Dedë Gjo Luli (Traboin, 1840 - 24 shtator 1915) ka qenë një figurë atdhetare shqiptare, i shquar për komandin e Kryengritjes së 1911 në Malësinë e Madhe.

Emri Dedë
Mbiemri Gjo Luli Dedvukaj
Lindur më 1840
Lindur në Trabojin, Hot
Vdiq më 5 shtator 1915
Vdiq në Orosh, Mirditë
Kombësia Shqiptar
Profesioni Strateg Popullor
Mirënjohje
Hero i Popullit

Biografia

Redakto

Lindi në Traboin më 1840, atëbotë në Sanxhakun e ShkodrësPerandorisë Osmane (tani në TuzMalit të Zi). I përkitte barkut Dedvukaj të fisit të Hotit. Në atë kohë Hoti mbahej i pari i bajrakëve të Malësisë së Madhe. Djali i parë dhe i vetëm i Gjon Lulit, iu dha emri i gjyshit, Dedë Brocit.[1]

Qysh në moshë të re ishte martua me Prende Gjeloshin nga Selishta e Grudës, me të cilën kishte pasur katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza.[1]

Lidhja e Prizrenit

Redakto

Anëtar i Lidhjes së Prizrenit, Luli mori pjesë në qëndresën e organizuar për mbrojtjen e Hotit e të Grudës kundër të Kongresit të Berlinit për t'i lëshuar territore Principatës së Malit të Zi.

Kryengritja e Malësisë

Redakto

Shiko edhe: Kryengritja e vitit 1911

 
Flamuri Dedë Gjò Lulit, sjell nga Palok Traboini

Në vitet e fundit të shekullit XIX Dedë Gjo Luli u aktivizua përsëri në lëvizjen për autonominë e Shqipërisë, mori pjesë në mbledhjen e përfaqësuesve të popullsisë së Shkodrës që vendosi bashkimin me Lidhjen e Pejës. Aftësitë e tij si organizator, si prijës luftarak dhe si udhëheqës popullor, u shfaqën sidomos gjatë Kryengritjes antiosmane të 1911. Nën udhëheqjen e tij malësorët e Hotit, të Grudës e të Kelmendit korrën suksese të rëndësishme kundër forcave osmane dhe e detyruan qeverinë xhonturke të hynte në bisedime me ta[2].

Në bashkëpunim me qarqet patriotike, ata parashtruan në Memorandumin e Greçës kërkesën për autonominë territoriale-administrative të mbarë Shqipërisë. Dedë Gjo Luli i qëndroi besnik deri në fund luftës për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Natën e 11 korrikut 1912 rrethueme Samoborrin dhe e mormë pa lind dielli. Më 12 korrik u ramë 50 nizamëve që po ktheheshin prej Bukoviçit, ku kishin çue ushqim. I qitme fare, gadi krejt, veç disave që ranë në dorë. Mbeten dekun prej nesh Lek Ded Vuji dhe u varrue Zef Met Haxhia. Në at gjak të nxehtë, mbas një çerek sahati, rrethueme Nokonjelin, nji kodër me istikam përballë Bukoviqit. Mark Ded Gjo Staka, Palok Traboini dhe unë ja mbrrime buzë istikamit. Nji nizam qiti mauzerren për frangi për t’na çartë. Mark Ded Gjo Staka i ndëj gati e i kapi pushkën. Nizami s' e lëshoi, Por Marku, burrë i lidhun i dha vedit e ra ledhi megjithë nizam. Paloka pa lanë kohë ndermjet vrau oficerin turk. Atëherë Hoti u turr nëpër ledh e afër 80 nizamë ranë në dorë se s’kish kush t'i udhëhiqte.[3]

Edhe pas Shpalljes së Pavarësisë, për shkak të gjendjes së krijuar nga luftërat ballkanike e vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Dedë Gjo Luli iu desh, megjithëse në moshë të thyer, të vazhdonte luftën për mbrojtjen e vendit dhe bashkimin kombëtar. E tërë jeta e Dedës dhe familjes së tij është një shembull i papërsëritur atdhetarie. Një familje gati e shuar, por një familje, që kujtohet e nderohet për bëmat në emër të Atdheut. Kur do të binte i pari i dëshmor i fisit, Nik Gjelosh Luli, ai që më 6 prill 1911 kishte hedhe për tokë flamurin me gjysëm hënë, Deda do ta ndjente shtypjen e zermës prej dhimbjes. Por ai nuk do ta jepte veten as kur i dhanë gjëmën e rënies së të birit, Gjergjit, 22 vjeçar. Në betejën e 29 gushtit 1912, kishin rënë shumë luftëtarë. Kur do t'ia jepnin lajmin Dedës, për të mos e lënduar, i thanë :

- Dedë, kanë mbetë 20 hotianë në fushë të luftës.
- Po burrat në luftë do të mbesin, qe përgjegjur ai.
- Po mbeti dhe djali yt, Gjergji.
- Po dhe ai djal nane ishte, qe përgjigjur Deda, duke e gëlltitë dhembjen.

Pas tre vjetësh do të vritej vetë Deda, shtator 1915 në Sheshëz afër Oroshit, nga një pritë e bërë nga malazezët e serbët[4]. Djali tjetër, krahu i djathtë i tij ndër beteja, Kola, do të jepte shpirt tre vjet pas të atit, me 1918, i helmuar. Më 1920, në verilindje të Shkodrës, do të binte me armë në dorë Luc Nishi, i biri i Nish Gjelosh Lulit i djathtë i tij ndër beteja. Jo vetëm këta, por dhe nipi i Dedës, Zef Lan Ula, vëllai prej nëne, Baca Xheka, miqtë e shtëpisë, Kolë Marash Vata, Kolë Kurti, e të tjerë e zgjasin shumë listën e dëshmorëve për Atdheun të këtij fisi.

Nga ana e saj Shkodra e nderoi vetëmohimin e familjes Gjo' Luli. Në maj të vitit 1923, me përpjekjet që banë e bija Nareja dhe e reja Nora, (Bashkëshortja e Kolës), u bartën prej Oroshit eshtrat e Dedës dhe prej Vlore ato të Kolës dhe u sollën në Shkodër.

Mitingu i përmortshëm i përcjellë nga i shtypi i kohës ishte i jashtëzakonshëm. Shkodra nderonte ata që gjakun nuk e kishin sakrifikuar për Atdhe. Në gazetën "Ora e Maleve", (Viti 1923, nr. 8) përcillen fjalët e Gjok' Lulit: ”Të falem nderës, moj Shkodër... Por ma tepër të falen nderës edhe gurt e Hotit. Nuk e kam besue se i dini këto punë e pasha këto eshtna që kena përpara edhe sa mashkuj, që të kenë pesëqind shtëpi në Hot kanë me dekë për Shqipni!” Ndërsa deputetët shkodranë nga Tirana nisen telegramin: "Bashkohemi me evari në nderimet që Shkodra po i kushton kujtimit të Dedë Gjo' Lulit, tue krye detyrën e mirënjohtësisë ndaj Fatosit të Pavdekshëm që nga ma të parët ngrehi flamurin e lirisë se Atdheut mbi krepat e përgjakun të Malcisë së Madhe. Si përfaqësues të Shkodrës lutemi na zevëndësoni në ceremoni." Ceremoninë e përshëndetën edhe shumë shkodranë që jetonin në Tiranë.

Në një telegram të tyre shkruhej: "Ditën kur Shkodra kryen detyrën ndaj Dedë Gjo' Lulit, që gjithë jetën ja kushtoi atdheut dhe ushqeu në gjak lirinë, zemrat tona rrahin përnjëherë me ato të bashkëqytetaseve tanë të bashkuem në vorrin e nderimit për Fatosin e Malëcisë së Madhe." Edhe ky telegram është i botuar në gazetën "Ora e Maleve".

Ndërkohë në Shkodër qe formuar dhe "Komiteti Dedë Gjo' Luli", që do t'i ngrinte një monument këtij patrioti të shquar. Luigj Gurakuqi, i zgjedhur bashkë me Avni Rustemin e Risto Siliqin, anëtar nderi të komitetit, shkruante: "...due të shtoj dy fjalë edhe mbi dy inisiativa të tjera që janë marrë; me i ngritun një monument edhe kreshnikut tonë me famë botërore Skënderbeut e malcorit të madh Dedë Gjo' Luli..." Patrioti tjetër i shquar, Avni Rustemi, do të shkruante që nga Roma: "Gëzohem që u muar inisiativa për t'i ngrehur një monument Burrit pa frikë e pa njollë të malësive tona, që kështu të jehojë emri i të ndjerit në brezat e ardhshëm. Ju faleminderit që më keni emëruar si pjesëtar nderi."


Poeti Risto Siliqi do të shkruante fjalë zëmre për luftëtarin e madh: "Sot pa farë dyshimi mund të thuhet se gjeneracioni i jonë i sotshmi e ka kuptue rëndësine e veprave patriotike... që trupat e fatosave martirë të shporuem pa mëshirë me bajonetat e armikut mos të kalben nën dhè bashkë me veprat e tyre. Emni i Dedë Gjo' Lulit, i cili nuk triumfoi me kombinacione, por me vepra të gjalla, që e dëshmojne edhe krepat e thepishme të maleve tona, vuloset i gdhëndun në historinë tonë kombëtare"[5].

... Dhe emri i tij u gdhënd në histori përjetësisht. Fundi i tij ka mbetur sfidë atyre që i morën jetën. Një rapsod mirditor e ka fiksuar në vargje fundin e kreshnikut të maleve :

Në Bjeshkë t'Oroshit na u derdh zani
Se ç’ban m'ne serbjani.
Si ata trimat i kanë rrethue
Me vargoj na i kanë shtrëngue.
Zana e malit t'jam ankue
Curril gjaku a' tue shkue.
Mu në Shëshëz burrit t'botës
Pa iu trëmb qerpiku i lotës
Serbi thikën i ngul në krahnuer
Dedë Gjo' Luli' burrë malëcuer
S'u përkul as nuk u tut
Por po i thotë këto fjalë açik:
Gjaku em të të shkojë fli
Për me pshtue të ngraten Shqypni...

Ai edhe pse e parandjeu grackën, edhe pse e paralajmëroi vetë Nora, reja e tij, që ai e thirrte me përkëdheli "Djali ma i mirë i babës", që të mos udhëtonte në kohë të turbullta, për besë burrash shkoi në takim. Vetëm, kur në vend të prijësve, i doli përpara kapiteni serb Gjura, ai gjakftohtë, u tha mirditorëve, që e shoqëronin : - ... paskemi mbarue! Nuk e dha veten. As kur e prenë me bajonetë bashkë me shtatë mirditorët (1. Mark Llesh Doda, 2. Ndue Kol Pjetri, 3. Zef Ndue Gjoka, 4. Preng Qup Deda, 5.Preng Gjok Skana, 6.Bib Marlula dhe 7.Llesh Deda), nuk e lëshoi veten dhe dha jeten në Sheshëz t'Oroshit në Mal të Shejt, e atje në grykë të shpellës së Akullit, që është 15 metra e thellë në tokë. "Bash njiashtu si vepruen turqit me eshtnat e Gjergj Kastriotit e me prelatin e lavdishëm Imzot Pjetër Bogdanin, apo si vepruen ma vonë komunistat, tuej nxjerrë prej vorrit eshtnat e Mons. Jak Serreqit, Mons. Lazër Mjedjes, Mons. Gasper Thaçit, Mons. Ernest Cocit, Mons. Bernardin Shllakut e At Gjergj Fishtës e së bashku me atë, pa dijtë gja, të Dedë Gjo’ Lulit, eshtnat e të cilit françeskanët i kishin ruejtë në vorret e tyne për t’i ba nji monument"[6]. Dhe me 18 mars të vitit 1964 do të vdiste edhe Nora, pjesëmarrësja e të gjitha luftërave të lavdishme për çlirimin e vendit dhe bashkimin gjithë shqiptar,dhe dëshmitarja e fundit e një tradhtie të madhe mbi vrasjen në prit të një luftëtari të dëshmuar kombëtar.

Referime

Redakto
  1. ^ a b Fishta, Vehbi S. (2014). Ded Gjo Luli - Hero i Popullit. Shkodër. fq. 3. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  2. ^ Gabim i përfshirjes: {{En}} është vetëm për emërhapësirën e Skeda. Përdorni më mirë {{lang-en}} ose {{in lang|en}}.Jeta dhe bëmat e Ded Gjo Lulit Arkivuar 3 mars 2012 tek Wayback Machine
  3. ^ Kujtime të Martin Ujkës Nga libri: "Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912", Tirane 1962, faqe 446-44; Dokumenta nga libri "Lufta e maleve" K.Traboini 2006, f.127-128
  4. ^ Vrasja e Ded Gjo Lulit dhe e trimave tjerë!
  5. ^ Ora e Malësisë, nr. 20, viti 1923
  6. ^ "Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni 1944-1990", Shkodër, 1999, fq.10

Lidhje të jashtme

Redakto