Bajram Fevziu
Bajram Fevziu ose Fejzi (1884–1928) ishte një oficer dhe politikan i ushtrisë shqiptare që shërbeu si Shefi i 4-të i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe si Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Bashkimit të Shenjtë të Pandeli Evangjelit.[1]
Bajram Fevziu | |
---|---|
Ministri i 13-të i Punëve të Brendshme të Shqipërisë | |
Në detyrë 18 tetor 1921 – 5 dhjetor 1921 | |
Paraprirë nga | Sulejman Delvina |
Pasuar nga | Luigj Gurakuqi |
Shefi i 4-të i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare | |
Në detyrë gusht 1923 – 24 dhjetor 1924 | |
Paraprirë nga | Xhavid Leskoviku |
Pasuar nga | Gustav von Myrdacz |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 1884 Vodenë, Kolonjë, Shqipëria Osmane |
Vdiq më | 1928 Vjenë, Austri |
Marrëdhëniet | Refik Toptani (vjehërr) Blendi Fevziu (nip) |
Biografia
RedaktoBajram Fevziu lindi në mars të vitit 1884 në Vodenë, Kolonjë e sotme. Shkollën e mesme e kreu në Selanik dhe në vitin 1906 u diplomua në Akademinë e Lartë Ushtarake në Stamboll. Në vitin 1908, ai përfundoi studimet dyvjeçare në Vjenë dhe u dërgua në Kolegjin e Shtabit Ushtarak në Paris, ku qëndroi edhe për dy vjet të tjera. Ai u kthye në Shqipëri në vitin 1914 dhe u bashkua me organizatën "Krahu Kombëtar". Në vitin 1919 shërbeu si nënprefekt i Peqinit. Më 18 mars 1920, Fevziu u bë këshilltar i kryebashkiakut të atëhershëm të Shkodrës, Musa Juka. Më 14 nëntor 1920 emërohet nënprefekt në Korçë. Në vitin 1921 emërohet Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Bashkimit të Shenjtë të Pandeli Evangjelit. Gjatë periudhës 1921-1923 shërbeu si deputet duke përfaqësuar Partinë Popullore në Këshillin Kombëtar. Në vitin 1922 u emërua prefekt i Vlorës. Nga viti 1922 deri në vitin 1923, ai shërbeu si kryetar i komisionit ushtarak shqiptar pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë. Nga gushti 1923 deri në dhjetor 1924, Fevziu shërbeu si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Në vitin 1928 ai u sëmur rëndë dhe u dërgua në një spital në Vjenë për mjekim, ku përfundimisht vdiq.[2]
Referime
Redakto- ^ Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: Shtëpia Botuese "55". fq. 122. ISBN 9994356224.
- ^ Krasniqi, Afrim. Sistemet Politike në Shqipëri (1912–2008) (bot. 2nd). Tiranë: Shtypshkronja "EMAL". ISBN 978-99956-19-36-7.