Degët e Lidhjes së Prizrenit kanë qenë struktura të organizuara të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LSHP), të cilat u morën me qeverisjen lokale dhe organizimin e mbrojtjes territoriale të trojeve shqiptare.[1]

Katër vilajetet osmane të ndara (me të kuqe: Vilajeti i Shkodrës, i Janinës, i Manastirit dhe i Kosovës ashtu siç u propozua për autonomi të plotë nga Lidhja e Prizrenit).

Vështrim

Redakto

Sipas rregulloreve të para të miratuara në Kuvendin e Përgjithshëm të LSHP-së, që kishin forcën e dekretligjeve, Prizreni ishte selia qendrore e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Organi kryesor ekzekutiv i Lidhjes ishte Komiteti Qendror (KQ), nga i cili vareshin komitetet e sanxhaqeve dhe nga këto vareshin degët e Lidhjes, të cilat u formuan dhe do të formoheshin në kazatë e vilajeteve.

Populli zgjidhte anëtarët e komiteteve të sanxhaqeve dhe të degëve të kazave të tyre, ndërsa anëtarët e KQ-së së LSHP-së zgjidheshin nga një për çdo sanxhak. Anëtarët e degëve zgjidheshin nga banorët e qyteteve dhe të fshatrave të mëdha. Të gjitha komitetet e degëve vepronin sipas vendimeve të KQ-së në Prizren. Korrespondencat e degëve me KQ-në duhej të kishin vulat e anëtarëve të komitetit të degës përkatëse.

Pas shpërndarjes së delegatëve të Kuvendit të Përgjithshëm, në të cilin u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në Prizren qëndruan vetëm anëtarët e KQ-së për të ndjekur dhe koordinuar punët e përditshme. Të tjerët formuan në vendet e tyre degët, të cilat zbatonin të gjitha urdhrat që merrnin nga Prizreni, si dhe merreshin me organizimin e forcave të armatosura lokale, sipas urdhrit të qendrës në Prizren, aty ku do të paraqitej nevoja.[2]

Organizimi i mbrojtjes territoriale

Redakto

Në rast se armiku do të sulmonte ndonjë pjesë të Shqipërisë, atëherë fiset më të afërme kishin për detyrë të mblidhnin forcat e armatosura, sipas zakonit, dhe të bashkoheshin me krahinat e tjera, posa të shpallej kushtrimi nga Prizreni. Komandanti i përgjithshëm për ushtrinë e çdo krahine dhe të gjithë oficerët e tjerë zgjidheshin nga banorët vendës, kurse këshillat qeveritare të degëve kishin të drejtë të kontrollonin numrin e ushtarëve, ndërsa oficerët nuk kishin të drejtë ta kundërshtonin këtë veprimtari.

Dekretligjet e përmendura përcaktonin detyra dhe dënime për qytetarët ushtarë, për krerët vendorë, për administratorët dhe për oficerët, sipas kërkesave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që përcaktonte numrin dhe vëllimin e njësive ushtarake (kompanive, batalioneve, togjeve), gradat e oficerëve etj. Dega e LSHP-së kishte obligim që forcat vullnetare t'i sistemonte si ushtrinë e rregullt.

Detyrat dhe autonomitë e degëve

Redakto

Degët e Lidhjes kishin të drejtë, në bazë të nevojave konkrete të brendshme, të mobilizonin aq ushtarë sa të kërkonin banorët vendës. Nga ana tjetër, degët duhej t'i përgatisnin kuajt dhe materialin tjetër të nevojshëm për luftë që do t'i nevojiteshin ushtrisë. Degët duhej të tregonin saktësisht sa banorë janë të aftë për luftë në territorin e tyre. Degët zhvillonin edhe veprimtari të tjera ndihmëse, që kishin për qëllim realizimin e programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por kishin edhe autonomi të konsiderueshme të veprimit.[3]

Aktivitetet dhe komunikimet

Redakto

Degët e Lidhjes dërgonin kërkesa, protesta, memorandum e akte të tjera normative në adresë të Kongresit të Berlinit, të Fuqive të Mëdha, të Portës së LartëStamboll, etj. Dega e LSHP-së në Shkodër themeloi shoqërinë muzikore, e cila kompozoi himnin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e njohur si Marshi i Lidhjes së Prizrenit, me të cilin vullnetarët niseshin për në aksione dhe beteja mbrojtëse.

Problemet dhe sfidat

Redakto

Problemet me të cilat përballeshin degët ishin të ndryshme. Dega e Janinës nuk e pranonte kufirin me Greqinë. Në Kuvendin e degës së LSHP-së të Prevezës (28 janar 1879) morën pjesë delegatët e degëve nga Shkodra, Durrësi, Elbasani, Ulqini, Prizreni, Dibra dhe Pazari i Ri.[4]

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Rizvanolli, Masar (1978). Lidhja e Prizrenit: 1878-1881 : (udhërrëfyes i ekspozitës të organizuar me rastin e jubileut të 100 Vjetorit të Lidhjes së Prizrenit). Arkivi i Kosovës.
  2. ^ Gjakovapress (2014-07-30). "Dega e Lidhjes Shqiptare në Gjakovë". Gjakovapress (në anglishte amerikane). Marrë më 2024-06-27.
  3. ^ Kraja, Mehmet. "Fjalori enciklopedik i Kosovës L-ZH (2)". botimpex.com. Marrë më 2024-06-27.
  4. ^ "FJALORI ENCIKLOPEDIK I KOSOVËS I, A-K – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës". ashak.org. Marrë më 2024-06-27.