Pandeli Sotiri

shkrimtar shqiptar, rilindas

Pandeli Sotiri (Selckë, 1843 - Selanik, 1892) ka qenë themeluesi i Mësonjëtores së Korçës dhe një ndër rilindësit shqiptarë që kontribuan në përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe.[1]

Pandeli Sotiri
Pedagog, Publicist, Mësues
U lind më1843? ose 1852?
Selcka, Vilajeti i Janinës, Perandoria Osmane
Vdiq më1890
Selanik, Perandoria Osmane
Kombësiashqiptar

Biografia

Redakto

U lind më 1843 në Selckë të krahinës së Lunxhërisë, Gjirokastër, Shqipëri.Vilajetin e Janinës (sot Njësia administrative Pogon). Së bashku me Petro Nini Luarasin mori mësimet e para në Qestorat nga Koto Hoxhi.[2]

Sotiri qe anëtar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare të krijuar në Stamboll më 1877 dhe degëzimin e tij Shoqërinë e të shtypurit shkronja shqip.[3] Në korrik të vitit 1881 u organizua në Bukuresht një mbledhje e atdhetarëve shqiptarë të asaj kolonie, të cilët formuan Shoqërinë “Deg’ e Shoqërisë së Stambollit”. Pas krijimit të kësaj Shoqërie, shkuan në Bukuresht Jani Vretoja e Pandeli Sotiri, të dërguar nga Shoqëria e Stambollit.

Më 1884 mori përsipër botimin e të përkohshmes së parë që shkruhej krejtësisht në gjuhën shqipe, "Drita", që u botua së pari nga Petro Poga. Sidoqoftë, Sotirit iu desht të nxirrte një leje të re dhe ta riemërtonte, duke e quajtur "Dituria".[4]

Më 1887 Sotirit iu mundësua leja nga vëllezërit Frashëri që të hapte shkollën e njohur si Mësonjëtorja e Korçës, e cila u hap në shtëpinë e Mandi Terpos.[5][6] Iu desht të ikte në Greqi të njëjtin vit, duke ia lënë drejtimin shkollës zëvendësit të tij, Thanas Sinës.[7]

Sotiri vdiq më 1892, i hedhur nga kati i tretë nga grekomanët në Selanik, organizuar nga e shoqja dhe kunati i tij.[8]

Pas vrasjes së prindërve, detyrohet të largohet në Austri së bashku me vëllain e tij Koto Sotirin. Studimet e larta i kreu në Vjenë,ku u diplomua për mjekësi. Gjatë shkollimit në Austri, Pandeliu mësoi shumë nga kultura gjermane duke e zotëruar mirë atë, gjuhën frënge si dhe pa harruar dhe gjuhën shqipe. Gjithashtu edhe mësimet e marra në Qestorat nga Koto Hoxhi dhe mësues të tjerë, në shqip dhe greqisht e pajisën atë me njohuri dhe kulturë të gjuhëve të huaja. Tërë veprimtarinë e tij, Pandeliu ia kushtoi Lëvizjes për Çlirimin Kombëtar dhe ndonëse studioi për mjekësi, ai u lidh me arsimin, shkollën, publicistikën, në shërbim të asaj lëvizjeje. Kudo që shkoi në Turqi, Rumani, Egjipt, u shqua për aftësi organizative në krijimin e shoqërive të revistave që kontribuan në zhvillimin e arsimit kombëtar dhe në edukimin e vetëdijes kombëtare. Qe një nga 27 anëtarët e grupit që themeluan Shoqërinë e Stambollit. Së bashku me Jani Vreton shkoi në Bukuresht si përfaqësues i kësaj shoqërie për të ndihmuar shoqërinë e atjeshme. Me gjithë kushtet e vështira, Pandeli Sotiri punoi pa u lodhur në fushën e botimeve shkollore. Ai dha një kontribut të shquar në themelimin e Shkollës së parë Kombëtare Shqipe “Mësonjëtorja e Korçës” që u hap më 7 Mars 1887 si drejtor i saj, duke krijuar kështu një traditë të mirë sidomos në drejtim të udhëheqjes së shkollës dhe të administrimit të saj duke qenë se ishte vetë i pari që dha në këtë shkollë mësimin e gjuhës shqipe.

Veprimtaria

Redakto

Rreth vitit 1870, Pandeli Sotiri u zhvendos në Stamboll ku nëpërmjet Koto Hoxhit bie në kontakt dhe miqësi me vëllezërit Frashëri, Jani Vreton, Kostadin Kristoforidhin etj. Stambolli qe kthyer në një qendër të vërtetë pune, bashkëpunimi e miqësie mes shqiptarëve. Midis 27 patriotëve që themeluan “Shoqërinë e Stambollit” në Bukuresht për të ndihmuar në mbarëvajtjen e Shoqërisë ‘Drita’ ishte dhe ai i Pandeli Sotirit. Pas Bukureshtit kaluan në Egjipt ku hodhën bazat e një pune të mirë për të ardhmen për t’u lidhur me një shoqëri të vetme ‘Bukuresht-Stamboll-Egjipt”. Me kthimin e tyre në Stamboll, shoqëria e ngritur në këtë qytet 2 vjet më parë, filloi përpjekjet për aktivitetin për shkollën që do të hapej në Korçë. I përfshirë tërësisht në lëvizjen atdhetare dhe me një perspektivë të qartë për të ardhmen, me gjithë kushtet e vështira të punës në atë kohë, punoi pa u lodhur sëbashku me të tjerë në fushën e botimeve shkollore dhe iu përvesh punës përgatitore për themelimin e revistave brenda perandorisë turke. Nëpërmjet një veprimtarie intensive kulturore, Pandeliu formon shoqërinë ‘Vëllazëria Shqiptare”, e cila me një pamje kulturore që kishte nxorri revistën “Prometeu”. Duke mos pasur dot lejen për botimin e një reviste shqip, së bashku me Petro Pogën që e drejtoi këtë revistë nga 22 qershor 1883 e deri më 15 maj 1884, mundën të punonin rreth kësaj të përkohshmeje duke nxjerrë 12 numra, që u kthye në një tribunë për lartësimin kulturor të atdhetarëve të shoqërisë e të tjerëve duke botuar lëndë historike, studime për fizikën, biologjinë, shkrime për autorë të njohur si Viktor Hygo, Emil Zola, Moxart etj.

Në vend të “Prometeut” që u ndalua më 10 gusht të vitit 1884 nisi të botohej revista “Drita-Dituria” që ndihmoi në përhapjen e idesë kombëtare dhe të njohurive shkencore në gjuhën amtare. Kjo revistë u bë organi i dytë shqip pas ‘Fiamuri i Arbrit” që Jeronim De Rada e botonte 1 vit më parë në Kalabri. Pas tërheqjes së Petro Pogës drejtimin e revistës e mori Pandeliu i cili u dallua për shkrimet e tij “ Statistikat Botërore” pjesë nga romani “Të ngjarat e Telemakut” me kushtin e domosdoshëm që përmbajtja e lëndës së çdo numri të revistës të dërgohej në Ministrinë e Arsimit të Perandorisë para se të dërgohej në shtyp dhe me këtë rast Pandeliu ia ndërron emrin nga ‘Drita’ në ‘Dituria’. Veç këtyre hartoi dhe shkrimet anti-klerikale. Kjo revistë kulturore mujore e përbërë nga 16 faqe, e shprehte misionin e vet si në titull ashtu dhe në përmbajtje, misionin e madh atdhetar, iluminist,në përhapjen e diturisë te shqiptarët, të zgjimit e rritjes së ndjenjave atdhetare, të ndriçimit të mendjes së shqiptarëve me njohuri nga historia e letërsisë, nga shkencat e tjera shoqërore e natyrore sidomos nga matematika elementare e dituri natyre. Që në kryeartikullin e parë të saj, theksohet dashuria për nënën, babain, motrën, vëllain, familjen, miqtë, të afërmit që çojnë në dashurinë për Atdheun. Një peshë të madhe zënë në këtë revistë shkrime të Naim dhe Sami Frashërit dhe Jani Vretos. ‘Dituria’ u bë e njohur në Shqipëri, në Itali tek arbëreshët dhe më gjerë duke ngjallur një interesim mjaft të madh. Duke lexuar numrat e revistës arrijmë në përfundimin se: Së pari: Pandeli Sotiri është një personalitet i shquar i kulturës shqiptare dhe i mbarë çështjes kombëtare. Organi që ai drejtoi përshkohet i tërë nga dëshira për t’iu treguar shqiptarëve se ç’janë dhe cila është historia e tyre. Së dyti: Vëllezërit Frashëri, Jani Vreto dhe Pandeli Sotiri mbajnë peshën kryesore të shkrimeve. Ata kanë gjetur tek Pandeliu atdhetarin e aftë që kryen me kompetencë e kulturë drejtimin e atij organi që i përfaqëson edhe ata, e krijimtarinë e studimet e tyre. Së treti: Shkrimet e tij ishin në funksion të drejtpërdrejtë të lartësimit kulturor, të shqiptarëve dhe të evidentimit të tipareve e vlerave të mëdha letrare. Së katërti: Në këtë revistë trajtoheshin problemet shoqërore, ato të moralit, ku zgjerohen konceptet mbi nevojën e njeriut për dituri, për të njohur natyrën, punët e mira dhe të dobishme. Edhe edukata e punës zë një vend të rëndësishëm. Së pesti: Trajton problemet e arsimit, shkollës, mendimit pedagogjik letrar, karakterin edukativ të mësuarit, trajtimin didaktik të lëndës dhe duke marrë në konsideratë veçoritë e moshave mbështetur në baza psikiko-pedagogjike.

Bazat Historike të Rilindjes

Redakto

Rilindja Shqiptare me të përbashkëtat por edhe me ato veçoritë e veta nga Rilindja Evropiane si një rrymë fillimisht e “abetareve” do të fuqizohej dalëngadalë në ditët e ngjeshura me veprimtari të shekullit XIX derisa të bëhej një rrymë e fuqishme mbarëshqiptare, politike, gjuhësore, letrare, arsimore, shkencore, fetare, sociale, me një theks tepër të veçantë atdhetar, me shqetësimin e përpjekjet e mëdha konkrete për ringjalljen e afrimin e kombit shqiptar. Rilindja shqiptare nëpërmjet duarve të mësuesve, kalon nga caku i abetareve që hynë pa miratimin e askujt në shoqëri vëllezërish shqiptar, në drejtim organesh politike, në hartime platformash shtetërore për autonominë e përparimin e Shqipërisë. Pasi fuqizoi masat, Rilindja Shqiptare drejtoi Lidhjen e fuqishme të shqiptarëve të Prizrenit, dhe përgatiti strukturat e mbrojtjes. Këto i bëri njëkohësisht edhe duke qenë se ishte një rrymë e fuqishme iluministe dhe revolucionare. Rilindja me dallgëzimet e veta nuk mund të bënte përpara pa një gjuhë e letërsi shqiptare, pa abetaret e Veqilharxhit, pa librat e Naimit. Që në vitet ’40-të shekullit të XIX, Naum Veqilharxhi vlerësonte lart mësimin dhe diturinë. “Më të mirën gjë që njohu njeriu-shkruante ai,- ish të mësuarit”, prandaj kërkonte që populli shqiptar të merrte si shembull kombet e përparuara të botës me qëllim që edhe ai një ditë të vihej në radhën e kombeve të qytetëruara. Ndërsa Sami Frashëri shkruante: “Në ka një gjë, për të cilën shqiptarët duhet të kujdesen më tepër, ajo padyshim është Diturija”. Porosia e Naim Frashërit me karakter sa pedagogjik dhe patriotik: “Mësojeni fëmijën tuaj të dijë më shumë se ju, se ata janë për një kohë më tej nga koha juaj”, mbeti dhe mbetet gjithnjë aktuale. Duke e konsideruar shkollën si portën e natyrshme të arsimit kombëtar, rilindasit vlerësonin lart edhe rolin e familjes e veçanërisht të nënës në edukimin e fëmijëve. Platformën e parë të shkollës kombëtare e përpunuan Rilindasit tanë. Të dhënat e para të së cilës i dha Naum Veqilharxhi, më pas u plotësuan nga Kostandin Kristoforidhi, Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Jani Vreto e deri tek Platforma e njohur e Naim dhe Sami Frashërit duke u nisur nga teza se: Pa emancipim kulturor nuk mund të kemi emancipim politiko-shoqëror.

Pandeli Sotiri do të linte mjekësinë për të drejtuar shoqërinë shqiptare, organin letraro-pedagogjik shqiptar “Drita-Dituria” për të organizuar e drejtuar një shkollë model, një shkollë kombëtare shqipe nga gjuha, iluministe nga përmbajtja dhe laike e masive të përbashkët për tërë besimet fetare.Vetëm shqiptarët ishin përjashtuar nga gjuha amtare sipas Dekretit të Gjylhanesë kur ky Dekret i vitit 1839 i garantonte të gjithë kombësisë lirinë e arsimit në gjuhën amtare. Preteksti ishte ndarja fetare: myslimanët si pjesëtarë të kombësisë osmane dhe shqiptarët ortodoksë si pjesëtarë të kombësisë greke. Kostandin Kristoforidhi me shqipërimet e veta apo Jani Vreto e vëllezërit Frashëri e deri tek Daut Boriçi autor i abetares, inspektor i arsimit e drejtues i Lidhjes së Shqiptarëve të Prizrenit për Shkodrën, nga De Rada apo Hoxha Hasan Tahsini “Mësues të popullit” tashmë të ligjëruar na çojnë në përfundimin paraprak se Rilindja e mësuesit nuk ndahen, se mësuesit e Rilindjes janë në ballë të atij mendimi e veprimi politiko-shoqëror shqiptar. Kjo luftë për shkollën e parë kombëtare mori që në fillim karakter të mprehtë politik.Lufta e mësuesve dhe e masave për shkollën, letërsinë dhe alfabetin ishin degë të lëvizjes kulturore rilindase dhe u bënë kolona kryesore për krijimin e shtetit shqiptar. Me gjithë presionet e shumta të armiqve të kombit, mësuesit nuk u tërhoqën, ata u bashkuan në shoqëri duke tërhequr pas vetes arsimtarë të tjerë arsimdashës që të krijonin alfabetin e shqipes, të zhvillonin letërsinë shkollore, të kthenin shkollat e huaja në shkolla shqipe.

Kësaj veprimtarie i paraprinë: Naum Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi, Stefan Konomi, Daut Boriçi, duke u ndihmuar edhe nga punonjësit e letërsisë artistike si: Thimi Mitko, Zef Jubani, Preng Doçi, Ndue Bytyçi etj. Rilindasit tanë i përballuan me dinjitet problemet e shumta teorike dhe praktike që u dolën përpara duke u hapur horizonte mbarësie arsimit dhe shkollës sonë të asaj kohe. Pandeli Sotiri, Naim e Sami Frashëri, Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhi e deri tek Aleksandër Xhuvani u frymëzuan nga mendimi pedagogjik evropian, tek i cili njohën mendimin shoqëror, të rejat e shkencave shoqërore e shkencore. Në kushtet e Shqipërisë së robëruar, mësuesit dhe atdhetarët e tjerë nuk mund të zgjidhnin çështjen e shkollës kombëtare jashtë kërkesave e luftës politike për të fituar autonominë siç e kërkonte dhe synonte Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Prandaj u morën edhe disa masa si caktimi i alfabetit unik të shqipes, botimi i Abetares dhe themelimi më 12 tetor 1879 i Shoqërisë së Shkronjave Shqipe, e cila merrte përsipër të organizonte në Shqipëri, sistemin arsimor kombëtar, të botonte tekstet shkollore dhe të siguronte botime të tjera. Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mori hov edhe veprimtaria shoviniste. Në Korçë kishte tre shkolla turke, katër shkolla greke dhe asnjë shkollë shqipe ndonëse popullsia ishte krejt shqiptare. Edhe në qendër të shoqërisë ku punohej në kushte më të vështira deri në gjendje ilegaliteti, Samiu si kryetar i Shoqërisë qëndronte përkrah Naim Frashërit, Koto Hoxhit, Jani Vretos e Pandeli Sotrit.

Rumani funksiononte edhe Shoqëria Drita e cila ishte formuar në Bukuresht më 1881, si degë e Stambollit por që dalëngadalë do të punonte si e pavarur. Në atë degë mjaft mësues gjetën fushë veprimtarie dhe si mësimdhënës edhe në përgatitjen e disa teksteve shkollore e në shtypjen e tyre. Mendimi pedagogjik i Rilindjes trajtoi probleme themelore e parimore të shkollës të teorisë së mësimit dhe edukatës. Disa nga tiparet e përgjithshme të saj janë: Së pari: Në tërë veprimtarinë e tyre gjatë periudhës së Rilindjes, mësuesit u ndalën në çështjen e kombit, të zhvillimit, të përparimit, për fatet e popullit dhe të bashkimit të tij duke përdorur gjithë rrugët e mundshme. Së dyti: Ata vlerësuan gjuhën shqipe si një lëndë e fushë me rëndësi jetike, për vetë ekzistencën e kombit me bindjen se pa gjuhë nuk ka komb dhe se pa gjuhë të njësuar nuk ka komb të njësuar dhe se asimilimi i gjuhës është asimilimi i kombit. Së treti: Ata kishin si tipar të përbashkët se jo vetëm ishin mësues por edhe mësimdhënës e njëkohësisht edhe autorë tekstesh. Së katërti: Zhvillon mësimin sipas programeve mësimore me kahje të Evropës. Kjo Lëvizje Kombëtare përmbushte interesat mbarë kombëtare të të gjithë popullit shqiptar.

Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip

Redakto

Çështja shqiptare ishte bërë prezent në mënyrë këmbëngulëse në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Pikërisht në këtë kohë, Rilindasit e shquar formuan shoqatën patriotike-kulturore, arsimore me qendër në Stamboll duke afirmuar edhe rrugën iluministe drejt realizimit të strategjisë së përbashkët për të gjithë shqiptarët dhe arsimimin e popullit. Kjo shoqëri e formuar më 12 tetor 1879 pas një përgatitje paraprake nga “Komiteti Qëndror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare” të kryesuar nga Sami Frashëri, pati për drejtues Abdyl Frashërin, Pashko Vasën, Jani Vreton, Koto Hoxhin, Hasan Tahsini dhe Pandeli Sotirin. Ndër emrat e parë që nënshkruan ‘Platformën e Shoqërisë e të Shtypurit Shkronja Shqip’ ishte dhe ai i Pandeli Sotirit. Kështu fillon një punë e organizuar për të mësuarit e ndritur të kombit, të ngjallurit e gjuhës shqipe e të bashkuarit të dialekteve të saj. U miratua dhe alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe sipas projektit të Sami Frashërit, ‘Alfabeti i Stambollit’ me anë të cilit u botua “Alfabetare e Gjuhës Shqipe”. Me botimin e saj u krijua mundësia e librave shkollorë. Pandeliu u mor me krijimin e vatrave për botimin e librave duke njohur domosdoshmërinë e tyre për arsimin e popullit, për sqarimin politik dhe social si dhe për zhvillimin dhe emancipimin e njerëzve. Prandaj ngriti e mbështeti idenë për të krijuar ‘Shoqërinë e Stambollit për Vivlla Shqipe’. Në Stamboll kishte vështirësi të ndryshme sidomos nga mos miratimi i shtypjes së tyre dhe faktorë të tjerë çensurorë. Për këtë arsye Pandeli Sotiri bashkë me Jani Vreton dërgohen në Bukuresht ku ishte një koloni e njohur shqiptarësh. Me veprimtarinë e Rumanisë u krijua lidhja nga Sami Frashëri në të cilën u mblodhën 1700 franga për të shtypur libra shqip. Dërgimi i Pandeli Sotirit dhe Jani Vretos i dha një shtytje forcimit të degës që me 24 dhjetor 1884 do të pagëzohej me emrin “Drita”. Kështu u mblodhën 15.000 franga dhe u krijua vatra e përgatitjes së librave dhe e grumbullimit të dorëshkrimeve dhe porositjen e shkronjave në Vjenë. Dhe kështu u themelua Shtypshkronja shqipe që mori emrin ku u ngrit “ Shtypshkronja e Bukureshtit”.

Përpjekja për të Hapur Shkollën e Parë Shqipe Kombëtare

Redakto

Shoqëria “Drita” e Bukureshtit në marrëveshje me patriotët në Stamboll dhe Egjipt, në bashkërendim me atdhetarë të tjerë në Shqipëri, filluan përpjekjet për të hapur shkollën e parë kombëtare shqipe. Përpjekjet e tyre u harmonizuan në disa drejtime për t’u organizuar por puna e tyre hasi në disa pengesa. Lufta për arsimin shqip po zhvillohej në një kohë kur qeveria turke mundohej të mos lejonte bashkimin tonë kombëtar. Megjithatë patriotët tanë u bashkuan dhe luftuan për hapjen e shkollës. Për të drejtuar “Mësonjëtoren”e parë u thirr Pandeli Sotiri për të punuar së bashku me mësues dhe patriot të tjerë dhe me vëllain e tij Koto Sotirin. Drejtori i ri i shkollës arriti në Korçë me 150 abetaret e para. Patrioti Efthim Marko për çeljen e Mësonjëtores shkruante: Mësojmë se shkolla u çel, se pema që u mboll dy vjet më parë, sot lulëzoi dhe dha fruta t’ëmbla…

Mësonjëtorja Shqipe Kombëtare e Korçës, 7 mars 1887
Redakto

Në hapësirën shqiptare po shtoheshin pa reshtur shkolla të huaja sidomos ato greke si dhe shkolla fetare të ndryshme. Dërgimi i Pandeli Sotirit në Korçë ishte një mision i rëndësishëm historik, jo vetëm thjeshtë një emërim mësuesi apo drejtori. Misioni Pandeliut ishte të drejtonte e të zhvillonte vetë punën e mësuesit të gjuhës shqipe. Kjo shkollë do të ishte kombëtare në të gjitha pikëpamjet dhe laike njëkohësisht, do të ishte shkolla e të gjithëve. Do të organizonte shoqërinë të shërbente për të ruajtur dhe zhvilluar gjuhën shqipe. Rrethi i Korçës po tregonte një interes të theksuar.

Pandeliu la punën e tij dhe largohet nga Stambolli për në Korçë duke sjellë me vete 150 abetare. Shkolla mbahej me ndihmën e shoqërive të mërgimit e të qytetarëve vendas e administruar prej një Këshilli të fshehtë të përbërë nga Thimi Mitko, Orhan Pojani, Vani Kosturi. Praktika demokratike e trajtimit të nxënësve duke u dhënë fëmijëve të varfër libra e fletore e pena pa pagesë, flet për një organizim paraprak të Komitetit të shkollës. Pandeli Sotirit iu caktuan 10 lira turke në muaj sëbashku me Thanas Sinën ndërsa Hafiz Aliu, personalitet kulturor, mësues i gjuhës turke do të zhvillonte mësimin pa pagesë.

Dita e parë e shkollës, më 7 mars 1887 ishte kthyer në një festë të vërtetë popullore për të gjithë qytetin. Atë ditë u paraqitën 35 nxënës më vonë arriti në 60 nxënës, e vitin e dytë në 200 nxënës. Përpara nxënësve, prindërve e atdhetarëve të tjerë që erdhën në këtë ngjarje të shënuar jo vetëm për Korçën por për mbarë vendin, mbajti fjalim Pandeli Sotiri i cili foli në mënyrë të veçantë për interesimin e fëmijëve, për shkollën e gjuhën shqipe. Ai ishte jo vetem një mësues i dashur por edhe frymëzuesi i tyre. Të nesërmen më 8 mars 1887, Thimi Marko i shkruante shqiptarëve të Bukureshtit: Dëshira jonë u mbarua, shkolla shqipe u hap… Hapja e kësaj shkolle përbënte një ngjarje të veçantë në historinë e arsimit shqiptar sepse ishte një kurorëzim i përpjekjeve të përbashkëta të shoqërive atdhetare të mërgimit. Kjo shkollë fillonte realizimin e programeve të organizmave të brendshme e të jashtme për ruajtjen e kultivimin e gjuhës shqipe. Kjo kërkesë ishte parashikuar në Programin e Komitetit të Stambollit (shtator 1879) në Programin e Shoqërisë së Prizrenit (nëntor 1878) dhe në programin e Shoqërisë së të Stypurit Shkronja Shqip (tetor 1878). Përveç gjuhës amtare, në shkollë mësohej shkrim, këndim, gramatikë, histori, gjeografi, aritmetikë, mësim natyre, gjuhë turke, greqisht, frengjisht. Shkolla u bë një qendër e fëmijëve të klasave të ndryshme. Po në atë vit u hapën edhe shkolla të tjera në Pogradec, Kolonjë, Berat, Vlorë, Gjirokastër. Pandeliu arriti të siguronte botimet “Abetarja” dhe “Shkronjëtorja” (gramatika) që Sami Frashëri kishte botuar më parë, “Numratorë” dhe ‘Mirëvetia’ të Jani Vretos, “Këndonjëtorja”; ‘Historia e Përgjithshme’; ‘Vjersha për mësonjëtoret e para’; Bazat e Bujqësisë si dhe ‘Abetarja” e Gasper Benusit. Ai hodhi bazat për një punë pasionante didaktike të kufizuar.

Me Mësonjëtoren e parë shqipe të Korçës, filloi të zhvillohej një veprimtari intensive në fushën shoqërore dhe kulturore. Pandeliu përveç veprimtarive në fushën pedagogjike shkencore dhe organizative, e zgjeron më tej këtë veprimtari me formimin e ‘Shoqërisë së mësimit shqip’. Kjo Shoqëri u krijua mbi baza të shëndosha sepse në 160 antarët e saj merrnin pjesë qytetarë të besimeve të ndryshme. Së bashku me Pandeli Sotirin edhe Jovan Nasimi, Orhan Pojani, Spiro Jovan Kosturi dhanë ndihmesën e tyre, të cilët e kthyen këtë shoqëri në një qendër kryesore brenda vendit për organizimin e drejtimit të arsimit tonë kombëtar për të mbajtur dhe mbrojtur shkollat shqipe ekzistuese dhe për përhapjen e mëtejshme të shkollave shqipe në vise të tjera. Mësonjëtorja e parë e Korçës dhe të tjerat që u ngritën nën shembullin e saj mbështeteshin mbi një bazë të re pedagogjike, u ndërtuan mbi një konceptim kombëtar, kishin strukturë bashkëkohore dhe i përgjigjeshin nevojave patriotike. Rilindasit tanë të shquar hoqën dorë nga huazimi që në emërtimin e kësaj shkolle të re. Ata nuk e quajtën krijesën e tyre të parë as skoli, as mejtep, as kolegj. Ata i dhanë emrin “Mësonjëtore” që përfaqësonte vendin ku mësohej dhe ku edukohet. Ndonëse për hapjen e saj morën leje nga pushtuesit osman, përgatitja e Mësonjëtores që ngritën nuk i përngjante shkollave turke. Ajo nuk i përngjau as shkollave të tipit sevarian, as shkollave greke as provasllave. E ngritën mbi bazën e një program iluminist, kombëtar, e pajisën me tekste në gjuhë amtare, e drejtuan me mësues shqiptarë, e mbajtën në këmbë me ndihmën materiale të popullit. Bazën teorike-pedagogjike të saj e përpunoi Naimi, Samiu, Jani Vretoja, me tekstet që hartuan. Ndërsa ecurinë metodike dhe atë praktike të punës së përditshme shkollore e realizuan përveç Pandeli Sotirit edhe Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi. Më vonë sfondin teorik dhe praktik të didaktikës shkollore e pasuruan Mati Logoreci, Sevasti e Parashqevi Qiriazi, Lazër Lumezi, Koto Sotiri etj. Kur hemoragjia klerikale mbi arsimin dhe shkollën ishte mbizotëruese, ata jo vetëm e përjashtuan udhëheqjen e saj, por edhe mësimin e fesë, ndonëse nuk e mohonin nuk e përfshinin në planin mësimor. E mohuan parimin osmanist të fesë mbi kombin dhe në të kundërt të tij vendosën parimin e kombësisë. Fëmijë të besimeve të ndryshme u ulën bashkarisht në bankat e këtyre mësonjëtoreve. Kështu shkollat kombëtare shqiptare e filluan rrugën e vet me një vizionomi dhe një përmbajtje të re. Ndaj ato shërbyen si shembull për shkollat që u ngritën më vonë, gjë për të cilën u luftuan prej armiqve, kështu që mbrojtja ose lufta kundër tyre u bë gurë prove për qëndrimin pro shqiptar apo anti shqiptar. Duke ecur në këtë rrugë, ato u bënë shkollat e popullit. Asnjë mësues i huaj nuk jepte mësim në të. Gjuhë të huaj jepeshin por gjuhë mësimi mbetej shqipja. Shkolla shqiptare hyri në rrugën e vet dhe u afirmua si shkollë kombëtare. Shkolla zgjati e hapur disa vite deri sa u mbyll më 1903.

Vdekja e Pandeli Sotirit

Redakto

Veprimtaria shumëanshme atdhetare e Pandeli Sotirit po i shtonte urrejtje të mëdha shovinistëve. Lufta midis shqipes dhe greqishtes jo vetëm që nuk ishte ndërprerë por ajo vazhdonte të bëhej çdo ditë e më shumë një luftë e acaruar deri sa Shqipëria të shpallej një shtet i lirë. Profesor Dhimitër Shuteriqi shkruan: kjo luftë u zhvillua përmes kërcënimesh e viktimash sidomos pas krijimit të Shoqërisë së Stambollit dhe çeljes së shkollave shqipe.Pandeli Sotiri mbeti i pari në këtë luftë pas Naum Veqilharxhit e më pas edhe Petro Nini Luarasi. I martuar me një grua, e bija e një dhespoti grek me të cilën nuk kishte lindur fëmijë, ajo sëbashku me të atin e saj kurdisën aksidentin e rënies së Pandeliut nga kati i tretë i shtëpisë në Stamboll. Gruaja e tij e spiunoi në një nga ditët kur ai kish qenë në shtepine e tij në Stamboll (Beshiktash), të gjitha materialet e punës së tij për abetaren shqipe. Në kohen që njerez nga kisha greke shkuan për të vepruar me dhunë kunder tij, rrëmbyer dhe shkatërruar doreshkrimet, ai i pikasi, dogji materialet dhe për të mos rënë në dorë të tyre, si dhe për të evituar torturat, për të cilat ishte i sigurtë që do t'i ndodhnin, u hodh nga kati i tretë i ndertesës ku banonte, duke gjetur në këtë mënyrë vdekjen më 1890. Kjo është edhe arsyeja përse shteti shqiptar asnjëherë nuk mundi të gjente dot eshtrat e këtij patrioti, sepse ai nuk u lejua të varrosej në varrezën e krishterë si të gjithë të tjerët, ngaqë kreu vetëvrasje, të cilën feja e krishterë nuk e pranon dhe e quan një mëkat.

Në të gjitha burimet që nga ato të shekullit të kaluar e deri më vonë flitet për organizimin e vrasjes aksidentale të Pandeli Sotirit më 1891 nga armiqtë e shkollës, gjuhës shqipe e të Kombit Shqiptar. Petro Nini ka pohuar se Pandeliu u vra me dhunë prej armiqve. Humbja tragjike dhe e parakohshme e tij, e kurdisur nga armiqtë e kombit shqiptar, shkaktoi hidhërim te të gjithë shqiptarët. Synimi ishte që bashkë me mësuesin martir do të zhdukej edhe leja e dhënë për shkollën shqipe të Korçës por planet e tyre nuk u realizuan sepse shkolla vazhdoi të qëndronte e hapur edhe për disa vite të tjera.

Burime familjare te Pandeli Sotirit kane lene pas se ai eshte "kercyer i vdekur nga dritarja e shtepise se tyre ne Stamboll ne 1892 (mbi dyqanin e tyre - kur i shkuan per kontroll per libra Shqip nga Turqit)." Gjithashtu te njejtat burime familjare theksojne se vete Ismail Qemali, u interesua "se kush ndodhej nga kjo familje" pas vdekjes se Pandeli Sotirit. Nena e Artistit Andon Pano ishte mbese e Pandeli dhe Koço Sotirit e cila ka jetuar ne Stamboll ne te njejten kohe si vellezerit Sotiri.

Kështu u shua një nga patriotet më të medhenj të Shqipërisë, i cili hapi shkollën e parë shqipe në Korçë, së bashku me vëllain e tij, Koço Sotirin, që e hapi në Pogradec, në pamundësi për ta hapur në vendlindjen në SelckëLunxhërisë.

Pandeli Sotiri si atdhetar i shquar zë vendin e nderuar në plejadën e martirëve të kombit shqiptar në radhët e para të dëshmorëve tanë që sakrifikuan jetën e tyre për arsimin e kulturën shqiptare, për kombin, pavarësinë, lirinë e emancipimin shoqëror.

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Pasho Baku: Enciklopedia universale e ilustruar. Shtëpia Botuese Bacchus, Tiranë, 2011, fq. 854
  2. ^ Özdalga, Elisabeth (2005). Late Ottoman society: the intellectual legacy. RoutledgeCourzon. fq. 264, 267. ISBN 978-0415665445. Marrë më 2010-06-18. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Elsie, Robert (2005). Albanian literature: a short history. IB Tauris. fq. 75–76. ISBN 1-84511-031-5. Marrë më 2010-06-18. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Kondo, Ahmet (1970). "Studime Historike (Historical Studies)". Studime Historike. State University of Tirana, Institute of History and Philosophy (Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe Filozofisë). 7: 144–146. Marrë më 2013-08-29. {{cite journal}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ "Historia e Shqipërisë". 1984. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ Jacques, Edwin (1994). The Albanians: an ethnic history from prehistoric times to the present. McFarland & Company. fq. 291–292. ISBN 0-89950-932-0. Marrë më 2010-06-18. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. ^ Skendi, Stavro (1967). The Albanian national awakening, 1878-1912. Princeton University Press. fq. 135. Marrë më 2010-06-18. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  8. ^ Nuçi Naçi (1927-03-01), "Shkolla shqipe në Korçë" [Albanian school in Korce] (PDF), Diturija, Tirana: Librarija Lumo Skendo: 167, arkivuar nga origjinali (PDF) më 16 dhjetor 2014, marrë më 7 mars 2018, E kishin flakur nga penxheret e shtëpisë ku rinte, tre katësh; thonë se këtë vdekje të tmeruarë j'a pregatiti e shoqja edhe vjehri. {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Lidhje të jashtme ==

Redakto