Hape menynë kryesore

Jashar Rexhepagiq lindi në Plavë16 janar të vitit 1929 dhe vdiq në Prishtinë me 28 janar 2010.[1] Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Beran dhe në Pejë.[2]

Jashar Rexhepagiq
(1929 - 2010)

Jasharrexhepagiq.jpg

Emri: Jashar
Mbiemri: Rexhepagiq
Lindi më: 16 janar, 1929
Vendlindja: Plavë
Vdiq më: 28 janar, 2010
Vdiq në: Prishtinë
Profesioni: Shkrimtar, Akademik, Profesor

BiografiaRedakto

Grupin e lëndëve pedagogjike e studioi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku diplomoi në vitin 1953. Gradën doktor shkence e mori në vitin 1965 në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku mbrojti me sukses tezën “Zhvillimi i shkollave dhe i arsimit të shqiptarëve në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918”.Ushtroi detyra të ndryshme në shkolla dhe në arsim: profesor i Shkollës Normale dhe Gjimnazit në Prizren, profesor e drejtor i Shkollës Normale të Prishtinës, këshilltar pedagogjik për shkolla të mesme i Pleqësisë së Arsimit të KAKM, ligjërues dhe profesor i Shkollës së Lartë PedagogjikePrishtinës, kurse nga viti 1962 punoi në Fakultetin FilozofikPrishtinës. Në këtë institucion, profesor i rregullt, veproi deri më 1990, kur u pensionua. Që nga themelimi i Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, gjegjësisht të ASHAK është anëtar i rregullt i këtij institucioni të lartë shkencor të Kosovës. Pos detyrës së sekretarit të Seksionit të Shkencave Shoqërore, dy herë qe sekretar i Përgjithshëm i Akademisë dhe në dy mandate nënkryetar i ASHAK. Ka marrë pjesë në kongrese, në simpoziume, në tryeza të rrumbullakta dhe në tubime të tjera shkencore e profesionale të pedagogëve në vend dhe jashtë. Në konferenca ndërkombëtare shkencore ka mbajtur referate ose kumtesa: në Pragë, Moskë, Jenë, Ankara, Mahaçkalla, Tiranë, Teheran (dy herë), Prishtinë, Sarajevë, Novi-Sad. Bashkëpunon në afro njëzet revista e fletore pedagogjike e të tjera. Ka qenë redaktor i Buletinit të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, redaktor i revistës shkencor Studime të Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK dhe redaktor i Vjetarit të ASHAK, anëtar i Këshillit redaktues të bibliotekës “Pedagogë bashkëkohor”, anëtar i Këshillit redaktues të Enciklopedisë pedagogjike I, II, kryetar i Këshillit botues të revistës shkencore Përparimi e të tjera. Tani është anëtar i redaksisë së rev. Studime të ASHAK, të revistës Edukata Islame, kryetar i Këshillit redaktues të Buletinit të Tutinit dhe anëtar i Këshillit botues të revistës Univerzitetska misao të Universitetit të Novi-Pazarit. Merret me historinë e përgjithshme të pedagogjisë, me historinë nacionale të pedagogjisë, veçanërisht me historinë e shkollave e të arsimit në Kosovë, pastaj me pedagogjinë teorike e komparative, me didaktikën, me pedagogjinë shkollore e familjare dhe me metodologjinë e gjurmimeve pedagogjike dhe albanistike. Në kohën më të re është përqendruar në gjurmime iranologjike në këto treva të Ballkanit. Është marrë edhe me poezi (5 libra të poezisë) dhe me kritikën shkencore e letrare. Është autor i mbi njëzet librave dhe i më se 360 punimeve shkencore e profesionale. Gjatë hulumtimit botoi disa vepra monografike, një numër të konsiderueshëm të studimeve, disa tekste shkollore, shqyrtime të shumta, artikuj, ese kritikë dhe kontribute të tjera. Është bashkautor i një varg projektesh shkencore dhe udhëheqës i disa prej tyre. Është laureat për punën shkencore, pedagogjike e shoqërore, pos të tjerash, i Shpërblimit të dhjetorit të KSA të Kosovës për punë shkencore dhe për rezultate në pedagogji (1972). Është bartës i Urdhrit të Punës me Kurorë të Artë (1980) dhe i Urdhrit të Republikës me Kurorë të Argjendtë (1988).[3]

VepraRedakto

  • Tema pedagogjike bashkëkohore - 1966.
  • Zhvillimi i shkollave dhe i arsimit të shqiptarëve në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918.-1970 (Razvoj prosvjete i školstva albanske narodnosti na teritoriji današnje Jugoslavije do 1918)[4]
  • Pedagogjia e shkollës së punës (Pedagogija radne škole) - 1972.
  • Hyrje në metodologjinë e punës kërkimore shkencore - 1972.
  • Shkollat dhe arsimi në Kosovë prej fundit të shek. XVIII deri më 1918 (Školstvo i prosveta na Kosovu od kraja XVIII stoljeċa do 1918) - 1974.
  • Medresa e Madhe e Shkupit (1925 - 1941) (Velika medresa u Skoplju, 1925-1941) - 1977.
  • Pikëpamjet pedagogjike të Hegelit (Pedagoški pogledi Hegela) - 1980.
  • Zhvillimi dhe veçoritë e shkollave turke në territorin e Jugosllavisë deri më 1912 - 1987.
  • Etika e arsimtarit sot - 1989.
  • Sami Frashëri dhe pedagogjia e Rilindjes Kombëtare - 1996, 2005.[5]
  • Kultura islamo-persiane dhe ndikimi i saj tek ne (Islamsko-persijska kultura i uticaj persijskog jezika u nas) - 1996.
  • Idetë pedagogjike dhe psikologjike në veprat e Muhamed Abdagiqit dhe Qamil Sijariqit (Pedagoške i psihološke ideje u delima Muhameda Abdagića i Ćamila Sijarića) - 1997.
  • Shkolla Normale "Sami Frashëri" në Prishtinë (1941-1944) - 1997.
  • Refleksione pedagogjiko-letrare:Kontribut arsimimit në Sanxhak (Pedagoško-literarne refleksije i odzivi:Prilog obrazovanju u Sandžaku) - 1998.
  • Dervishët, rendet dhe teqetë në Kosovë, në Sanxhak e në rajonet tjera përreth, në të kaluarën dhe sot - 1999, 2003.[6]
  • Tema të zgjedhura dhe bashkëkohore pedagogjike - 2002.
  • Në udhëkryqin e kohës: Nga Kapetanoviqi deri te Mushoviqi (Na raskršću vremena: Od Kapetanovića do Mušovića) - 2007.
  • Çështje fundamentale në pedagogjinë ndërkombëtare - 2008.[7]

Krijimtari poetikeRedakto

  Pëshpëritja
        ...
Mos e këndo atë që këngë s`e bën.
Po sikur të mund të kthehej koha,
skaj shtëpisë drunore, diku në qetësi
do të kisha thirrë, Loke ose Yll-nënë.
 Vetëm të jesh këtu
( Kushtuar Fehmi Aganit )
Një njeri i rrallë,
i zoti, mendar,
Edhe në pësim i madh
Dhe t`isha ai që nuk jam 
Këtu të ishe
shumëçka do të kishim.
Kot nuk krrokati korbi
sot me ag.
Çerdhen derdhi.
E nga hardhia ime
pikëlloi loti.
Shpesh vras mendjen,
këtu të ishe,
më i ndritshmi yll
ndoshta do kishim më shumë
dritë e dikushi të ishim.[8]

Të tjerët për Jashar RexhepagiqinRedakto

"Kjo krijimtari e begatshme dhe tejet cilësore e profesor Jasharit, i siguron atij njërin ndër vendet më meritorë në shkencën e pedagogjisë. Me të drejtë, sot emrin e profesor Jasharit e gjejmë në enciklopeditë e ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, ku në mënyrë dinjitoze spikasin personalitetin dhe veprat e profesorit tonë të dashur."

                                                                                                       Abdullah Vokrri (Prishtinë)

"Pedagogu i hershëm i Universitetit të Prishtinës, Jashar Rexhepagiq, është punëtor cilësor, frytdhënës në lëmin e studimeve historiko-pedagogjike. Me aftësitë, kulturën e plotësuar dhe zellin për punë, ai ka shkruar dhe botuar një radhë veprash të rëndësishme në fushë të historisë së arsimit dhe të shkollës shqipe, me tematikë për hapësirat mbarëshqiptare."

                                                                                                       Iljaz Gogaj (Tiranë)

"Jashar Rexhepagiqi është pedagog i pedagogëve kosovarë, themelues i shkencës së pedagogjisë në Kosovë dhe njëri ndër studiuesit më të shquar të historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar."

                                                                                                       Musa Kraja (Tiranë)

"Prof. Jashar Rexhepagiqi përfaqëson me dinjitet majat e shkencës shqiptare. Është përfaqësues i denjë i historisë së shkollës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare. Ai ka shtruar shumë probleme që duhen trajtuar, interpretuar dhe shoshitur. Veprat e tij përbëjnë një fond të pasur për historinë e arsimit tonë."

                                                                                                       Shefik Osmani (Tiranë)

"Prof. Rexhepagiqi gjendjen e shkencave pedagogjike në botë e njeh me themel, është jashtëzakonisht i informuar për drejtimet, lëvizjet dhe tendencat bashkëkohore në shkencën e pedagogjisë. Por, nuk ka të bëjë vetëm me informim shkencor të rëndomtë, me enciklopedizëm pedagogjik, por me vlerësimin shkencor kritik të trendeve pedagogjike, të cilat për nga pasuria dhe llojllojshmëria e tyre, janë shumë karakteristike për gjendjen e shkencës pedagogjike bashkëkohore."

                                                                                                       Pero Shimlesha (Zagreb)

Lidhje të jashtmeRedakto

Shih edheRedakto

BurimeRedakto

  1. ^ In Memoriam: Preselio akademik Jašar Redžepagić. info-ks.net. 29 janar 2010
  2. ^ Robert Elsie:Historical Dictionary of Kosova.The Scarecrow Press, Inc. Lanham - Toronto - Plymouth, UK. 2011. fq. 238 - 239. ISBN 978-0-8108-7231-8
  3. ^ Shih edhe në: Fjalor enciklopedik shqiptar, Vëllimi III. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë. 2009. fq. 2244. ISBN 978-99956-10-32-6
  4. ^ Jashar Rexhepagiq:The Development of Education and the School System of the Albanian Nation on the Territory of Yugoslavia until 1918. Prishtinë, 1970
  5. ^ Jashar Rexhepagiq:Sami Frashëri and the pedagogy of the National Renaissance. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës,. 2005.  9951-413-21-8. 
  6. ^ Jashar Rexhepagiq:Dervishët dhe teqetë: në Kosovë, në Sanxhak dhe në rajonet tjera përreth. Dukagjini,Pejë,. 2003. 
  7. ^ Për jetën dhe veprën e Jashar Rexhepagiqit shih edhe në:Çështje fundamentale në pedagogjinë ndërkombëtare, botuar nga, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në Prishtinë, në vitin 2008.
  8. ^ Gazeta "Zëri", Prishtinë, 9 dhjetor 2000, fq. 10