Biblioteka e Elbasanit "Qemal Baholli"

Bibliotekë

Biblioteka “Qemal Baholli” është bibliotekë publike në qytetin e Elbasanit. Është përuruar më 21 korrik 1935 Arkivuar 21 shtator 2022 tek Wayback Machine[1]. Është ndërtesa e parë institucionale në shtetin shqiptar, sot institucion bibliotekë, qendër kulturore kryesore e komunitetit dhe një qendër e rëndësishme studimore e kërkimit shkencor. Biblioteka ruan dhe koleksionon trashëgiminë kulturore të shkruar të popullit shqiptar në përgjithësi dhe komunitetit elbasanas në veçanti.

Biblioteka e Elbasanit "Qemal Baholli"
Informacion i përgjithshëm
StatusiLibra, koleksione periodiku,
materiale albanologjike e balkanologjike
VendndodhjaElbasan
AdresaRruga 11 Nëntori 59
Koordinatat41°06′37″N 20°04′52″E / 41.1103138°N 20.0811899°E / 41.1103138; 20.0811899
Inauguruar1935
Kosto800 napolona ari
Uebfaqja
Faqja e bibliotekës


Biblioteka ka një karakter të dyfishtë, shkencor dhe publik. Është qendër e depozitimit dhe ruajtjes së botimeve shqip, qendër bibliografike kryesore e komunitetit, qendër studimi në fushën e bibliotekës dhe shkencës së informacionit për bibliotekat e shkollave dhe bibliotekat e qarkut, qendër për edukimin bibliotekar dhe trajnimin profesional të komunitetit, qendër e katalogizmit për publikimin e librave të komunitetit në Elbasan, qendër e shërbimit të fondit albano-balkanologjik, hyrja e lirë në informacionin e shpejtë të internetit për të gjithë përdoruesit pa dallim, qendra e digjitimit të vlerave të rralla. Biblioteka organizon aktivitete të shumta përgjatë vitit në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit.[2] Ndër vite janë organizuar takime me autorë të ndryshëm për të promovuar veprat e tyre në bibliotekën e qytetit, ndër ta është edhe takimi me shkrimtarin Ismail Kadare.[3]

Historia

Redakto
 
Biblioteka publike "Qemal Baholli" Elbasan Guidë

Biblioteka publike "Qemal Baholli" Elbasan është vepër bamirëse e Nazif Bahollit, pronar i njohur në Elbasan. Në vitin 1930, një nga djemtë e tij, Qemali, nxënës në Liceun e Korçës, humbi jetën në moshë të re. Në përkujtim të të birit, Nazifi, si patriot i madh dhe përparimtar mendoi të ngrinte në Elbasan një vepër kulturore, bibliotekë publike, duke i vënë emrin e të birit: "Qemal Baholli Arkivuar 21 shtator 2022 tek Wayback Machine"[4]. Në fillim bleu nga bashkia e qytetit të asaj kohe truallin, ku do të ngrihej godina, me një shumë prej 800 napolona ari. Kryesia e “Klubit të Intelektualëve” të qytetit falënderoi publikisht Nazif Bahollin për këtë akt, duke siguruar respekt dhe simpati."Për fat të keq, Nazifi vdiq shumë shpejt dhe veprën e tij e vijuan dy djemtë e tjerë, Hyqmeti dhe Nazmiu, të cilët patën përkrahjen e plotë të bashkisë dhe autoriteteve lokale. Lejen nga Ministria e Arsimit e dha vetë ministri Mirash Ivanaj, duke çmuar e falënderuar gjestin fisnik të vëllezërve Baholli, me një letër të veçantë. Shtypi i kohës shfaqi entuziazëm për këtë akt. Vendosja e gurit të parë në themele u bë me një ceremoni të veçantë, me fjalime nga mësuesit Vasil Llapushi, Mir Papajani dhe studenti Qamil Xhaja . Ky i fundit i bëri thirrje atdhetarisë, bujarisë së të kamurve të vendit, duke u kujtuar detyrën e shenjtë për të mos harruar popullin midis të cilit ishin rritur, kishin jetuar dhe midis të cilit ishin pasuruar. Mbas një periudhe rreth dyvjeçare, ndërtesa me një mjedis të jashtëm të gjelbëruar, ishte gati. Vëllezërit Baholli vunë në dispozicion dhe 2000 franga ari për të blerë libra. Libra dhuruan edhe intelektualë të ndryshëm të qytetit, ambasadat e huaja të akredituara në vendin tonë dhe veçanërisht Oborri Mbretëror. Në fondet e saj fillimisht u futën 1000 materiale bibliotekare. Festa e përurimit u organizua më 21 Korrik 1935. Biblioteka Publike Qendrore iu dorëzua Bashkisë duke u bërë një institucion publik në shërbim të zhvillimit kulturor të Elbasanit. Shiritin e përurimit e preu përfaqësuesi i oborrit mbretëror Z. Xhaferr bej Ypi. Dreka e festës u shtrua në "Grand Hotel". Drejtori i parë qe intelektuali Ibrahim Laçi. Ky intelektual vinte nga Biblioteka e Djelmërisë së Korçës. Si drejtues i këtij institucioni të rëndësishëm dhe si intelektual me eksperiencën e duhur, emërimi i tij në bibliotekën e Elbasanit ishte mjaft i rëndësishëm. Këshilli i saj, apo siç quhej në atë kohë, Komisioni i Bibliotekës Publike Qendrore, drejtohej nga kryetari i bashkisë Abdyl Dilaveri, me kryesinë e përbërë nga: Lef Nosi, Beqir Rusi, Tasim Myftiu, Hyqmet Baholli e Ibrahim Laçi. Këshilli i Bibliotekës siguronte të ardhura me ndihma nga donatorë të ndryshëm, intelektualë të spikatur shqiptarë, brenda e jashtë vendit. Ajo siguroi lidhje për të pasuruar fondet me përfaqësitë diplomatike shqiptare në botë. Krahas pasurimit me libra, Bibloteka rriste çdo ditë shërbimin ndaj lexuesve të qytetit dhe numrin e aktiviteteve të saj. Me ambiente e kushte të përshtatshme, lexuesit kërkuan, që orari i bibliotekës të zgjatej më shumë për frekuentuesit. Më pas në bibliotekë u vendosën dhe objekte muzeale, në një sallë të veçantë të fondit. Kështu që mbas vitit 1936, ky institucion mori emrin " Biblioteka dhe Muzeu Qemal Baholli".

Ende sot biblioteka mban emrin "Qemal Baholli". Ajo radhitet ndër bibliotekat më të pasura të vendit për nga pasuria që zotëron. Mbas vitit 1945, fondi i saj u pasurua me bibliotekën albanologjike e balkanologjike, pronë e Lef Nosit. Fondi i albano-balkanologjisë shquhet jo vetëm për veprat e rralla, por edhe për koleksionet e fondit të periodikut të periudhës para luftës së dytë botërore. Biblioteka numëron rreth 200000 libra e koleksione periodiku, në gjuhën shqipe e të huaj që kanë hyrë në bibliotekë që në themelimin e saj deri në ditën e sotme, pas 80 vjetësh, duke pasur parasysh edhe përdorimin e madh si dhe lidhjen e dobët të librave varion tek 164 000 libra. Fondi i albanologjisë, ballkanologjisë, periodikut të para Luftës II Botërore numëron mbi 15000 libra e koleksione periodiku me vlerë. Gjatë viteve të tranzicionit biblioteka publike ruajti vlerat e saj.

Katalogët dhe klasifikimi

Redakto

Në Bibliotekën Publike "Qemal Baholli" kanë hyrë në fondet e saj rreth 200000 vëllime libra e periodikë që nga themelimi i saj. Nga këto rreth 135714 janë botime shqip, rreth 23756 janë botime në gjuhë të huaj dhe 6913 koleksione periodiku. Kjo bibliotekë radhitet ndër bibliotekat më të pasura të vendit tonë me literaturë të orientalistikës dhe fondit me vlera albano-balkanologjike. Gjithë literatura që ndodhet në bibliotekë i është nën shtruar përpunimit tekniko-bibliotekar, si dhe janë ngritur katalogët përkatës, ku pasqyrohet përshkrimi bibliografik në skedë për materialin i cili bëhet sipas standardeve aktuale të përshkrimit bibliografik.

Baza e klasifikimit të librit në bibliotekën tonë është Klasifikimi Dhjetor Universal (KDU) që është përdorur që nga viti 1968 e në vazhdim. Kriteret e sistemimit të bibliotekës i gjejmë tek z. Qamil Çelirama. Vlen për t'u përmendur që bazat e bibliotekës moderne me skedarët e saj i ka bërë ish drejtori i kësaj biblioteke z. Shpëtim Karaj. Në vitin 2006 filloi edhe shërbimi i skedës elektronike për përdoruesit. Për t'i ardhur në ndihmë lexuesve janë hartuar katalogët përkatës për gjithë literaturën që disponon biblioteka.

Katalogët janë:

  1. Katalogu alfabetik në gjuhën shqipe.
  2. Katalogu sistematik në gjuhën shqipe.
  3. Katalogu alfabetik në gjuhë të huaj.
  4. Katalogu sistematik në gjuhë të huaj.
  5. Katalogu alfabetik dhe sistematik i Albanologjisë.
  6. Katalogu alfabetik dhe sistematik i Kartotekës Krahinore.
  7. Katalogu i Periodikut Shqip. a- Para viteve 1944 (alfabetik, sistematik), b- Pas viteve 1945 e vazhdim (alfabetik e sistematik).
  8. Katalogu i Periodikut të Huaj.
  9. Katalogu topografik (alfabetik, sistematik).[5]

Koleksionet e librave dhe materialeve të tjera

Redakto

Fondi i librave që disponon biblioteka ka një vlerë të madhe për kulturën kombëtare dhe ndërkombëtare, ka një vlerë të veçantë sidomos Fondi Albano-Balkanologjik për trashëgiminë tonë kulturore. Në fondet e saj gjenden botime të hershme të librave duke filluar nga viti 1500 në gjuhën latine, frënge, arabe, turke etj, deri në ditët e sotme. Koleksionet e librave në bibliotekën tonë janë të vendosura sipas degëve të shkencave nga 0-9. Këto koleksione janë të organizuara si më poshtë:

1. Fondi i librit shqip, që përbën pjesën më të madhe të fondit libror.

2. Fondi i librit të huaj. Këto koleksione librash janë në gjuhën ruse, angleze, franceze, gjermane, italiane etj. Pjesën më të madhe, sidomos të literaturës tekniko-shkencore e zinin librat në gjuhën ruse, por pas viteve 1993-94 me ndihmat e vendeve perëndimore ky raport ka ndryshuar duke i dhënë prioritet librave në gjuhët perëndimore.

3. Fondi i albano-balkanologjisë, e cila përbën një vlerë në shkallë kombëtare. Bërthama e saj është krijuar me librat e dhuruar nga intelektuali i shquar elbasanas Lef Nosi.

4.Fondi i periodikut të vjetër, ku përfshihen koleksionet e periodikëve nga vitet 1883 deri në vitin 1944. Periodiku më i hershëm është revista “Flamuri i Arbrit" i vitit 1883, me kryeredaktor poetin e madh, nismëtarin e gjuhës së shkruar shqipe Jeronim De Rada si dhe revista "Dituria" e botuar në Kostandinopojë (Stamboll) në vitin 1884 e drejtuar nga Pandeli Sotiri, veprimtar i Shkollës Shqipe si dhe dëshmor i Rilindjes Kombëtare.

5. Fondi i periodikut koherent, ku përfshihen koleksionet e titujve kryesorë të periodikut nga viti 1945 e në vazhdim.

6. Fondi i periodikut të huaj, ku përfshihen koleksionet e periodikëve kryesisht tekniko - shkencorë në gjuhën ruse, angleze, franceze dhe gjermane.

 
Alexandrinvs Appianvs 1526, Andrea Cambini 1540, Ciceron 1560, Përshkrime të luftërave të Skënderbeut 1591, Pjetër Budi 1664.jpg

7.Fondi i librave për fëmijë që është instaluar në Qendrën Kulturore të Fëmijëve.

 
Alexandrinvs Appianvis Luftrat Iliro -Romake Botuar më 1526 në Venetia
 
Gjeografia universale e botës që përmban përshkrimet, hartat si dhe histori të vendeve të botës". Libri është botuar në Paris në vitin 1682

8. Antikuaret. Vlen për t'u përmendur që ky fond përbën një vlerë speciale dhe të rëndësishme për bibliotekën tonë, jo nga numri i koleksioneve, se sa nga përmbajtja e tyre dhe viti i botimit. Në këtë fond hyjnë librat e botuar në shekujt XVI - XVIII. Këto janë kryesisht me përmbajtje historike, filozofike, fetare etj., shumica e këtyre librave janë në gjuhën latine, franceze, italiane të vjetër, arabe, turke etj. Botimi më i vjetër që gjendet në bibliotekë është i vitit 1526 në gjuhën latine, botuar në Venecia me autor Appianvs Alexandrinvs dhe me titull "De Bellis Civilibvs Romanorvm".

9.Hartat. Në bibliotekë ka një numër të konsiderueshëm hartash.

10. Materiale jo libra. Këtu përfshihen CD, DVD, DISQE etj, të cilat përdoren për aktivitetet e ndryshme që organizon biblioteka.

11. Fondi i hapur. Këtu përfshihen libra në gjuhë të huaj dhe shqip. Ky fond i hapur ka një rëndësi të madhe për komunitetin, sepse i jep liri për zgjedhjet e tyre. Gjithashtu edukojmë komunitetin me lirinë dhe zgjedhjen e shërbimit. Në këtë fond për t'i shërbyer komunitetit me informacion bashkëkohor është edhe fondi i librit Amerikan, dhuratë nga Fondacioni Liahona.

Sasia në volume dhe koleksione

Redakto
  1. Fondi i librit shqip, 135714 ekzemplarë
  2. Fondi i libri të huaj, 23756 ekzemplarë
  3. Fondi i albano - balkanologjisë, 5161 ekzemplarë
  4. Fondi i periodikut të vjetër, 909 koleksione
  5. Fondi i periodikut koherent, 5022 koleksione
  6. Fondi i periodikut të huaj, 1606 koleksione
  7. Fondi i librit për fëmijë, 22 156 ekzemplarë
  8. Fondi i librave të dhuruar në shqip, 3023 ekzemplarë
  9. Fondi i librave të dhuruar në gjuhë të huaj, 274 ekzemplarë
  10. Antikuare, 200 ekzemplarë
  11. Harta, 15 harta
  12. Materialet jo libra, 27 copë[6]

Pasurimi i bibliotekës

Redakto

Pasurimi i koleksioneve në bibliotekën tonë realizohet në përmjet: a- blerjeve, b- dhuratave, c- donacioneve të ndryshme, d- shkëmbimeve bibliotekare (brenda dhe jashtë vendit). Pjesa më e madhe e materialeve libra në bibliotekë arrihet nëpërmjet blerjeve sipas fondit të akorduar nga bashkia e qytetit. Këto blerje bëhen në mënyrë ritmike dhe sistematike duke tërhequr titujt më kryesorë në bazë të kërkesave të lexuesve. Për këtë qëllim, biblioteka ka lidhje të ngushtë me libraritë e qytetit dhe disa shtëpi botuese. Krahas këtyre blerjeve biblioteka ka blerë edhe libra të rrallë, të vlefshëm nga persona të ndryshëm si p.sh. nga Hajri Timuri, familja e Spiro Shuteriqit, Sul Harrit, etj. (Këto blerje janë bërë para viteve 90 - të). Kjo metodë pune vlen të aplikohet edhe sot dhe e në vazhdim, sepse është konstatuar se familje të vjetra dhe me traditë elbasanase kanë biblioteka personale me vlera historike. Një formë tjetër shumë e rëndësishme për pasurimin e bibliotekës janë edhe dhuratat. Aktivitetin e saj me librin, biblioteka e ka nisur në vitin 1935. Fillimisht në fondet e bibliotekës kanë hyrë 1000 libra të dhuruar nga Oborri Mbretëror si dhe nga mjaft patriotë, intelektualë të asaj kohe që gjenden të pasqyruar në periodikun e hershëm të kohës si: familja Nosi, Vasil Llapushi, familja Baholli e shumë e shumë të tjerë. Kjo traditë e vazhdon edhe në ditët e sotme. Patriotët, intelektualët, dashamirës të librit, familjet patriotike elbasanase apo nga Shqipëria, kudo që ndodhen edhe jashtë kufijve, i dhurojnë libra bibliotekës herë-herë. Ndër këto, janë: Veniamin Deliana me banim në Gjermani, ka dhuruar libra në fushën e albanologjisë, Familja Domi i dhuroi bibliotekës një pjesë të bibliotekës personale të akademikut të madh Mahir Domi, i cili ia kishte lënë amanet familjes së tij. Gjithashtu, Ibrahim Dakli me banim në Itali i cili i ka dhuruar vazhdimisht bibliotekës libra dhe koleksionin e piktorëve me emër të Italisë, vlera këto për studiuesit e fushës përkatëse. Nexhip Ejupi, me banim në Amerikë, vazhdon të sjellë libra edhe sot së bashku me Makensen Bungo, Ingrid Zaimi me banim në Itali. Akademiku i madh Ylli Popa me dashurinë për vendlindjen si dhe bibliotekën, ku u rrit dhe u formua i ka dhuruar librat e tij në fushën e albanologjisë. Aurel Plasari i ka dhuruar botimet e tij me vlerë historike dhe albanologjike.

Edhe fondacione, shoqata e ambasada të ndryshme si: Ambasada Iraniane, Franceze, Amerikane, i kanë dhuruar libra të ndryshëm bibliotekës së Elbasanit.[7]

Orari i shërbimit për publikun

Redakto

Biblioteka është e hapur për lexuesit nga e hëna deri të shtunën. Nga e hëna deri të premten biblioteka punon nga ora 9:00-19:00 dhe të shtunën punon nga ora 9:00-13:00.

Biblioteka ka gjithsej 6 salla leximi. Salla e madhe që është njëkohësisht edhe Qendra e Librit Amerikan ka 80 vende. Salla e periodikut koherent ka 15 vende, qendra e internetit dhe e digjitalizimit si dhe e periodikut të pjesshëm të revistave ka 10 vende, salla e studimit të literaturës albano-balkanologjike ka 20 vende, salla e leximit të periodikut të vjetër me vlerë ka 8 vende. Sektori për fëmijët është i instaluar në Qendrën Kulturore të Fëmijëve.[8]

Drejtorët e bibliotekës ndër vite

Redakto
  1. Ibrahim Laçi (1934-1938)
  2. Mahmud Bordi (1938-1947)
  3. Ilo Ballto (1947-1948)
  4. Qemal Murati (1949-1951)
  5. Qamil Çelirama (Çela) (1951-1957)
  6. Behexhet Çerma (1958-1959)
  7. Agron Frashëri (1959-1960)
  8. Haki Mahmutaj (Tepelena) (1960–1962)
  9. Eleonora Topuzi (Shehu) (1962-1964)
  10. Thanas Konomi (1964-1966)
  11. Naxhije Gjorga (1966-1968)
  12. Fatush Vyshka (1969-1971)
  13. Mynever Zaimi (1971-1972)
  14. Shpëtim Karaj (1972-1976)
  15. Besa Simitçiu (1976-1984)
  16. Pranvera Dulja (1984-1991)
  17. Kujtim Bevapi (1991 -2000)
  18. Drita Cankja (2000 -2015)[9]
  19. Aida Gashi (2015-2022)
  20. Manjola Hatellari (2022)

Digjitalizimi i bibliotekës

Redakto

Biblioteka "Qemal Baholli" ka nisur procesin e digjitalizimit në vitin 2017. Së pari, është digjitalizuar fondi i albano-ballkanologjisë për nga rëndësia por, gjithashtu janë digjitalizuar edhe materialet që cilësohen si "të brishta". Me digjitalizimin biblioteka ka një hapësirë të re online për të ofruar shërbimet. Digjitalizimi, vjen si fryt i bashkëpunimit të Bashkisë së Elbasanit me Albanian Canadian Development Alternative[10]. Falë këtij bashkëpunimi, biblioteka ka faqen e saj web në të cilën pasqyrohen historiku i bibliotekës, shërbimet në bibliotekë, informacione ndihmëse, veprimtaritë, materialet e skanuara si: libra dhe periodikë, fotogaleri etj.

Gjithashtu ka filluar dhe procesi i hedhjes së bazës së të dhënave në platformën COBISS (Sistemi dhe shërbimet e përbashkëta bibliografike online), i cili është model i sistemit që përfaqëson platformën e sistemeve kombëtare bibliotekare të informacionit në Slloveni, Serbi, Maqedoni e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Bullgari, Shqipëri dhe Kosovë. Të gjitha sistemet e përmendura janë të lidhura në rrjetin rajonal COBISS.net[11].

Botime të bibliotekës

Redakto
 
Kontributi i atdhetarëve elbasanas në shtypin e kohës (Bibliografi shqipe e anotuar e periodikut të viteve 1883-1944)

Punonjësit e bibliotekës në vazhdimësi kanë realizuar botime me vlerë për qytetin e Elbasanit dhe që u vinë në ndihmë studiuesve dhe të interesuarve. Këto botime kanë evidentuar vlerat e qytetit të Elbasanit, si: personalitete të shquara, ngjarje, data historike, pika turistike e monumentale, botime me vlera të rralla etj. Në tabelën e mëposhtme janë të renditura kronologjikisht:

Titulli Përshkrimi Përgatiti Viti
Guidë Botuar me rastin e 70-vjetorit të ndërtimit të bibliotekës. Guida është në dy gjuhë dhe me foto. Drita Cankja, Pranvera Duli, Myrvet Dhono, Manola Hatellari 2004
Bibliografi e botimeve të viteve 1500 – 1800 Ky punim është botuar me rastin e 75-vjetorit të krijimit të bibliotekës. Librat e paraqitur në bibliografi janë shoqëruar me foto përkatëse dhe me shënime shkurt mbi përmbajtjen e secilit libër. Në fund, për lehtësi kërkimi, është treguesi i autoreve, treguesi i titujve të veprave pa autorë dhe treguesi i vendeve dhe personave. Myrvet Dhono, Manola Hatellari, Drita Cankja. 2009
Guidë Botuar me rastin e 70-vjetorit të ndërtimit të bibliotekës. Guida është në dy gjuhë dhe me foto me informacion të përditësuar. Drita Cankja, Myrvet Dhono, Manola Hatellari 2009
Elbasani në fokus (bibliografi tematike) Libri është botuar me rastin e 75-vjetorit të krijimit të bibliotekës. Kjo bibliografi ka renditur alfabetikisht librat e fondit të bibliotekës në të cilët shkruhet për Elbasanin dhe figura të shquara të tij. Çdo titull është shoqëruar me shënime rreth përmbajtjes Drita Cankja, Myrvet Dhono, Manola Hatellari 2009
Respekt për firmëtarët e dokumentit historik të Shpalljes së Pavarësisë në Elbasan Ky punim është botuar me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Në të, janë renditur alfabetikisht, me foto dhe me një jetëshkrim të shkurtër, të gjithë figurat e shquara të qytetit të Elbasanit që kontribuan në Shpalljen e Pavarësisë dhe nënshkruan Aktin e Pavarësisë në Elbasan. Drita Cankja, Manola Hatellari 2012
Kontributi i atdhetarëve elbasanas në shtypin e kohës (Bibliografi shqipe e anotuar e periodikut të viteve 1883 – 1944) Ky punim është botuar me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Bibliografia tematike rendit alfabetikisht të gjithë titujt e gazetave dhe revistave të kohës në të cilët autorët elbasanas shkruanin duke evidentuar problematikat e kohës, kryesisht ato të arsimit dhe kulturës, por edhe ato politike ekonomike, politike e shoqërore si dhe i bënin jehonë çështjes dhe lëvizjes kombëtare. Periodikët në këtë bibliografi janë renditur alfabetisht dhe janë shoqëruar me shënime. Drita Cankja, Manola Hatellari 2012
Biblioteka publike “Qemal Baholli” dhe historia e saj Ky punim është botuar me rastin e 80-vjetorit të krijimit të bibliotekës. Libri është konceptuar si një album ku paraqiten të gjithë drejtuesit e bibliotekës që prej krijimit të saj si dhe punonjësit ndër vite. Libri shoqërohet dhe me foto të cilat paraqesin aktivitetet e bibliotekës ndër vite. Drita Cankja, Manola Hatellari. 2014
Biblioteka publike “Qemal Baholli” Elbasan (Guidë) Ky punim është botuar me rastin e 80-vjetorit të krijimit të bibliotekës. I shkruar në dy gjuhë, (shqip dhe anglisht), ky libër paraqet të gjithë organizimin e punës në bibliotekë, historikun e tij, fondet e materialeve bibliotekare, qarkullimin, huazimin, pasurimin, automatizimin, publikimet dhe lidhjet ndërbibliotekare. Drita Cankja, Manola Hatellari 2014
  Commons: Botime të bibliotekës "Qemal Baholli" ndër vite – Album me fotografi dhe/apo video dhe materiale multimediale

Lidhje të jashtme

Redakto
  • Biblioteka "Qemal Baholli", Qendra mbarëkombëtare e koleksionistëve shqiptarë Arkivuar 21 shtator 2022 tek Wayback Machine
  • Biblioteka "Qemal Baholli", Arkivi digjital shqiptar Arkivuar 21 shtator 2022 tek Wayback Machine
  • Biblioteka "Qemal Bahooli", Arkivi digjital shqiptar Arkivuar 21 shtator 2022 tek Wayback Machine
  • Cankja, Drita; Hatellari, Manjola (2014). Biblioteka publike "Qemal Baholli" Elbasan Guidë. Tiranë: Shtëpia botuese "Onufri". ISBN 978-9928-186-18-8.
  • Biblioteka e Elbasanit

Referime

Redakto
  1. ^ "Nisja e punimeve për Bibliotekën "Qemal Baholli"". ADSH (Arkivi Digjital Shqiptar). Arkivuar nga origjinali më 21 shtator 2022. Marrë më 21 shtator 2022.
  2. ^ Cankja & Hatellari 2014, ff. 12–13.
  3. ^ Elbasani Enciklopedi (bot. 1st). Elbasan: Sejko. 2003. ISBN 9789992796214.
  4. ^ "Qemal Baholli". Q. M. K. Sh (Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë) (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 21 shtator 2022. Marrë më 21 shtator 2022.
  5. ^ Cankja & Hatellari 2014, ff. 11–12.
  6. ^ Cankja & Hatellari 2014, ff. 16–18.
  7. ^ Cankja & Hatellari 2014, ff. 18–21.
  8. ^ Cankja & Hatellari 2014, ff. 22–23.
  9. ^ Cankja & Hatellari 2014, f. 33.
  10. ^ "Albanian Canadian Development Alternative". Albanian Canadian Development Alternative (në anglisht). Marrë më 21 shtator 2022.
  11. ^ "Për rrjetin COBISS.net". www.cobiss.net. Marrë më 2023-09-18.