Apostull (nga gr. απόστολος) do të thotë lajmëtar, i dërguar për të përmbushur porosinë e dhënë apo për t’i transmetuar dikujt një lajm.[1]Ungjijtë, apostujt janë lajmëtarët e Krishtit. Ashtu siç Ai u dërgua prej Atit, kështu edhe ata u dërguan prej Tij. Këtë emër Jisui ua dha të dymbëdhjetë nxënësve të Tij (Lluka 6:13, Marku 3:14)[2].

Të dhëna kryesore të shkruara për apostujt janë katër Ungjijtë dhe kapitulli i parë i Veprave të Apostujve[3], ku përshkruhet lidhja që gjithsecili kishte me Krishtin, përgjatë kohës që Ai ishte ende në jetën e Tij tokësore. Megjithëse apostujt janë autorët e vërtetuar në Ungjill, figura e tyre nuk shfaqet shumë. Në fakt, Ungjijtë shkruajnë për ta vetëm sepse ishin në marrëdhënie të vazhdueshme me Krishtin, duke mësuar prej Tij dhe duke kuptuar prej nga vinte dhe përse kishte ardhur në botë, në mënyrë që të mund ta transmetonin saktë në dëshmitë, predikimet dhe shkrimet e tyre. Përgjatë gjithë misionit të tyre të shpalljes së Lajmit të Mirë, flisnin me autoritet dhe vendosmëri të plotë në emër të Atij që i dërgoi, pa u përpjekur t’i japin lavdi vetes për mësimin që po përcillnin.

Disa prej të Dymbëdhjetëve kishin qenë më parë nxënës (dishepuj) të Joan Pagëzorit, Pararendësit, ku ishin njohur me Shkrimet e Shenjta të Dhiatës së Vjetër dhe prisnin ardhjen e Mesisë.

Mbledhja e Dymbëdhjetë Apostujve. Kremtohen më 30 qershor.

Emrat e tyreRedakto

Emrat e të Dymbëdhjetëve janë:

  • Simon Petro (29 qershor);
  • Andrea, i vëllai i Petros (30 nëntor);
  • Jakovi (30 prill);
  • Joani (26 shtator);
  • Filipi (14 nëntor);
  • Bartholomeu ose ndryshe Nathanaili (11 qershor);
  • Mattheu ose ndryshe Levi (16 nëntor dhe 4 janar);
  • Thomai, i mbiquajtur binjak (6 tetor dhe të Dielën pas Pashkës);
  • Jakovi i Alfeut (9 tetor dhe 4 janar);
  • Simoni, i quajtur Zelot (10 maj);
  • Juda i Jakovit (ose Tadeu) (21 gusht);
  • Juda Iskarioti, i cili edhe u bë tradhtar; dhe Matthia, që e zëvendësoi (9 gusht).

Emrat e tyre janë paraqitur në katër lista, në katër libra të Dhiatës së Re: Mattheu 10:2-4; Marku 3:16-19; Llukai 6:14-16 dhe Veprat e Apostujve 1:13.

Thirrja dhe qëllimi i tyreRedakto

Jisui thirri Simonin dhe Andrean, të cilët po hidhnin rrjetat për të zënë peshk. Si i pa, i urdhëroi ta ndiqnin pas, për t’u bërë ‘peshkatarë njerëzish’. Në fakt nga Tradita e Kishës Andrea ishte i pari që u thirr dhe e ndoqi pas Krishtin (Joani 1:35-41), për këtë arsye, në Kishën e Lindjes dhe të Perëndimit quhet “i Parëthirruri”. Në të njëjtën kohë pa edhe Jakovin e Joanin, që ishin gjithashtu peshkatarë. I thirri edhe ata, të cilët iu bindën menjëherë (Marku 1:16-20). Jisui ftoi edhe Filipin, në Galile. Ky i fundit, jo vetëm e pranoi ftesën e Zotit, por ia shpalli besimin e vet edhe Nathanailit, duke i thënë: “Kemi gjetur atë për të cilin shkroi në Ligj Moisiu dhe profetët... eja dhe shih” (Joani 1:45-46). Më pas thirri edhe Mattheun (Levin) në Kapernaum (Marku 2:16, Mattheu 9:9). Pasi u lut në mal, i thirri pranë të gjithë nxënësit dhe caktoi prej tyre dymbëdhjetë, të cilët i mbajti më afër.

Qëllimi, për të cilin Jisui mblodhi pranë vetes të Dymbëdhjetët, shpjegohet tek Ungjilli i Markut: “Edhe zgjodhi dymbëdhjetë vetë, që të jenë bashkë me të dhe që t'i dërgojë të predikojnë. Edhe të kenë pushtet të shërojnë sëmundjet, edhe të nxjerrin demonët” (Marku 3:14-15). Ata u thirrën të dëshmonin për Krishtin, t’i mësonin të gjithëve se si Ai jetoi, mësimet, veprat dhe Lajmin e Mirë të shpëtimit të të gjithë botës, që u bë me anë të Tij. Nëpërmjet hirit që iu dha, u denjësuan të bëhen pasues të Tij, sikurse Jisui u lut për ta: “Siç më dërgove mua në botë, dhe unë i dërgova ata në botë” (Joani 17:18). Përpara Ngjitjes në Qiej, Jisui i urdhëroi të “bëjnë dishepuj në tërë dhenë, e t’i pagëzojnë në emër të Atit, Birit edhe Shpirtit të Shenjtë” (Mateu 28:18).[4]

Nderimi dhe festimi i tyreRedakto

Secili prej tyre nderohet në ditë të veçantë kremtuese, në një datë të përcaktuar kalendarike, sipas kalendarit të krishterë. Kryesisht data festuese është data e jetëndërrimit, datë përkujtimore historike, ose datë transferimi lipsani.

Të dymbëdhjetë apostujt nderohen gjithashtu edhe së bashku në një datë kremtuese. Kisha ortodokse lindore i kremton të Dymbëdhjetët së bashku më 30 Qershor.[5]

Apostujt nderohen me fjalime, me shërbesa himnologjike, me kisha, me ikona dhe emrat e besimtarëve.

Biografi e shkurtër e të DymbëdhjetëveRedakto

SIMON PETRO

Apostulli Petro, heb. Shemayon Kefa, gr. Petro, - gur, i quajtur Simon (ose Simeon), bir i peshkatarit Joná nga Betsaida e Galilesë, peshkonte në liqen, kur Jisui e ftoi së bashku me të vëllanë, Andrean, në misionin apostolik (Mattheu. 4:18-20). .Në të gjitha listat e Ungjijve, Petro radhitet i pari, dhe bënte pjesë në grupin e ngushtë të nxënësve. Ai ishte bashkë me Krishtin gjatë Metamorfozës (Shndërrimit të fytyrës) së Tij dhe në Agoninë e Gjethsemanisë. Deklaroi se “Jisui është Krishti”, mirëpo ky pohim kaq i fortë do të pasohej nga një mohim i tij ndaj Krishtit, madje tri herë, në kohën kur Jisuin e arrestuan. Pasi u pendua  thellë, mohimi i trefishtë u zëvendësua nga një pohim i trefishtë i dashurisë së tij për Perëndinë (Joani 21:15-19).

Gjatë Pentikostisë (Rrëshajave), Petro, predikoi në mënyrë të shkëlqyer përpara turmave (Veprat 2:14-42). Nga fjalët e tij u ndriçuan dhe u pagëzuan 3 mijë vetë[6]. Gjithashtu me predikimin e tij të dytë ktheu në Krishterim 5 mijë judenj. Bënte shpesh shumë mrekulli (ishte i pari që bëri mrekulli në emër të Krishtit), madje, dhe kur kalonte shëronte me hijen e vet të sëmurët që shtriheshin rrugëve. Ishte i zellshëm dhe i përkushtuar, prandaj dhe u quajt “shtyllë” e Kishës. Pësoi shumë vuajtje. Duke pranuar të pagëzonte Korneliusin, i hapi dyert e pagëzimit edhe kombeve të tjera e paganëve. Autoriteti i tij u shfaq i plotë edhe gjatë Sinodit Apostolik të mbajtur në Jerusalem, megjithëse atje u qortua nga Pavli sepse pranoi kërkesat e Judenjve të krishterë për problemin e pranimit të paganëve pasi të rrethpriteshin fillimisht sipas Ligjit të Moisiut.

Petro themeloi Kishën e Antiokisë. Më pas shkoi në Romë ku edhe e arrestuan dhe e kryqëzuan me kokë poshtë në kohën e perandorit Neron (54-68) dhe e varrosën aty ku sot lartësohet katedralja e tij madhështore kryevepër, në Vatikan. Në Letrën e tij të parë të përgjithshme të Dhiatës së Re, ai nxit për një jetë të shenjtë dhe mbështet besimin. Ndërsa Letra tjetër i referohet më tepër Ardhjes së Dytë të Krishtit dhe lufton pseudoprofetët.[7]

Kisha Ortodokse e feston kujtimin e tij më 29 Qershor.

ANDREARedakto

Andrea (nga gr. ανδρείος [andreios] - burrëror) ishte i pari që ndoqi pas Krishtin (Joani 1:35-41), për këtë arsye, në Kishën e Lindjes dhe të Perëndimit quhet “i Parëthirruri”. Apostulli i lavdishëm i Krishtit, Andrea, ishte vëllai i apostull Petros dhe vinte nga Betsaida, në bregun perëndimor të liqenit të Gjenesaretit. Ndryshe nga i vëllai, që ishte i martuar, Andrea ishte i pamartuar, kishte preferuar të ruante dëlirësinë dhe banonte në shtëpinë e Petros. Të dy vëllezërit ishin peshkatarë dhe ruanin Ligjin me devotshmëri. Andrea duke qenë më parë nxënës (dishepull) i Joan Pagëzorit, e kishte dëgjuar atë teksa i referohej Jisuit si “Qengji i Perëndisë” (Joani 1:35). Që në ditën e parë që e ndoqi pas Jisuin, deklaroi se “E gjetëm Mesian” (Joani 1:41).  E afroi edhe të vëllanë, Simonin, tek Krishti. Megjithëse nuk bënte pjesë në rrethin e ngushtë të nxënësve, luajti rol parësor në shumë ngjarje që ndodhën.

Andrea ishte dëshmitar i ngjarjeve të frikshme që shoqëruan Pësimin shpëtimtar të Jisu Krishtit dhe ishte i pranishëm me të tjerët në shfaqjet e Tij pas Ngjalljes. Gjatë Pentikostisë mori plotësinë e Hirit të Shpirtit të Shenjtë dhe i ra në short ungjillëzimi i brigjeve të Detit të Zi (Ponti Efksin), Bitinia, Thraka dhe Greqia (Maqedonia, Thesalia dhe Akaia).[8]

Tradita thotë se apostulli u kryqëzua në Patra të Greqisë në një kryq në formë X-i, që është bërë tashmë i njohur si “kryqi i shën Andreas”. Po në atë vend, më vonë u ngrit edhe një katedrale e madhe në nder të tij, dhe u vendos lipsani i tij.

Lipsanet e tij u transferuan nga Patra, Konstandinopojë, Romë dhe përsëri në Patra.

Sipas traditës perëndimore, shën Andrea nderohet edhe si mbrojtës i Skocisë. Gjatë Mesjetës atje numëroheshin më shumë se 800 kisha kushtuar atij.

Kisha Ortodokse e feston kujtimin e tij më 30 Nëntor.

JAKOVIRedakto

Ishte i biri i Zevedheut dhe Salomës Miroprurëse. Bashkë me të vëllanë, Joanin, si dhe  Petron, përbënin grupin e ngushtë të nxënësve të Krishtit. Jakovi ishte i pranishëm gjatë Metamorfozës së Zotit (Lluka 9:28-29) dhe në Agoninë e Gjethsemanisë (Marku 14:33). Për shkak të zellit të tij, Krishti i quajti atë dhe të vëllanë “bijtë e bubullimës” (gr. Voanergjes).

Ishte një ndër dishepujt që Krishti i mori me vete në Malin Tabor, kur shfaqi në mënyrë të veçantë Hyjninë e Tij (Mattheu 17:1-8).[9]

Ishte i pari apostull që u martiriziua, pasi Herod Agripa I i preu kokën më 44 pas Krishtit, teksa predikonte në Jerusalem.

Kisha Ortodokse e feston kujtimin e tij më 30 Prill.

JOANIRedakto

Joani (nga heb. “Yohanan” - Perëndia është mëshirëplotë”) vinte nga Betsaida dhe ishte pjesëtar i rrethit të ngushtë të dishepujve, së bashku me të vëllanë Jakovin, dhe me Petron. Atij i atribuohet autorësia e Ungjillit të katërt (sipas Joanit), Zbulesës (Apokalipsit) dhe tri Letrave të përgjithshme. Joani u quajt nxënësi i dashur i Krishtit, që iu mbështet në kraharor gjatë Darkës Mistike (Joani 13:23).

Teksa qëndronte mbi kryq, Krishti e caktoi atë kujdestar të nënës së Tij, dhe, pasi aostujve u zbriti Fryma e Shenjtënë formë gjuhësh të zjarrta në ditën e Pentikostisë (Rrëshajëve) (Veprat 1-2), dhe u shpërndanë në mbarë botën, ai ndejti i fundit në Jerusalem, bashkë me Marinë, për t'i shërbyer asaj deri në fund[10]. Joani bashkë me Petron ishin apostujt e parë që rendën për tek varri i Krishtit, ditën që Ai ishte ngjallur (Joani 20:3-8), dhe Njohu i pari të Krishtin e Ngjallur në detin e Tiberiadës.

U burgos bashkë me Petron dhe doli përpara Këshillit Judaik. Bashkë me Petron shkuan gjithashtu edhe në Samari, ku u lutën që të porsakthyerit në besim të mbusheshin me Shpirtin e Shenjtë. Ishte i pranishëm në sinodin (këshillin) e apostujve në Jerusalem. Më vonë Joani jetoi e punoi në Azinë e Vogël dhe u internua në ishullin Patmos (shih Zbulesa 1:9) rreth vitit 95 pas Krishtit. Në moshën mbi njëqindvjeçare sipas traditës, nxiste: “Bij të mi, ta doni njëri - tjetrin”.

Ndërroi jetë në Efes më 105-106 pas Krishtit, u varros, por më vonë trupi nuk u gjend. Çdo vit më 8 maj, dilte nga varri i tij një pluhur çudibërës shërues, që e quajtën “mana”.

Tri Letrat e Përgjithshme të tij i referohen dashurisë dhe pseudomësuesve, kurse Zbulesa (Apokalipsi) e tij, kryevepër, por e vështirë për t’u shpjeguar, profetizon veçanërisht Shfaqjen e Dytë të Krishtit.

Kisha Ortodokse e feston kujtimin e tij më 26 Shtator.

FILIPIRedakto

E kishte prejardhjen nga Betsaida dhe iu bind thirrjes së Krishtit, duke afruar dhe Nathanailin tek Ai. Ishte kaq i kujdesshëm në studimin e Ligjit dhe të profetëve, sa i përbuzi të tëra përkujdesjet e botës dhe qëndroi i virgjër gjatë gjithë jetës.

Tek mrekullia e shumimit të pesë bukëve, Jisui i tha Filipit të blinte bukë, ndërsa ky i fundit u përgjigj: “Dyqind denarë nuk do mjaftonin për t’i ushqyer” (Joani 6:7). Në një moment tjetër, apostulli i tha Jisuit: “Zot, tregona Atin”. Jisui ia ktheu: “Kaq kohë kam ndenjur mes jush dhe ende nuk më ke njohur, Filip?” (Joani 14:8-9).

Pas zbritjes së Shpirtit të Shenjtë, Filipit i ra në short të shkonte e të ungjillëzonte krahinat e Azisë (pjesa perëndimore e Azisë së Vogël). I shoqëruar nga apostull Bartholomeu dhe nga e motra, Mariamni, përshkoi Lidinë dhe Misinë, duke shpallur Ungjillin mes shumë sprovash. Duroi fshikullime, burgosje dhe goditje me gurë nga paganët, pa e humbur kurrë gëzimin dhe shpresën te Krishti që u jepte zemër.

Në Ierapojë, u zu rob. E hoqën zvarrë në sheshin qendror dhe e kryqëzuan me kokën poshtë bashkë me shën Bartholomeun. Me gjithë vuajtjet, shenjti lutej papushim.[11]

Kisha Ortodokse e feston kujtimin e tij më 14 Nëntor.

BARTHOLOMEU / NATHANAILIRedakto

Bartholomeu (nga heb. “Bar Talmey” - i biri i Tolmeut) ndonjëherë identifikohet edhe me Nathanailin. Tek Mattheu 10:3; Marku 3:18; Lluka 6:14; Veprat e Apostujve 1:13 renditet te nxënësit e Krishtit vetëm si Bartholomeu, ndërsa te Joani 21:2 vetëm si Nathanail. Nga dy emrat që kishte, siç e kishin zakon hebrenjtë, Joanit i pëlqente “Nathanail” (nga heb. - dhuratë e Perëndisë) në vend të emrit atëror “Bartholome” (nga heb. - bir i Tholomeut), nga i cili ishte më i njohur.

Vinte nga Kana e Galilesë (Joani 21:2) dhe u thirr nga Filipi për të njohur Mesinë, “Nazaretasin”. Edhe pse si njohës i Ligjit të Dhiatës së Vjetër e priste nga Betlehemi, shkoi përfundimisht te Krishti, i Cili e lëvdoi si izraelit të kulluar. Madje i shpjegoi se e kishte parë ndërsa ishte larg, nën një pemë fiku, dhe i sapoardhuri, i habitur, thirri: “Rabi, ti je i Biri i Perëndisë”! Jisui e siguroi atëherë se në të ardhmen do të shihnin mrekulli më të mëdha (Jn.1:46-52).

Sipas traditës, ai predikoi tek indianët, të cilëve u dorëzoi Ungjillin sipas Mattheut. Por ai u kryqëzua nga idhujtarët në Armeni. Rreth vitit 1000 pas Krishtit lipsani i tij u transferua në Romë.

Kisha Ortodokse e feston kujtimin e tij më 11 Qershor dhe 22 Prill.

MATTHEURedakto

Bëhet fjalë për Ungjillorin i cili para thirrjes së Krishtit ishte taksambledhës (tagrambledhës) me emrin Levi (Marku 2:14). Mattheu (nga heb. “Mattatyahu” - dhuratë e Perëndisë) ishte hebre. Krishti e thirri atë një ditë, tek rrinte në doganë, e i tha: “Më ndiq!” Menjëherë e ndoqi pas Krishtin, e në vazhdim në gjithë rrugëtimet e Tij, përtej Palestinës, dhe ishte dëshmitar i mësimdhënieve dhe i mrekullive të Tij, para Kryqëzimit dhe pas Ngjalljes. Pasi u mbush me hirin e Shpirtit të Shenjtë ditën e Pentikostisë së bashku me dishepujt e tjerë, u caktua për të ungjillëzuar bashkëkombësit hebrenj.

Thuhet se 8 vjet pas Ngjitjes në qiej të Krishtit, ai shkroi në hebraisht Ungjillin e parë (sipas Mattheut), d.m.th. tregimin e ngjarjeve, mësimeve dhe veprës Shpëtimtare të Krishtit. Ky ungjill u përkthye në greqisht disa vite më vonë nga apostull Jakovi, episkopi i parë i Jerusalemit, dhe u kopjua nga apostull Bartholomeu. Ai nuk vonoi të zëvendësonte origjinalin në hebraisht, prej të cilit s’ka më kopje. Më pas, apostull Mattheu u nis për të përhapur Lajmin e Mirë në vendin e Parthëve dhe duroi peripeci të ndryshme nga idhujtarët. Arriti më në fund në Ierapolis, në brigjet e Eufratit ku, me fuqinë e predikimit, arriti të kthente një numër të madh idhujtarësh tek besimi në Krishtin. Sipas disa burimeve thuhet se fjeti në paqe, ndërsa të tjerë pohojnë se pati fund martirik, pasi kaloi shumë tortura.[12]

Kisha Ortodokse e feston kujtimin e tij më 16 Nëntor.

THOMAIRedakto

Quhej edhe “binjak” (emri i tij në aram. “Ta’oma” - binjak). Lindi në Jude nga prindër të varfër, por i transmetuan një përkushtim të madh për Ligjin e Moisiut. Që i ri, u largua nga lojërat për t’iu kushtuar leximit dhe meditimit të Shkrimeve të Shenjta. Njohja e Fjalës së Perëndisë, gjithashtu edhe predispozitat e mira të ndërgjegjes, i lejuan të njihte se Krishti ishte Mesia i lajmëruar nga profetët, i Cili iu shfaq dhe e ftoi apostullin për ta ndjekur. La varkën dhe rrjetat dhe u bë një nga të dymbëdhjetët. U persekutua, u dëbua, u qëllua me gurë nga judenjtë, e ndoqi kudo Jisu Krishtin me zell të zjarrtë dhe madje, ishte ai, Thomai që, kur Krishti mori rrugën e Jerusalemit për t’u dhënë në duart e atyre që do ta vrisnin, u tha dishepujve të tjerë: “Le të shkojmë dhe ne që të vdesim bashkë me të!” (Joani 11:16).

Ai dyshoi për Ngjalljen e Krishtit dhe nuk ishte i gatshëm të besonte pa prekur më parë plagët e Zotit, por më pas dëshmoi për besimin e tij duke thënë: “Zoti im dhe Perëndia im” (Joani 20:28). Kësisoj ishte i pari që foli kaq qartë për hyjninë e Krishtit. Ditën e Pentikostisë Thomai ishte bashkë me apostujt e tjerë kur Shpirti i Shenjtë zbriti mbi kokat e tyre në formë gjuhësh zjarri. Atëherë ai u mbush me fuqi hyjnore për të lëçitur në botë shpëtimin dhe për të ungjillëzuar në krahina të largëta të Medesë, të Parthës (Irani i sotëm) dhe në Indi. Vdiq i vrarë me heshtë.[13]

Kisha Ortodokse e feston kujtimin e tij të Dielën pas Pashkës (kjo është e kremte e lëvizshme, pra që nuk bie në datë fikse, në varësi të Pashkës) si dhe më 6 tetor.

JAKOVI "I VOGEL" , I ALFEUTRedakto

Ishte i biri i Alfeut dhe vëllai i Mattheut. Quhet edhe “Jakovi i vogël” (Marku 15:40).

U shpalli me zell të madh Lajmin e mirë paganëve. Me Hirin e Shpirtit të Shenjtë, dëbonte frymët e këqija, shëronte të sëmurët dhe bënte shumë mrekulli, madje paganët morën zakonin ta quanin “farë hyjnore” sepse ai shpërndante farën e Fjalës Hyjnore në zemrat e njerëzve.

Ungjillëzoi krahinën e Gazës, pastaj Elefteropolin etj. Në fund u arrestua nga judenjtë në një qytet të Egjiptit, në Ostrakinë, dhe përfundoi i varur në kryq.[14]

Kisha Ortodokse e feston kujtimin e tij më 9 Tetor.

SIMON ZELOTIRedakto

Simoni (heb. “Shim’on” - Ai ka dëgjuar) ishte Kananeas dhe zelot, 2 terma këto të së njëjtës fjalë në hebraisht (“kananeas” nuk ka kuptimin “banor i Kanës”, por të dy termat derivojnë nga fjala hebraike “qanai”, që do të thotë zelltar, ose i zellshëm) Sipas një tradite të vjetër, apostull Simon Zeloti ishte dhëndri në dasmën e Kanës së Galilesë, në të cilën Krishti bëri mrekullinë e Tij të parë duke kthyer ujin në verë (Joani 2:1-11). Pasi pa këtë mrekulli, Simoni besoi me gjithë zemër te Krishti dhe la gruan, shtëpinë, atdheun për të ndjekur Krishtin.

Ditën e Pentikostisë, së bashku me apostujt e tjerë, mori dhuratën e Shpirtit të Shenjtë në formë gjuhe zjarri dhe, i mbushur me të vërtetë me “zell” hyjnor, shkoi të predikojë Lajmin e mirë në Afrikë, ku ungjillëzoi gjithë Mauritaninë dhe Libinë. Thuhet të ketë arritur deri në Britaninë e Madhe, ku ndriçoi shumë paganë me anë të predikimit të tij. U kryqëzua nga idhujtarët, ashtu si Krishti, dhe u varros në po atë vend.

Kisha Ortodokse e feston kujtimin e tij më 10 Maj.

JUDA I JAKOVIT (TADEU)Redakto

Ky është apostulli që në Ungjill referohet si “Juda i Jakovit”, ose “jo Iskarioti”, ose Leveu ose Tadé. Vinte nga qyteti i Edesës në Siri, nga një familje hebreje, nga e cila kishte marrë një njohje të shkëlqyer të Shkrimeve të Shenjta. Shkoi në Jerusalem për një pelegrinazh dhe, kur dëgjoi shën Joan Pagëzorin të fliste për pendimin, plot entuziazëm u pagëzua prej tij.

Pak kohë më vonë takoi edhe vetë Jisu Krishtin. Mrekullitë e shumta që Jisui kryente dhe jeta e Tij e panjollë e bindi Tadeun se ai ishte Zoti dhe kështu u bashkua me grupin e nxënësve të Krishtit. Ishte ai që e pyeti Krishtin se përse ua shfaqi veten të Dymbëdhjetëve, e jo të gjithë botës (Joani 14:22). Sipas premtimit që Krishti i kishte bërë mbretit Avgar, i cili e kishte ftuar të vinte e ta shëronte, pas Ngjitjes së Krishtit në qiell, ai e dërgoi Tadeun në Edesë për ta pagëzuar dhe për ta shëruar tërësisht nga lebra. Apostulli e pagëzoi atë dhe shumë banorë të mbretërisë e cila ishte e para që shpalli se ishte e krishterë. Atje Juda ndërtoi shumë kisha dhe më pas filloi të predikonte Ungjillin e Krishtit në qytete të tjera të Sirisë, sipas disa të tjerëve në Mesopotami.

Kur arriti në Bejrut, në Feniki, pagëzoi një numër të madh paganësh, atje dha dhe frymën e tij.

Kisha Ortodokse e feston kujtimin e tij më 21 Gusht.

JUDA ISKARIOTIRedakto

Emërtimi “Iskariot”, që në hebraisht do të thotë “banor i Kariothit” (një krahinë në jug të Palestinës), tregon se ai ishte jude, i vetmi jude ndër nxënësit, pasi të tjerët ishin galileas.

Juda kishte një funksion të rëndësishëm në bashkësinë e të Dymbëdhjetëve.

Juda mbante kuletën e asprave (parave). Kur Maria, motra e Llazarit, i leu këmbët Jisuit me miro të shtrenjtë, ishte pikërisht Juda ai që tha se miroja mund të ishte shitur 300 denarë, e paratë t’u shpërndaheshin të varfërve, jo për qëllim bamirës, por sepse i përvetësonte paratë që hidheshin në kuletë (Joani 12:4-6).

Hëngri bashkë me Krishtin dhe nxënësit e tjerë në Darkën Mistike, ku Jisui paratha se ai që do të ngjyente bukën pas tij (Juda), do ta bëhej tradhtar (Lluka 14:20).

E tradhtoi Krishtin në Këshillin Judaik, që asokohe përbënte institucionin më të lartë të drejtësisë në Jerusalem. Juda madje edhe puthi Jisuin përpara se ta arrestonin (Lluka 22:48). Përfundoi me vetëvrasje. Pasi vrau veten, apostujt u mblodhën dhe caktuan Matthian që ta zëvendësonte.

MATTHIARedakto

Pas tradhtisë së Judës dhe Ngjitjes në Qiell të Krishtit, teksa 11 nxënësit, (bashkë me disa gra që i shërbenin, përfshirë Marinë, nënën e Jisuit)  ndodheshin në dhomën e sipërme, Petroja propozoi që të zgjidhej një tjetër në vend të Judës. Ai do të zgjidhej nga radhët e atyre që pasonin dhe i shërbenin Krishtit (shtatëdhjetë apostujt) (Vep. 1:12-22)

Propozimi i tij u pranua dhe u paraqitën dy kanditatët: Josifi, i quajtur Barsaba, i mbiquajtur Just, dhe Matia. Atëherë u lutën dhe hodhën short. Shorti ra mbi Matthian dhe ai iu shtua të 11 apostujve (Vep. 1:23-26).

Më pas ai predikoi Ungjillin në Etiopi, ku dhe u martirizua.

Kisha Ortodokse e feston kujtimin e tij më 9 Gusht.

BurimeRedakto

  • The Synaxarion: The Lives of the Saints of the Orthodox Church, Volume V: May - June, Translated from French by: Mother Maria (Rule) and Mother Joanna (Burton), ISBN: 960-518-247-5, 2005.
  • The Synaxarion: The Lives of the Saints of the Orthodox Church, Volume VI: July, August, Translated from French by: Mother Maria (Rule) and Mother Joanna (Burton), ISBN: 978-960-518-305-9, 2008.
  • Θρησκευτικὴ καὶ ἠθικὴ ἐγκυκλοπαίδεια, Εκδότης Αθ. Μαρτίνος, Αθήναι : 1962-1968, τομ.2, Αθηναι 1963 [1]
  • Nicon Patrinacos, A Dictionary of Greek Orthodoxy, Hellenic Heritage Publications, Pleasantville, NY, 10570, 1987.
  • Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.I Shtator - Tetor, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2014.
  • Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.II , Nëntor - Dhjetor, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2014.
  • Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.III Janar - Shkurt, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2016.
  • Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.IV Mars - Prill, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2019.

Shiko edheRedakto

  • Oρθόδοξος συναξαριστής, Σύναξη των Αγίων Δωδεκα Αποστόλων [2]
  • Orthodox Wiki [3]
  • Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë - Adhurimi [4]
  • Migne, Patrologiae Graecae [5]
  • OCA [6]
  • Kalendari kremtues Ortodoks 2020 [7]

ReferimeRedakto

  1. ^ Θρησκευτικὴ καὶ ἠθικὴ ἐγκυκλοπαίδεια, Εκδότης Αθ. Μαρτίνος, Αθήναι : 1962-1968, τομ.2, Αθηναι 1963, σ. 1176
  2. ^ Nicon Patrinacos, A Dictionary of Greek Orthodoxy, Hellenic Heritage Publications, Pleasantville, NY, 10570, 1987, fq 34.
  3. ^ "Veprat e Aostujve". Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Nicon Patrinacos, A Dictionary of Greek Orthodoxy, Hellenic Heritage Publications, Pleasantville, NY, 10570, 1987, fq 34- 35.
  5. ^ "Kalendari i Krishterë Ortodoks 2020". Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ Atë Justini, nga "Thesari i Shenjtorëve", bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2004, fq.206.
  7. ^ Atë Justini, nga "Thesari i Shenjtorëve", bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2004, fq. 207.
  8. ^ Hieromonak, Makarios (2014). Sinaksari, Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi II Nëntor - Dhjetor. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 348–350. ISBN 978 - 9928 - 4251 - 5 - 7. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  9. ^ Hieromonak, Makarios (2019). Sinaksari, Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi III, Mars - Prill. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 741. ISBN 978 - 9928 - 266 - 06 - 4. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  10. ^ Hieromonak, Makarios (2014). Sinaksari, jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi I Shtator - Tetor. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 269. ISBN 978 - 9928 - 4251 - 0 - 2. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  11. ^ Hieromonak Makarios, Sinaksari, Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi II, Nëntor - Dhjetor , bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2014, fq 167-168.
  12. ^ Hieromonak Makarios, Sinaksari, Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi II, Nëntor - Dhjetor , bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2014, fq 194-195.
  13. ^ Hieromonak, Makarios, Sinaksari, jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi I Shtator - Tetor, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë,Tiranë 2014, fq 382-384.
  14. ^ Hieromonak, Makarios, Sinaksari, jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi I Shtator - Tetor, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë,Tiranë 2014, fq. 403