Gjon Kastrioti II
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Gjon Kastrioti II (i njohur edhe si Gjon Kastriota, ital. a Giovanni Castriota; * 1456; † 2. gusht 1514) ka qënë një princ shqiptar dhe njëkohësisht Kont i Soletos si edhe Signore di Monte Sant’Angelo dhe San Giovanni Rotondo në Mbretërinë e Napolit.
Jeta
RedaktoVdekja e Skënderbeut më 17 janar 1468, qe një gjëmë e madhe për Arbërinë. Po aq e madhe qe edhe për familjen e Heroit. Donika Kastrioti dhe djali i saj Gjon Kastrioti, 13-14-vjeçar, e patën të vështirë të jetonin në Shqipëri pa kryefamiljarin e tyre.
Rreziku i vazhdueshëm shkaktuar nga pushtuesit osmanë detyroi Donikën dhe të birin të largoheshin nga Shqipëria. Republika e Venedikut e kishte shpallur Gjonin, birin e Skënderbeut, "Qytetar Nderi" dhe kishin siguruar edhe një shtëpi banimi në ishullin Kurcola. Pavarësisht kësaj Donika preferoi Mbretërinë e Napolit. Arsyeja parësore ishte trashëgimia nga bashkëshorti i dy feudeve në Pulia, të cilat mbreti i Napolit, Ferdinandi, ia kishte dhuruar me dekret më 1464 - njërën në Monte Santanxhelo, tjetrën në San Giovanni Rotondo. Një tjetër arsye themelore ishte siguria që realizohej prej Mbretërisë së Napolit, të cilët ndryshe nga Venediku.
Betejat kundër Perandorisë Osmane
RedaktoPasi Gjon Kastrioti zbarkoi në jug të Durrësit, anijet napoletane iu drejtuan Shqipërisë së Poshtme dhe zbarkuan Konstandin Muzakën në zonën e Himarës, ku ishte krijuar një vatër tjetër kryengritjesh antiosmane. Ndërkohë në Shqipërinë e Epërme, në rajonet malore të Lezhës e të Shkodrës vepronin forcat e Nikollë Dukagjinit e Lekë Dukagjinit. Këta sulmuan edhe qytetin e Shkodrës, gjë që e detyroi Sulejman Pashën të dërgonte përforcime ushtarake edhe në këtë zonë. Gjon Kastrioti u mirëprit nga banorët e Shqipërisë Qendrore si trashëgimtar i ligjshëm i vendit. Me ardhjen e tij kryengritësit e këtyre rajoneve e fuqizuan luftën për dëbimin e pushtuesve osmanë. Në këto kushte, Sulejman pashë Eunuku nisi kundër tyre një pjesë të ushtrisë osmane, e cila po përgatitej në rrethinat e Vlorës për të shkuar në Itali.
Për të përballuar sulmin e ushtrisë osmane Gjon Kastrioti dërgoi një pjesë të luftëtarëve të vet në mbrojtje të një shtegu nga do të kalonin trupat armike. Por luftëtarët shqiptarë nuk e përballuan dot sulmin e forcave osmane dhe thuajse të gjithë ranë robër. Kjo humbje ia lëkundi besimin Gjon Kastriotit për suksesin e kryengritjes, prandaj ai mendoi të largohej nga Shqipëria dhe të kthehej në Itali. Por banorët e zotërimeve të Kastriotëve shprehën një gatishmëri masive për të vazhduar luftën kundër pushtuesve osmanë. Rreth 7 mijë luftëtarë u grumbulluan rreth Gjon Kastriotit dhe në gjysmën e parë të muajit gusht të vitit 1481 i sulmuan dhe i shpartalluan trupat osmane. Krahas kësaj fitoreje u arrit të liroheshin edhe shqiptarët që ishin zënë rob prej osmanëve në betejën e mëparshme.
Po gjatë muajit gusht të vitit 1481 edhe në viset perëndimore të Shqipërisë së Poshtme, sidomos në rajonin e Himarës, u zhvilluan luftime të ashpra ndërmjet shqiptarëve dhe trupave osmane. Nën drejtimin e Konstandin Muzakës luftëtarët shqiptarë rrethuan dhe sulmuan kështjellën e Himarës dhe të Sopotit (Borshit). Gjendja shumë e vështirë që u krijua për forcat osmane, që vepronin në këto vise, e detyroi Sulejman Pashën të nisej vetë në krye të 3000 ushtarëve në drejtim të Himarës. Por rrugës këta u shpartalluan prej shqiptarëve dhe lanë mbi 1000 të vrarë e robër. Midis robërve ishte edhe beu i Rumelisë, Sulejman Pasha, të cilin himariotët ia dhanë si trofe lufte Gjon Kastriotit, shprehje kjo e ndjenjave të tyre të thella për Gjergj Kastriot Skënderbeun, si dhe të respektit që ata tregonin për veprimtarinë e djalit të tij. Për të tërhequr vëmendjen e përkrahjen e shteteve evropiane për luftën e shqiptarëve, Gjoni i dërgoi mbretit të Napolit si trofe beun e Rumelisë. Pas fitores së himariotëve mbi trupat e Sinan Pashës, në viset bregdetare të Shqipërisë së Poshtme u çliruan kështjella e Himarës më 31 gusht 1481 dhe më pas ajo e Sopotit.
Shpartallimi i ushtrisë së Sulejman Pashës në Shqipëri, i lehtësoi së tepërmi aksionet luftarake antiosmane që zhvilloheshin në mbretërinë e Napolit. Më 10 shtator të vitit 1481 ushtria e Napolit çliroi kështjellën e Otrantos dhe i dëboi kështu osmanët nga Italia. Pas fitoreve të shqiptarëve gjatë muajit gusht të vitit 1481 kundër ushtrisë së Sulejman Pashës, u zgjeruan veprimet e tyre luftarake për çlirimin e qyteteve dhe të kështjellave të vendit. Luftëtarët e Gjon Kastriotit iu drejtuan Krujës dhe ndërmorën sulme për çlirimin e saj. Megjithëse nuk arritën ta merrnin atë, pasi kështjella e Krujës ishte e fortifikuar dhe e papushtueshme me forcën e armëve, deri në fund të vitit 1481 shqiptarët çliruan një pjesë të konsiderueshme të zotërimeve të Kastriotëve, duke përfshirë edhe kështjellën e Stelushit, si dhe krahina të tjera rreth saj. Si kryezot i viseve të çliruara u njoh Gjon Kastrioti.
Pas marrëveshjes së paqes të vitit 1483 ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë së Napolit, ushtritë osmane fuqizuan veprimtarinë e tyre për ripushtimin e zotërimeve të Kastriotëve dhe të viseve të tjera të lira shqiptare. Edhe pse në janar të vitit 1484 luftëtarët e Gjon Kastriotit shpartalluan një ushtri osmane pranë lumit Erzen, qëndresa dhe lufta e organizuar e shqiptarëve përkohësisht filloi të dobësohej prej presionit të madh e të pandërprerë të trupave pushtuese. Në verë të vitit 1484 osmanët ripushtuan kështjellën e Himarës. Rënia e qëndresës antiosmane e detyroi Gjon Kastriotin të largohej nga Shqipëria dhe të vendosej përsëri në pronat që Kastriotët kishin në Itali. Të njëjtën gjë bënë edhe sundimtarët e tjerë shqiptarë, që kishin emigruar dhe që në fillim të viteve 80 erdhën në Shqipëri për të udhëhequr kryengritjet antiosmane.
Familja
RedaktoGjon Kastrioti u martua me Princeshën Jerina Brankoviç-Palaiologina, bijë e Despotit Llazar Brankoviç dhe të shoqes Helena e Moresë. Jerina ishte pasardhëse e Perandorëve Bizantinë nga ana e mamasë së saj, mbesë e Manuelit III. Gjoni dhe Jerina patën pesë fëmijë:
• Gjergj II (Giorgio Castriota)
• Konstandin, Peshkop i Izernias (Costantino Castriota, Vescovo d'Isernia) i cili vdiq në vitin 1500 në moshën 20-vjeçare
• Ferrante, Duka i San Pietro in Galatina dhe Konti i Soleto (v. 1561), i cili trashëgoi titujt e të atit. Ai u martua me Princeshën Adriana Acquaviva d'Aragona me të cilën pati fëmijë. M. Barleci do ti kushtonte Ferrantes një parathënie në librin e tij “Historia e Skënderbeut".
• Alfonso (ose Federiko) , i cili vdiq më 1503 në moshën 15-vjeçare në Valencia të Spanjës ku kishte shkuar së bashku me gjyshen e tij Donika Kastriotin si shoqërues fisnik i mbretëreshës Joana të Aragonës, dhe ku u varros me nderime mbretërore.
• Maria, e cila lidhi kurorë me Carlo Minutolo, dhe iu përkushtua plotësisht artit.
Mendohet se Gjon Kastrioti u nda nga jeta pas vitit 1502 dhe titujt e tij u trashëguan nga i biri Ferrante Kastrioti. Pasardhësit e tij arbëresh të cilët jetojnë kryesisht në jug të Italisë njihen ende nën mbiemrin Castriota-Scanderbeg.
Literaturë
Redakto- Carlo Padiglione: Di Giorgio Castriota Scanderbech e de'suoi discendenti. Giannini, Napoli 1879.
- Gennaro Maria Monti: La spedizione in Puglia di Giorgio Castriota Scanderbeg e i feudi pugliesi suoi della vedova e del figlio. In: Japigia. Nuova serie, Bd. 10, 3, 1939, Stampa:Catalog lookup link, S. 275–320.
- Papàs Francesco Chetta-Schiro: I Castriota, Principi d'Albania. Nell'Ordine Sovrano e Militare di Malta. Origine della famiglia Castriota. „Malta“, Valletta (Malta) 1929.