara të Mantovës, ku u mbajt deri më 1942. Pas kthimit, u përfshi në çetat legaliste. Në nëtor 1943, në mbledhjen e Zall Herrit, u zgjodh Kryetar i Lëvizjes së Legalitetit.

Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, qëndroi i fshehur gjer më 1946. Gjatë viteve 1945-1946, iu konfiskua pasuria, kurse familja iu internua në Berat. U dorëzua me shpalljen e amnistisë. U arrestua më 7 tetor 1946, dhe me vendim nr. 218, datë 23 qershor 1947, Gjykata Ushtarake e Shkodrës e deklaroi fajtor për «pjesëmarrje në organizatë e cila ushtronte aktivitet kundër pushtetit popullor» dhe për «agjitacion e propagandë kundër pushtetit», dhe e dënoi me burgim të përjetshëm me punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile-politike për jetë dhe konfiskimin e pasurisë së tundshme e të patundshme. Njohu shumë prej kampeve të punës së detyruar në të gjithë vendin.

Vdiq në vitin 1955, në burgun e Burrelit. Është dekorua nga Presidenti i Republikës me urdhërin «Për Veprimtari Patriotike të Klasit I» (me rastin e 75 vjetorit të Kongresit të Lushnjës), si dhe me medaljen «Pishtar i Demokracisë».[3]

Referime

Redakto
  1. ^ Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 Arkivuar 13 shkurt 2009 tek Archive-It - Republika e Shqipërisë KUVENDI . Tiranë 2005
  2. ^ a b c Luli, Faik; Dizdari, Islam; Bushati, Nexhmi (1997). Në kujtim të brezave. Shkodër: Shtëpia botuese "Rozafat". fq. 309–324. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ "Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist VI (N-P)" (PDF). iskk.gov.al. Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. 2017. fq. 7-8. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)