Jürgen Schmidhuber (shqip Jurgen Shmiduber) (lindur më 17 janar 1963) në Mynih, është një shkencëtar i kompjuterit me origjinë gjermane, i njohur për punën e tij në fushën e inteligjencës artificiale, veçanërisht në rrjetet nervore artificiale. Ai është drejtori shkencor i institutit kërkimor për inteligjencën artificiale "Dalle Molle" në Zvicër.

Jürgen Schmidhuber
Jürgen_Schmidhuber
Shmiduber-i duke folur në samitin global "AI for GOOD" në vitin 2017
U lind në (1963-01-17) 17 janar 1963 (61 vjeç)
KombësiaGjermane
ShkollimiUniversiteti Teknik i Mynihut
Njohur përKujtesa afatshkurtër e gjatë
Makina Gëdel
Kureshtja artificiale
Karriera shkencore
FushatInteligjenca Artificiale
InstitucionetInstituti kërkimor për Inteligjencën Artificiale "Dalle Molle"
Faqja në rrjetpeople.idsia.ch/~juergen

Ai më së tepërmi është i njohur për punën e tij themelore dhe shumë të cituar mbi kujtesën afatshkurtër të gjatë (Long Short-Term Memory, LSTM)[1], një lloj arkitekture e rrjeteve nervore, që ishte teknika dominuese për shumë detyra të përpunimit të gjuhës natyrore, në kërkim dhe në zbatime tregtare gjatë viteve 2010.[2][3]

Karriera profesionale

Redakto

Shmiduber-i përfundoi studimet universitare (1987) dhe doktoraturën (1991) në Universitetin Teknik të Mynihut në Mynih, Gjermani. Mentorët e tij të doktoraturës ishin Wilfried Brauer dhe Klaus Schulten. Nga viti 2004 deri më 2009, ai dha mësim në këtë universitet. Që nga viti 2009 deri në 2021 ishte profesor i inteligjencës artificiale në Universitetin e Zvicrës ItalianeLugano.

Që nga viti 1995, ai është drejtori i institutit kërkimor për inteligjencën artificiale "Dalle Molle", një laborator kërkimi zviceran për inteligjencën artificiale.

Në vitin 2014, Shmiduber-i themeloi një kompani, Nnaisense, për të zhvilluar zbatime tregtare të inteligjencës artificiale në fusha si financa, industria e rëndë dhe makinat autonome. Sepp Hochreiter-i, Jaan Tallinn-i dhe Marcus Hutter-i janë këshilltarë të kompanisë. Në vitin 2016, të ardhurat ishin nën 11 milionë dollarë; megjithatë, Shmiduber-i thekson se fokusi aktual është në kërkime dhe jo në të ardhura. Në janar 2017, Nnaisense nisi raundin e parë të financimit të kapitalit. Synimi kryesor i Shmiduber-it është krijimi i një inteligjence artificiale të përgjithshme duke trajnuar një sistem të vetëm të IA për një bashkësi të gjerë detyrash të posaçme.[4]

Kritika për kreditimet

Redakto

Shmiduber-i ka argumentuar në mënyrë të diskutueshme se ai dhe studiues të tjerë nuk kanë marrë njohjen e duhur për kontributet e tyre në fushën e të mësuarit të thelluar (deep learning), ndërsa Geoffrey Hinton-i, Yoshua Bengio dhe Yann LeCun-i, të cilët ndanë Çmimin Turing në vitin 2018 për punën e tyre në këtë fushë, janë favorizuar në mënyrë të padrejtë. Në një artikull kritik të vitit 2015[5], Shmiduber-i deklaroi se Hinton-i, Benxhio dhe LeKën "citojnë rëndom njëri-tjetrin" por "dështojnë të njohin pionierët e vërtetë të kësaj fushe."[6]

Në një deklaratë për The New York Times, Jan LeKën-i tha se "Jurgeni është i fiksuar në mënyrë maniake me njohjen dhe vazhdimisht pretendon merita për shumë gjëra që nuk i takojnë... Kjo gjë e bën atë të ngrihet në këmbë pas çdo prezantimi dhe të kërkojë merita për çfarë sapo u paraqit, shpesh pa justifikim." Shmiduber-i u përgjigj se LeKën foli "pa dhënë asnjë justifikim, pa dhënë qoftë një shembull të vetëm" dhe publikoi hollësi të shumta mbi mosmarrëveshjet e tij me tre shkencëtarët e tjerë.

Termi "schmidhubered" përdoret si batutë në komunitetin e inteligjencës artificiale për të përshkruar zakonin e Shmiduber-it për të sfiduar publikisht origjinalitetin e punës së studiuesve të tjerë. Megjithatë, disa sugjerojnë se arritjet e rëndësishme të Shmiduber-it nuk janë vlerësuar sa duhet për shkak të personalitetit të tij kundërshtues.

Shiko edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Hochreiter, Sepp; Schmidhuber, Jürgen (1997-11-15). "Long Short-Term Memory". Neural Computation (në anglisht). 9 (8): 1735–1780. doi:10.1162/neco.1997.9.8.1735. ISSN 0899-7667.
  2. ^ "Google voice search: faster and more accurate". research.google (në anglisht). Marrë më 2024-12-06.
  3. ^ "This Man Is the Godfather the AI Community Wants to Forget". Bloomberg.com (në anglisht). 2018-05-15. Marrë më 2024-12-06.
  4. ^ "AI Pioneer Wants to Build the Renaissance Machine of the Future". Bloomberg.com (në anglisht). 2017-01-16. Marrë më 2024-12-06.
  5. ^ Schmidhuber, Jürgen (qershor 2015). "Critique of Paper by "Deep Learning Conspiracy" (Nature 521 p 436)" (në anglisht).
  6. ^ Schmidhuber, Jürgen (2023). "How 3 Turing Awardees Republished Key Methods and Ideas Whose Creators They Failed to Credit" (në anglisht).