Gjinitë letrare
Kur flasim për letërsinë, ne kemi parasysh një mori librash, që përmbajnë tekste nga më të shumëllojshmet, të shkruara në mënyra të ndryshme. Që në kohën kur ekzistonte biblioteka e famshme e Aleksandrisë, është ndier nevoja që librat të klasifikoheshin për t'u dalluar më qartë se për çfarë flisnin, pra, për t'u disiplinuar në raftet e bibliotekës. Për klasifikimin e veprave letrare ka mendime të ndryshme nga studiuesit, pasi kjo përbën një vështirësi të madhe, sepse nuk ka vepra të llojeve të pastra. Por për lehtësi studimi, mendimi më i pranuar nga shumica është dallimi i tri ndarjeve të mëdha (gjinive letrare), ku mund të klasifikohet shumica e veprave letrare :
- Gjinia epike,
- Gjinia lirike,
- Gjinia dramatike.
Brenda këtyre gjinive dallohen lloje e nënlloje të tjera letrare. Ashtu si letërsia e shkruar, edhe llojet e letërsisë gojore përfshihen në këto tri gjini.
Gjinia epike
RedaktoNë gjininë epike futen ato vepra, në të cilat autori rrëfen ngjarje (vetë ose nëpërmjet personazheve). Këto vepra mund të jenë të shkruara : në vargje (epi, poema, cikle këngësh, epope që e marrin temën nga ngjarje historike etj.) dhe në prozë. Romani, novela, tregimi janë lloje të mëvonshme të prozës, të cilat e kanë zanafillën në veprat epike.
Në gjininë epike dallohen dhe llojet epiko-lirike, ku autori përveçse rrëfen ngjarjet, shpreh ndjenjat dhe mendimet e tij. Të tilla mund të jenë : poemat, baladat (që e marrin temën nga jeta morale dhe shoqërore), fabulat (që nëpërmjet figurave të kafshëve trajtojnë marrëdhënie njerëzore). Në llojet epike rrëfimi bëhet përgjithësisht në vetën e tretë, por edhe në vetën e parë.
Gjinia lirike
RedaktoNë gjininë lirike futen ato krijime, në të cilat autori nuk rrëfen ngjarjet, por shpreh ndjenjat dhe mendimet e tij. Kryesisht krijimet lirike janë poezi të shkurtra. Në lloje lirike përgjithësisht rrëfimi është në vetën e parë.
Gjinia dramatike
RedaktoNë gjininë dramatike përfshihen ato vepra, të cilat shkruhen me qëllim që të vihen në skenë dhe të interpretojnë aktorët. Autori fshihet pas personazheve vepruese që flasin nëpërmjet dialogut ose monologut. Llojet e hershme të kësaj gjinie janë tragjedia dhe komedia, të shkruara në vargje. Sot përgjithësisht dramat shkruhen në prozë.[1]
Referimet
Redakto- ^ Gjuha Shqipe 8, botues Albas