Harun Aliu
Harun Aliu (20 Maj 1971 – 12 Maj 2010) i njohur si Komandant Kushtrimi, ishte njëri nga komandantët dhe themeluesit më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK-së) gjatë Luftës së vitit 2001 në Maqedoni dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë Luftës në Kosovë. Lindi më 20 Maj 1971 në fshatin Hasanbeg të Shkupit dhe u vra më 12 Maj 2010 në afërsi të fshatit Radushë të Shkupit sëbashku me shokët e tij të luftës. Ai u vra nga forcat policore maqedonase, pasi ra në një pritë të organizuar. Vrasja e tij kishte ndodhur gjatë qeverisjes së politikanit kontravers dhe anti-shqiptar Nikolla Gruevskit, i cili e kishte partner kryetarin e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmetin. Vrasja e këtij heroi cilësohet si e dyshimtë dhe e montuar.
Harun Aliu | |
---|---|
Pseudonimi/et | "Komandant Kushtrimi" |
Lindur më | 20 Maj 1971 Hasanbeg, afër Shkupit, ish–Jugosllavia, (sot Maqedonia e Veriut) |
Vdekur më | 12 Maj 2010 Radushë, rrethina e Shkupit, Republika e Maqedonisë, (tani Maqedonia e Veriut) |
Në aleancë me | |
Vite shërbimi | 1995 – 2010 |
Grada | Komandant |
Njësia |
|
Betejat/luftrat |
Jeta e hershme
RedaktoHarun Aliu u lind më 20 maj të vitit 1971 në lagjen Hasanbeg të Shkupit, një lagje tradicionale shqiptare, e cila e kishte ruajtur kompaktësinë etnike edhe pas masakrave të ushtrive sllave, qysh prej vitit 1912, kur vendbanimet dhe trojet shqiptare u dogjën e u shkatërruan nga aleanca e shenjtë sllave, në krye me Rusinë Cariste dhe militarizmin e shteteve të sapokrijuara sllave në Ballkan. Shkollën fillore Haruni e kreu në vendlindje, në kohën kur shqiptarët në Maqedoni nuk gëzonin as të drejtat elementare kombëtare. Duke mos parë perspektivë për vazhdimin e shkollimit në gjuhën shqipe, Haruni u nis drejt shteteve arabe dhe u vendos në Damask të Sirisë, ku kryen shkollën e mesme. Pas mbarimit të shkollimit në Siri, kthehet në Shkup dhe duke qenë i etur për arsimim kombëtar regjistrohet në Fakultetin e Historisë, në Universitetin e Tetovës, i cili ishte Universiteti i vetëm shqiptar në ILIRIDË, që nuk i nënshtrohej Qeverisë diskriminuese të Shkupit dhe vetëfinancohej nga donatorët vullnetmirë e arsimdashës. Haruni i kreu me sukses studimet, por gjendja e rëndë e popullit shqiptar nën robëri nuk e linte të qetë. I besonte lirisë dhe ishte nisur në rrugën, të cilës i besonte, ashtu sikur i besonte Hyjit krijues, por edhe drejtësisë dhe domosdosë së fitores së dritës kundër errësirës. Në moshën 24 vjeçare, tashmë burrë i kalitur në sfidat e jetës, ai i bashkohet Lëvizjes Popullore të Kosovës, të vetmes opozitë reale të forcave të shëndosha kombëtare shqiptare në trojet e robëruara. Kishte ndihmuar Lëvizjen në të gjitha segmentet, ndërsa në vitin 1998, ai bashkë me Beqir Limanin, Qemal Shaqirin dhe bashkëveprimtarë të tjerë, themeloi celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Maqedoni, në Zonën e Dytë Operative. Prej vitit 1995 deri në vitin 1998 Haruni bëri furnizimin me armë të anëtarëve të LPK-së, por në vitin 1998 grupi u zbulua nga shërbimet e sigurimit shtetëror të Maqedonisë. Në aksionin e ndërmarrë nga policia maqedonase, u burgosën disa nga bashkëveprimtarët e Harunit, me ç’rast policia vrau para shtëpisë së tij, Beqir Limanin nga Kërçova. Asokohe, Haruni ndodhej në Shqipëri. Duke qenë se ai e merrte me mend se aktiviteti i tij ishte dekonspiruar, vendosi të mos kthehej në Maqedoni për një kohë. Aktivitetin e tij e vazhdoi në Shqipëri, në kontakt me kreun e LPK-së, e cila tashmë kishte aktivizuar sektorin e luftës së armatosur, me qëllim për të organizuar luftën çlirimtare në Kosovë. Pas mbarimit të luftës së UÇK-së në Kosovë, Haruni e fokusoi aktivitetin në formimin e formacionit të ri ushtarak, të cilin bashkë me shokët e tij e emëroi Ushtria Çlirimtare Kombëtare.
Lufta e vitit 2001 në Maqedoni
RedaktoPas mbarimit të luftës së UÇK-së në Kosovë, Haruni e fokusoi aktivitetin në formimin e formacionit të ri ushtarak, të cilin bashkë me shokët e tij e emëroi Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Në mars të vitit 2001, Harun Aliu ndodhej në fshatin Sellcë të Tetovës, ku asokohe ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila tashmë kishte filluar aksionet e para kundër forcave policore dhe ushtarake maqedonase. Në emër të anëtarit të shtabit, ai u paraqit në mediat e vendit dhe të huaja me nofkën “Arben Ali”. Me këtë rast para mjeteve të informimit ai shpalosi qëllimet e luftës çlirimtare që po zhvillonte Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Më 5 shtator të vitit 2001, derisa ndodhej në Kosovë Haruni u arrestua e më pas u burgos nga policia e UNMIK-ut me ç’rast u dënua me 4 vjet burg. Ai u dërgua në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës, ku mbajti rreth katër vite burg. Pas lirimit nga burgu, Harun Aliu shkoi në familjen e tij, në lagjen Hasanbeg të Shkupit, ku kishte munguar për gjashtë vjet rresht, duke qenë dy vjet në luftë e katër vjet në burg. Pas kthimit në shtëpi, Haruni, në bisedë me bashkëluftëtarët kishte filluar të interesohej për rezultatin e sakrificës së tij, dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ai me kohë kishte vërejtur se nga kjo marrëveshje kompromisi ishte degraduar edhe më keq pozita e shqiptarëve në Maqedoni. Ajo jo vetëm që nuk ishte përmirësuar, por në disa segmente edhe ishte përkeqësuar. Ishte dëshpëruar shumë kur kishte kuptuar se ishte ndryshuar preambula e Kushtetutës, në dëm të shqiptarëve. I pakënaqur me gjendjen e rëndë të shqiptarëve dhe me moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila edhe po të realizohej në tërësi nuk ishte ndonjë shpagim i sakrificës së shqiptarëve, Haruni, në vitin 2006, themeloi “Alternativën Kombëtare”, që ishte një alternativë karshi programit të forcave kryesore politike shqiptare në Maqedoni. Në shenjë hakmarrjeje kundër vrasjes së shqiptarëve në Brodec nga ushtria dhe policia sllavo–maqedonase në nëntor të vitit 2007, ishte goditur një veturë e policisë me ç’rast ishte vrarë një polic maqedonas dhe ishin plagosur rëndë katër të tjerë. Duke qenë se jetonte ilegalisht, regjimi i Shkupit e akuzoi Harunin për këtë vrasje dhe e dënoi me burg të përjetshëm, në mungesë. Haruni nuk ishte i gatshëm t’i dorëzohej policisë, për të dëshmuar fajësinë apo pafajësinë e tij, por vazhdoi aktivitetin e tij kombëtar në përpjekje për riorganizimin e luftës së armatosur. U detyrua sërish të largohet nga vendi dhe nga familja, e cila nuk dinte gjë për rrugëtimet e tij.
Hyrja në Politikë
RedaktoParaqitja e Harun Aliut në skenën politike si duket ishte një shqetësim për qeverinë e atëhershme maqedonase, madje vetë prania e tij në Maqedoni ishte irrituese për ta, sepse ata si duket e njihnin komandantin më shumë se sa bashkëkombësit e tij, prandaj edhe u vunë në kërkim të ndonjë preteksti për ta larguar prapë nga vendi i tij, për të cilin kishte luftuar vite me radhë.
Në vitin 2008, emri i tij do të përfshihet në vrasjen e një polici maqedonas të njësisë speciale "Tigrat", një montim i radhës për ta dëbuar atë nga vendlindja. Për këtë montim të paskrrupullt politik, nga ana e Gjykatës Themelore të Shkupit, Harunit iu shqiptua në mungesë: dënimi kapital, burg i përjetshëm. Mirëpo ai prapë nuk dinte të dorëzohej, sepse motoja e tij ishte “O Vdekje, O Liri".
Vrasja
RedaktoRruga, ideali dhe veprimtaria e tij atdhetare përfunduan më 12 Maj të vitit 2010, kur në afërsi të Radushës, sëbashku me tre bashkëveprimtarë të tij, ishte qëlluar për vdekje. Vrasja e tij u cilësua si e dyshimtë dhe e montuar. Haruni la pas vetes bashkëshorten dhe djalin e tij 1 vjeçar Fisnikun. Harun Aliu u varros me nderime të larta ushtarake dhe fetare në varrezat e fshatit të tij të lindjes, në Hasanbeg të Shkupit. Në aksionin e policisë maqedonase në afërsi të Radushës, natën vonë policia kishte zënë pritë dhe pa asnjë paralajmërim kishte gjuajtur në drejtim të furgonit ku ndodheshin katër veteranët e luftërave tona çlirimtare, në mesin e tyre edhe Harun Aliu. Përveç tij, në këtë pritë gjetën vdekjen edhe Shaban Zenuni nga Merova e Tetovës, Qemal Mustafa nga Gërçeci i Shkupit dhe Xhafer Shala nga Kosova. Harun Aliu është shpallur dëshmor i kombit, më 19 maj të vitit 2010 nga Shoqata e Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës së UÇK-së “KALAJA”. Në mbledhjen e kryesisë qendrore të këtij asociacioni veteranësh e invalidësh ishte vlerësuar kontributi çmuar i tij në favor të çështjes kombëtare. “Duke analizuar punën e tij që nga periudha e ilegalitetit e deri në luftërat e fundit të popullit shqiptar të zhvilluara në ish-Jugosllavi unanimisht morëm vendim që njeriun e celulave të para të lëvizjeve kombëtare Harun Aliu, i njohur me nofkën “Komandant Kushtrimi” ta shpallim Dëshmor të Kombit” – thuhej në komunikatë. Po ashtu në këtë mbledhje u vendos që edhe Shaban Zenuni, "Komandant Hoxha” të shpallet Dëshmor i Kombit për kontributin e dhënë gjatë luftës së vitit 2001, si dhe për besnikërinë që tregoi për Komandant Kushtrimin deri në ditën e vrasjes së tyre makabre nga pushteti sllavo-maqedonas në bashkëpunim me vasalët e tyre”.
Pas ngjarjes
RedaktoPërveç ish-eprorëve të UÇK-së, dyshime për aksionin policor në Radushë kanë shprehur edhe të gjitha partitë politike shqiptare, me përjashtim të partisë së BDI-së në pushtet. Sipas tyre, bëhet fjalë për aksione të inskenuara të policisë maqedonase me qëllim të komprometimit të shqiptarëve, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon. Xhezair Shaqiri i njohur si "Komandant Hoxha", ndërkaq ka kritikuar qëndrimin e Kosovës dhe Shqipërisë për ngjarjet në Maqedoni.
“Po befasohemi nga politika e Kosovës dhe e Shqipërisë, që me ose pa qëllim po e ndihmojnë Gruevskin në ofensivat e tij ndaj shqiptarëve të Maqedonisë”–thoshte ai. Sipas tij, është dashur që të ushtrohet presion i drejtpërdrejtë ndaj Gruevskit, ashtu që ai të ndalojë montimet aktuale dhe ta implementojë Marrëveshjen e Ohrit. Nga ana tjetër, sipas Shaqirit, Ali Ahmeti e Menduh Thaçi janë nën ndikim të plotë të Gruevskit. “Po ju paralajmëroj se Gruevski nuk ndalet me kaq”, theksoi Shaqiri për gazetën "Lajm", duke iu apeluar ish-ushtarëve të UÇK-së që të ruhen nga proceset e montuara që tashmë po përgatiten nga policia maqedonase.
“Edhe rasti i Harun Aliut është i montuar. Ai sigurisht është ekzekutuar më herët”, pohoi Shaqiri, i cili kërkonte që bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion Nikolla Gruevskit për ndaljen e ofensivës ndaj shqiptarëve.
Referencat
RedaktoBiografia e zgjeruar e dëshmorit.